Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos u dorëzoni duke bërë atë që është e shkëlqyer

Mos u dorëzoni duke bërë atë që është e shkëlqyer

Mos u dorëzoni duke bërë atë që është e shkëlqyer

«Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»—GALATASVE 6:9.

1, 2. (a) Përse kemi nevojë për qëndrueshmëri që t’i shërbejmë Perëndisë? (b) Si tregoi qëndrueshmëri Abrahami dhe çfarë gjëje e ndihmoi që ta bënte këtë?

SI Dëshmitarë të Jehovait, ne gjejmë kënaqësi duke bërë vullnetin e Perëndisë. Gjithashtu, gjejmë freskim duke marrë mbi vete «zgjedhën» si dishepuj. (Mateu 11:29) Megjithatë, t’i shërbejmë Jehovait së bashku me Krishtin nuk është gjithnjë e lehtë. Apostulli Pavël e bëri të qartë këtë, kur i nxiti të bashkëkrishterët: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, me qëllim që pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit.» (Hebrenjve 10:36) Duhet qëndrueshmëri, sepse t’i shërbejmë Perëndisë mund të jetë një sfidë.

2 Jeta e Abrahamit është me siguri një dëshmi e kësaj të vërtete. Ai shumë herë u përballua me zgjedhje të vështira dhe rrethana stresuese. Urdhri për të lënë një jetë të rehatshme në Ur ishte vetëm fillimi. Jo shumë kohë më pas, përballoi një zi buke, armiqësi nga fqinjët e tij, desh humbi të shoqen, hasi urrejtje nga disa të afërm dhe mizorinë e luftës. Sprova më të mëdha duhej ende të vinin. Por Abrahami nuk u dorëzua kurrë duke bërë atë që ishte e shkëlqyer. Kjo është e jashtëzakonshme, kur mendojmë se ai nuk e kishte Fjalën e plotë të Perëndisë, siç e kemi ne sot. Megjithatë, pa dyshim, e dinte profecinë e parë, në të cilën Perëndia shpalli: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj.» (Zanafilla 3:15) Duke qenë personi nëpërmjet të cilit do të vinte Fara, ishte e natyrshme që Abrahami të ishte shënjestra e armiqësisë së Satanait. Duke kuptuar këtë fakt, pa dyshim Abrahami u ndihmua t’i duronte sprovat e tij me gëzim.

3. (a) Përse populli i Jehovait sot duhet të presë shtrëngime? (b) Si na jep zemër Galatasve 6:9?

3 Sot, edhe populli i Jehovait duhet të presë shtrëngime. (1 Pjetrit 1:6, 7) Në fund të fundit, Zbulesa 12:17 na paralajmëron se Satanai po ‘bën luftë’ me mbetjen e të mirosurve. Duke qenë se kanë shoqëri të ngushtë me të mirosurit, ‘delet e tjera’ janë po ashtu shënjestra të zemërimit të Satanait. (Gjoni 10:16) Përveç kundërshtimit që mund të hasin në shërbimin publik, të krishterët mund të kenë edhe presione në jetën e tyre private. Pavli na bën thirrje: «Le të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.» (Galatasve 6:9) Po, ndonëse Satanai ka si synim të na e shkatërrojë besimin, ne duhet t’i kundërvihemi, të fortë në besim. (1 Pjetrit 5:8, 9) Çfarë mund të vijë si pasojë nëse qëndrojmë besnikë? Te Jakovit 1:2, 3 shpjegohet: «Konsiderojeni veçse gëzim, vëllezërit e mi, kur hasni sprova të ndryshme, duke e ditur se kjo cilësi e sprovuar e besimit tuaj prodhon qëndrueshmëri.»

