Shkëlqejnë si ndriçues në Qytetin e Dritës
Shkëlqejnë si ndriçues në Qytetin e Dritës
Fluctuat nec mergitur ose «Goditet nga dallgët, por nuk fundoset» është parulla e qytetit të Parisit.
SI NJË anije, gjatë 2.000 viteve të kaluara, Parisi u ka bërë ballë stuhive të panumërta të të huajve dhe kryengritjeve të brendshme, për të qëndruar mbi ujë. Tani një nga qytetet më të bukura të botës, Parisi admirohet shumë për arkitekturën e mrekullueshme, për bulevardet me pemë anash dhe për muzetë me famë botërore. Disa e mendojnë këtë qytet si limanin e poetëve, piktorëve dhe filozofëve. Të tjerë shijojnë mrekullitë e kuzhinës së tij dhe admirojnë modën e tij.
Historikisht, Parisi ka qenë një kështjellë e katolicizmit. Dyqind vjet më parë, për shkak të rolit kryesor që luajti në një lëvizje intelektuale evropiane të njohur si iluminizmi, Parisi u quajt Qyteti i Dritës. Sot, dashje pa dashje, shumica e banorëve të Parisit ndikohen më tepër nga filozofia e asaj periudhe, sesa nga feja.
Gjithsesi, mençuria njerëzore nuk e ka ndriçuar jetën e njerëzve siç pritej. Shumë veta sot po kërkojnë ndriçim nga një burim tjetër. Tashmë për 90 vjet Dëshmitarët e Jehovait po ‘shkëlqejnë si ndriçues’ në Paris. (Filipianëve 2:15) Si marinarë të shkathët, atyre u është dashur t’u përshtaten vazhdimisht rrymave ose ngjarjeve që ndryshojnë, me qëllim që të marrin në bord «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve».—Hageu 2:7, BR.
Një qytet sfidues
Në vitin 1850, Parisi kishte 600.000 banorë. Në ditët e sotme, popullsia e tij, duke përfshirë edhe periferitë, i kalon të nëntë milionët. Një rritje e tillë ka sjellë si pasojë që Parisi të jetë qyteti me popullsi më të përzier në Francë. Ky qytet është një qendër botërore e arsimimit të lartë, ka një nga universitetet më të vjetra të botës dhe aty banojnë rreth 250.000 studentë. Disa periferi të Parisit, të cilat kanë shumë godina të larta banimi që shquhen për kriminalitetin dhe papunësinë, paraqesin anën e errët të qytetit. Pa dyshim, Dëshmitarëve të Jehovait u duhet mjeshtëri dhe elasticitet që t’ia paraqesin lajmin e mirë në mënyrë tërheqëse çdo lloj njeriu.—1 Timoteut 4:10.
Më shumë se 20 milionë turistë e vizitojnë Parisin çdo vit. Të entuziazmuar, ata mund të ngjiten nëpër kullën Ejfel, të bëjnë shëtitje përgjatë lumit Senë ose të qëndrojnë nëpër kafenetë dhe restorantet buzë trotuareve, duke përjetuar atmosferën e qytetit. Megjithatë, ritmi i përditshëm i jetës për banorët e Parisit mund të jetë
shumë i shpejtë. «Njerëzit janë gjithnjë me nxitim,—shpjegon Kristiani, një shërbëtor në kohë të plotë.—Kur kthehen nga puna, janë të sfilitur.» Nuk është e lehtë të flasësh me këta njerëz kaq të zënë me punë.
Por një nga problemet më të mëdha që hasin Dëshmitarët e Jehovait në Paris, është t’i gjejnë njerëzit në shtëpitë e tyre. Disa ndërtesa janë të pajisura me citofonë. Sidoqoftë, duke qenë se kriminaliteti po shtohet, pallatet shpesh i kanë dyert e hyrjes me kod dhe është e pamundur të hysh në to. Kjo, pa dyshim, ndikon në faktin që në disa zona, ka një përqindje vetëm 1 Dëshmitar me 1.400 banorë. Prandaj, dëshmia me telefon dhe shërbimi i rastit po përdoren gjithnjë e më shumë. A kanë pasur mundësi Dëshmitarët e Jehovait ta lënë ‘dritën e tyre të ndriçojë’ në mënyra të tjera?—Mateu 5:16.
