Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të thotë të jesh besnik?

Çfarë do të thotë të jesh besnik?

Çfarë do të thotë të jesh besnik?

HASIDIMËT judenj në shekullin e dytë p.e.s., e quanin veten besnikë të vërtetë. Emri i tyre vjen nga fjala chasidh, termi bazë hebraik për «besnik». Rrjedh nga emri chesedh, i cili shpesh përkthehet «dashamirësi», «dashuri besnike», «mirëdashje», «mirësi», «mëshirë». Sipas Theological Dictionary of the Old Testament, chesedh «është vepruese, e shoqërueshme dhe e qëndrueshme, [dhe] tregon jo vetëm një qëndrim njerëzor, por edhe veprimin që vjen si pasojë e këtij qëndrimi. Është një veprim që ruan ose përmirëson jetën. Është ndërhyrja në dobi të dikujt që po kalon një fatkeqësi ose vështirësi. Është një shfaqje e miqësisë».

Është e qartë se, në shumë gjuhë, nuk ka asnjë fjalë që mund të shprehë kuptimin e plotë të këtij termi hebraik, siç përdoret në Bibël. Sidoqoftë, besnikëria në kuptimin biblik do të thotë më shumë sesa t’u përmbahesh me besueshmëri zotimeve. Përfshin idenë e përzemërsisë së dashur, si edhe të bësh veprime pozitive për të mirën e të tjerëve. Për të kuptuar çfarë nënkupton besnikëria e vërtetë, shqyrtoni se si e shfaqi Jehovai këtë cilësi ndaj Abrahamit, Moisiut, Davidit, kombit të Izraelit dhe ndaj njerëzimit në përgjithësi.

Jehovai shfaqi besnikëri

Jehovai i tha mikut të tij Abrahamit: «Unë jam mburoja jote.» (Zanafilla 15:1; Isaia 41:8) Këto nuk ishin vetëm fjalë. Jehovai e mbrojti Abrahamin, bashkë me familjen e tij dhe e çliroi nga faraoni e nga Abimeleku. E ndihmoi Abrahamin që ta çlironte Lotin nga aleanca e katër mbretërve. Jehovai rigjallëroi aftësitë riprodhuese të Abrahamit 100-vjeçar dhe të Sarës 90-vjeçare, në mënyrë që nga ata të vinte Fara e premtuar. Ai komunikoi rregullisht me Abrahamin nëpërmjet vegimeve, ëndrrave dhe lajmëtarëve engjëllorë. Në të vërtetë, Jehovai shfaqi besnikëri ndaj Abrahamit kur ky ishte gjallë, si edhe shumë kohë pasi kishte vdekur. Gjatë shekujve, Jehovai i mbajti premtimet ndaj pasardhësve të Abrahamit, kombit të Izraelit, ndonëse ata ishin të pashtruar. Marrëdhënia e Jehovait me Abrahamin ishte një konkretizim i asaj që është besnikëria e vërtetë, domethënë dashuri në veprim.—Zanafilla, kapitujt 12 deri në 25.

Thuhej se «Zoti fliste me Moisiun ballë për ballë, ashtu si një njeri flet me mikun e tij». (Eksodi [Dalja] 33:11) Po, Moisiu kishte me Jehovain një marrëdhënie më të ngushtë se çdo profet tjetër para Jezu Krishtit. Si shfaqi Jehovai besnikëri ndaj Moisiut?

Si një 40-vjeçar me fuqi e shkathtësi, Moisiu në mënyrë jomodeste mori përsipër përgjegjësinë që të çlironte popullin e tij. Por nuk kishte ardhur ende koha. Atij iu desh t’ia mbathte për të shpëtuar jetën. Për 40 vjet, ruajti delet në Midian. (Veprat 7:23-30) Megjithatë, Jehovai nuk e braktisi. Kur erdhi koha e duhur, ai e çoi Moisiun prapë që të çlironte Izraelin nga Egjipti.

