Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ekziston Djalli?

A ekziston Djalli?

A ekziston Djalli?

«Kishte një periudhë në historinë e kishës së krishterë kur djalli, Belzebubi ose Satanai, mbreti i ligësisë, ishte një personazh po aq real dhe i fuqishëm, sa është sot ‘Perëndia’ për një numër gjithnjë e më të vogël njerëzish. Ishte një shpikje e judenjve dhe e të krishterëve të hershëm për t’i dhënë kuptim në një formë gjysmënjeriu e gjysmështaze ligësisë që shihnin përreth tyre. Më vonë, të krishterët e kuptuan se ky ishte një personazh imagjinar, pa asnjë bazë në realitet dhe dalëngadalë e hoqën si koncept.»—«All in the Mind—A Farewell to God», nga Ludovik Kenedi.

SIÇ pohon shkrimtari dhe drejtuesi i emisioneve televizive Ludovik Kenedi, për shekuj të tërë, askush në të ashtuquajturin krishterim nuk e vuri në dyshim realitetin e Djallit. Përkundrazi, nganjëherë të krishterët ishin «të tmerruar nga fuqia e Satanait dhe e demonëve të tij»,—siç shkruan profesor Norman Koni. (Europe’s Inner Demons) Ky tmerr nuk kufizohej vetëm te fshatarët e thjeshtë pa shkollë. Për shembull, bindja se Djalli materializohej në formën e një kafshe për të drejtuar ritet e liga dhe të ndyra, «nuk i përkiste gojëdhënave të shumicës analfabete, por përkundrazi, pikëpamjes së përgjithshme të elitës intelektuale»,—thotë profesor Koni. Kjo ‘elitë intelektuale’, ku përfshiheshin edhe klerikë të arsimuar, ishte përgjegjëse për gjuetinë e shtrigave që u bë në Evropë nga shekulli i 15-të deri në shekullin e 17-të, kur kisha dhe autoritetet civile thuhet se kanë torturuar dhe vrarë rreth 50.000 njerëz të akuzuar si shtriga e shtriganë.

S’është për t’u habitur që shumë njerëz i kanë hedhur poshtë ato që i shohin si koncepte të marra e besëtytnore për Djallin. Madje, që në vitin 1726, Daniel Defoi e vuri në lojë bindjen e njerëzve se Djalli ishte një përbindësh i frikshëm, «me krahë lakuriqi nate, me brirë, me këmbë dythundrake, me bisht të gjatë, me gjuhë bigëz e kështu me radhë». Ai thoshte se ide të tilla ishin «trillime të çmendura e të imagjinuara», të kurdisura nga «njerëz që ngrinin e që sajonin djaj», të cilët «e mashtronin botën e paditur me një djall që e kishin shpikur vetë».

A është kjo edhe pikëpamja juaj? A jeni të mendimit se «djalli, në të vërtetë, është shpikje e njeriut për të shpjeguar faktin që është mëkatar»? Ky pohim gjendet në The Zondervan Pictorial Encyclopedia of the Bible dhe shumë nga ata që thonë se janë të krishterë mendojnë kështu. Xhefri Barton Rasëlli thotë se teologët e të ashtuquajturit krishterim, në përgjithësi, i kanë «hedhur tej Djallin dhe demonët si relike besëtytnore».

Megjithatë, për disa njerëz Djalli është shumë real. Ata arsyetojnë se pas ligësive të shpeshta që përshkojnë historinë e njerëzimit duhet të qëndrojë ndonjë lloj force e ligë mbinjerëzore. Rasëlli thotë se «tmerret që ka sjellë shekulli i njëzetë» sigurojnë një arsye se përse «bindja që Djalli ekziston, pas një rënieje të gjatë, po shfaqet përsëri me ritme të shpejta». Sipas autorit Don Ljuis, një numër njerëzish të arsimuar e modernë, të cilët «nënqeshin me përçmim» ndaj bindjeve besëtytnore dhe frikave të «paraardhësve të tyre të paarsimuar», po «bëhen përsëri të magjepsur pas elementit të lig në të mbinatyrshmen».—Religious Superstition Through the Ages.

Atëherë, cila është e vërteta? A është Djalli thjesht një marrëzi besëtytnore? Apo është një person që duhet marrë seriozisht, madje edhe në shekullin e 21-të?

[Figura në faqen 4]

Siç tregohet në këtë gravurë nga Gustav Doré, besëtytnitë e lashta e paraqitnin Djallin si gjysmënjeri e gjysmështazë

[Burimi]

The Judecca—Lucifer/The Doré Illustrations For Dante’s Divine Comedy/Dover Publications Inc.