Mundësitë dhe vendet për të bërë shërbim të rastit janë të shumta. Martina pa një grua që qëndronte në stacionin e autobusit, e cila dukej e dëshpëruar. Gruaja pak kohë më parë kishte humbur vajzën e saj të vetme. Martina i dha një broshurë që përmbante shpresën ngushëlluese të Biblës për ringjalljen. Pastaj, nuk u takua më me të për disa muaj. Kur e takoi përsëri atë zonjë, Martina pati mundësi të fillonte një studim biblik me të. Me gjithë kundërshtimin nga i shoqi, gruaja u bë Dëshmitare.
Dëshmi frytdhënëse e rastit
Sistemi i transportit publik në Paris është një nga më të efektshmit në botë. Metroja e famshme transporton 5.000.000 pasagjerë në ditë. Thuhet se stacioni kryesor i nëndheshëm i Parisit, Shatëlet-Lez-Hal, është më i madhi e më me lëvizje në botë. Mundësitë për të takuar njerëz atje janë të shumta. Aleksandra merr metronë çdo ditë për të shkuar në punë. Një ditë, ajo filloi bisedën me një të ri të sëmurë me leucemi, i cili ishte në prag të vdekjes. Aleksandra i dha një fletushkë për shpresën e Parajsës. Për gjashtë javë ata zhvilluan biseda biblike çdo ditë, në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë. Pastaj, një ditë i riu nuk erdhi më. Pak kohë më pas, e shoqja e tij i telefonoi Aleksandrës dhe i tha të shkonte në spital, pasi ai i ri ishte në gjendje kritike. Mjerisht, Aleksandra arriti shumë vonë. Pas vdekjes së atij të riu, gruaja e tij u transferua në Bordo, në Francën Jugperëndimore, ku pati vizita nga Dëshmitarët e atjeshëm. Sa lajm të mrekullueshëm mori Aleksandra kur dëgjoi një vit më vonë se vejusha ishte bërë një Dëshmitare e pagëzuar e krishterë e Jehovait dhe tani kishte shpresën për ta parë të shoqin kur të ringjallet!—Gjoni 5:28, 29.
Një e krishterë e moshuar foli me Renatën në një tren që udhëtonte nga Parisi për në Limozh, në qendër të Francës. Në vendlindjen e saj, në Poloni, Renata kishte studiuar teologji, hebraisht dhe greqisht për pesë vjet, por e kishte humbur besimin. Tre muaj para asaj bisede, ajo i ishte lutur Perëndisë. Ndonëse nuk ishte e interesuar për atë që donte të thoshte motra e moshuar dhe duke menduar se ajo nuk do të bëhej më e gjallë, Renata i dha numrin e telefonit. Por, motra ishte këmbëngulëse dhe u sigurua që pak më pas Renatës t’i bënin një vizitë. Kur një çift Dëshmitarësh erdhën ta takonin, Renata mendoi: ‘Çfarë do të më mësojnë?’ Me gjithë stërvitjen që kishte marrë në seminar, Renata me përulësi u tërhoq drejt së vërtetës biblike. «E kuptova menjëherë se ishte e vërteta»,—shpjegon ajo. Tani Renata është e lumtur që e ndan mesazhin e Biblës me të tjerët.
Mishela po bënte një kurs për të mësuar si t’i jepte makinës. Të tjerët në kursin e saj filluan të flitnin për marrëdhëniet seksuale para martesës. Mishela e bëri të qartë se ajo nuk e miratonte këtë gjë. Një javë më vonë, instruktorja e kursit, Silvia, e pyeti: «Mos je gjë Dëshmitare e Jehovait?» Silvisë i kishte bërë përshtypje pikëpamja e bazuar në Bibël që kishte Mishela. Me të u fillua një studim biblik dhe një vit më vonë, Silvia u pagëzua.
Parqet dhe kopshtet e shumta në Paris sigurojnë një vend të bukur për të biseduar me njerëzit. Duke përfituar nga një pushim që kishte, Zhozeta shkoi në park, ku një zonjë e moshuar, Alina, po bënte shëtitje. Zhozeta i shpjegoi
premtimet e mrekullueshme që gjenden në Bibël. Me të u fillua një studim biblik dhe shpejt Alina bëri përparim deri në pikën e pagëzimit. Tani, në moshën 74-vjeçare, Alina është një pioniere e rregullt shumë e frytshme, e lumtur që ndan të vërtetën e krishterë me të tjerët.Dritë për të gjitha kombet
Dëshmitarëve në Paris nuk u duhet të udhëtojnë nëpër vende të largëta që të gëzojnë shumëllojshmërinë e pasur kulturore. Pothuajse 20 për qind e popullsisë është e huaj. Ka kongregacione të krishtere dhe grupe në rreth 25 gjuhë.
