Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Çfarë është ‘pushimi’ për të cilin flitet te Hebrenjve 4:9-11 dhe si ‘hyn në atë pushim’ një person?
Të krishterëve hebrenj në shekullin e parë, apostulli Pavël u shkroi: «Mbetet, pra, një pushim sabati për popullin e Perëndisë. Sepse kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu si Perëndia nga të vetat. Prandaj, le të bëjmë çmos për të hyrë në atë pushim.»—Hebrenjve 4:9-11.
Kur tha që Perëndia pushoi nga vepra e Tij, Pavli, me sa duket, po fliste për atë që thuhet te Zanafilla 2:2, ku lexojmë: «Ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh [pushoi, BR] nga gjithë vepra që kishte kryer.» Përse Jehovai ‘pushoi ditën e shtatë’? Sigurisht, jo sepse kishte nevojë të rimerrte fuqitë «nga gjithë vepra që kishte kryer». Vargu tjetër siguron një ndihmë: «Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh [pushoi, BR] nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.»—Zanafilla 2:3; Isaia 40:26, 28.
‘Dita e shtatë’ ishte e ndryshme nga gjashtë ditët e para, në kuptimin që ishte një ditë të cilën Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi, domethënë, një ditë e lënë mënjanë ose e dedikuar për një qëllim të veçantë. Cili ishte ky qëllim? Më parë, Perëndia e kishte zbuluar qëllimin e tij lidhur me njerëzimin dhe tokën. Njeriut të parë dhe gruas së tij, Perëndia i tha: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Ndonëse Perëndia i kishte dhënë njerëzimit dhe tokës një fillim të përsosur, do të duhej kohë që e gjithë toka të nënshtrohej dhe të shndërrohej në një parajsë të mbushur me një familje të përsosur njerëzore, siç e kishte vënë për qëllim Perëndia. Kështu, «ditën e shtatë» Perëndia pushoi ose hoqi dorë nga vepra të mëtejshme krijuese në tokë, me qëllim që ta linte të zhvillohej në përputhje me vullnetin e tij atë që tashmë kishte krijuar. Në fund të asaj ‘dite’, gjithçka që Perëndia kishte pasur për qëllim do të jetë bërë realitet. Sa do të zgjatë ky pushim?
Duke u rikthyer te pohimi i Pavlit në letrën drejtuar hebrenjve, vërejmë se ai theksoi që ‘mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë’ dhe i nxiti të bashkëkrishterët që të bënin çmos «për të hyrë në atë pushim». Kjo tregon se, kur Pavli shkroi këto fjalë, ‘dita e shtatë’ e pushimit të Perëndisë, e cila kishte filluar rreth 4.000 vjet më parë, vazhdonte ende. Ajo do të përfundojë kur qëllimi i Perëndisë lidhur me njerëzimin dhe me tokën të përmbushet plotësisht, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit, i cili është ‘Zotëria i sabatit’.—Mateu 12:8; Zbulesa 20:1-6; 21:1-4.
Duke pasur parasysh këtë shpresë të mrekullueshme, Pavli shpjegoi se si mund të hyjë një person në pushimin e Perëndisë. Ai shkroi: «Kush ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij.» Kjo na lë të kuptojmë se, ndonëse pati një fillim të përsosur, njerëzimi në tërësi nuk kishte hyrë në pushimin e Perëndisë. Kjo sepse Adami dhe Eva nuk e mbajtën për shumë kohë pushimin e Perëndisë në «ditën e shtatë» duke pranuar rregullimin e tij për ta. Në vend të kësaj, u rebeluan dhe dëshiruan të bëheshin të pavarur nga Perëndia. Në të vërtetë, vepruan sipas planit që kishte bërë Satanai, në vend që të pranonin drejtimin e dashur të Perëndisë. (Zanafilla 2:15-17) Si rrjedhojë, humbën perspektivën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Që nga ai çast e më tej, i gjithë njerëzimi u bë skllav i mëkatit dhe i vdekjes.—Romakëve 5:12, 14.
Rebelimi i njerëzimit nuk e prishi qëllimin e Perëndisë. Dita e tij e pushimit vazhdon. Megjithatë, nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, Jehovai mori një masë të dashur, domethënë shpërblesën. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që e pranojnë shpërblesën në bazë të besimit, mund të shpresojnë për t’u çliruar e për të pushuar nga barra e mëkatit dhe e vdekjes. (Romakëve 6:23) Ja përse Pavli i nxiti të bashkëkrishterët që të ‘pushonin nga veprat e tyre’. Duhej të pranonin masën e Perëndisë për shpëtim dhe të mos përpiqeshin ta rregullonin të ardhmen sipas mënyrës së tyre, siç kishin bërë Adami dhe Eva. Duhej edhe të mos ndiqnin veprat e tyre të shfajësimit.
T’i lëmë mënjanë veprimtaritë egoiste ose të zakonshme për botën për të bërë vullnetin e Perëndisë është vërtet freskuese. Jezui bëri këtë ftesë: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
Diskutimi i Pavlit lidhur me pushimin e Perëndisë dhe se si mund të hyjmë në të, ishte sigurisht burim inkurajimi për të krishterët hebrenj në Jerusalem, të cilët kishin duruar shumë përndjekje dhe tallje për besimin e tyre. (Veprat 8:1; 12:1-5) Në mënyrë të ngjashme, fjalët e Pavlit mund të jenë burim inkurajimi edhe për të krishterët e sotëm. Duke e kuptuar se është shumë afër përmbushja e premtimit të Perëndisë për të sjellë një tokë parajsore nën Mbretërinë e tij të drejtë, edhe ne duhet të pushojmë nga veprat tona dhe të bëjmë çmos për të hyrë në atë pushim.—Mateu 6:10, 33; 2 Pjetrit 3:13.
[Figurat në faqen 31]
Premtimi i Perëndisë për një parajsë tokësore do të plotësohet në fund të ditës së tij të pushimit