Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund ta ndihmoni një fëmijë «plëngprishës»?

Si mund ta ndihmoni një fëmijë «plëngprishës»?

Si mund ta ndihmoni një fëmijë «plëngprishës»?

‘Ngazëlloni, sepse . . . ai ishte i humbur dhe u gjet.’—LUKA 15:32.

1, 2. (a) Si kanë reaguar disa të rinj ndaj së vërtetës së krishterë? (b) Si mund të ndihen në një rrethanë të tillë prindërit dhe vetë fëmijët?

«PO E lë të vërtetën!» Sa tronditëse është për prindërit me frikë Perëndie, të cilët janë përpjekur shumë t’i rritin fëmijët e tyre në udhën e krishterë, të dëgjojnë fjalë të tilla nga fëmija i tyre! Të rinj të tjerë thjesht ‘i merr rryma’, pa i bërë fare të ditura qëllimet e tyre. (Hebrenjve 2:1) Shumë prej këtyre i ngjajnë birit plëngprishës të shëmbëlltyrës së Jezuit, i cili u largua nga shtëpia e të atit dhe e shpërdoroi trashëgiminë e tij në një vend të largët.—Luka 15:11-16.

2 Shumica e Dëshmitarëve të Jehovait nuk e kanë problemin e fëmijëve që lënë të vërtetën. Por, për ata të cilëve u ndodh kjo gjë nuk ka asnjë fjalë ngushëllimi që t’ua heqë plotësisht hidhërimin. E nuk duhet kaluar pa u vënë re mjerimi që mund të provojë vetë i riu i pashtruar. Thellë-thellë ndërgjegjja e tij mund ta trazojë. Në shëmbëlltyrën e Jezuit, përfundimisht djali plëngprishës «erdhi në vete», dhe kjo e gëzoi shumë babanë e tij. Si mund t’i ndihmojnë prindërit dhe të tjerët në kongregacion personat plëngprishës që ‘të vijnë në vete’?—Luka 15:17.

Përse disa vendosin të largohen?

3. Cilat janë disa arsye që disa të rinj vendosin të largohen nga kongregacioni i krishterë?

3 Ka qindra mijë të rinj që i shërbejnë të lumtur Jehovait në kongregacionin e krishterë. Atëherë, përse të rinj të tjerë largohen? Ndoshta mund të mendojnë se po humbasin diçka nga ajo që u vë përpara bota. (2 Timoteut 4:10) Ose mund ta shohin si tepër kufizuese vathën mbrojtëse të Jehovait. Gjithashtu, një ndërgjegje fajtore, interesimi i fortë për seksin e kundërt ose dëshira për të qenë i pranuar nga bashkëmoshatarët mund ta bëjë një të ri që ta marrë rryma e të largohet nga kopeja e Jehovait. Ndoshta një i ri mund të pushojë së shërbyeri Perëndisë për shkak të asaj që i duket si hipokrizi nga ana e prindërve të vet ose nga ana e ndonjë të krishteri tjetër.

4. Cili është shpesh shkaku themelor që të rinjtë marrin rrugë të shtrembër?

4 Qëndrimi dhe sjellja rebele e një të riu janë zakonisht simptoma të dobësisë frymore, tregues të asaj që ka në zemër. (Fjalët e urta [Proverbat] 15:13; Mateu 12:34) Cilado qoftë arsyeja për të cilën një i ri merr një rrugë të shtrembër, rrënja e problemit, shpesh, gjendet në faktin se nuk ka «njohurinë e saktë të së vërtetës». (2 Timoteut 3:7) Në vend që vetëm ta adhurojnë në mënyrë mekanike Jehovain, është e rëndësishme që të rinjtë të kultivojnë një marrëdhënie të ngushtë personale me të. Çfarë do t’i ndihmojë që ta bëjnë këtë?

Afrojuni Perëndisë

5. Çfarë është thelbësore, me qëllim që një i ri të kultivojë një marrëdhënie personale me Perëndinë?

