Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëjeni rininë tuaj të suksesshme

Bëjeni rininë tuaj të suksesshme

Bëjeni rininë tuaj të suksesshme

BANORËVE të një vendi evropian iu kërkua të zgjidhnin njërën nga këto tri mundësi: bukurinë, pasurinë ose rininë. E para në listë ishte rinia. Po, njerëz nga çdo grup-moshë i shohin vitet e adoleshencës dhe fillimin e të 20-ave si një kohë të veçantë në jetë. Të gjithë dëshirojnë që të rinjtë të bëjnë një kalim të suksesshëm nga fëmijëria në moshën e rritur. Por, si mund ta bëjnë këtë?

A mund të ndihmojë Bibla? Përgjigjja është pa dyshim po. Le të shqyrtojmë dy fusha në të cilat Fjala e Perëndisë mund t’i ndihmojë në mënyrë të veçantë të rinjtë e, ndoshta, mund të ndihmojë më shumë të rinjtë, sesa ndonjë grup-moshë tjetër.

Të shkojnë mirë me të tjerët

Jugend 2000 është një raport i bazuar në një studim me shtrirje të gjerë, lidhur me qëndrimet, vlerat dhe sjelljen e më shumë se 5.000 të rinjve në Gjermani. Ky studim zbulon se kur të rinjtë merren me veprimtari në kohën e lirë—duke dëgjuar muzikë, duke u marrë me sporte ose edhe vetëm duke ndenjur vërdallë—janë pothuajse gjithnjë të shoqëruar me njerëz të tjerë. Ndoshta më shumë se çdo grup-moshë tjetër, të rinjtë dëshirojnë të rrinë me moshatarët e tyre. Prandaj, është e arsyeshme që një nga sekretet për të pasur sukses gjatë rinisë është të shkosh mirë me të tjerët.

Por nuk është gjithnjë e lehtë të shkosh mirë me të tjerët. Në të vërtetë, marrëdhëniet njerëzore janë një nga fushat ku të rinjtë e të rejat e pranojnë se shpesh kanë probleme. Këtu, Bibla mund të jetë një ndihmë e vërtetë. Fjala e Perëndisë përmban udhëheqjen bazë që të rinjtë të ndërtojnë marrëdhënie të drejtpeshuara. Çfarë thotë Bibla?

Njëri nga parimet më të rëndësishme në marrëdhëniet njerëzore quhet Rregulla e Artë: «Gjithnjë trajtojini të tjerët siç do të donit t’ju trajtonin juve.» Kur i trajtoni të tjerët me nderim, dinjitet dhe mirëdashje, i nxitni që t’ju trajtojnë në të njëjtën mënyrë. Sjellja mirëdashëse mund ta zbutë një atmosferë me fërkime dhe stres. Nëse do të njiheni si persona që sillen me dashamirësi me të tjerët, ka të ngjarë që të fitoni vëmendjen dhe pranimin e tyre. A nuk ndiheni mirë kur jeni të pranuar nga të tjerët?—Mateu 7:12, Revised English Bible.

Bibla na këshillon që ‘ta duam të afërmin si vetveten’. Duhet ta duam vetveten, në kuptimin që të kujdesemi dhe të kemi një masë të arsyeshme respekti për veten, jo të tepërt dhe as shumë të pakët. Përse ndihmon kjo? Po ja, nëse nuk jeni të kënaqur me veten, mund të jeni tepër kritikë ndaj të tjerëve dhe kjo bëhet një pengesë që të keni marrëdhënie të mira me ta. Por, ndjenja e drejtpeshuar e respektit për veten është një bazë mbi të cilën mund të ndërtoni miqësi të forta.—Mateu 22:39.

Pasi të zhvilloni një miqësi, duhet ta forconi atë dhe kjo kërkon përpjekje nga të dyja palët. Të harxhoni kohë në një miqësi duhet t’ju bëjë të ndiheni mirë, sepse «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh». Një formë e dhënies është të falim dhe kjo përfshin t’i anashkalojmë gabimet e vogla dhe të mos presim përsosmëri nga të tjerët. Bibla na thotë: «Arsyetueshmëria juaj le të bëhet e njohur ndër të gjithë njerëzit.» Në të vërtetë, «aq sa varet prej jush, jini paqësorë me të gjithë». Ç’të themi nëse një miku juaj ju vë në dukje një dobësi që keni? Si reagoni? Shqyrtoni këtë këshillë praktike nga Bibla, e cila na thotë «mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh», sepse «goditjet që jep një mik janë për të mirë». A nuk është e vërtetë se miqtë ndikojnë në mendimet, në fjalët dhe në sjelljen tuaj? Prandaj, Bibla paralajmëron: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» Nga ana tjetër, «kush shkon me të urtët bëhet i urtë».—Veprat 20:35; Filipianëve 4:5; Romakëve 12:17, 18; Predikuesi (Eklisiastiu) 7:9; Fjalët e urta (Proverbat) 13:20; 27:6, REB; 1 Korintasve 15:33.

