Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Çfarë po ndodh në Francë?»

«Çfarë po ndodh në Francë?»

«Çfarë po ndodh në Francë?»

«Liri, e dashur liri» janë fjalë të shkëputura nga «Marsejeza», himni kombëtar i Francës. Pa dyshim, liria është diçka me vlerë. Megjithatë, ngjarjet e kohëve të fundit në Francë po shkaktojnë shqetësimin se liritë themelore po tronditen. Ja përse, të premten, më 3 nëntor 2000, dhjetëra mijë Dëshmitarë të Jehovait shpërndanë gjithsej 12 milionë kopje të një fletushke të veçantë me titull «Çfarë po ndodh në Francë? A mund të kthehen prapa liritë e fituara?»

TASHMË ka disa vjet që Dëshmitarët e Jehovait në Francë kanë qenë nën sulmin e politikanëve dhe të grupeve të ndryshme antisektare. Kjo u ka shkaktuar vështirësi Dëshmitarëve në nivel individual, kongregacional dhe kombëtar. Megjithatë, më 23 qershor 2000, Conseil d’État, gjykata më e lartë administrative në Francë, mori një vendim historik që përforcoi opinionin mbizotërues të 31 gjykatave të shkallëve më të ulëta, për më shumë se 1.100 raste gjyqësore. Gjykata e lartë ripohoi se adhurimi që praktikojnë Dëshmitarët e Jehovait është plotësisht në harmoni me ligjin francez dhe se Sallat e tyre të Mbretërisë kanë të drejtën për të njëjtat përjashtime fiskale që u janë dhënë feve të tjera.

Gjithsesi, duke e shpërfillur krejt këtë vendim, Ministria franceze e Financës vazhdon t’ua mohojë Dëshmitarëve të Jehovait përjashtimin nga taksat, të siguruar me ligj për organizatat fetare. Ministria ka vënë një taksë prej 60 për qind mbi kontributet që bëjnë Dëshmitarët dhe miqtë e tyre, të cilët shoqërohen me 1.500 kongregacionet në Francë. Tani për tani, kjo çështje është në proces gjyqësor.

Synimi i fushatës së përmendur më sipër ishte të demaskohej ky paradoks dhe të nxirreshin në pah rreziqet që përfshin kjo taksë e vënë në mënyrë arbitrare dhe ligjet e propozuara, të cilat do të minonin lirinë fetare për të gjithë. *

Një ditë e gjatë

Në orën dy të mëngjesit, Dëshmitarët e disa kongregacioneve filluan shpërndarjen jashtë stacioneve të trenave, si edhe në fabrika e pastaj në aeroporte. Në orën gjashtë, Parisi filloi jetën. Rreth 6.000 vullnetarë ishin vendosur në pika strategjike për të takuar ata që vinin nga periferitë e qytetit për në punë. Një e re komentoi: «Ajo që po bëni ju për lirinë fetare është një gjë e mirë. Kjo nuk u përket vetëm Dëshmitarëve të Jehovait.» Në Marsejë, më shumë se 350 Dëshmitarë e shpërndanë fletushkën në stacionet e metrove dhe në rrugë. Brenda një ore, radioja kombëtare bëri një njoftim për fushatën, duke u thënë dëgjuesve të mos habiteshin nëse do t’u afroheshin Dëshmitarët e Jehovait. Në Strasburg, ku ndodhet Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, udhëtarët në stacionin qendror rrinin me durim në radhë për të marrë kopjen e tyre. Një avokat komentoi se, ndonëse nuk kishte të njëjtat bindje si ne, po e ndiqte me interes rastin tonë, sepse lufta jonë është e rëndësishme dhe e drejtë.

Në orën tetë, me gjithë shiun e madh, 507 Dëshmitarë në qytetin alpin të Grënoblit përshkonin sistematikisht rrugët ose e vinin fletushkën nëpër kutitë postare. Shoferët e makinave dhe të tramvajeve, duke parë që po ndodhte diçka, i ndalonin makinat dhe kërkonin nga një fletushkë. Në qytetin perëndimor të Puatjesë, udhëtarët që mbërrinin me tren në orën nëntë tashmë e kishin marrë fletushkën në stacionin ku ishin nisur. Në Mulhaus, afër kufirit gjerman, ishin shpërndarë tashmë 40.000 kopje.

Në orën dhjetë, shumë kongregacione kishin shpërndarë më shumë se gjysmën e fletushkave. Me kalimin e orëve, ishin shumë të paktë njerëzit që nuk e pranonin fletushkën dhe u filluan mjaft biseda interesante. Në Bezanso, që ndodhet vetëm rreth 80 kilometra larg kufirit zvicerian, një i ri shprehu interes për Biblën dhe pyeti përse Perëndia i lejon vuajtjet. Dëshmitari e ftoi ta vazhdonin bisedën në Sallën e Mbretërisë që ndodhej aty afër dhe u fillua menjëherë një studim biblik me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?

