Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çelësi për një botë të lumtur

Çelësi për një botë të lumtur

Çelësi për një botë të lumtur

«PERSONAZHI i vetëm më i fuqishëm, jo vetëm në këta dy mijëvjeçarë, por në gjithë historinë njerëzore, ka qenë Jezui i Nazaretit»,—thuhej në revistën Time. Kur Jezui ishte në tokë, mijëra njerëz me zemër të çiltër arritën të kuptonin jo vetëm madhështinë e tij, por edhe interesimin për të tjerët. Prandaj, nuk është e habitshme që donin ta bënin mbret. (Gjoni 6:10, 14, 15) Megjithatë, siç u përmend në artikullin e mëparshëm, Jezui nuk pranoi të përzihej në politikë.

REAGIMI i Jezuit bazohej në të paktën tre faktorë: në pikëpamjen e Atit të tij për shprehjet e vetëvendosjes te njerëzit, shprehje që përfshijnë sundimin njerëzor; në vetëdijen e Jezuit se ekzistojnë forca të fuqishme të fshehta që veprojnë edhe kundër përpjekjeve më të mira të njerëzve për të sunduar; në qëllimin e Perëndisë për të themeluar një qeveri qiellore që të sundojë mbi gjithë tokën. Ndërsa i shqyrtojmë më nga afër këto tri pika, do të shohim përse kanë dështuar përpjekjet e njerëzimit për ta bërë botën një vend më të mirë. Do të shohim edhe se si do të arrihet suksesi.

A mund ta qeverisin njerëzit vetveten?

Kur i krijoi njerëzit, Perëndia u dha autoritet mbi botën shtazore. (Zanafilla 1:26) Por njerëzimi ishte nën sovranitetin e Perëndisë. Burri i parë dhe gruaja e tij duhej ta vërtetonin nënshtrimin e tyre ndaj Perëndisë duke qenë të bindur e duke mos ngrënë frutin e një peme të veçantë, ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’. (Zanafilla 2:17) Mjerisht, Adami dhe Eva e shpërdoruan vullnetin e tyre të lirë dhe shkelën urdhrin e Perëndisë. Fakti që morën frutin e ndaluar nuk ishte vetëm një akt vjedhjeje, por përbënte rebelim ndaj sovranitetit të Perëndisë. Një shënim te Zanafilla 2:17, në versionin The New Jerusalem Bible thotë se Adami dhe Eva pretenduan «pavarësi të plotë morale, me anë të së cilës njeriu nuk pranon ta njohë statusin e tij si qenie e krijuar . . . Mëkati i parë ishte një sulm kundër sovranitetit të Perëndisë».

Për shkak të çështjeve të rëndësishme morale që përfshiheshin, Perëndia e lejoi Adamin, Evën dhe pasardhësit e tyre që ta zgjidhnin vetë mënyrën e jetesës dhe ata vendosën normat e tyre për të drejtën dhe të gabuarën. (Psalmi 147:19, 20; Romakëve 2:14) Në thelb, aty filloi eksperimentimi i njerëzve me vetëvendosjen. A ka dalë me sukses ky eksperimentim? Duke shqyrtuar në retrospektivë mijëra vjet që kanë kaluar, mund të themi se jo. Te Predikuesi 8:9 thuhet: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» Ky dokumentim i trishtueshëm i vetëqeverisjes së njerëzve ripohon vërtetësinë e Jeremisë 10:23, ku thuhet: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» Historia ka provuar se njerëzit nuk kanë aftësinë për të qeverisur me sukses pa Krijuesin e tyre.

Jezui ishte plotësisht i të njëjtit mendim. Për të, pavarësia nga Perëndia ishte një gjë e neveritshme. «Nuk bëj asgjë me nismën time,—tha ai.—Bëj gjithmonë gjërat që [Perëndisë] i pëlqejnë.» (Gjoni 4:34; 8:28, 29) Prandaj, pa pasur autorizimin nga Perëndia për të marrë sundimin si mbret nga njerëzit, Jezui as nuk e çoi nëpër mend ta pranonte atë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ai nuk dëshironte t’i ndihmonte njerëzit. Përkundrazi, bëri gjithçka që ishte në fuqinë e tij për t’i ndihmuar njerëzit të gjenin lumturinë më të madhe në atë kohë dhe në të ardhmen. Madje, dha edhe jetën për njerëzimin. (Mateu 5:3-11; 7:24-27; Gjoni 3:16) Por, Jezui e dinte se «çdo gjë ka kohën e vet» e këtu përfshihet edhe koha e Perëndisë për të shpallur sovranitetin e tij mbi njerëzimin. (Predikuesi 3:1, DSF; Mateu 24:14, 21, 22, 36-39) Gjithsesi, mos harroni se në Eden prindërit tanë të parë iu nënshtruan vullnetit të një krijese të ligë frymore, e cila foli nëpërmjet një gjarpri. Kjo na sjell te arsyeja e dytë për të cilën Jezui qëndroi larg politikës.