Në mënyrë të ngjashme, Jehovai shfaqi besnikëri ndaj Davidit, të famshmit mbret të dytë të Izraelit. Kur Davidi s’ishte veçse një djalosh, Jehovai i tha profetit Samuel: «Ngrihu, vajose se ai është.» Që nga ai çast, me besnikëri Jehovai e mbrojti dhe e udhëhoqi Davidin, ndërsa ky i fundit arriti pjekurinë si mbreti i ardhshëm i gjithë Izraelit. Jehovai e çliroi atë «nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut», si edhe nga duart e gjigantit filiste, Goliadit. I dha Davidit shumë fitore mbi armiqtë e Izraelit dhe e shpëtoi nga shtiza e Saulit xheloz e plot urrejtje.—1 Samuelit 16:12; 17:37; 18:11; 19:10.

Sigurisht, Davidi nuk ishte i përsosur. Në të vërtetë, ai bëri mëkate të rënda. Megjithatë, në vend që ta braktiste, Jehovai shfaqi dashuri besnike ndaj Davidit thellësisht të penduar. Gjatë gjithë jetës së Davidit Jehovai veproi vazhdimisht për t’ia ruajtur dhe për t’ia përmirësuar jetën. Ndërhyri në dobi të atij që ishte në vështirësi. Kjo ishte vërtet dashamirësi!—2 Samuelit 11:1–12:25; 24:1-17.

Kombi i Izraelit si një i tërë hyri në një marrëdhënie të veçantë të dedikuar me Jehovain, kur i pranoi kushtet e besëlidhjes së Ligjit të Moisiut në malin Sinai. (Eksodi 19:3-8) Prandaj, Izraeli përshkruhet si të ishte në një lidhje martesore me Jehovain. Izraelit iu tha: «Zoti të ka thirrur si një grua.» Gjithashtu, Jehovai i tha: «Me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty.» (Isaia 54:6, 8) Si shfaqi besnikëri Jehovai në këtë lidhje të veçantë?

Jehovai mori nismën që të kujdesej për nevojat e izraelitëve dhe t’i forconte lidhjet e tyre me të. I çliroi nga Egjipti, i organizoi në një komb dhe i çoi në «një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti». (Eksodi 3:8) U siguroi rregullisht mësim frymor nëpërmjet priftërinjve, levitëve, si edhe një sërë të vazhdueshme profetësh e lajmëtarësh. (2 Kronikave 17:7-9; Nehemia 8:7-9; Jeremia 7:25) Kur kombi u kthye për t’u shërbyer perëndive të tjerë, Jehovai i ndreqi. Kur u penduan, i fali. Duhet pranuar se kombi i Izraelit ishte një «grua» shumë tekanjoze. Megjithatë, Jehovai nuk e braktisi menjëherë. Për shkak të premtimeve që i kishte bërë Abrahamit, Ai i mbështeti me besnikëri izraelitët derisa qëllimet e Tij në lidhje me ta u plotësuan. (Ligji i përtërirë 7:7-9) Sa shembull i shkëlqyer për të martuarit sot!

Jehovai tregon besnikëri edhe ndaj njerëzimit në përgjithësi, në kuptimin që kujdeset për nevojat themelore të jetës së të gjithë njerëzve, të drejtë e të padrejtë qofshin. (Mateu 5:45; Veprat 17:25) Përveç kësaj, ai ka siguruar flijimin shpërblyes të Birit të tij, në mënyrë që i gjithë njerëzimi të ketë mundësinë të çlirohet nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes e të gëzojë shpresën e lavdishme të jetës së përsosur e të përhershme në Parajsë. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Kjo masë që ka marrë, shpërblesa, ishte vepra më e madhe e bërë për të ruajtur e për të përmirësuar jetën. Ishte në të vërtetë «ndërhyrje në dobi të dikujt që po kalon fatkeqësi ose vështirësi».