5 «Afrojuni Perëndisë,—shkroi dishepulli Jakov,—dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8) Që ta bëjë këtë, një i ri ka nevojë për ndihmë që ta shijojë gjithnjë e më shumë Fjalën e Perëndisë. (Psalmi 34:8) Si fillim, do të ketë nevojë për «qumësht», domethënë për mësimet themelore të Biblës. Por, dora-dorës që gjen kënaqësi në Fjalën e Perëndisë dhe fillon ta shijojë ‘ushqimin e fortë’—informacionet e thella frymore—nuk do të jetë larg pjekurisë frymore. (Hebrenjve 5:11-14; Psalmi 1:2) Një i ri që e pranoi se kishte qenë i përpirë nga mënyra e jetesës në botë, filloi t’i çmonte gjërat me vlerë frymore. Çfarë e ndihmoi që të ndryshonte rrugën? Në përgjigje të një këshille për ta lexuar të tërë Biblën, ai iu përmbajt një programi për ta lexuar rregullisht atë. Po, leximi rregullisht i Fjalës së Perëndisë është thelbësor për të kultivuar një lidhje të ngushtë me Jehovain.

6, 7. Si mund t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre që ta kenë gjithnjë e më shumë për zemër Fjalën e Perëndisë?

6 Sa jetësore është që prindërit t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për ta pasur gjithnjë e më shumë për zemër Fjalën e Perëndisë! Ndonëse kishte një studim të rregullt familjar, një vajzë adoleshente shoqërohej me rrugaçë. Lidhur me studimin familjar, ajo kujton: «Kur babai bënte pyetjet, unë vetëm sa i lexoja përgjigjet, madje as pa i ngritur sytë që ta shihja në fytyrë.» Në vend që thjesht ta kalojnë përciptazi materialin gjatë studimit familjar, prindërit e mençur përdorin artin e mësimdhënies. (2 Timoteut 4:2) Që një fëmijë ta pëlqejë studimin, duhet të ndihet i përfshirë në të. Përse të mos bëni pyetje për të ditur pikëpamjen e tij dhe ta lini që të shprehet? Inkurajojeni të riun që t’i bëjë një zbatim praktik materialit që po shqyrtohet. *

7 Për më tepër, bëjini të gjalla bisedat biblike. Kur është e përshtatshme, rregulloni që fëmijët të interpretojnë ngjarje dhe drama biblike. Ndihmojini të përfytyrojnë vendndodhjen dhe tiparet e vendit ku ndodhën ngjarjet që po shqyrtoni. Mund të jetë e dobishme të përdorni harta dhe tabela. Kështu, me pak imagjinatë, studimi familjar mund të bëhet i gjallë dhe i larmishëm. Prindërit bëjnë mirë edhe të shqyrtojnë marrëdhënien që kanë vetë ata me Jehovain. Kur i afrohen vetë më shumë Jehovait, mund të ndihmojnë edhe fëmijët që të bëjnë kështu.—Ligji i përtërirë 6:5-7.

8. Si e ndihmon lutja një person që t’i afrohet Perëndisë?

8 Edhe lutja e ndihmon një person që t’i afrohet Perëndisë. Një vajzë në fillimet e adoleshencës, ndihej e ndarë mes udhës së krishterë të jetës dhe shoqërisë së saj me miq që nuk kishin të njëjtat bindje si ajo. (Jakovit 4:4) Çfarë bëri për këtë? «Për herë të parë,—rrëfeu ajo,—iu luta vërtet Jehovait, duke i thënë se si ndihesha.» Nxori përfundimin se lutjes së saj i ishte dhënë përgjigje, kur gjeti, më në fund, në kongregacionin e krishterë një shoqe të cilës mund t’i hapej. Duke e ndier se Jehovai po e drejtonte, ajo filloi të ndërtonte një marrëdhënie personale me Perëndinë. Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre duke përmirësuar cilësinë e lutjeve që bëjnë vetë prindërit. Kur bëhen lutjet në familje, prindërit mund të flasin me gjithë zemër, në mënyrë që fëmijët ta ndiejnë lidhjen personale që ekziston ndërmjet prindërve dhe Jehovait.

Jini të duruar, por të vendosur

9, 10. Çfarë shembulli dha Jehovai duke qenë shpirtgjerë me izraelitët e pashtruar?

9 Kur një të ri fillon ta marrë rryma, ai mund të përpiqet të izolohet dhe t’i kundërvihet çdo përpjekjeje të prindërve të tij për të bërë biseda frymore me të. Çfarë mund të bëjnë prindërit në një rrethanë të tillë të vështirë? Shqyrtoni se çfarë bëri Jehovai me Izraelin e lashtë. Ai i duroi izraelitët «me qafë të fortë» për më shumë se 900 vjet, para se t’i braktiste në shtegun e paudhësisë që kishin marrë. (Eksodi [Dalja] 34:9; 2 Kronikave 36:17-21; Romakëve 10:21) Megjithëse e ‘provokonin’ vazhdimisht, Jehovai ‘ishte i mëshirshëm’ me ta. «Shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë.» (Psalmi 78:38-42) Perëndia ishte i përsosur në marrëdhëniet me ta. Prindërit e dashur e imitojnë Jehovain dhe janë të duruar, kur fëmija nuk u përgjigjet menjëherë përpjekjeve që bëjnë për ta ndihmuar.

