Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund ta bëni botën një vend më të mirë?

A mund ta bëni botën një vend më të mirë?

A mund ta bëni botën një vend më të mirë?

«Politika nuk është në gjendje ta rindërtojë prapë strukturën e shoqërisë. Ajo nuk është e pajisur për të rivendosur bindjet tradicionale morale. Edhe politikat më të mira nuk mund të kthejnë në normë shoqërimin për t’u njohur ose martesën, t’i bëjnë baballarët përgjegjës për fëmijët e tyre, t’i bëjnë njerëzit të ndiejnë si më parë ndjenjën e indinjatës ose të turpit . . . Pjesa dërrmuese e problemeve morale që na shqetësojnë nuk mund të çrrënjosen me anë të ligjit.»

A KENI prirjen të mendoni si ai ish-asistent qeveritar i SHBA-së që tha këto fjalë? Nëse po, cila është atëherë zgjidhja e problemeve të shumta që lindin sot nga lakmia, mungesa e përzemërsisë së natyrshme në familje, shthurja morale, padija dhe faktorë të tjerë gërryes që po konsumojnë strukturën e shoqërisë? Disa njerëz mendojnë se nuk ka zgjidhje, prandaj thjesht përpiqen të jetojnë sa më mirë që të munden. Të tjerë shpresojnë që ndonjë ditë, një udhëheqës i shkëlqyer dhe magjepsës, ndoshta edhe ndonjë udhëheqës fetar, do të dalë dhe do t’i udhëheqë në drejtimin e duhur.

Në të vërtetë, dy mijë vjet më parë, njerëzit donin ta bënin Jezu Krishtin mbretin e tyre, sepse e kuptuan që e kishte dërguar Perëndia dhe që do të ishte një sundimtar shumë i zoti. Gjithsesi, kur Jezui kuptoi qëllimet që kishin, u largua menjëherë prej aty. (Gjoni 6:14, 15) «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote»,—i shpjegoi ai më vonë një guvernatori romak. (Gjoni 18:36) Sidoqoftë, në ditët e sotme, pak veta kanë qëndrimin që kishte Jezui, madje as edhe udhëheqësit fetarë që pohojnë se janë ithtarë të tij. Disa prej këtyre të fundit kanë provuar ta bëjnë këtë botë një vend më të mirë ose duke u përpjekur të ndikojnë te sundimtarët e botës, ose duke mbajtur ata vetë poste politike. Këtë mund ta shohim duke shqyrtuar ngjarjet e viteve 60 dhe 70 të shekullit të 20-të.

Përpjekje fetare për ta përmirësuar botën

Në fund të viteve 60 të shekullit të 20-të, teologë të ndryshëm në disa vende të Amerikës Latine filluan betejën në mbrojtje të të varfërve dhe të të shtypurve. Për këtë qëllim, zhvilluan teologjinë e çlirimit, në të cilin Krishti interpretohej jo më si një shpëtimtar vetëm në kuptimin biblik, por edhe në kuptimin politik dhe ekonomik. Në Shtetet e Bashkuara, shumë udhëheqës të kishës që filluan të shqetësoheshin thellë për gërryerjen e vlerave morale, formuan një organizatë të quajtur Moral Majority. Objektivi i saj ishte të viheshin në poste politike njerëz që do të nxirrnin ligje për ruajtjen e vlerave të shëndosha familjare. Në mënyrë të ngjashme, në shumë vende myslimane, disa grupe janë përpjekur ta frenojnë korrupsionin dhe teprimet duke nxitur një besnikëri më të madhe ndaj Kuranit.

A besoni se bota është bërë një vend më i mirë për shkak të këtyre përpjekjeve? Faktet tregojnë se, në përgjithësi, vlerat morale vazhdojnë të bien dhe hendeku ndërmjet të pasurve e të varfërve vazhdon të zgjerohet, duke përfshirë edhe ato vende ku teologjia e çlirimit ishte shumë e njohur.

Duke qenë se organizata Moral Majority dështoi në arritjen e objektivave të saj kryesorë në Shtetet e Bashkuara, themeluesi i saj, Xherri Faluelli, e shkriu organizatën në vitin 1989. Vendin e saj e kanë zënë organizata të tjera. Gjithsesi, Pol Uajriçi, i cili shpiku termin «shumica morale», shkroi në revistën Christianity Today: «Edhe atëherë kur fitojmë në politikë, fitoret tona nuk arrijnë të sjellin si pasojë ato lloj politikash që besojmë se janë të rëndësishme.» Gjithashtu, ai shkroi: «Kultura po bëhet një batak gjithnjë e më i madh. Kemi ngecur në një degradim kulturor me përmasa historike, një degradim kaq i madh, saqë thjesht e mposht politikën.»

Gazetari dhe autori Kal Tomas komentoi për atë që e shihte si një të metë themelore në përpjekjet për ta ngritur shoqërinë me anë të politikës: «Ndryshimi i vërtetë duhet të vijë në çdo zemër, jo pas çdo zgjedhjeje, sepse problemet tona kryesore nuk janë ekonomike dhe politike, por morale dhe shpirtërore.»

Por, si do të zgjidhen problemet morale dhe shpirtërore në një botë ku nuk ka asnjë gjë absolute, ku njerëzit e vendosin vetë çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar? Nëse njerëzit me pushtet e me qëllime të mira—fetarë ose jo—nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë botë vërtet një vend më të mirë, atëherë, kush mund ta bëjë? Siç do ta shohim në artikullin vijues, ka një përgjigje. Në të vërtetë, ajo përbën arsyen kryesore për të cilën Jezui tha që Mbretëria e tij nuk ishte nga kjo botë.

[Burimet e figurave në faqen 2]

KAPAKU: Ujë i pistë: fotografi e WHO/UNICEF; globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Burimet e figurave në faqen 3]

Fëmijë: Fotografi e UN; globi: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.