Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Imitoni Jehovain kur stërvitni fëmijët tuaj

Imitoni Jehovain kur stërvitni fëmijët tuaj

Imitoni Jehovain kur stërvitni fëmijët tuaj

«Cilin bir nuk e korrigjon i ati?»—HEBRENJVE 12:7, Dio.

1, 2. Përse prindërit sot kanë probleme për të rritur fëmijët?

NJË anketë e bërë në Japoni disa vite më parë, zbuloi se rreth gjysma e të rriturve të intervistuar mendonin që mes prindërve dhe fëmijëve të tyre kishte shumë pak komunikim dhe se prindërit ua plotësonin së tepërmi dëshirat fëmijëve. Në një anketë tjetër të bërë në atë vend, pothuajse çereku i atyre që u përgjigjën e pranuan se nuk dinin si të silleshin me fëmijët. Kjo prirje nuk është karakteristike vetëm në Lindje. «Shumë prindër kanadezë kanë pranuar që nuk janë të sigurt se si të jenë prindër të mirë»,—raportohet në The Toronto Star. Kudo, prindërit po hasin vështirësi për të rritur fëmijët e tyre.

2 Përse prindërit kanë probleme për të rritur fëmijët? Një arsye kryesore është se po jetojmë në «ditët e fundit» dhe jemi në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Përveç kësaj, Bibla thotë se «synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij». (Zanafilla 8:21) Gjithashtu, të rinjtë janë në veçanti të prekshëm nga sulmet e Satanait, i cili, «si një luan që vrumbullit», gjuan ata që janë pa përvojë. (1 Pjetrit 5:8) Sigurisht, pengesat janë të shumta për prindërit e krishterë që duan t’i rritin fëmijët e tyre «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait». (Efesianëve 6:4) Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që të rriten e të bëhen adhurues të pjekur të Jehovait, në gjendje për të shquar «si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën»?—Hebrenjve 5:14.

3. Përse udhëheqja dhe stërvitja nga prindërit është thelbësore për t’i rritur me sukses fëmijët?

3 «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës»,—vërejti mbreti i mençur Solomon. (Fjalët e urta [Proverbat] 13:1; 22:15) Për ta shkulur nga zemra këtë marrëzi, fëmijët kanë nevojë që prindërit t’i ndreqin me dashuri. Gjithsesi, jo gjithmonë të rinjtë e mirëpresin këtë ndreqje. Në të vërtetë, shpesh ata mërziten nga këshillat, pavarësisht se kush ua jep ato. Prandaj, prindërit duhet të mësojnë ta ‘stërvitin djalin sipas rrugës për të’. (Proverbat 22:6, BR) Kur fëmijët i përmbahen kësaj disipline, për ta ajo mund të nënkuptojë jetë. (Fjalët e urta 4:13) Sa jetësore është që prindërit të dinë çfarë përfshihet në stërvitjen e fëmijëve të tyre!

Disiplina: Çfarë nënkupton?

4. Cili është kuptimi kryesor i fjalës «disiplinë», siç përdoret në Bibël?

4 Nga frika se mos i akuzojnë për keqtrajtim fizik, gojor ose emocional, disa prindër përmbahen dhe nuk i ndreqin fëmijët e tyre. Nuk ka pse të ushqejmë një frikë të tillë. Fjala «disiplinë», në përdorimin e saj në Bibël, nuk përfshin asnjë lloj keqtrajtimi ose mizorie. Fjala greke për «disiplinë», kryesisht lidhet me mësimin, arsimimin, ndreqjen dhe, nganjëherë, ndëshkimin me vendosmëri, por me dashuri.

5. Përse është dobiprurëse të shqyrtojmë mënyrën se si e trajtoi Jehovai popullin e tij?

5 Për sa i përket dhënies së kësaj disipline, Perëndia Jehova jep shembullin e përsosur. Duke e krahasuar Jehovain me një baba njerëzor, apostulli Pavël shkroi: «Cilin bir nuk e korrigjon i ati? . . . Etërit tanë sipas mishit . . . na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.» (Hebrenjve 12:7-10, Dio) Po, Jehovai e disiplinon popullin e tij, me qëllim që ai të jetë i shenjtë ose i pastër. Me siguri, mund të mësojmë shumë për disiplinimin e fëmijëve, duke shqyrtuar se si e ka stërvitur Jehovai popullin e tij.—Ligji i përtërirë 32:4; Mateu 7:11; Efesianëve 5:1.