10 Të jesh shpirtgjerë ose i duruar përfshin, gjithashtu, të mos pranosh të heqësh dorë nga shpresa për përmirësimin e një marrëdhënieje të acaruar. Jehovai dha shembullin se si të jemi shpirtgjerë. Ai veproi i pari duke u dërguar izraelitëve «vazhdimisht» lajmëtarë. Jehovai «ndjeu dhembshuri për popullin e vet», ndonëse «ata vazhdimisht i përqeshnin lajmëtarët e Perëndisë së vërtetë dhe i përbuznin fjalët e tij». (2 Kronikave 36:15, 16, BR) Ai u bëri thirrje izraelitëve me fjalët: «Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe.» (Jeremia 25:4, 5) Por, gjithsesi, Jehovai nuk bëri kompromis me parimet e veta të drejta. Izraelitët morën udhëzime që të ‘ktheheshin’ te Perëndia dhe tek udhët e tij.

11. Si mund të jenë prindërit shpirtgjerë, por të vendosur, në marrëdhëniet me një fëmijë që është larguar?

11 Prindërit mund ta imitojnë Jehovain për sa i përket shpirtgjerësisë, duke mos hequr dorë në mënyrë të nxituar nga një fëmijë që është larguar. Pa humbur shpresat, ata mund të marrin nismën për t’i mbajtur të hapura linjat e komunikimit ose për ta rihapur komunikimin mes tyre. Ndërkohë që mbahen fort pas parimeve të drejta, ata mund t’i bëjnë thirrje «vazhdimisht» fëmijës që të kthehet në udhën e së vërtetës.

Kur një i mitur përjashtohet

12. Çfarë përgjegjësie kanë prindërit ndaj të miturit që jeton bashkë me ta, por që është përjashtuar nga kongregacioni?

12 Ç’të themi në rastin kur një i mitur, i cili jeton bashkë me prindërit, përfshihet në keqbërje të rëndë dhe, për shkak të qëndrimit të tij të papenduar, përjashtohet nga kongregacioni? Meqë fëmija jeton bashkë me prindërit, ata janë ende përgjegjës për ta mësuar e për ta disiplinuar në harmoni me Fjalën e Perëndisë. Si mund ta bëjnë këtë?—Fjalët e urta 6:20-22; 29:17.

13. Si mund të përpiqen prindërit të arrijnë zemrën e një fëmije që ka mëkatuar?

13 Ndoshta është e mundur—e madje do të ishte më e mira—që ky mësim dhe kjo disiplinë të jepej gjatë një studimi të Biblës që prindi e bën vetëm për vetëm me të. Një prind duhet të shohë përtej qëndrimit të ngurtësuar të fëmijës dhe të përpiqet të shohë çfarë ka në zemrën e tij. Deri ku ka arritur sëmundja e tij frymore? (Fjalët e urta 20:5) A mund të arrijnë në pjesën e ndjeshme të zemrës së tij? Cilat shkrime mund të përdoren me efektshmëri? Apostulli Pavël na siguron: «Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton aq sa ndan shpirtin dhe frymën, nyjat dhe palcën e tyre dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Po, prindërit mund të bëjnë më shumë sesa vetëm t’u thonë fëmijëve të tyre që të mos përfshihen më në keqbërje. Mund të përpiqen që të fillojnë dhe të nxitin procesin e shërimit.

14. Cili është hapi i parë që duhet të bëjë një i ri që ka gabuar, për të rivendosur marrëdhënien e tij me Jehovain dhe si mund ta ndihmojnë prindërit që ta bëjë këtë hap?

