Jini mirënjohës dhe të lumtur
Jini mirënjohës dhe të lumtur
«SHTYSA për të treguar mirënjohje është një përvojë themelore njerëzore»,—shkruhej në Calgary Herald, një gazetë kanadeze. Gazeta Herald citonte disa nxënës nëntëvjeçarë të shkollës fillore, të cilëve mësuesi u kërkoi të shkruanin rreth të gjitha gjërave për të cilat ishin mirënjohës. Një fëmijë tha se ishte mirënjohës për familjen e tij, ‘sepse ata ishin kujdesur për të’. Edhe një vajzë e vogël ishte mirënjohëse për familjen e saj, duke thënë: «Më mbajnë të sigurt, të shëndetshme, kujdesen për mua, më duan, më ushqejnë dhe, po të mos ishin prindërit e mi, nuk do të isha në këtë botë.»
Mosmirënjohja çon në pakënaqësi kronike. Sipas filozofit-teolog Xh. I. Paker, «jemi krijuar që të jetojmë duke qenë të varur nga Perëndia dhe duke qenë të varur reciprokisht nga njëri-tjetri». Kjo na kujton këshillën e mençur të Biblës, që u dha shekuj më parë, e cila thotë: «Tregohuni mirënjohës.» (Kolosianëve 3:15) Shprehjet e falënderimit dhe të mirënjohjes nga zemra ndaj të tjerëve ndihmojnë për të kultivuar marrëdhënie të përzemërta.
Për më tepër, duke çmuar e duke vlerësuar njëri-tjetrin, tregohemi mirënjohës edhe ndaj Jehovait dhe ai e vë re këtë. Bibla thotë: «Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij.» (2 Kronikave 16:9) Perëndia na siguron se e mban mend dhe e vlerëson dashurinë që tregojnë njerëzit për emrin e tij. (Hebrenjve 6:10) Po, kemi arsye të vlefshme për t’u treguar mirënjohës, sepse ky virtyt, kur shprehet përditë, e kënaq Jehovain dhe na e shton lumturinë. Është siç thuhet te Fjalët e urta 15:13: «Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën.»