Dashuria—Forca nxitëse

6. Përse prindërit mund ta kenë të vështirë të imitojnë dashurinë e Jehovait?

6 «Perëndia është dashuri»,—thotë apostulli Gjon. Prandaj, stërvitja që siguron Jehovai është gjithnjë e nxitur nga dashuria. (1 Gjonit 4:8; Fjalët e urta 3:11, 12) A do të thotë kjo se prindërit që kanë përzemërsi të natyrshme për fëmijët e tyre do ta kenë të lehtë ta imitojnë Jehovain në këtë fushë? Jo medoemos. Dashuria e Perëndisë është një dashuri e bazuar në parime. Një studiues grek thekson se kjo dashuri «nuk përputhet gjithnjë me prirjet e natyrshme». Perëndia nuk verbohet nga sentimentalizmi. Ai mendon gjithnjë me kujdes se çfarë është më e mira për popullin e tij.—Isaia 30:20; 48:17.

7, 8. (a) Cilin shembull të dashurisë së bazuar në parime la Jehovai në marrëdhëniet me popullin e tij? (b) Si mund ta imitojnë prindërit Jehovain, duke i ndihmuar fëmijët e tyre që të zhvillojnë aftësinë për të zbatuar parimet biblike?

7 Shqyrtoni dashurinë që tregoi Jehovai në marrëdhëniet me izraelitët. Moisiu përdori një krahasim të bukur për të përshkruar dashurinë e Jehovait për kombin e ri të Izraelit. Lexojmë: «Ashtu si shqiponja shkund folenë e saj, sillet rrotull mbi të vegjëlit e saj, shtrin krahët, i merr, i mban mbi pendë, vetëm Jehovai vazhdoi t’i printe [Jakobit].» (Ligji i përtërirë 32:9, 11, 12, BR) Që t’u mësojë të vegjëlve të saj të fluturojnë, shqiponja nënë e «shkund folenë e saj», duke rrahur e duke përplasur krahët për t’i nxitur të vegjlit që të nisin fluturimin. Kur, më në fund, zogu i vogël bie pingulthi nga foleja, e cila shpesh ndodhet në ndonjë shkëmb të lartë, e ëma «sillet rrotull mbi» të. Nëse duket se zogthi mund të përplaset në tokë, nëna sulet si shigjetë poshtë tij, duke e mbajtur «mbi pendë». Me dashuri, Jehovai u kujdes në mënyrë të ngjashme për kombin e sapolindur të Izraelit. I dha popullit Ligjin e Moisiut. (Psalmi 78:5-7) Më pas, Perëndia vigjilonte me sy të mprehtë mbi kombin, gati për t’i ardhur në ndihmë kur ai ishte në telashe.

8 Si mund ta imitojnë prindërit e krishterë dashurinë e Jehovait? Së pari, duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre parimet dhe normat që gjenden në Fjalën e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 6:4-9) Synimi është t’i ndihmojnë të vegjlit që të mësojnë të marrin vendime të cilat janë në harmoni me parimet biblike. Duke bërë këtë, prindërit e dashur, si të thuash, sillen rrotull mbi të vegjlit e tyre, duke vëzhguar se si i zbatojnë këta të fundit parimet që kanë mësuar. Dora-dorës që fëmijët rriten dhe u jepet gjithnjë e më shumë liri, prindërit e kujdesshëm janë gati të «sulen si shigjetë» dhe ‘t’i mbajnë të vegjlit mbi pendë’ sa herë që ka ndonjë rrezik. Çfarë lloj rreziku?

9. Ndaj cilit rrezik në veçanti duhet të jenë syçelë prindërit e dashur? Ilustrojeni.

9 Perëndia Jehova i paralajmëroi izraelitët për pasojat që sillnin shoqëritë e këqija. (Numrat 25:1-18; Ezdra 10:10-14) Shoqërimi me personat e gabuar është një rrezik i përhapur edhe sot. (1 Korintasve 15:33) Prindërit e krishterë bëjnë mirë të imitojnë Jehovain në këtë fushë. Një vajzë 15-vjeçare me emrin Liza filloi të tregonte interes për një djalë që nuk kishte vlerat morale e frymore të familjes së saj. «Prindërit e vunë re menjëherë që pati një ndryshim në qëndrimin tim dhe u shqetësuan për këtë,—tregon Liza.—Disa herë më ndreqnin dhe, herë të tjera, më inkurajonin me butësi.» Ata u ulën shtruar me Lizën dhe e dëgjuan me durim, duke e ndihmuar të përballonte problemin që kuptuan se qëndronte në thelb—dëshira për të qenë e pranuar nga moshatarët e saj. *