14 Një i ri që ka gabuar, duhet të rivendosë marrëdhënien e tij me Jehovain. Hapi i parë që duhet të bëjë është të ‘pendohet dhe të kthehet’. (Veprat 3:19; Isaia 55:6, 7) Kur e ndihmojnë fëmijën që kanë në shtëpi për t’u penduar, prindërit duhet ‘ta frenojnë veten kur gjenden nën të ligën, duke e mësuar me butësi’ fëmijën që nuk është i prirur në mënyrë të favorshme. (2 Timoteut 2:24-26) Ata duhet ta ‘qortojnë’ në kuptimin biblik. Fjala greke e përkthyer «qortoj» mund të përkthehet edhe ‘të japësh dëshmi bindëse’. (Zbulesa 3:19; Gjoni 16:8) Prandaj, qortimi përfshin të tregosh dëshmi të mjaftueshme për ta bindur fëmijën se rruga e tij është mëkatare. Kuptohet, kjo nuk është e lehtë. Kur është e mundur, prindërit mund t’i bëjnë thirrje zemrës së tij, duke përdorur të gjitha mjetet e përshtatshme nga ana biblike për ta bindur. Ata duhet të përpiqen ta ndihmojnë që të kuptojë nevojën për të ‘urryer të keqen e për të dashur të mirën’. (Amosi 5:15) Mund të ndodhë që ai të vijë «në vete, jashtë nga laku i Djallit».

15. Çfarë roli luan lutja, në mënyrë që një person i cili ka gabuar të rivendosë marrëdhënien e tij me Jehovain?

15 Për të rivendosur marrëdhënien e një personi me Jehovain, lutja është e domosdoshme. Sigurisht, asnjë nuk duhet të «lutet» për një mëkat flagrant që duket qartë se po praktikohet në mënyrë të papenduar nga një individ, i cili më parë shoqërohej me kongregacionin e krishterë. (1 Gjonit 5:16, 17; Jeremia 7:16-20; Hebrenjve 10:26, 27) Megjithatë, prindërit mund t’i kërkojnë Jehovait që t’u japë atyre mençuri për ta përballuar gjendjen. (Jakovit 1:5) Nëse fëmija i përjashtuar jep dëshmi se është penduar, por nuk ka «çiltërsi fjale ndaj Perëndisë», prindërit mund të luten që, nëse Perëndia gjen një bazë për t’ia falur gabimin, të bëhet vullneti i Tij. (1 Gjonit 3:21) Dëgjimi i këtyre lutjeve duhet ta ndihmojë fëmijën që ta shohë Jehovain si një Perëndi të mëshirshëm. *Eksodi 34:6, 7; Jakovit 5:16.

16. Si mund t’i ndihmojmë anëtarët e familjes në të cilën ka një të mitur të përjashtuar?

16 Nëse një i mitur i pagëzuar përjashtohet, nga anëtarët e kongregacionit pritet që ‘të mos përzihen më në shoqëri me’ të. (1 Korintasve 5:11; 2 Gjonit 10, 11) Kjo mund ta ndihmojë atë, me kalimin e kohës, që ‘të vijë në vete’ dhe të kthehet në vathën mbrojtëse të Perëndisë. (Luka 15:17) Megjithatë, kthehet apo jo ai, anëtarët e kongregacionit mund t’i japin zemër familjes së të miturit të përjashtuar. Të gjithë mund të kërkojmë raste për të treguar «ndjenja të përbashkëta» dhe për të qenë «zemërdhembshur» ndaj tyre.—1 Pjetrit 3:8, 9.

Si mund të ndihmojnë të tjerët?

17. Çfarë duhet të mbajnë në mend anëtarët e kongregacionit, kur përpiqen të ndihmojnë një të ri që po merr rrugë të shtrembër?

17 Ç’të themi për një të ri që nuk është i përjashtuar nga kongregacioni i krishterë, por është bërë i dobët në besim? «Sikur të vuajë një gjymtyrë,—shkroi apostulli Pavël,—gjithë gjymtyrët e tjera vuajnë bashkë me të.» (1 Korintasve 12:26) Të tjerët mund të interesohen në mënyrë aktive për këtë të ri. Sigurisht, nevojitet njëfarë kujdesi, sepse një i ri që është i sëmurë frymësisht mund të ndikojë për keq te të rinjtë e tjerë. (Galatasve 5:7-9) Në një kongregacion, disa të rritur me qëllime të mira, të cilët donin të ndihmonin disa të rinj që ishin dobësuar frymësisht, i ftuan nëpër grumbullime që të luanin muzikë të lehtë së bashku. Ndonëse të rinjtë pranuan me gatishmëri dhe u kënaqën në grumbullime të tilla, ndikimi që patën te njëri-tjetri, përfundimisht, i bëri që t’i shkëputnin lidhjet me kongregacionin. (1 Korintasve 15:33; Judës 22, 23) Ajo që mund të ndihmojë për ta shëruar një të ri të sëmurë frymësisht nuk janë grumbullimet shoqërore pa drejtim frymor, por shoqëria që e ndihmon të ndiejë gjithnjë e më shumë shije për gjërat frymore. *

