Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Sa zgjatën vuajtjet e Jobit?
Disa njerëz mendojnë se sprovat e Jobit zgjatën shumë vjet, por libri i Jobit nuk flet për vuajtje kaq të gjata.
Faza e parë e sprovave të Jobit, domethënë humbja e familjarëve dhe e të mirave materiale, duket se ka qenë mjaft e shkurtër. Lexojmë: ‘Kështu një ditë ndodhi që bijtë [e Jobit] dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh.’ Jobi mori një lajm pas tjetrit se kishte humbur gjedhët, gomerët, delet, devetë dhe shërbëtorët që kujdeseshin për ato kafshë. Me sa duket, menjëherë pas kësaj Jobi mori vesh për vdekjen e bijve dhe të bijave të tij, të cilët po «hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh». Duket se e gjithë kjo ndodhi brenda një dite të vetme.—Jobi 1:13-19.
Faza tjetër e sprovave të Jobit duhet të ketë zgjatur më shumë kohë. Satanai shkoi para Jehovait dhe pohoi se Jobi nuk do ta kalonte sprovën e integritetit, nëse vuajtja do ta prekte personalisht, domethënë vetë trupin e tij. Pas kësaj, Jobi u godit me «një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës». Përhapja e kësaj sëmundjeje në gjithë trupin e tij mund të ketë dashur njëfarë kohe. Dhe, ka të ngjarë që të duhej kohë para se lajmi për «tërë këto fatkeqësi» të shkonte tek ata që gjoja ishin ngushëlluesit e tij, të cilët më pas erdhën tek ai.—Jobi 2:3-11.
Elifazi ishte nga Temani, në vendin e Edomit dhe Zofari ishte nga një zonë në Arabinë Veriperëndimore, kështu që shtëpitë e tyre nuk ishin larg nga shtëpia e Jobit në Uz, i cili ka të ngjarë të ishte në Arabinë Veriore. Mirëpo, Bildadi ishte një shuhit dhe, me sa kuptohet, populli i tij jetonte përgjatë Eufratit. Nëse në atë kohë Bildadi ndodhej në zonën ku kishte shtëpinë, mund të jenë dashur javë ose muaj para se ai të merrte vesh për gjendjen e Jobit dhe të udhëtonte deri në Uz. Sigurisht, ka mundësi edhe që ata të tre të ishin në një vend afër Jobit kur atij i filluan këto vuajtje. Sidoqoftë, kur arritën tre shokët e Jobit, ata «u ulën pranë tij për shtatë ditë e shtatë net» pa folur.—Jobi 2:12, 13.
Pastaj, erdhi faza përfundimtare e sprovave të Jobit, hollësitë e së cilës mbushin shumë kapituj të librit. Pati një seri debatesh ose fjalimesh nga ata ngushëllues të rremë dhe, shpesh, Jobi u përgjigj. Pasi mbaroi kjo, i riu Eliu dha qortim dhe, që nga qielli, Jehovai e ndreqi Jobin.—Jobi 32:1-6; 38:1; 40:1-6; 42:1.
Kështu, vuajtjet e Jobit dhe përfundimi i tyre mund të kenë ndodhur brenda disa muajsh, ndoshta brenda më pak se një viti. Nga përvoja, ndoshta e dini se sprovat e vështira duket sikur zgjatin përgjithnjë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se ato, herët a vonë, përfundojnë, si ndodhi në rastin e Jobit. Sado të zgjatin sprovat që hasim, le të mbajmë në mend mbështetjen që na jep Perëndia, siç pasqyrohet në fjalët e frymëzuara: «Ndonëse shtrëngimi është kalimtar dhe i lehtë, ai prodhon për ne një lavdi që ka një peshë, e cila tejkalon gjithnjë e më shumë çdo gjë dhe është e përhershme.» (2 Korintasve 4:17) Apostulli Pjetër shkroi: «Pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i gjithë dashamirësisë së pamerituar që ju thirri në lavdinë e tij të përhershme dhe në unitet me Krishtin, do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë.»—1 Pjetrit 5:10.