Mbajini të hapura linjat e komunikimit

10. Në cilat mënyra Jehovai la një shembull të shkëlqyer duke komunikuar me izraelitët?

10 Që të jenë të suksesshëm në stërvitjen e fëmijëve, prindërit duhet të përpiqen t’i mbajnë të hapura linjat e komunikimit me ta. Jehovai, ndonëse është plotësisht në dijeni se çfarë kemi në zemër, na inkurajon që të komunikojmë me të. (1 Kronikave 28:9) Pasi u dha Ligjin izraelitëve, Jehovai i caktoi levitët që të mësonin popullin dhe i dërgoi profetët që të arsyetonin me atë e ta ndreqnin. Gjithashtu, Ai tregoi gatishmëri për të dëgjuar lutjet e tyre.—2 Kronikave 17:7-9; Psalmi 65:2; Isaia 1:1-3, 18-20; Jeremia 25:4; Galatasve 3:22-24.

11. (a) Si mund ta nxitin prindërit komunikimin e mirë me fëmijët e tyre? (b) Përse është e rëndësishme që prindërit të jenë dëgjues të mirë kur komunikojnë me fëmijët e tyre?

11 Si mund ta imitojnë prindërit Jehovain kur komunikojnë me fëmijët e tyre? Pikësëpari, duhet të lënë mënjanë kohë për fëmijët. Gjithashtu, prindërit bëjnë mirë të shmangin komentet e pamenduara që vënë në lojë të tilla, si: «Kjo është e gjitha? Mendoja se mos ishte ndonjë gjë e rëndësishme»; «Kjo është gjë koti»; «Epo mirë, çfarë pritje të ndodhte? Fëmijë je ti.» (Fjalët e urta 12:18) Për t’u dhënë zemër fëmijëve që të flasin lirshëm, prindërit e mençur përpiqen të jenë dëgjues të mirë. Prindërit që i shpërfillin fëmijët kur janë të vegjël, ndoshta do të provojnë se edhe fëmijët, kur të rriten, do t’i shpërfillin ata. Jehovai ka qenë gjithnjë i gatshëm ta dëgjojë popullin e tij. I mban gjithnjë veshët të hapur për ata që me përulësi i drejtohen në lutje.—Psalmi 91:15; Jeremia 29:12; Luka 11:9-13.

12. Cilat cilësi nga ana e prindërve mund t’ua bëjnë më të lehtë fëmijëve që t’u afrohen për të folur me ta?

12 Shqyrtoni edhe se si disa aspekte të personalitetit të Perëndisë ia kanë bërë më të lehtë popullit të tij që t’i afrohet lirisht. Për shembull, mbreti David i Izraelit të lashtë mëkatoi rëndë duke pasur një marrëdhënie kurorëshkelëse me Betshebën. Duke qenë njeri i papërsosur, Davidi kreu edhe mëkate të tjera të rënda në jetë. Megjithatë, iu afrua gjithnjë Jehovait për të kërkuar nga ai falje dhe qortim. Pa dyshim, dashamirësia dhe mëshira e Perëndisë ia bënë më të lehtë Davidit që të kthehej te Jehovai. (Psalmi 103:8) Duke shfaqur cilësi të tilla hyjnore, si dhembshuria e mëshira, prindërit mund të ndihmojnë për t’i mbajtur të hapura linjat e komunikimit, edhe kur fëmijët gabojnë.—Psalmi 103:13; Malakia 3:17.

Jini të arsyeshëm

13. Çfarë përfshin të jesh i arsyeshëm?

13 Ndërsa dëgjojnë fëmijët e tyre, prindërit duhet të jenë të arsyeshëm e të pasqyrojnë ‘mençurinë nga lart’. (Jakovit 3:17) «Arsyetueshmëria juaj le të bëhet e njohur ndër të gjithë njerëzit»,—shkroi apostulli Pavël. (Filipianëve 4:5) Çfarë do të thotë të jesh i arsyeshëm? Një përkufizim i fjalës greke të përkthyer ‘i arsyeshëm’ është «të mos ngulësh këmbë në çdo shkronjë të ligjit». Si mund të jenë të arsyeshëm prindërit, duke mbajtur, ndërkohë, norma të palëkundshme morale e frymore?