Sulm i drejtpërdrejtë

4. Si i ka përdorur Satanai sulmet e drejtpërdrejta, duke u përpjekur t’ia thyejë integritetin popullit të Perëndisë?

4 Jeta e Abrahamit, patjetër, ilustron ‘sprovat e ndryshme’ që mund të hasë një i krishterë sot. Për shembull, atij iu desh t’i përgjigjej sulmit të pushtuesve nga Shinari. (Zanafilla 14:11-16) S’është për t’u habitur që Satanai vazhdon t’i përdorë sulmet e drejtpërdrejta në formën e përndjekjes. Që nga përfundimi i Luftës II Botërore, dhjetëra vende kanë vënë ndalime qeveritare ndaj veprës arsimuese të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 2001 flet për dhunën që iu desh të duronin të krishterët në Angola nga armiqtë e tyre. Duke u mbështetur te Jehovai, vëllezërit tanë në këto vende kanë qëndruar të palëkundur, duke mos pranuar të dorëzohen. Janë përgjigjur, jo duke përdorur dhunën ose rebelimin, por duke ngulmuar me maturi në veprën e predikimit.—Mateu 24:14.

5. Si mund të jenë të rinjtë e krishterë viktima të përndjekjes në shkollë?

5 Megjithatë, përndjekja nuk përfshin medoemos dhunën. Së fundi, Abrahami u bekua me dy djem: Ismaelin dhe Isakun. Zanafilla 21:8-12 na thotë se, në një rast, Ismaeli po «qeshte» me Isakun. Në letrën e tij drejtuar galatasve, Pavli tregon se kjo ishte më serioze sesa një lojë fëmijësh, sepse ai thotë që Ismaeli po e përndiqte Isakun. (Galatasve 4:29) Pra, tallja nga shokët e shkollës dhe sulmet me fjalë nga kundërshtarët mund të quhen me plot gojën përndjekje. Një i ri i krishterë me emrin Rajan kujton se sa shumë e mundonin shokët e klasës: «Ngaqë më sulmonin me fjalë, ato 15 minuta udhëtim me autobus për të shkuar e për t’u kthyer nga shkolla më dukeshin sikur ishin orë të tëra. Më digjnin me kapëse metalike letrash që i kishin nxehur më përpara me çakmakë.» Cila ishte arsyeja për këtë trajtim mizor? «Stërvitja teokratike që kisha marrë më bënte të ndryshëm nga fëmijët e tjerë në shkollë.» Gjithsesi, me ndihmën e prindërve të tij, Rajani arriti të qëndronte me besnikëri. Të rinj, mos ndoshta talljet e moshatarëve tuaj ju kanë bërë të ndiheni të shkurajuar? Mos u dorëzoni! Duke qëndruar me besnikëri, do të provoni përmbushjen e fjalëve të Jezuit: «Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim.»—Mateu 5:11.

Ankthet e përditshme

6. Cilat gjëra mund t’i acarojnë sot marrëdhëniet ndërmjet të bashkëkrishterëve?

6 Shumica e sprovave që hasim sot kanë të bëjnë me ankthet e zakonshme të çdo dite. Edhe Abrahamit iu desh të përballonte tensionet që ishin krijuar ndërmjet barinjve të tij dhe atyre të Lotit, nipit të tij. (Zanafilla 13:5-7) Sot, në mënyrë të ngjashme, mospajtimet ndërmjet personaliteteve dhe xhelozitë për gjëra të vogla mund t’i acarojnë marrëdhëniet me të tjerët e, madje, mund të kërcënojnë paqen e kongregacionit. «Aty ku ka xhelozi dhe frymë grindjeje, aty ka çrregullim dhe çdo gjë të poshtër.» (Jakovit 3:16) Sa e rëndësishme është që të mos dorëzohemi, por ta vëmë paqen mbi krenarinë tonë, siç bëri Abrahami, dhe të kërkojmë interesat e të tjerëve.—1 Korintasve 13:5; Jakovit 3:17.

7. (a) Çfarë duhet të bëjë një person, nëse një i bashkëkrishterë e ka lënduar? (b) Si la një shembull të shkëlqyer Abrahami në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me të tjerët?