18. Si mund ta imitojmë qëndrimin e babait të djalit plëngprishës në shëmbëlltyrën e Jezuit?

18 Mendoni se si mund të ndihet një i ri që është larguar nga kongregacioni, kur vjen prapë në Sallën e Mbretërisë ose ndjek një asamble. A nuk duhet të tregojmë qëndrimin mikpritës të babait të djalit plëngprishës në shëmbëlltyrën e Jezuit? (Luka 15:18-20, 25-32) Një adoleshent i cili ishte larguar nga kongregacioni i krishterë, por më vonë ndoqi një kongres krahinor, tha: «Mendoja se të gjithë do ta shpërfillnin një person si unë, kurse vëllezërit dhe motrat m’u afruan dhe më uruan mirëseardhjen. U preka thellë.» Ai filloi ta studionte prapë Biblën dhe më vonë u pagëzua.

Mos u dorëzoni!

19, 20. Përse duhet të mbajmë një qëndrim pozitiv për sa i përket një fëmije plëngprishës?

19 Të ndihmohet një fëmijë «plëngprishës» që ‘të vijë në vete’ kërkon durim dhe mund të jetë një sfidë për prindërit e për të tjerët. Por, mos u dorëzoni! «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim.» (2 Pjetrit 3:9) Nga Shkrimet kemi sigurinë se Jehovai dëshiron që njerëzit të pendohen e të jetojnë. Në të vërtetë, ai ka vepruar i pari, duke bërë një rregullim për t’i pajtuar njerëzit me veten. (2 Korintasve 5:18, 19) Durimi i tij ka bërë të mundur që miliona njerëz të vijnë në vete.—Isaia 2:2, 3.

20 Pra, a nuk duhet të përdorin prindërit çdo metodë biblike që është e mundur për ta ndihmuar të miturin e tyre plëngprishës që të vijë në vete? Duke imituar Jehovain, jini shpirtgjerë, ndërkohë që merrni hapa pozitivë për ta ndihmuar fëmijën tuaj që të kthehet te Jehovai. Përmbajuni fortësisht parimeve biblike dhe përpiquni të pasqyroni cilësitë e Jehovait—dashurinë, drejtësinë dhe mençurinë—në të njëjtën kohë duke iu lutur atij për ndihmë. Ashtu si shumë rebelë të ngurtësuar i janë përgjigjur ftesës së dashur të Jehovait për t’u kthyer, biri ose bija juaj plëngprishës fare mirë mund të kthehet në kopenë mbrojtëse të Perëndisë.—Luka 15:6, 7.

[Shënimet]

^ par. 6 Për këshilla të mëtejshme se si të mësohen me efektshmëri të rinjtë, shih Kullën e Rojës të 1 korrikut 1999, faqet 13-17.

^ par. 15 Këto lutje, lidhur me një të mitur të përjashtuar, nuk duhet të bëhen publikisht në mbledhjet e kongregacionit, sepse të tjerët mund të mos jenë në dijeni të gjendjes së personit të përjashtuar.—Shih Kullën e Rojës të 15 tetorit 1979, faqja 31, anglisht.

^ par. 17 Për këshilla specifike, shih Zgjohuni! të 22 qershorit 1972, faqet 13-16; të 22 shtatorit 1996, faqet 21-23, anglisht.

A ju kujtohet?

• Cila mund të jetë rrënja e problemit, kur të rinjtë largohen nga kongregacioni?

• Si mund të ndihmohen të rinjtë që të kultivojnë një marrëdhënie personale me Jehovain?

• Përse prindërit duhet të jenë shpirtgjerë, por të vendosur, kur ndihmojnë një fëmijë plëngprishës?

• Si mund ta ndihmojnë anëtarët e kongregacionit një të ri plëngprishës që të kthehet?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Leximi i Fjalës së Perëndisë është jetësor për të kultivuar një lidhje të ngushtë me Jehovain

[Figura në faqen 15]

Lutja me gjithë zemër e prindërve mund t’i ndihmojë fëmijët e tyre që ta ndiejnë lidhjen personale që ekziston ndërmjet prindërve dhe Jehovait

[Figura në faqen 17]

Mirëpriteni një fëmijë plëngprishës, kur ai ‘vjen në vete’

[Figura në faqen 18]

Bëni hapa pozitivë për ta ndihmuar fëmijën tuaj që të kthehet te Jehovai