14. Si tregoi arsyetueshmëri Jehovai me Lotin?

14 Jehovai lë një shembull të jashtëzakonshëm për sa i përket arsyetueshmërisë. (Psalmi 10:17) Kur e nxiti Lotin dhe familjen e tij që të largoheshin nga qyteti i dënuar i Sodomës, Loti «po ngurronte». Më vonë, kur engjëlli i Jehovait i kërkoi të ikte në rajonin malor, Loti tha: «Unë s’jam në gjendje të iki në rajonin malor . . . Të lutem, ky qytet [Zoari] është afër për të ikur atje dhe është një gjë e vogël. Më lër të iki atje, të lutem,—a nuk është një gjë e vogël?» Si iu përgjigj Jehovai kësaj? Ai tha: «Po ta marr parasysh edhe këtë, duke mos e përmbysur qytetin për të cilin ke folur.» (Zanafilla 19:16-21, 30, BR) Jehovai ishte i gatshëm t’ia plotësonte kërkesën Lotit. Është e vërtetë se prindërit duhet t’u përmbahen normave që Perëndia Jehova ka paraqitur në Fjalën e tij, në Bibël. Gjithsesi, kur nuk vihen në rrezik parimet biblike, mund të jetë e mundur të plotësohen dëshirat e fëmijëve.

15, 16. Çfarë mësimi mund të nxjerrin prindërit nga ilustrimi që gjendet tek Isaia 28:24, 25?

15 Të jemi të arsyeshëm përfshin edhe ta përgatitim zemrën e fëmijëve që të jenë gati t’i pranojnë këshillat. Në mënyrë ilustruese, Isaia e krahasoi Jehovain me një bujk dhe tha: «A nuk lëron tërë ditën bujku për të mbjellë? A vazhdon vallë, ta çajë e ta prashitë tokën e tij? Mbasi ka sheshuar sipërfaqen e saj, a nuk mbjell koprën dhe nuk përhap barin e gjumit, nuk vë grurin në brazda, elbin në vendin e caktuar dhe grurin e fortë gjatë kufijve?»—Isaia 28:24, 25.

16 Jehovai ‘lëron për të mbjellë’ dhe ‘çan e prashit tokën e tij’. Kështu, ai e përgatit zemrën e popullit të tij para se ta disiplinojë. Në ç’mënyrë mund ta ‘lërojnë’ prindërit zemrën e fëmijëve të tyre, kur i ndreqin? Një baba imitoi Jehovain kur iu desh të ndreqte djalin e tij katërvjeçar. Kur i biri i qëlloi një djali që banonte afër tyre, babai në fillim dëgjoi me durim justifikimet e të birit. Pastaj, si për ta ‘lëruar’ zemrën e të birit, i tregoi një histori që fliste për një djalë të vogël, i cili kishte vuajtur shumë për shkak të një djali të dhunshëm. Kur dëgjoi historinë, i biri u prek dhe tha se ai djalë i dhunshëm duhej dënuar. Kjo mënyrë ‘lërimi’ e përgatiti zemrën e djalit dhe ia bëri më të lehtë të kuptonte se duke qëlluar fqinjin kishte vepruar si një fëmijë i dhunshëm dhe se kjo ishte e gabuar.—2 Samuelit 12:1-14.

17. Cili mësim për sa i përket ndreqjes nga prindërit jepet tek Isaia 28:26-29?

17 Më tej, Isaia e krahasoi ndreqjen që bën Jehovai me një proces tjetër bujqësor—me shirjen. Një bujk përdor vegla të ndryshme shirëse, në varësi të fortësisë së bykut të drithit. Për qimnonin e zi të butë përdoret një shufër dhe për qimnonin një shkop, por për drithërat me byk më të fortë përdoret një rul ose një rrotë qerreje. Gjithsesi, drithërat që janë më të forta bujku nuk i shin derisa të shtypen fare. Në mënyrë të ngjashme, kur dëshiron të heqë diçka të padëshirueshme nga populli i tij, Jehovai e ndryshon trajtimin sipas nevojave dhe rrethanave ekzistuese. Nuk është kurrë arbitrar ose shtypës. (Isaia 28:26-29) Disa fëmijëve u mjafton vetëm një shikim i prindërve që të reagojnë dhe nuk ka nevojë për ndonjë veprim tjetër. Të tjerë kanë nevojë për përkujtues të vazhdueshëm, kurse të tjerë akoma mund të kenë nevojë për nxitje të një lloji edhe më të fortë. Prindërit e arsyeshëm e përshtatin ndreqjen sipas nevojave të çdo fëmije në veçanti.