7 Mund të jetë një sfidë të jemi paqësorë në rastin kur mendojmë se një bashkëbesimtar na ka trajtuar me padrejtësi. Te Fjalët e urta (Proverbat) 12:18 thuhet: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë.» Fjalët e pamenduara, edhe sikur të thuhen pa ndonjë qëllim të keq, mund të shkaktojnë dhembje të thellë. Dhembja është edhe më e madhe në rastin kur mendojmë se kundër nesh kanë dalë shpifje ose që jemi bërë viktimë e një thashethemeje mizore. (Psalmi 6:6, 7) Por një i krishterë nuk mund të lejojë që ndjenjat e lënduara ta bëjnë të dorëzohet! Nëse ndodheni në një rrethanë të tillë, jini të parët për t’i ndrequr gjërat duke folur në mënyrë dashamirëse me personin që ju ka ofenduar. (Mateu 5:23, 24; Efesianëve 4:26) Jini të prirur ta falni atë person. (Kolosianëve 3:13) Duke mos mbajtur mëri, u japim një mundësi për t’u shëruar edhe ndjenjave tona, edhe marrëdhënies me vëllanë tonë. Abrahami nuk e ushqeu edhe atë sadopak mëri që mund të kishte ndier ndaj Lotit. Madje, vrapoi në mbrojtje të Lotit dhe të familjes së tij!—Zanafilla 14:12-16.

Sprova që i shkaktojmë vetë ne

8. (a) Si mund të ndodhë që të krishterët ta ‘shpojnë veten tejpërtej me shumë dhembje’? (b) Përse Abrahami arriti të kishte një pikëpamje të drejtpeshuar për gjërat materiale?

8 Duhet pranuar se disa sprova ne i shkaktojmë vetë. Për shembull, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij: «Mos grumbulloni më për vete thesare mbi tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku dhe ku hajdutët shpërthejnë e vjedhin.» (Mateu 6:19) Gjithsesi, disa vëllezër ‘e shpojnë veten tejpërtej me shumë dhembje’ duke i vënë interesat materiale para interesave të Mbretërisë. (1 Timoteut 6:9, 10) Abrahami ishte i gatshëm t’i sakrifikonte rehatitë materiale për t’i pëlqyer Perëndisë. «Me anë të besimit [ai] banoi si i ardhur në tokën e premtimit si në një tokë të huaj dhe banoi në tenda me Isakun e Jakobin, trashëgimtarë me atë të po të njëjtit premtim. Sepse po priste qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia.» (Hebrenjve 11:9, 10) Besimi i Abrahamit në një ‘qytet’ ose qeveri hyjnore të ardhme, e ndihmoi që të mos e varte shpresën te pasuritë. A nuk do të ishte e mençur që edhe ne të vepronim po kështu?

9, 10. (a) Si mund të krijojë një sprovë dëshira për t’u shquar? (b) Në ç’mënyrë mund të sillet sot një vëlla si një ‘më i vogël’?

9 Shqyrtoni një fushë tjetër. Bibla jep këtë drejtim të fuqishëm: «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, gënjen veten.» (Galatasve 6:3) Për më tepër, kemi nxitjen që të ‘mos bëjmë asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje’. (Filipianëve 2:3) Disa i shkaktojnë vetë sprovat duke mos e vënë në zbatim këtë këshillë. Të shtyrë nga dëshira për t’u shquar, në vend të dëshirës për të bërë «një punë të shkëlqyer», ata shkurajohen dhe bëhen të pakënaqur kur nuk marrin privilegje në kongregacion.—1 Timoteut 3:1.

10 Abrahami la një shembull të shkëlqyer, duke ‘mos menduar për veten më shumë sesa duhej të mendonte’. (Romakëve 12:3) Kur takoi Melkisedekun, Abrahami nuk veproi sikur pozita e favorizuar që kishte para Perëndisë ta bënte më të lartë se të tjerët. Përkundrazi, ai e pranoi pozitën më të lartë të Melkisedekut si prift, duke i paguar të dhjetën. (Hebrenjve 7:4-7) Në mënyrë të ngjashme, të krishterët sot duhet të jenë të gatshëm të sillen si ‘më të vegjël’ dhe të mos kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes. (Luka 9:48) Nëse ju duket sikur ata që marrin drejtimin në kongregacion nuk po ju japin disa privilegje, bëni një vetëshqyrtim me ndershmëri, për të përcaktuar çfarë përmirësimesh mund të bëni në personalitetin tuaj ose në mënyrën se si i bëni gjërat. Në vend që të hidhëroheni për privilegjet që nuk keni, përfitoni plotësisht nga privilegji që keni, domethënë privilegji për të ndihmuar të tjerët që të arrijnë të njohin Jehovain. Po, «përuluni . . . nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur».—1 Pjetrit 5:6.

