Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Djalli—Më shumë se thjesht një besëtytni

Djalli—Më shumë se thjesht një besëtytni

Djalli—Më shumë se thjesht një besëtytni

«Kudo në Besëlidhjen e Re vërehet një konflikt i madh ndërmjet forcave të Perëndisë e të së mirës nga njëra anë dhe forcave të liga të udhëhequra nga Satanai, në anën tjetër. Ky nuk është koncepti i një ose dy shkrimtarëve, por një gjë e përbashkët. . . . Pra, dëshmia që jep Besëlidhja e Re është e qartë. Satanai është një realitet i lig, gjithnjë në armiqësi me Perëndinë dhe me popullin e Perëndisë.»—«The New Bible Dictionary.»

ATËHERË, përse shumë veta që pohojnë se janë të krishterë dhe që thonë se e besojnë Biblën e hedhin poshtë idenë se ekziston vërtet një Djall real? Sepse, në të vërtetë, nuk e pranojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë. (Jeremia 8:9) Ata thonë se shkrimtarët e Biblës pasqyruan filozofitë e kombeve përreth tyre dhe nuk përcollën me saktësi të vërtetën nga Perëndia. Për shembull, teologu katolik Hans Kyng shkruan: «Idetë mitologjike të Satanait me legjionet e tij të djajve . . . depërtuan nga mitologjia babilonase në judaizmin e hershëm dhe, që prej aty, në Besëlidhjen e Re.»—On Being a Christian.

Por, Bibla nuk është thjesht fjalë njerëzish. Ajo është vërtet Fjala e frymëzuar e Perëndisë. Prandaj, bëjmë mirë ta marrim seriozisht atë që thotë ajo për Djallin.—2 Timoteut 3:14-17; 2 Pjetrit 1:20, 21.

Çfarë mendonte Jezui?

Jezu Krishti besonte se Djalli ishte real. Jezui nuk u tundua nga ndonjë gjë e ligë brenda vetes së tij. Atë e sulmoi një person real, të cilin më vonë Jezui e quajti «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 14:30; Mateu 4:1-11) Ai besonte edhe se kishte krijesa të tjera frymore që e mbështetnin Satanain në intrigat e tij të liga. Jezui shëroi njerëz «të pushtuar nga demonët». (Mateu 12:22-28) Edhe një botim ateist, A Rationalist Encyclopædia, komenton rëndësinë e kësaj, kur thotë: «Për teologët ka qenë gjithnjë një gur pengese fakti që Jezui i Ungjijve e pranonte besimin në djajtë.» Kur foli për Djallin dhe për demonët e tij, Jezui nuk po përsëriste thjesht besëtytni që ishin marrë nga mitologjia babilonase. E dinte se ata ekzistonin me të vërtetë.

Për Djallin mësojmë shumë gjëra kur shqyrtojmë fjalët që u tha Jezui mësuesve fetarë të ditëve të tij: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai qe vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të. Kur e thotë gënjeshtrën, e thotë në përputhje me natyrën e vet, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.»—Gjoni 8:44.

Sipas kësaj, Djalli—emër ky që do të thotë «shpifës»—ishte «gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës». Ai ishte krijesa e parë që gënjeu lidhur me Perëndinë dhe këtë e bëri në kopshtin e Edenit. Jehovai kishte thënë se prindërit tanë të parë ‘me siguri do të vdisnin’ po të hanin nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Duke vënë fjalët në gojën e një gjarpri, Satanai tha se ato fjalë nuk ishin të vërteta. (Zanafilla 2:17; 3:4) Në mënyrë të përshtatshme, ai është quajtur «gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana».—Zbulesa 12:9.

Djalli gënjeu për pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Ai argumentoi se ndalimi për të mos ngrënë nga ajo pemë nuk ishte i justifikuar, se ishte një shfrytëzim i pushtetit. Tha se Adami dhe Eva mund të ishin «si Perëndia», duke vendosur vetë çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe. Satanai la të nënkuptohej se, si qenie me vullnet të lirë, ata duhej të kishin liri absolute për të vendosur vetë. (Zanafilla 3:1-5) Ky sulm kundër drejtësisë së mënyrës së sundimit të Perëndisë ngriti çështje të rëndësishme. Prandaj, Jehovai la kohë që këto çështje të zgjidheshin. Kjo do të thotë se Satanai është lejuar të vazhdojë të jetojë për njëfarë kohe. Koha e tij e kufizuar tani po shkon me të shpejtë drejt përfundimit. (Zbulesa 12:12) Gjithsesi, ai vazhdon ta largojë njerëzimin nga Perëndia me anë të gënjeshtrave dhe të mashtrimit, duke përdorur njerëz si skribët dhe farisenjtë e kohës së Jezuit, për të përhapur mësimet e tij.—Mateu 23:13, 15.

Jezui tha edhe se Djalli ishte «vrasës që nga fillimi» dhe se «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën». Kjo nuk do të thotë se Jehovai e krijoi Djallin si «vrasës». Ai nuk u krijua për të qenë ndonjë lloj përbindëshi, që të kishte në zotërim një vend zjarri e torture për ata që kundërshtonin Perëndinë. «Ferri» i Biblës nuk është vendi ku banon Satanai. Është thjesht varri i përbashkët i njerëzimit.—Veprat 2:25-27; Zbulesa 20:13, 14.