Bëjini të këndshme bisedat familjare

18. Si mund të lënë mënjanë kohë prindërit për studimin e rregullt familjar të Biblës?

18 Ndër mënyrat më të mira për t’i mësuar fëmijët janë studimi i rregullt familjar i Biblës dhe shqyrtimi i përditshëm i Shkrimeve. Studimi familjar është më i efektshëm kur bëhet rregullisht. Po t’i lihet rastësisë ose një vendimi të marrë aty për aty, shumë-shumë ka të ngjarë që të bëhet rrallë. Prandaj, prindërit duhet të ‘blejnë kohën’ për studimin. (Efesianëve 5:15-17) Të zgjidhet një kohë e përcaktuar që të jetë e volitshme për të gjithë mund të jetë një sfidë. Një kryefamiljar kuptoi se, ndërkohë që fëmijët rriteshin, fakti që kishin programe të ndryshme po e bënte më të vështirë që të mblidhej e gjithë familja së bashku. Gjithsesi, mbrëmjet kur kishte mbledhje kongregacioni, familja ishte gjithnjë së bashku. Prandaj, babai mori masa që studimi familjar të bëhej në një nga këto mbrëmje. Ky program doli i efektshëm. Që të tre fëmijët tani janë shërbëtorë të pagëzuar të Jehovait.

19. Si mund ta imitojnë prindërit Jehovain, kur drejtojnë studimin familjar?

19 Megjithatë, nuk mjafton vetëm që gjatë studimit të trajtohet ndonjë material biblik. Izraelitët e rivendosur Jehovai i mësonte nëpërmjet priftërinjve, të cilët ‘shtjellonin dhe i jepnin kuptim’ Ligjit, ‘duke i dhënë kuptueshmëri në të lexuar’. (Nehemia 8:8, BR) Një baba, i cili ia doli mbanë me sukses t’i ndihmonte të shtatë fëmijët e tij që ta donin Jehovain, shkonte gjithnjë në dhomën e tij para studimit familjar, me qëllim që të përgatitej, duke ia përshtatur materialin nevojave të secilit fëmijë. E bënte të këndshëm studimin për fëmijët. «Studimi ishte gjithnjë i këndshëm,—kujton një nga djemtë e tij, tashmë i rritur.—Nëse ishim përjashta në oborr duke luajtur me top në kohën kur na thërritnin për studimin familjar, e linim menjëherë topin dhe vraponim në shtëpi për studimin. Ishte një nga mbrëmjet më të këndshme në javë.»

20. Cili problem i mundshëm gjatë rritjes së fëmijëve duhet shqyrtuar ende?

20 Psalmisti shpalli: «Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim.» (Psalmi 127:3) T’i stërvitim fëmijët kërkon kohë e përpjekje, por nëse e bëjmë siç duhet këtë stërvitje, mund të nënkuptojë jetë të përhershme për ta. Sa shpërblim i shkëlqyer do të ishte ky! Atëherë, le të imitojmë me zell Jehovain kur stërvitim fëmijët tanë! Megjithatë, edhe pse prindërve u është besuar përgjegjësia që ‘t’i rritin [fëmijët] në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait’, nuk ka ndonjë siguri për suksesin. (Efesianëve 6:4) Edhe sikur t’i tregohet kujdesi më i mirë që është i mundur, një fëmijë mund të bëhet rebel e të heqë dorë nga shërbimi i Jehovait. Çfarë duhet bërë në rast të tillë? Kjo do të jetë tema e artikullit vijues.

[Shënimi]

^ par. 9 Përvojat që gjenden në këtë artikull, si edhe në atë vijues, mund të jenë nga vende që kanë një kulturë të ndryshme nga e juaja. Përpiquni të shquani parimet që përfshihen dhe zbatojini për kulturën tuaj.

Si do të përgjigjeni?

• Si mund ta imitojnë prindërit dashurinë e Jehovait siç përshkruhet te Ligji i përtërirë 32:11, 12?

• Çfarë keni mësuar nga mënyra se si komunikoi Jehovai me izraelitët?

• Çfarë na mëson fakti që Jehovai ia vuri veshin kërkesës së Lotit?

• Çfarë mësimi keni nxjerrë për ndreqjen e fëmijëve nga Isaia 28:24-29?

[Pyetjet]

[Figura në faqet 8, 9]

Moisiu e krahasoi stërvitjen që i bën Jehovai popullit të tij me mënyrën si vepron një shqiponjë me të vegjlit e saj

[Figurat në faqen 10]

Prindërit duhet të lënë mënjanë kohë për fëmijët

[Figura në faqen 12]

«Ishte një nga mbrëmjet më të këndshme në javë»