Shfaqeni besnikërinë tuaj me veprime pozitive

Duke qenë sinonim i dashamirësisë, besnikëria mbart edhe një kuptim të fuqishëm të veprimeve reciproke. Nëse ju tregohet dashamirësi, atëherë e njëjta gjë mund të pritet edhe nga ju. Besnikëria shpërblehet me besnikëri. Fakti që Davidi e kuptoi se çfarë përfshihej në chesedh është e dukshme nga fjalët e tij: «Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd.» Përse? «Për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde.» (Psalmi 138:2) Duke qenë se Jehovai i kishte shfaqur dashamirësi, Davidi patjetër u nxit ta adhuronte e ta lëvdonte. Prandaj, ndërsa shohim se si ka shfaqur Jehovai dashamirësi ndaj nesh, a ndihemi të nxitur të veprojmë në mënyrë reciproke? Për shembull, nëse shahet emri i Jehovait, a ju shtyn interesi për emrin e tij të mirë që të flitni në mbrojtje të tij?

Kjo ndodhi me një të krishterë relativisht të ri në të vërtetën dhe me gruan e tij, kur ndoqën funeralin e një të afërmi që ishte vrarë në një aksident me motor. Nuk u bë një shërbim fetar dhe ata që ishin të pranishëm mund të thoshin diçka për të vdekurin. Njëri nga ata që folën ia hodhi fajin Perëndisë për vdekjen e parakohshme të këtij të riu, duke thënë ‘Perëndia e donte me vete në qiell, prandaj e mori’. Vëllai ynë i krishterë nuk mundi të rrinte pa folur. Ai hipi në platformë, ndonëse nuk kishte me vete as Bibël, as shënime. «A mendoni se një Perëndi i mëshirshëm, i dhembshur e i plotfuqishëm i miraton ngjarje si kjo?»—pyeti. Pastaj vazhdoi me një fjalim të bërë aty për aty, i cili zgjati dhjetë minuta, me citime biblike që shpjegonin përse vdesim, çfarë ka bërë Perëndia për ta çliruar njerëzimin nga vdekja dhe shpresën e mrekullueshme të një ringjalljeje në jetën e përhershme në një tokë parajsore. Më shumë se 100 të pranishmit shpërthyen në duartrokitje të zgjatura. Më vonë, vëllai tha: «Ndjeva një gëzim të brendshëm që nuk e kisha ndier kurrë më parë. E falënderova Jehovain që më arsimoi në mençurinë e tij dhe më dha mundësinë të mbroja emrin e tij të shenjtë.»

Besnikëria ndaj Jehovait përfshin besnikërinë ndaj Fjalës së tij, Biblës. Përse? Sepse nëpërmjet faqeve të Biblës, Jehovai na mëson se si të jetojmë. Ligjet dhe parimet e dokumentuara aty janë vërtet ligjet më të mira e më dobiprurëse për jetën. (Isaia 48:17) Mos lejoni që presioni nga të tjerët ose vetë dobësitë tuaja t’ju bëjnë të largoheni e të mos u përmbaheni ligjeve të Jehovait. Qëndroni besnikë ndaj Fjalës së Perëndisë.

Besnikëria ndaj Perëndisë përfshin edhe besnikërinë ndaj organizatës së tij. Gjatë viteve, ka qenë e nevojshme të bëhen ndreqje dhe rregullime në kuptueshmërinë tonë për disa shkrime. Fakti është se askush tjetër nuk ushqehet kaq mirë frymësisht sa ne. (Mateu 24:45-47) Pa dyshim, Jehovai e ka mbështetur me besnikëri organizatën e tij në ditët e sotme. A nuk mund të bëjmë edhe ne po ashtu? A. H. Mekmilëni bëri kështu. Pak para se të vdiste, ai tha: «E kam parë rritjen e organizatës së Jehovait që nga fillimet e vogla, në kohën kur ia dedikova jetën Perëndisë, në moshën njëzetetrevjeçare, në shtator të vitit 1900, deri në një shoqëri mbarëbotërore me njerëz të lumtur që po shpallin me zell të vërtetat e tij. . . . Jam i bindur më shumë se kurrë më parë—ndërsa shoh se po i afrohet fundi shërbimit tim tokësor ndaj Perëndisë—se Jehovai e ka drejtuar popullin e tij dhe i ka dhënë tamam atë që i nevojitej në kohën e duhur.» Vëlla Mekmilëni shërbeu me besnikëri për afro 66 vjet, deri kur vdiq më 26 gusht 1966. Ishte një shembull i shkëlqyer i besnikërisë ndaj organizatës së dukshme të Perëndisë.