Sundimtari i fshehtë i botës

Bibla na thotë se Satanai i vuri përpara Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre» në këmbim të një akti adhurimi. (Mateu 4:8-10) Praktikisht, Jezuit iu vu përpara sundimi i botës, por me kushtet që diktonte Djalli. Jezui nuk ra pre e këtij tundimi. Por, a ishte në të vërtetë një tundim? A mund ta bënte, në të vërtetë, Satanai një ofertë të tillë të stërmadhe? Po, sepse vetë Jezui e quajti Djallin «sundimtari i kësaj bote» dhe apostulli Pavël e përshkroi atë si «perëndia i këtij sistemi».—Gjoni 14:30; 2 Korintasve 4:4; Efesianëve 6:12.

Sigurisht, Jezui e dinte se Djalli nuk ka ndër mend më të mirën për njerëzimin. Ai e përshkroi Satanain si «vrasës» dhe si ‘atin e gënjeshtrave dhe të gjithçkaje që është e rremë’. (Gjoni 8:44, The Amplified Bible) Është e qartë se një botë «që dergjet nën pushtetin» e një krijese të tillë frymore të ligë, nuk mund të jetë kurrë me të vërtetë e lumtur. (1 Gjonit 5:19) Por Djalli nuk do ta ketë pafundësisht këtë autoritet. Jezui, i cili tani është një krijesë e fuqishme frymore, së shpejti do ta heqë Satanain dhe do ta zhdukë krejtësisht ndikimin e tij.—Hebrenjve 2:14; Zbulesa 20:1-3.

Vetë Satanai e di se ditët e tij si sundimtari i botës po afrohen me të shpejtë drejt fundit. Prandaj, po bën një përpjekje të dëshpëruar me të gjitha forcat për t’i korruptuar njerëzit deri aty sa të mos jetë më e mundur të transformohen, siç bëri para ditëve të përmbytjes së Noesë. (Zanafilla 6:1-5; Judës 6) «Mjerë për tokë e për det,—thuhet te Zbulesa 12:12,—sepse Djalli ka zbritur ndër ju, duke pasur zemërim të madh, duke e ditur se ka një periudhë të shkurtër kohe!» Profecitë e Biblës dhe ngjarjet botërore tregojnë se po jetojmë afër përfundimit të kësaj ‘periudhe të shkurtër kohe’. (2 Timoteut 3:1-5) Tani çlirimi duket në horizont.

Një qeveri që do të sjellë lumturi

Një arsye e tretë për të cilën Jezui nuk u përzie në politikë është se ai e dinte që në një kohë të caktuar të ardhme, Perëndia do të themelonte një qeveri qiellore që do të sundonte mbi tokën. Këtë qeveri Bibla e quan Mbretëria e Perëndisë dhe ajo ishte tema kryesore e mësimit të Jezuit. (Luka 4:43; Zbulesa 11:15) Jezui i mësoi dishepujt e tij të luteshin që të vijë ajo Mbretëri, sepse vetëm nën sundimin e saj ‘vullneti i Perëndisë do të bëhet në tokë, si në qiell’. (Mateu 6:9, 10) Ndoshta, mund të pyetni: ‘Nëse kjo Mbretëri do të sundojë mbi gjithë tokën, çfarë do të ndodhë me qeveritë njerëzore?’

Përgjigjen e gjejmë te Danieli 2:44, ku thuhet: «Në kohën e këtyre mbretërve [që janë duke sunduar në fund të sistemit të tanishëm], Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri [të bëra nga njerëzit], dhe do të ekzistojë përjetë.» Përse Mbretërisë së Perëndisë do t’i duhet të «copëtojë» sundimet tokësore? Sepse këto bëjnë çmos për të ruajtur frymën e vetëvendosjes e të kryengritjes kundër Perëndisë, të cilën e nxiti Satanai në kopshtin e Edenit. Përveçse veprojnë kundër të mirës së njerëzimit, ata që përpiqen ta ruajnë këtë frymë po shkojnë drejt përplasjes me Krijuesin. (Psalmi 2:6-12; Zbulesa 16:14, 16) Prandaj, duhet të pyesim veten: ‘A jemi pro apo kundër sundimit nga Perëndia?’