Në mesditë, shumë Dëshmitarë që ishin në punë e përdorën pushimin e tyre të drekës për të predikuar një ose dy orë. Gjatë gjithë pasdites, shpërndarja vazhdoi dhe shumë kongregacione mbaruan në orën tre ose katër atë pasdite. Në Rejms, qendra e prodhimit të shampanjës, disa njerëz që kishin studiuar ose që ishin shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait në të kaluarën, shprehën dëshirën për të rifilluar kontaktet me kongregacionin. Në Bordo, u filluan tri studime biblike në shtëpi. Në të njëjtin qytet, një Dëshmitare hyri në një dyqan për të blerë gazetën dhe pa një grumbull fletushkash tek arka e llogarisë. Pronarja e dyqanit, një ish-Dëshmitare, e kishte marrë fletushkën dhe, duke kuptuar rëndësinë e saj, kishte bërë fotokopje që t’i shpërndante vetë.

Në Havër, Normandi, një zonjë protestante, e cila dëgjoi në radio se kontributeve të Dëshmitarëve të Jehovait u ishte vënë taksë, u trondit. Ajo e pranoi menjëherë fletushkën dhe i përgëzoi Dëshmitarët që flitnin me guxim kundër kësaj padrejtësie. Në orën 19.20, programi i lajmeve në televizionin rajonal të Lionit komentoi për shpërndarjen, duke thënë: «Këtë mëngjes, ishte më e lehtë të shmangie pikat e shiut, sesa t’u shmangeshe fletushkave të Dëshmitarëve të Jehovait.» U intervistuan dy Dëshmitarë, të cilët shpjeguan arsyet përse ishte bërë fushata.

Dëshmitarët që donin të bënin pjesën e tyre pas punës, u shpërndanë disa fletushka banorëve të rrethinave, të cilët po ktheheshin në shtëpi, kurse të tjerat i vendosën në kutitë postare. Në qytete si Bresti dhe Limozhi, qytet i famshëm për punimin e porcelanit, njerëzit që dilnin nga kinemaja në orën 23.00 ishin ndër të fundit që morën fletushkën atë ditë. Fletushkat që mbetën, u mblodhën dhe u shpërndanë mëngjesin vijues.

Arritjet

Një Dëshmitar shkroi: «Kundërshtarët mendojnë se po na dobësojnë. Në të vërtetë, po ndodh e kundërta.» Në shumë kongregacione, më shumë se 75 për qind e Dëshmitarëve morën pjesë në shpërndarje atë ditë dhe disa prej tyre kaluan 10, 12 ose 14 orë në këtë vepër. Në Hem, në veri të Francës, pasi punoi në turnin e natës, një Dëshmitar mori pjesë në shpërndarjen e fletushkës nga ora pesë e mëngjesit deri në orën tre pasdite. Në Dëne, një qytet aty afër, ku ka pasur një kongregacion që nga viti 1906, 75 Dëshmitarë kaluan 200 orë duke shpërndarë fletushkën të premten. Të tjerë, me gjithë moshën e shkuar, pamundësinë fizike dhe motin e keq, ishin, gjithashtu, të vendosur që të bënin pjesën e tyre. Në Lë Man, për shembull, tri motra në të 80-at kaluan dy orë duke e vënë fletushkën në kutitë postare dhe një Dëshmitar në karrocë invalidësh e shpërndau fletushkën përballë një stacioni treni. Sa nxitëse ishte të shihje shumë Dëshmitarë që më parë kishin qenë joaktivë të merrnin pjesë në këtë vepër speciale!

Pa dyshim, kjo shpërndarje solli një dëshmi të madhe. Njerëz nga të gjitha shtresat, shumë prej të cilëve rrallëherë i gjen në shtëpi, morën një kopje të fletushkës. Shumë persona mendonin se ky veprim bëri shumë më tepër sesa vetëm mbrojtjen e interesave të Dëshmitarëve. Shumë e panë si një mbrojtje të lirisë së ndërgjegjes dhe të adhurimit për të gjithë popullin francez. Si dëshmi e kësaj, disa nga njerëzit kërkuan kopje të tjera të fletushkës për t’ua dhënë miqve, kolegëve ose të afërmve.

Po, Dëshmitarët e Jehovait në Francë janë krenarë që e bëjnë të njohur emrin e Jehovait dhe që mbrojnë interesat e Mbretërisë. (1 Pjetrit 3:15) Ata shpresojnë vërtet që të mund të ‘vazhdojnë të çojnë një jetë të qetë dhe të patrazuar plot me devocion hyjnor dhe seriozitet’, e që mijëra të tjerë të bashkohen me ta për të lëvduar Atin e tyre qiellor, Jehovain.—1 Timoteut 2:2.

[Shënimi]

^ par. 5 Një fushatë e ngjashme u bë në janar të vitit 1999, për të protestuar lidhur me diskriminimin fetar. Shih Kullën e Rojës të 1 gushtit 1999, në faqen 9, si edhe Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 2000, faqet 24-26.