Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të merrni vendime të mençura?

Si mund të merrni vendime të mençura?

Si mund të merrni vendime të mençura?

VULLNETI i lirë është dhuratë nga Perëndia. Pa të do të ishim pak a shumë si robotë, pa pasur kontroll mbi veprimet tona. Megjithatë, duke e pasur atë, hasim sfida. Meqë kemi vullnet të lirë, na duhet të marrim vendime gjatë jetës.

Natyrisht, shumë vendime janë pothuaj të parëndësishme. Të tjera, si për shembull, cilën karrierë të zgjedhim ose nëse duhet të martohemi a jo, mund të ndikojnë në tërë të ardhmen tonë. Të tjera vendime mund të ndikojnë te njerëzit e tjerë. Disa vendime që marrin prindërit mund të kenë pasoja të thella te fëmijët e tyre. Për më tepër, për shumë vendime që marrim duhet t’i japim llogari Perëndisë.—Romakëve 14:12.

Nevoja për ndihmë

Njerëzit nuk kanë famë të mirë për sa u përket vendimeve që kanë marrë. Njëri nga vendimet e para fare të dokumentuara që morën njerëzit ishte shkatërrimtar. Eva vendosi të merrte nga fruti që Perëndia ia kishte ndaluar prerazi. Zgjedhja e saj, e bazuar në dëshirën egoiste, bëri që edhe i shoqi të bashkohej me të në mosbindjen ndaj Perëndisë dhe pasojat qenë vuajtjet e mëdha të njerëzimit. Në shumë raste, njerëzit ende i bazojnë vendimet e tyre më shumë në dëshirat egoiste, sesa në parimet e drejta. (Zanafilla 3:16-19; Jeremia 17:9) Veç kësaj, kur na duhet të marrim vendime serioze, shpesh, jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi.

Pra, s’është për t’u habitur që, kur marrin vendime të mëdha në jetë, shumë kërkojnë ndihmë nga burime më të larta se njerëzit. Bibla dokumenton një rast kur Nabukodonosorit, në mes të një fushate ushtarake, i duhej të merrte një vendim. Ndonëse ishte mbret, ai e pa të nevojshme ‘të bënte shortari’, të konsultohej me frymërat. Kështu, tregimi thotë: «Ai tund shigjetat, konsulton idhujt shtëpiakë, shqyrton mëlçinë.» (Ezekieli 21:26 [Ezekieli 21:21, BR]) Në mënyrë të ngjashme sot, shumë konsultojnë fallxhorët, astrologët dhe kërkojnë ndihmë nga frymërat në mënyra të tjera. Por këto burime janë mashtruese dhe ngatërruese.—Levitiku 19:31.

Ka një Person që është plotësisht i besueshëm dhe që gjatë gjithë historisë i ka ndihmuar njerëzit që të marrin vendime të mençura. Ky s’është askush tjetër veç Perëndisë Jehova. Për shembull, në kohët e lashta, Perëndia i dha kombit të tij, Izraelit, Urimin dhe Thumimin. Këto ka të ngjarë të kenë qenë shorte të shenjta që hidheshin kur kombi gjendej në ndonjë rrethanë me rëndësi shumë të madhe. Nëpërmjet Urimit dhe Thumimit, Jehovai u jepte përgjigje të drejtpërdrejta pyetjeve dhe i ndihmonte pleqtë e Izraelit që të siguroheshin se vendimet e tyre ishin në harmoni me vullnetin e tij.—Eksodi 28:30; Levitiku 8:8; Numrat 27:21.

Shqyrtoni një shembull tjetër. Kur Gideonin e thirrën të udhëhiqte ushtritë e Izraelit kundër Midianit, iu desh të vendoste nëse do ta pranonte apo jo një privilegj kaq të lartë. Duke dashur të sigurohej se Jehovai do ta përkrahte, Gideoni i kërkoi një shenjë të mrekullueshme. U lut që një gëzof leshi i lënë jashtë natën të ishte i lagur me vesë, por toka përreth tij të mbetej e thatë. Natën tjetër, kërkoi që gëzofi të mbetej i thatë, kurse toka përreth të ishte plot me vesë. Me dashamirësi, Jehovai i dha Gideonit shenjat që ky i kërkoi. Si rrjedhim, Gideoni mori vendimin e duhur dhe, me përkrahjen hyjnore, i mundi plotësisht armiqtë e Izraelit.—Gjyqtarët 6:33-40; 7:21, 22.

Po sot?

Sot, Jehovai u jep ende ndihmë shërbëtorëve të tij kur u duhet të marrin vendime të rëndësishme. Si i ndihmon? A duhet që edhe ne, ashtu si Gideoni, të kërkojmë ‘prova me gëzof’, domethënë shenja nga Jehovai që të na tregojë rrugën në të cilën duhet të shkojmë? Një çift pyeste veten nëse duhej të transferoheshin për të shërbyer atje ku kishte më shumë nevojë për predikues të Mbretërisë. Si ndihmë që të vendosnin, ata menduan një provë. E vunë shtëpinë për shitje me njëfarë çmimi. Nëse shtëpia do të shitej brenda një date të caktuar dhe me atë çmim ose me çmim më të lartë, do ta merrnin si shenjë se Perëndia dëshironte që të transferoheshin. Nëse shtëpia nuk do të shitej, do të nxirrnin përfundimin se Perëndia nuk donte që të transferoheshin.