Sovranitetin e kujt do të zgjidhni?

Për t’i ndihmuar njerëzit që të marrin një vendim të bazuar në njohuri të saktë lidhur me sundimin, Jezui i ngarkoi dishepujt e tij ta predikojnë ‘lajmin e mirë të mbretërisë . . . në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’, para se të vijë fundi i sistemit të tanishëm. (Mateu 24:14) Cilët sot janë të njohur në mbarë botën sepse predikojnë Mbretërinë e Perëndisë? Dëshmitarët e Jehovait. Në të vërtetë, prej kohësh kjo revistë ka në kopertinë fjalët «Lajmëron Mbretërinë e Jehovait». Sot, rreth gjashtë milionë Dëshmitarë në më shumë se 230 vende po i ndihmojnë njerëzit që të fitojnë njohuri të saktë për atë Mbretëri. *

Bekime për nënshtetasit e Mbretërisë

Jezui gjithnjë i bëri gjërat sipas mënyrës së Perëndisë. Kështu, në vend që të zgjidhte një rrugë të pavarur dhe të përpiqej të përkrahte ose të përmirësonte sistemin ekzistues me anë të mjeteve politike, ai punoi shumë për të çuar përpara interesat e Mbretërisë së Perëndisë, e cila është zgjidhja e vetme për problemet e botës. Për besnikërinë që tregoi u shpërblye me një fron të lavdishëm në qiell, si vetë Mbreti i asaj Mbretërie. Sa shpërblim i mrekullueshëm për faktin që iu nënshtrua Perëndisë!—Danieli 7:13, 14.

Miliona veta që e imitojnë sot Jezuin duke vënë në vend të parë Mbretërinë e Perëndisë dhe duke iu nënshtruar vullnetit të Perëndisë, do të gëzojnë, gjithashtu, një dhuratë të mrekullueshme: privilegjin për të qenë nënshtetas tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 6:33) Nën sundimin e dashur të kësaj mbretërie, ata do të arrijnë përsosmërinë njerëzore, me perspektivën e jetës së përhershme. (Zbulesa 21:3, 4) Te 1 Gjonit 2:17 thuhet: «Bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.» Pasi Satanai dhe ata që e ndjekin të jenë zhdukur e toka të jetë shndërruar në një parajsë globale pa nacionalizmin përçarës, pa sistemet e korruptuara tregtare dhe pa fenë e rreme, sa gëzim i jashtëzakonshëm do të jetë që të mbetemi atje përgjithmonë!—Psalmi 37:29; 72:16.

Po, Mbretëria e Perëndisë është çelësi i vërtetë për një botë vërtet të lumtur dhe mesazhi që e njofton këtë mbretëri përshkruhet me të drejtë si lajmi i mirë. Nëse nuk e keni bërë tashmë, përse të mos e mirëpritni këtë lajm të mirë që po ju sillet, herën tjetër që një nga Dëshmitarët e Jehovait ju troket në derë?

[Shënimi]

^ par. 16 Duke përkrahur Mbretërinë e Perëndisë, Dëshmitarët e Jehovait nuk përzihen në politikë e as nuk nxitin rebelimin kundër qeverive të botës, edhe në ato vende ku Dëshmitarët janë të ndaluar ose përndiqen. (Titit 3:1) Në vend të kësaj, ata përpiqen të japin një kontribut pozitiv, frymor, jopolitik në të njëjtën mënyrë siç bënë Jezui dhe dishepujt e tij në shekullin e parë. Dëshmitarët përpiqen t’i ndihmojnë njerëzit e prirur siç duhet që ndodhen në vendet ku banojnë ata, që të përkrahin vlerat e shëndetshme biblike, si dashurinë për familjen, ndershmërinë, pastërtinë morale dhe normat e mira të sjelljes në punë. Kryesisht, përpiqen t’u mësojnë se si të ndjekin parimet biblike dhe të shohin Mbretërinë e Perëndisë si shpresën e vërtetë të njerëzimit.

[Figurat në faqen 5]

Historia provon se njerëzit nuk mund të qeverisin me sukses pa Perëndinë

[Figura në faqen 5]

Duke qenë se sundon «sistemin» e tanishëm, Satanai mundi t’i vinte përpara Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës»

[Figurat në faqen 7]

Jezui u mësoi të tjerëve se nën rregullimin e Mbretërisë së Perëndisë, bota do të jetë një vend i mrekullueshëm