Në fillim, Djalli ishte «në të vërtetën». Një herë e një kohë, ai ishte pjesë e familjes qiellore të Jehovait si një bir frymor i përsosur i Perëndisë. Por, nuk «qëndroi i vendosur në të vërtetën». Parapëlqeu udhët e tij dhe parimet e tij të mbështetura në gënjeshtra. «Që nga fillimi» nuk do të thotë që nga koha kur u krijua si bir engjëllor i Perëndisë, por që nga koha kur me dashje u rebelua kundër Jehovait dhe gënjeu Adamin e Evën. Djalli është si ata persona që u rebeluan kundër Jehovait në kohën e Moisiut. Për ta lexojmë: «Ata janë korruptuar; nuk janë bij të tij, për shkak të fajit të tyre.» (Ligji i përtërirë 32:5) E njëjta gjë mund të thuhet për Satanain. Ai u bë «vrasës» kur u rebelua dhe u bë përgjegjës për vdekjen e Adamit e të Evës—në të vërtetë, për vdekjen e gjithë familjes njerëzore.—Romakëve 5:12.

Engjëj të pabindur

Edhe engjëj të tjerë u bashkuan me Satanain në rebelimin e tij. (Luka 11:14, 15) Në ditët e Noesë, këta engjëj «braktisën vendbanimin e tyre të duhur» dhe u materializuan me trupa njerëzorë, për të pasur marrëdhënie seksuale me «vajzat e njerëzve». (Judës 6; Zanafilla 6:1-4; 1 Pjetrit 3:19, 20) ‘Një e treta e yjeve të qiellit’ ose një pakicë krijesash frymore kanë marrë këtë rrugë.—Zbulesa 12:4.

Libri biblik i Zbulesës, një libër shumë simbolik, e paraqet Djallin si ‘një dragua të madh ngjyrë zjarri’. (Zbulesa 12:3) Përse? Jo ngaqë ka me të vërtetë një trup të frikshëm e të shëmtuar. Në të vërtetë, ne nuk e dimë çfarë lloj trupi kanë krijesat frymore, por, ka të ngjarë që Satanai të mos ndryshojë nga krijesat e tjera frymore engjëllore në këtë fushë. Gjithsesi, «një dragua i madh ngjyrë zjarri» është përshkrim i përshtatshëm i frymës grabitqare, të frikshme, të fuqishme e shkatërrimtare që ka Satanai.

Tani, Satanai dhe demonët e tij janë kufizuar rreptësisht. Nuk mund të materializohen më siç arrinin, me sa duket, të bënin më parë. Pak kohë pas vendosjes së Mbretërisë së Perëndisë në duart e Krishtit në vitin 1914, ata u hodhën poshtë në afërsi të tokës.—Zbulesa 12:7-9.

Djalli është një armik i fuqishëm

Gjithsesi, Djalli mbetet një armik i fuqishëm. Ai «vjen rrotull si një luan që vrumbullit, duke kërkuar të përpijë dikë». (1 Pjetrit 5:8) Ai nuk është parimi i turbullt i së keqes që gjendet në trupin tonë të papërsosur. Është e vërtetë se ne bëjmë një luftë të përditshme me prirjet tona mëkatare. (Romakëve 7:18-20) Por lufta e vërtetë është «kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore».—Efesianëve 6:12.

Sa i përhapur është ndikimi i Djallit? «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»,—thotë apostulli Gjon. (1 Gjonit 5:19) Natyrisht, nuk duam të bëhemi të tmerruar nga Djalli ose të lejojmë që frika besëtytnore ndaj tij të na paralizojë. Megjithatë, bëjmë mirë të qëndrojmë syçelë ndaj përpjekjeve të tij për të na verbuar që të mos shohim të vërtetën dhe për të na e thyer integritetin ndaj Perëndisë.—Jobi 2:3-5; 2 Korintasve 4:3, 4.

Djalli nuk përdor gjithnjë metoda mizore për t’i sulmuar ata që duan të bëjnë vullnetin e Perëndisë. Disa herë, e bën veten të duket si «engjëll drite». Apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët për këtë rrezik, kur shkroi: «Kam frikë se mos, ashtu sikurse gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, mendjet tuaja korruptohen në ndonjë mënyrë, duke u larguar nga sinqeriteti dhe dëlirësia që i takojnë Krishtit.»—2 Korintasve 11:3, 14.

Prandaj, duhet ‘të ruajmë gjykimin, të jemi vigjilentë dhe t’i kundërvihemi atij, të fortë në besim’. (1 Pjetrit 5:8, 9; 2 Korintasve 2:11) Të mos lejojmë që të bëhemi lodër në duart e Satanait, duke u bërë kureshtarë për ndonjë gjë që lidhet me okultizmin. (Ligji i përtërirë 18:10-12) Të jemi studiues të mirë të Fjalës së Perëndisë, duke mbajtur në mend se Jezu Krishti, kur u tundua nga Djalli, përdori vazhdimisht Fjalën e Perëndisë. (Mateu 4:4, 7, 10) Të lutemi për frymën e Perëndisë. Fryti i kësaj fryme mund të na ndihmojë të shmangim veprat e mishit, të cilat Satanai i nxit me kaq efektshmëri. (Galatasve 5:16-24) Gjithashtu, t’i lutemi me ngulm Jehovait kur ndihemi nën presion në ndonjë mënyrë, nga Djalli dhe nga demonët e tij.—Filipianëve 4:6, 7.

Nuk duhet të jemi të tmerruar nga Djalli. Jehovai premton mbrojtje të vërtetë nga çdo gjë që mund të bëjë Satanai. (Psalmi 91:1-4; Fjalët e urta 18:10; Jakovit 4:7, 8) «Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë dhe në fuqinë e forcës së tij»,—thotë apostulli Pavël. Atëherë do të «jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit».—Efesianëve 6:10, 11.

[Figura në faqen 5]

Jezui e dinte se Djalli ishte një person real

[Figura në faqen 6]

«E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut»

[Burimi]

Fotografi e NASA-s

[Figurat në faqen 7]

Kundërvijuni Djallit duke studiuar Fjalën e Perëndisë dhe duke u lutur rregullisht