Shtëpia nuk u shit. A ishte kjo një shenjë se Jehovai nuk donte që ky çift të shërbente aty ku nevoja ishte më e madhe? Sigurisht, do të ishte jomodeste të thoshim në mënyrë të prerë çfarë bën e çfarë nuk bën Jehovai për shërbëtorët e tij. Nuk mund të themi që sot Jehovai nuk ndërhyn kurrë për të treguar cili është vullneti i tij për ne. (Isaia 59:1) Megjithatë, nuk kemi të drejtën të presim një ndërhyrje të tillë në vendimet tona kryesore, duke ia lënë, në të vërtetë, Perëndisë në dorë që t’i marrë vendimet për ne. E pra, edhe Gideonit, në pjesën më të madhe të jetës, iu desh të merrte vendime pa shenja të mrekullueshme nga Jehovai!

Gjithsesi, Bibla e thotë vërtet që udhëheqja hyjnore është në dispozicion. Ajo parathotë për kohën tonë: «Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë, që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’» (Isaia 30:21) Kur na duhet të marrim vendime të rëndësishme, është më se e duhur të përpiqemi të sigurohemi se vendimet tona janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë dhe se pasqyrojnë mençurinë e tij më të lartë. Si ta bëjmë këtë? Duke u këshilluar me Fjalën e tij dhe duke e lejuar që të jetë ‘llambë në këmbën tonë dhe dritë në shtegun tonë’. (Psalmi 119:105; Fjalët e urta 2:1-6) Për të bërë këtë, duhet të kultivojmë zakonin që të marrim njohuri të saktë nga Bibla. (Kolosianëve 1:9, 10) E kur të na duhet të marrim një vendim, duhet të kërkojmë me kujdes të gjitha parimet biblike që kanë të bëjnë me çështjen. Ky kërkim do të na ndihmojë që të ‘sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’.—Filipianëve 1:9, 10.

Gjithashtu, duhet të flasim me Jehovain në lutje, të sigurt se ai do të na dëgjojë. Sa ngushëlluese është t’i shpjegojmë Perëndisë tonë të dashur vendimin që na duhet të marrim dhe mundësitë që po marrim në shqyrtim! Pastaj, të sigurt mund të kërkojmë udhëheqje që të marrim vendimin e duhur. Shpesh, fryma e shenjtë do të na kujtojë parimet biblike që zbatohen ose mund të na ndihmojë të kuptojmë më qartë një shkrim që lidhet me rrethanat tona.—Jakovit 1:5, 6.

Jehovai siguron edhe persona të pjekur në kongregacion me të cilët mund të flasim për vendimet tona. (Efesianëve 4:11, 12) Por, kur të këshillohemi me të tjerët, nuk duhet të ndjekim shembullin e atyre që flasin me një person pas tjetrit, derisa më në fund gjejnë dikë që thotë atë që duan të dëgjojnë vetë ata. Pastaj, ndjekin këshillën e këtij të fundit. Nuk duhet të harrojmë edhe shembullin paralajmërues të Rehoboamit. Kur iu desh të merrte një vendim të rëndësishëm, ai mori këshilla të shkëlqyera nga pleqtë që i kishin shërbyer babait të tij. Megjithatë, në vend që të ndiqte këshillën e tyre, u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të. Duke ndjekur këshillën e tyre, mori një vendim shumë të keq dhe, për pasojë, humbi një pjesë të madhe të mbretërisë së tij.—1 Mbretërve 12:1-17.

Kur të kërkoni këshilla, kërkojini nga ata që kanë përvojë në jetë e që kanë njohuri të mirë të Shkrimeve dhe respekt të thellë për parimet e drejta. (Fjalët e urta 1:5; 11:14; 13:20) Kur është e mundur, gjeni kohë që të meditoni për parimet e përfshira dhe për tërë të dhënat që keni grumbulluar. Ndërsa arrini t’i shihni gjërat sipas Fjalës së Jehovait, ka të ngjarë që të bëhet më e dukshme se cili është vendimi i drejtë që duhet të merrni.—Filipianëve 4:6, 7.

Vendimet që marrim

Disa vendime merren me lehtësi. Kur i urdhëruan që të mos jepnin më dëshmi, apostujt e dinin se duhej të vazhdonin të predikonin për Jezuin dhe menjëherë ia bënë të ditur Sinedrit vendimin e tyre për t’iu bindur Perëndisë në vend të njerëzve. (Veprat 5:28, 29) Për vendime të tjera mund të kemi nevojë që të mendohemi më shumë, sepse nuk ka ndonjë shprehje të drejtpërdrejtë biblike që prek këtë çështje. Megjithatë, zakonisht parimet biblike hedhin dritë duke na treguar se cili është vendimi më i mirë për t’u marrë. Për shembull, ndonëse shumë forma zbavitjeje që janë në dispozicion sot nuk ishin në kohën e Jezuit, në Bibël ka pohime të qarta për gjërat që i pëlqejnë Jehovait dhe për gjërat që nuk i pëlqejnë. Kështu, çdo i krishterë që merr pjesë në zbavitje që nxitin dhunën, imoralitetin ose rebelimin ka marrë një vendim të keq.—Psalmi 97:10; Gjoni 3:19-21; Galatasve 5:19-23; Efesianëve 5:3-5.