Besim në gjërat që nuk shihen

11, 12. (a) Përse disa në kongregacion mund ta humbin ndjenjën e urgjencës? (b) Si la Abrahami një shembull të shkëlqyer duke e ndërtuar jetën mbi besimin në premtimet e Perëndisë?

11 Një sprovë tjetër mund të ketë të bëjë me vonesën në dukje të fundit të këtij sistemi të lig. Sipas 2 Pjetrit 3:12, të krishterët duhet të ‘presin dhe të mbajnë gjithnjë në mend praninë e ditës së Jehovait’. Por shumë veta e kanë pritur këtë ‘ditë’ për vite me radhë, e disa për dhjetëvjeçarë të tërë. Për pasojë, disa mund të shkurajohen dhe ta humbin ndjenjën e urgjencës.

12 Shqyrtoni përsëri shembullin e Abrahamit. Ai e ndërtoi tërë jetën e tij mbi besimin në premtimet e Perëndisë, edhe pse nuk kishte mundësi që ato të plotësoheshin që të gjitha gjatë jetës së tij. Vërtet, ai jetoi mjaft kohë sa të shikonte të birin, Isakun, të rritej. Por, do të kalonin shekuj para se pasardhësit e Abrahamit të mund të krahasoheshin me «yjet e qiellit» ose me ‘rërën që ndodhet në brigjet e detit’. (Zanafilla 22:17) Megjithatë, Abrahami nuk u hidhërua e as nuk u shkurajua. Kështu, apostulli Pavël tha për Abrahamin dhe për patriarkët e tjerë: «Të gjithë këta vdiqën në besim, megjithëse nuk e morën përmbushjen e premtimeve, por i panë ato nga larg e i mirëpritën dhe shpallën publikisht se ishin të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend.»—Hebrenjve 11:13.

13. (a) Në ç’mënyrë të krishterët sot janë si «banorë të përkohshëm»? (b) Përse do ta sjellë Jehovai fundin e këtij sistemi?

13 Nëse Abrahami mundi ta mbante jetën të përqendruar në premtimet përmbushja e të cilave ishte ende «larg», sa më shumë duhet të bëjmë ne sot, kur përmbushja e këtyre gjërave është shumë afër! Ashtu si Abrahami, duhet ta shohim veten si «banorë të përkohshëm» në sistemin e Satanait, duke mos pranuar të rehatohemi në një stil jetese rehatidashës. Natyrisht, do të na pëlqente më shumë që ky ‘fund i të gjitha gjërave’ të vinte menjëherë, jo thjesht të ishte afër. (1 Pjetrit 4:7) Ndoshta po vuajmë nga probleme të rënda shëndetësore. Ose presionet ekonomike mund të na rëndojnë së tepërmi. Gjithsesi, duhet të kujtojmë që Jehovai do ta sjellë fundin jo vetëm për të na shpëtuar ne nga rrethanat pikëlluese, por për të shenjtëruar emrin e tij. (Ezekieli 36:23; Mateu 6:9, 10) Fundi do të vijë jo medoemos në një kohë të volitshme për ne, por në një kohë që u shërben më së miri qëllimeve të Jehovait.

14. Si u sjell dobi të krishterëve sot durimi i Perëndisë?

14 Mbani në mend edhe se «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim». (2 Pjetrit 3:9) Vini re, thuhet që Perëndia është «i durueshëm me ju», pra, me pjesëtarët e kongregacionit të krishterë. Ndoshta disa nga ne kanë nevojë për më shumë kohë që të bëjnë ndryshime dhe ndreqje, me qëllim që ‘së fundi të gjenden prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe’. (2 Pjetrit 3:14) Pra, a nuk duhet të jemi mirënjohës që Perëndia ka treguar një durim të tillë?