Markoja flet në emër të shumë të rinjve dhe të rejave, kur thotë: «Parimet biblike të ndihmojnë shumë që të shkosh mirë me të tjerët. Disa njerëz që njoh, jetojnë vetëm për vete dhe shohin vetëm se sa mund të zhvatin nga jeta. Bibla na mëson që të mos mendojmë tepër për veten, por për të tjerët. Me sa arrij të kuptoj unë, kjo është mënyra më e mirë për të pasur marrëdhënie të mira me të tjerët.»

Gjërat që të rinjtë si Markoja mësojnë nga Bibla i ndihmojnë jo vetëm gjatë rinisë, por edhe më pas në të ardhmen. Dhe, lidhur me të ardhmen, gjejmë një mënyrë tjetër në të cilën Bibla mund të jetë veçanërisht e dobishme për brezin e ri.

Ankth për të ardhmen

Shumë të rinj janë kureshtarë. Ndoshta më shumë se çdo grup-moshë tjetër, ata duan të dinë çfarë po ndodh dhe përse. E Bibla, më shumë se çdo libër tjetër, shpjegon arsyet që qëndrojnë prapa kushteve botërore dhe na thotë çfarë duhet të presim në të ardhmen. Kjo është ajo që dëshiron të dijë brezi i ri. Përse mund të jemi të sigurt se është pikërisht kjo?

Mirë, pra, megjithëse, në përgjithësi, besohet se të rinjtë jetojnë vetëm për të tashmen, disa anketa zbulojnë një tablo disi të ndryshme. Ato tregojnë se të rinjtë, shpesh, e vërejnë me kujdes çfarë po ndodh përreth tyre dhe, pastaj, nxjerrin përfundimet e tyre se si ka të ngjarë të jetë jeta në të ardhmen. Një dëshmi e kësaj është fakti që 3 në 4 të rinj e të reja mendojnë «shpesh» ose «shumë shpesh» për të ardhmen. Ndonëse, në përgjithësi, të rinjtë janë optimistë, shumica e tyre e shohin të ardhmen me njëfarë ankthi.

Përse me ankth? Shumë nga ata që sapo kanë hyrë në botën e të rriturve tashmë kanë probleme me krimin, dhunën dhe drogën. Të rinjtë shqetësohen nëse do të gjejnë një punë të qëndrueshme në një shoqëri që është tepër konkurruese. Ndihen nën presion për të marrë nota të mira në shkollë ose për të pasur shumë rendiment në punë. Një 17-vjeçare u ankua: «Jetojmë në një shoqëri ku njerëzit hanë njëri-tjetrin. Secili përpiqet të arrijë atë që dëshiron. Gjithnjë duhet të japësh prova për atë që mund të bësh dhe kjo më zemëron shumë.» Një i ri tjetër 22-vjeçar tha: «Njerëzit me rendiment kanë sukses në jetë dhe mund të jetojnë rehat. Ata që kanë rrethana të pafavorshme, të cilët për një arsye ose për një tjetër nuk arrijnë të kenë kaq sukses, mbeten një nivel më poshtë.» Përse ka kaq shumë konkurrencë në jetë? A do të jetë gjithnjë kështu jeta?

Një shpjegim realist

Kur të rinjtë e shohin shoqërinë me frikë ose me ankth, dashje pa dashje po pranojnë atë që thotë Bibla. Fjala e Perëndisë tregon se «shoqëria ku njerëzit hanë njëri-tjetrin», në të cilën jetojmë sot, është një shenjë e kohëve. Apostulli Pavël shkroi për ditët tona në një letër që ia dërgoi një të riu me emrin Timote: «Do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar.» Përse kritike dhe përse të vështira për t’u përballuar? Sepse, siç shkroi më tej Pavli, njerëzit do të ishin «të dashuruar pas vetes, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, . . . mosmirënjohës, të pabesë, . . . të egër». A nuk është ky një përshkrim i saktë i mënyrës se si sillen shumë njerëz sot?—2 Timoteut 3:1-3.