Disa herë, dy vendime mund të jenë të drejta që të dyja. Të shërbesh atje ku ka më shumë nevojë është një privilegj i mrekullueshëm dhe mund të çojë në bekime të mëdha. Por nëse një person, për ndonjë arsye, vendos të mos e bëjë këtë, mund të bëjë ende një punë shumë të mirë në kongregacionin ku ndodhet. Në disa raste, mund të na duhet të marrim një vendim që do të na japë mundësinë të tregojmë se sa i thellë është devocioni ynë ndaj Jehovait ose çfarë është më e rëndësishme në jetën tonë. Në këtë mënyrë, Jehovai na lejon ta përdorim vullnetin e lirë për të treguar se cila është në të vërtetë gjendja e zemrës sonë.

Shpesh, vendimet që marrim ndikojnë te të tjerët. Për shembull, të krishterët e shekullit të parë gëzoheshin që ishin çliruar nga shumë kufizime të Ligjit. Kjo nënkuptonte, për shembull, që ata mund ta pranonin ose mund të mos pranonin ta hanin ushqimin që ishte i papastër nën Ligj. Megjithatë, ishin nxitur që të merrnin parasysh ndërgjegjen e të tjerëve, kur të vendosnin që ta ushtronin apo jo këtë liri. Fjalët e Pavlit lidhur me këtë mund të zbatohen për shumë vendime që marrim ne: «Ruhuni të mos bëheni shkak pengese.» (1 Korintasve 10:32) Dëshira për të mos penguar të tjerët mund të na ndihmojë të përcaktojmë shumë nga vendimet që marrim. Në fund të fundit, dashuria për të afërmin është urdhërimi i dytë më i madh.—Mateu 22:36, 39.

Pasojat e vendimeve tona

Vendimet që merren me ndërgjegje të mirë dhe që bazohen në parimet biblike do të kenë gjithnjë pasoja të mira përfundimisht. Kuptohet, aty për aty mund të sjellin si rrjedhojë ndonjë sakrificë personale. Kur apostujt i thanë Sinedrit vendimin e tyre se do të vazhdonin të predikonin për Jezuin, i rrahën para se t’i lironin. (Veprat 5:40) Kur tre hebrenjtë, Shadraku, Meshaku dhe Abednegu, vendosën të mos i përkuleshin shëmbëlltyrës prej ari të Nabukodonosorit e vunë jetën e tyre në rrezik. Ishin të përgatitur të përballonin mundësinë që vendimi i tyre të nënkuptonte vdekje për ta. Por e dinin se do të kishin miratimin e Perëndisë dhe bekimin e tij.—Danieli 3:16-19.

Nëse hasim vështirësi pasi kemi marrë një vendim me ndërgjegje të plotë, kjo nuk është arsye për të nxjerrë përfundimin se vendimi ishte i gabuar. ‘Koha dhe rastësia’ mund të ndikojnë për keq në mënyrën se si do të dalë edhe vendimi i bërë me qëllimin më të mirë të mundshëm. (Predikuesi 9:11) Për më tepër, disa herë Jehovai lejon që vështirësitë të provojnë thellësinë e angazhimit tonë. Jakobit iu desh të përleshej gjithë natën me një engjëll para se të merrte një bekim. (Zanafilla 32:24-26) Edhe neve mund të na duhet të përleshemi me vështirësitë, madje edhe atëherë kur jemi duke bërë gjënë e duhur. Megjithatë, kur vendimet tona janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, mund të jemi të sigurt se ai do të na ndihmojë të qëndrojmë dhe se, në fund, do të na bekojë.—2 Korintasve 4:7.

Prandaj, kur të merrni një vendim të rëndësishëm, mos u mbështetni në mençurinë tuaj. Kërkoni parimet biblike që zbatohen në atë rast. Flitni me Jehovain për çështjen. Aty ku është e mundur, këshillohuni me të bashkëkrishterë të pjekur. Pastaj, jini të guximshëm. Ushtrojeni në mënyrë të përgjegjshme vullnetin e lirë që ju ka dhënë Perëndia. Merrni një vendim të mençur dhe tregojini Jehovait se zemra juaj është e drejtë para tij.

[Figura në faqen 28]

Këshillohuni me Fjalën e Perëndisë para se të merrni vendime të rëndësishme

[Figurat në faqet 28, 29]

Flitni me Jehovain për vendimet që duhet të merrni

[Figura në faqen 30]

Mund të bisedoni me të krishterë të pjekur për vendimet e rëndësishme që duhet të merrni