Të gjejmë gëzim, me gjithë pengesat

15. Si arriti Jezui ta ruante gëzimin përballë sprovave dhe si nxjerrin dobi të krishterët sot duke e imituar atë?

15 Jeta e Abrahamit përmban shumë mësime për të krishterët sot. Ai nuk tregoi vetëm besim, por edhe durim, maturi, guxim dhe dashuri altruiste. I dha adhurimit të Jehovait përparësinë në jetën e tij. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se shembullin më të madh që duhet të imitojmë e la Jezu Krishti. Edhe ai hasi shumë sprova të ndryshme, por gjatë gjithë atyre nuk e humbi kurrë gëzimin. Përse? Sepse e mbajti mendjen të përqendruar në shpresën që gjendej para tij. (Hebrenjve 12:2, 3) Kështu, Pavli u lut: «Tani, Perëndia që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim, ju dhëntë të keni mes jush të njëjtin qëndrim mendor që kishte Krishti Jezu.» (Romakëve 15:5) Duke pasur qëndrimin e duhur mendor, mund të gjejmë gëzim me gjithë pengesat që mund të na vërë përpara Satanai.

16. Çfarë mund të bëjmë kur problemet na duken mbytëse?

16 Kur problemet duken mbytëse, sillni ndër mend se Jehovai ju do, ashtu siç donte edhe Abrahamin. Ai dëshiron që ju t’ia dilni mbanë. (Filipianëve 1:6) Kini besim të plotë te Jehovai, të sigurt se ai «nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni». (1 Korintasve 10:13) Zhvilloni zakonin që ta lexoni përditë Fjalën e Perëndisë. (Psalmi 1:2) Ngulmoni në lutje, duke i kërkuar Jehovait që t’ju ndihmojë të qëndroni. (Filipianëve 4:6) Ai do t’i «japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Përfitoni nga masat që ka marrë Jehovai për t’ju mbështetur frymësisht, siç janë botimet e bazuara në Bibël. Gjithashtu, kërkoni mbështetjen e vëllazërisë. (1 Pjetrit 2:17) Ndiqini rregullisht mbledhjet e krishtere, sepse atje do të merrni nxitjen për të cilën keni nevojë që të qëndroni. (Hebrenjve 10:24, 25) Gëzohuni me bindjen se qëndrueshmëria ju çon në një gjendje të miratuar në sytë e Perëndisë dhe se besnikëria juaj ia gëzon atij zemrën!—Fjalët e urta 27:11; Romakëve 5:3-5.

17. Përse të krishterët nuk bien në dëshpërim?

17 Perëndia e deshi Abrahamin si ‘mikun’ e tij. (Jakovit 2:23) Gjithsesi, jeta e Abrahamit ishte plot me sprova dhe shtrëngime plot stres. Prandaj, të krishterët mund të presin të njëjtën gjë në këto ‘ditë të fundit’ të liga. Në të vërtetë, Bibla na paralajmëron se «njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq». (2 Timoteut 3:1, 13) Në vend që të bini në dëshpërim, kuptoni se presionet që hasim japin dëshmi se fundi i sistemit të lig të Satanait është afër. Por Jezui na kujton se «ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë». (Mateu 24:13) Prandaj, «mos u dorëzoni duke bërë atë që është e shkëlqyer»! Imitoni Abrahamin dhe jini mes atyre që «nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet».—Hebrenjve 6:12.

A e keni vënë re?

• Përse populli i Jehovait sot duhet të presë sprova dhe shtrëngime?

• Në cilat mënyra Satanai mund të përdorë sulmet e drejtpërdrejta?

• Si mund të zgjidhen konfliktet personale mes të krishterëve?

• Në ç’mënyrë krenaria dhe uni mund të krijojnë sprova?

• Në ç’mënyrë Abrahami la një shembull të mirë duke pritur përmbushjen e premtimeve të Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Shumë të rinj të krishterë hasin përndjekje në formën e talljeve nga bashkëmoshatarët

[Figura në faqen 29]

Në ditët e Abrahamit, përmbushja e premtimeve të Perëndisë ishte «larg», e megjithatë ai e ndërtoi jetën e tij përreth tyre