Përveçse të jemi besnikë ndaj organizatës, a do të jemi besnikë ndaj njëri-tjetrit? Kur të kërcënohemi me përndjekje të ashpër, a do të mbetemi besnikë ndaj vëllezërve tanë e motrave tona? Gjatë Luftës II Botërore, vëllezërit tanë në Holandë lanë një shembull të shkëlqyer besnikërie. Një plak nga kongregacioni Groningen, Klas de Vriesi, iu nënshtrua marrjes në pyetje pa mëshirë e në mënyrë mizore nga Gestapoja naziste, u la në izolim për 12 ditë, ku i dhanë vetëm bukë e ujë, e pastaj u mor në pyetje përsëri. Me një pistoletë të drejtuar nga ai dhe nën kërcënimin e vdekjes, i dhanë dy minuta kohë që të thoshte se ku ndodheshin vëllezërit përgjegjës, si edhe të dhëna të tjera jetësore. E vetmja gjë që tha Klasi ishte: «Nuk do të dëgjoni më asgjë prej meje. . . . Nuk do të bëhem tradhtar.» Tri herë e kërcënuan me pistoletë. Më në fund, Gestapoja u dorëzua dhe Klasin e çuan në një burg tjetër. Ai nuk i tradhtoi kurrë vëllezërit.

A do të qëndrojmë besnikë ndaj personit më të afërm që kemi, ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes? Ashtu si Jehovai e nderoi besëlidhjen që kishte lidhur me kombin e Izraelit, a i qëndrojmë besnikë betimit martesor? Përveçse të keni një besnikëri të patundur, përpiquni në mënyrë vepruese të mbani një marrëdhënie të ngushtë me bashkëshortin ose bashkëshorten. Merrni nismën për ta bërë të sigurt martesën tuaj. Kaloni kohë së bashku, komunikoni lirisht dhe hapur me njëri-tjetrin, përkrahni dhe jepini zemër njëri-tjetrit, qeshni së bashku, qani së bashku, luani së bashku, punoni bashkë për të arritur synime të përbashkëta, kënaqni njëri-tjetrin, jini miq me njëri-tjetrin. Jini veçanërisht të kujdesshëm që të mos zhvilloni ndjenja romantike ndaj të tjerëve. Ndonëse është e drejtë dhe e duhur të zhvilloni shoqëri e, madje, edhe miqësi të ngushta me të tjerë jashtë martesës, ndjenjat romantike duhen kufizuar vetëm te bashkëshorti ose bashkëshortja juaj. Mos lejoni asnjë tjetër që të hyjë mes jush dhe bashkëshortit ose bashkëshortes suaj.—Fjalët e urta 5:15-20.

Qëndroni besnikë ndaj miqve tuaj besimtarë e ndaj familjes. Mos i harroni ata, edhe pse vitet kalojnë. Mbani lidhjet, shkruani, telefononi, bëni vizita. Kudo që t’ju çojë shtegu i jetës, përpiquni të mos i zhgënjeni. Bëjini që ta thonë me kënaqësi se ju njohin ose që kanë lidhje gjaku me ju. Besnikëria ndaj tyre do t’ju mbajë të fortë për të bërë atë që është e drejtë dhe do të jetë burim inkurajimi për ju.—Estera 4:6-16.

Po, besnikëria e vërtetë përfshin veprime pozitive për të ruajtur marrëdhënie të çmuara. Bëni gjithçka mundeni për t’ia shpërblyer Jehovait dashamirësinë që shfaq ndaj nesh. Imitoni besnikërinë e Jehovait në marrëdhëniet tuaja me kongregacionin e krishterë, me bashkëshortin ose bashkëshorten, me familjen dhe me miqtë. Shpalluni me besnikëri fqinjëve tuaj virtytet e Jehovait. Psalmisti kishte të drejtë kur tha: «Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.» (Psalmi 89:1) A nuk ndihemi të tërhequr drejt një Perëndie të tillë? Në të vërtetë, «mirësia e tij është e përjetshme».—Psalmi 100:5.

[Figura në faqen 23]

A. H. Mekmilën