Shpesh, aftësia dhe imagjinata ndihmojnë për të arritur përfundime të mira në këtë caktim të veçantë ungjillëzimi. Një Dëshmitare filipinase krijoi territorin e vet të veçantë. Ndërsa bën pazarin, ajo ka pasur mundësi të fillojë shumë studime biblike duke bërë biseda me filipinas të tjerë, nëpër dyqane.
Të marrësh nismën për të predikuar ia vlen mundimi. Në dhjetor të vitit 1996, pasi morën vesh se në qytet po vinte një cirk me famë botërore, Dëshmitarët e një kongregacioni të gjuhës së huaj vendosën të përpiqeshin të flitnin me artistët e cirkut. Një mbrëmje pas shfaqjes, ata mundën të flitnin me artistët që po ktheheshin në hotelin e tyre. Kjo nismë bëri që të liheshin 28 Bibla, 59 libra të krishterë, 131 broshura dhe 290 revista. Në fund të qëndrimit të tyre trejavor, një nga akrobatët pyeti: «Si mund të bëhem Dëshmitar i Jehovait?» Një tjetër deklaroi: «Do të predikoj në vendin tim.»
Gjenden thesare të fshehura
Kudo që hedhin sytë, ata që vizitojnë Parisin zbulojnë thesare të këndshme arkitekturore nga epokat e shkuara. Megjithatë, gjëra edhe më të çmuara po presin që të tjerët t’i gjejnë. Aniza erdhi në Francë bashkë me burrin e hallës së saj, i cili është diplomat. Ajo e lexonte rregullisht Biblën në shtëpi. Një ditë, kur po dilte me nxitim nga shtëpia, një pioniere i dha fletushkën Përse mund të kesh besim në Bibël? Lanë një takim për javën tjetër dhe filluan një studim biblik. Aniza pati shumë kundërshtim nga familja, por, gjithsesi, bëri përparim në studimin e saj derisa arriti në pagëzim. Si e shikon ajo privilegjin për të ndarë të vërtetën me të tjerët? «Në fillim, predikimi ishte i vështirë, sepse jam e ndrojtur. Megjithatë, kur lexoj Biblën, ajo më nxit jashtëzakonisht. Nuk mund të rri duarkryq, pa bërë asgjë.» Ky qëndrim karakterizon shumë Dëshmitarë në Paris, të cilët kanë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë».—1 Korintasve 15:58.
E vërteta biblike ndriçon edhe lagjet që ndodhen në periferitë e Parisit, duke zbuluar ‘xhevahirë’ të tjerë. Duke dashur të merrte hua disa kaseta, Brusi shkoi t’i bënte një vizitë mikut të tij, i cili sapo ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Duke e gjetur mikun e tij që po shqyrtonte Biblën me disa të njohur të Brusit, ky i fundit e dëgjoi bisedën. E pranoi ftesën për një studim biblik, por kishte disa probleme. «Në atë zonë më njihnin mirë. Vëllai im i madh ishte gjithnjë në mes të përleshjeve dhe unë organizoja festa vallëzimi të zhurmshme. Si do ta pritnin të tjerët faktin që po bëhesha Dëshmitar?» Me gjithë kërkesat këmbëngulëse për të organizuar festa, Brusi nuk e vazhdoi më këtë zakon. Një muaj më vonë, filloi të predikonte. Ai tha: «Të gjithë në zonë donin të dinin përse isha bërë Dëshmitar.» Jo shumë kohë më pas, ai u pagëzua. Me kalimin e kohës, pati privilegjin të ndiqte Shkollën e Stërvitjes për Shërbim.
