Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi i vërtetë: A është ende i mundur?

Besimi i vërtetë: A është ende i mundur?

Besimi i vërtetë: A është ende i mundur?

«Besimi është një siguri e gjallë dhe e guximshme në hirin e Perëndisë, aq e sigurt, saqë besimtari do ta mbështeste një mijë herë jetën e tij në të.»—MARTIN LUTERI, 1522.

«Praktikisht, ne tashmë po jetojmë në shoqëri jofetare, në të cilën besimi dhe praktikat e krishtere janë bërë pothuajse të paqena.»—LUDOVIK KENEDI, 1999.

PIKËPAMJET lidhur me besimin ndryshojnë jashtëzakonisht nga njëra-tjetra. Në të kaluarën, besimi te Perëndia ishte një gjë e zakonshme. Në ditët e sotme, në një botë plot skepticizëm dhe vuajtje, besimi i vërtetë te Perëndia dhe te Bibla po zhduket me të shpejtë.

Besimi i vërtetë

Për shumë veta, «besim» do të thotë thjesht të kesh një bindje fetare ose të ndjekësh një formë adhurimi. Megjithatë, siç përdoret në Bibël, «besim» në thelb do të thotë mirëbesim i plotë, siguri e patundshme te Perëndia dhe te premtimet e tij. Është një cilësi që karakterizon një dishepull të Jezu Krishtit.

Në një rast, Jezu Krishti foli për nevojën që të lutemi e të ‘mos dorëzohemi’. Duke bërë këtë, ngriti pyetjen nëse do të ekzistonte besimi i vërtetë në ditët tona apo jo. Ai pyeti: «Kur të mbërrijë Biri i njeriut, a do të gjejë vërtet [këtë] besim në tokë?» Përse e bëri Jezui këtë pyetje?—Luka 18:1, 8.

Humbasin besimin

Ka shumë gjëra që mund t’i bëjnë njerëzit ta humbasin çfarëdo besimi që mund të kenë. Ndër to janë traumat dhe sprovat e jetës së përditshme. Për shembull, profesor Majkëll Gulderi ishte prift famullie në Mançester, Angli, në kohën e katastrofës ajrore të vitit 1958 në Mynih, ku mbetën të vrarë shumë lojtarë të skuadrës së futbollit Mançester Junaitid. Në një program televiziv të BBC-së, folësja Xhoan Bejkuell shpjegoi se Gulderi «u ndje i pafuqishëm duke parë se sa shumë të hidhëruar ishin njerëzit». Një pasojë ishte se ai «humbi besimin te një Perëndi që ndërhyn në fatin e njeriut». Gulderi shprehu bindjen e tij se «Bibla nuk është . . . fjala e pagabueshme e Perëndisë», por, përkundrazi, «fjala e gabueshme e njeriut, ndoshta me ndonjë frymëzim hyjnor aty-këtu».

Disa herë, besimi thjesht venitet. Kjo ndodhi në rastin e shkrimtarit dhe prezantuesit televiziv Ludovik Kenedi. Ai thotë se, që nga fëmijëria, «dyshimet dhe pasiguritë [për Perëndinë] vinin e iknin dhe mosbesimi [i tij] u rrit». Duket se askush nuk ishte në gjendje t’i jepte përgjigje të arsyeshme për pyetjet që kishte. Vdekja e të atit në det ishte një goditje e rëndë për besimin e tij, që tashmë ishte shumë i dobët. Lutjet ndaj Perëndisë «na ruaj nga rreziqet e detit dhe nga dhuna e armikut» mbetën pa përgjigje, kur trageti për pasagjerë, në të cilin udhëtonte babai i tij, u sulmua dhe u shkatërrua nga luftanijet gjermane, gjatë Luftës II Botërore.—All in the Mind—A Farewell to God.

Këto përvoja nuk janë të pazakonta. «Besimi,—thotë apostulli Pavël,—nuk zotërohet nga të gjithë.» (2 Selanikasve 3:2) Çfarë mendoni ju? A është ende e mundur të ekzistojë besimi i vërtetë te Perëndia e te Fjala e tij, në një botë gjithnjë e më shumë skeptike? Shqyrtoni se çfarë ka për të thënë artikulli vijues për këtë temë.