Bibla thotë se këto kohë kritike do të ishin «në ditët e fundit», para se në gjithë shoqërinë njerëzore të ndodhnin ndryshime të mëdha. Këto ndryshime do të prekin këdo, të ri e të moshuar. Çfarë lloj ndryshimesh? Së shpejti, një qeveri qiellore do të marrë në dorë sundimin mbi çështjet njerëzore dhe nënshtetasit do të gëzojnë «një paqe të madhe» në çdo vend. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» Ndjenjat e ankthit dhe të frikës do t’i përkasin së kaluarës.—Psalmi 37:11, 29.

Vetëm Bibla jep mendjehollësi të besueshme për të ardhmen. Kur një i ri e di se çfarë të presë në vitet që do të vijnë, mund të përgatitet për ato zhvillime dhe të ndihet i sigurt e ta ketë më në kontroll jetën e tij. Kjo ndjenjë e zvogëlon stresin dhe ankthin. Kështu, Bibla plotëson nevojën e veçantë të brezit të ri për të kuptuar shoqërinë dhe për të ditur çfarë do të sjellë e ardhmja.

Një rini e suksesshme

Cili është kriteri për të matur suksesin gjatë rinisë? Një arsimim i lartë, zotërimet materiale dhe një rreth i gjerë miqsh? Shumë mendojnë kështu. Vitet e adoleshencës dhe fillimi i të 20-ave duhet t’i japin personit një fillim të mirë për jetën në të ardhmen. Me fjalë të tjera, një rini e suksesshme mund të jetë tregues i asaj që do të ndodhë më vonë.

Siç e kemi parë, Bibla mund ta ndihmojë një të ri që t’i bëjë të suksesshme vitet e rinisë së tij. Shumë të rinj e kanë provuar tashmë se kjo ka ndodhur në jetën e tyre. Ata e lexojnë përditë Fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë atë që mësojnë. (Shih «Sugjerim nga një i ri shërbëtor i Jehovait», në faqen 6.) Po, Bibla është vërtet një libër që bën për të rinjtë e sotëm, sepse mund t’i ndihmojë që të jenë ‘krejtësisht të zotët, plotësisht të pajisur për çdo vepër të mirë’.—2 Timoteut 3:16, 17.

[Diçitura në faqen 5]

Njëri nga sekretet për një rini të suksesshme është të shkosh mirë me të tjerët

[Diçitura në faqen 6]

Ndoshta më shumë se çdo grup-moshë tjetër, të rinjtë duan të dinë çfarë po ndodh dhe përse

[Kutia në faqet 6, 7]

Sugjerim nga një i ri shërbëtor i Jehovait

Aleksandri është 19 vjeç. Është rritur në një familje Dëshmitarësh të Jehovait dhe kënaqet plotësisht duke e praktikuar me gjithë zemër besimin e tij. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Aleksandri shpjegon:

«E besoni ose jo, unë kalova më shumë se shtatë vjet duke u shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait si një i ri i papagëzuar. Gjatë asaj kohe, adhurimi që bëja ishte me gjysmë zemre, thjesht një rutinë mekanike. Mendoj që nuk kisha guximin t’i bëja një shqyrtim me ndershmëri vetes.»

Pastaj, qëndrimi i Aleksandrit ndryshoi. Ai vazhdon:

«Prindërit dhe miqtë në kongregacion më nxitnin vazhdimisht që ta lexoja përditë Biblën, që të arrija ta njihja personalisht Jehovain. Përfundimisht, vendosa ta provoja një herë. Prandaj, hoqa pak kohë nga ajo që i kushtoja televizorit dhe fillova ta lexoja Biblën çdo ditë, herët në mëngjes. Më në fund, fillova ta kuptoja për çfarë flet Bibla. Arrita të kuptoja se si mund të më ndihmojë mua si person. Dhe ç’është më e rëndësishmja, kuptova se Jehovai dëshiron që ta njoh. Pasi e kuptova këtë, marrëdhënia ime personale me të filloi të rritej dhe miqësitë që kisha në kongregacion u përmirësuan. Sa shumë e ka ndryshuar Bibla jetën time! Sugjerimi im është që çdo i ri shërbëtor i Jehovait ta lexojë Biblën çdo ditë.»

Në mbarë botën, ka miliona të rinj që shoqërohen me Dëshmitarët e Jehovait. A je një prej tyre? A do të të pëlqente të nxirrje dobi duke e lexuar Biblën rregullisht? Përse të mos ndjekësh shembullin e Aleksandrit? Hiq ca kohë nga veprimtaritë më pak të rëndësishme dhe lexoje çdo ditë Biblën. Do të nxjerrësh patjetër dobi.