Të kërkosh thesare mund të dojë përpjekje të mëdha. Por, çfarë gëzimi është kur sheh fryte nga puna! Zhaki, Brunoja dhe Damieni ishin bukëpjekës në Paris. «Ishte e pamundur të na gjeje, sepse punonim gjithë kohën dhe nuk ishim asnjëherë në shtëpi»,—shpjegon Zhaki. Patriku, një pionier i rregullt, pa se në katin e fundit të një ndërtese kishte disa dhoma të vogla dhe nxori përfundimin se të paktën njëra prej tyre ishte e zënë me qira. Përpjekjet e tij këmbëngulëse për të takuar qiraxhinjtë dhanë fryt, kur një mbrëmje, më në fund, takoi Zhakin, i cili po rrinte aty përkohësisht. Përfundimi? Të tre miqtë u bënë Dëshmitarë dhe patën mundësi të gjenin punë tjetër që i lejonte
të merrnin pjesë më plotësisht në veprimtaritë teokratike.Qetësojnë stuhinë
Kohët e fundit, disa mjete informacioni në Francë i kanë paraqitur Dëshmitarët e Jehovait si një kult fetar të rrezikshëm. Në vitin 1996, me gjithë zemër Dëshmitarët morën pjesë në shpërndarjen e më shumë se nëntë milionë kopjeve të një fletushke të veçantë informative, me titull Dëshmitarët e Jehovait: Çfarë duhet të dini për ta? Arritjet ishin shumë pozitive.
U bë një përpjekje e veçantë për t’i takuar të gjithë. Shumë zyrtarë shprehën vlerësimin e tyre për Dëshmitarët. Një këshilltar bashkiak shkroi: «Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë mirë që kanë shpërndarë këtë fletushkë. I ndreq gënjeshtrat që ishin thënë për ta.» Një mjek komentoi: «Kam shumë kohë që e pres këtë informacion!» Një burrë nga zona e Parisit shkroi: «E lexova rastësisht fletushkën Dëshmitarët e Jehovait—Çfarë duhet të dini për ta? Do të më pëlqente të dija më shumë dhe të përfitoja nga ftesa për një studim biblik pa pagesë në shtëpi.» Një grua shkroi: «Ju falënderoj për ndershmërinë që treguat.» Një zonjë katolike u tha Dëshmitarëve: «Ah! Më në fund u jeni përgjigjur këtyre gënjeshtrave!»
Një gëzim i veçantë për shumë të rinj Dëshmitarë në Paris ishte fushata e predikimit e organizuar për Ditët Botërore të Rinisë Katolike, në vitin 1997. Ndonëse temperatura i kalonte 35 gradë Celsius, rreth 2.500 Dëshmitarë morën pjesë. Brenda vetëm pak ditësh, ata shpërndanë 18.000 kopje të broshurës Një libër për të gjithë, te të rinjtë nga çdo anë e globit. Përveçse dha dëshmi të shkëlqyer për emrin e Jehovait dhe mbolli farëra të së vërtetës, fushata i entuziazmoi të rinjtë Dëshmitarë. Një motër me moshë të re, e cila e shkurtoi periudhën e pushimeve që të merrte pjesë më shumë në këtë përpjekje të veçantë, shkroi: «Jehovai ka një popull të lumtur në tokë, i cili e përdor forcën e tij për t’i sjellë lavdi emrit të Tij. Këto dy ditë, kaq të plota e shpërblyese, ia vlenin vërtet për gjithë pushimet e jetës! (Psalmi 84:10)»
Data 28 shkurt 1998 shënoi 65 vjetorin e një dekreti që kishte nxjerrë Hitleri, i cili solli si pasojë ndalimin e Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani. Dëshmitarët në Francë e përdorën këtë datë për të bërë prezantime publike, në salla të marra me qira, të videokasetës Dëshmitarët e Jehovait qëndrojnë të patundur përballë sulmit nazist, e cila shpjegon me hollësi përndjekjen që pati populli i Jehovait. U shpërndanë më shumë se shtatë milionë ftesa. Historianë dhe ish-të burgosur në kampet e përqendrimit dhanë dëshmi prekëse. Në zonën e Parisit e ndoqën këtë ngjarje pothuajse 5.000 veta, duke përfshirë një numër domethënës personash që nuk ishin Dëshmitarë.
Shumë veta në Paris e vlerësojnë jashtëzakonisht dritën frymore dhe janë të kënaqur që lajmëtarët e Mbretërisë po shkëlqejnë si ndriçues. Është siç tha Jezui: «E korra është e madhe, por punëtorët janë pak.» (Mateu 9:37) Vendosmëria e Dëshmitarëve të Jehovait për të kapërcyer sfidat e predikimit në qytet, e ka bërë Parisin një Qytet Drite në një kuptim të veçantë, për lavdi të Jehovait.
[Figura në faqen 9]
Bashkia
[Figura në faqen 9]
Opera Garnier
[Figura në faqen 9]
Muzeu i Luvrit
[Figurat në faqen 10]
Duke u dhënë mesazhin e Biblës njerëzve të zënë me punë, kudo që gjenden