Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund t’i bashkojë vërtet ndonjë gjë njerëzit?

A mund t’i bashkojë vërtet ndonjë gjë njerëzit?

A mund t’i bashkojë vërtet ndonjë gjë njerëzit?

CILATDO qofshin bindjet tuaja, ka të ngjarë ta pranoni se gati në çdo fe duhet të ketë nga ata që e duan të vërtetën. Njerëz që e vlerësojnë shumë të vërtetën dhe që janë të gatshëm ta kërkojnë atë mund të gjenden te hinduistët, katolikët, judenjtë dhe të tjerë. E megjithatë, feja duket se e ndan njerëzimin. Disa, madje, e përdorin fenë për qëllime të këqija. A do të jetë ndonjëherë e mundur që të bashkohen njerëzit e çiltër nga të gjitha fetë, të cilët kanë dashuri për atë që është e mirë dhe e vërtetë? A mund të mblidhen së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët?

Sa shqetësuese është të shohim se feja po bëhet gjithnjë e më shumë shkaku i përçarjeve! Shqyrtoni disa nga këto konflikte. Në Sri-Lankë hinduistët luftojnë kundër budistëve. Protestantët, katolikët dhe judenjtë kanë derdhur gjak në konflikte të ndryshme. Të ashtuquajturit të krishterë luftojnë kundër myslimanëve në Bosnjë, Çeçeni, Indonezi dhe në Kosovë. Veç kësaj, në mars të vitit 2000, dy ditë të një konflikti që kishte lidhje me fenë lanë 300 nigerianë të vdekur. Në të vërtetë, urrejtja fetare ka shërbyer si karburant për egërsinë e këtyre konflikteve.

Shpesh, njerëzit e çiltër tmerrohen nga ligësitë që praktikohen në emër të fesë. Për shembull, shumë nga ata që shkojnë në kishë janë të tronditur, sepse disa kisha i kanë toleruar në mënyrë zyrtare klerikët që kanë abuzuar seksualisht me fëmijë. Besimtarë të tjerë ndihen shumë në siklet nga përçarjet që ekzistojnë brenda shumë të ashtuquajturave sekte të krishtere, në çështje që lidhjen me homoseksualizmin dhe abortin. Qartë, feja nuk e ka bashkuar njerëzimin. Megjithatë, në shumë fe ka nga ata që e duan me zemër të vërtetën, siç e tregojnë përvojat vijuese.

E dëshironin me zjarr të vërtetën

Fidelia ishte një adhuruese e çiltër dhe e devotshme në kishën katolike të San Françiskos në La Paz, Bolivi. Ajo përkulej para shëmbëlltyrës së Marisë dhe ndizte para kryqit qirinjtë më të mirë që kishte mundësi të blinte. Çdo javë, i dhuronte priftit sasi të mëdha ushqimesh që t’ua shpërndante të varfërve. Megjithatë, Fidelias i vdiqën pesë foshnja para se të mund të pagëzoheshin. Kur prifti i tha se të gjithë ata po vuanin në errësirën e limbos, Fidelia pyeti veten: ‘Nëse Perëndia është i mirë, si mund të ndodhë kjo?’

Tara, një mjeke, u rrit si hinduiste në Katmandu, Nepal. Duke ndjekur zakonet shumë të lashta të të parëve, ajo adhuronte perënditë e saj në tempujt hinduistë dhe kishte idhuj në shtëpi. Por, Tarën e mundonin pyetje të tilla, si: Përse ka kaq shumë vuajtje? Përse vdesin njerëzit? Në fenë e saj nuk gjeti asnjë përgjigje të kënaqshme.

Nga ana tjetër, Panja u rrit si budist, në një shtëpi të ndërtuar buzë një kanali në Bangkok, Tajlandë. Atij i mësuan se vuajtjet vijnë si pasojë e veprimeve të kryera në jetët e mëparshme dhe se çlirimi nga vuajtjet mund të arrihej duke e çliruar veten nga çdo dëshirë. Ashtu si budistë të tjerë të çiltër, i mësuan të kishte respekt të thellë për mençurinë e murgjve të veshur me rrobë të verdhë, të cilët vinin në shtëpi çdo mëngjes herët për lëmoshë. Ai praktikonte meditimin dhe mblidhte shëmbëlltyra të Budës, me bindjen se ato i sillnin mbrojtje. Pasi pësoi një aksident të rëndë që e la të paralizuar nga mesi e poshtë, Panja shkoi nëpër manastiret budiste, duke shpresuar vërtet se do të shërohej me ndonjë mrekulli. Nuk gjeti shërim dhe as ndriçim frymor. Në vend të kësaj, e njohën me spiritizmin dhe ai filloi të eksperimentonte me të.

Virgjili lindi në Shtetet e Bashkuara dhe, kur ishte në kolegj, u bashkua me Myslimanët e Zinj. E shpërndante me zell literaturën e tyre, ku thuhej se njeriu i bardhë është Djalli. Ja përse, mendonin ata, të bardhët kryenin kaq shumë mizori ndaj zezakëve. Ndonëse ishte i çiltër në bindjet e tij, Virgjilin e mundonin pyetjet: Si ka mundësi që të gjithë të bardhët të ishin të këqinj? Veç kësaj, përse një pjesë e madhe e predikimit lidhej me paratë?

Edhe pse Çaroja u rrit në Amerikën e Jugut, që është pothuajse e gjitha katolike, ajo ishte një protestante e devotshme. Ishte e kënaqur që nuk kishte të bënte fare me idhujtarinë që e rrethonte. Çarosë i pëlqente të shkonte në kishë çdo të diel për shërbimin fetar, në të cilin kishte ngarkesë të madhe emocionale, ku ajo bërtiste «Halelujah!» dhe këndonte e kërcente këngët fetare që pasonin. Çaroja besonte vërtet se ishte shpëtuar dhe kishte lindur përsëri. I paguante kishës të dhjetën e të ardhurave të saj dhe, kur evangjelisti i saj i preferuar në televizion kërkonte kontribute, ajo i dërgonte para për fëmijët në Afrikë. Por, kur e pyeti pastorin e saj përse Perëndia i dashurisë i torturon shpirtrat në ferr, e kuptoi se ai nuk kishte një përgjigje domethënëse. Më vonë, zbuloi edhe se kontributet e saj nuk ishin përdorur për të ndihmuar fëmijët në Afrikë.

Ndonëse vijnë nga prejardhje të ndryshme, këta pesë individë kishin diçka të përbashkët. Ata e donin të vërtetën dhe kërkonin me gjithë zemër përgjigje të vërteta për pyetjet e tyre. Por, a mund të bashkoheshin vërtet në adhurimin e vërtetë? Artikulli vijues do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

[Figura në faqen 4]

A është e mundur që njerëz me prejardhje të ndryshme të bashkohen vërtet?

[Burimi i figurës në faqen 3]

G.P.O., Jerusalem