Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bëjmë më të mirën tonë!

Bëjmë më të mirën tonë!

Bëjmë më të mirën tonë!

«BËJ më të mirën tënde!» Këtë këshillë praktike i dha një herë një misionari një anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Por, përse t’i jepet kjo këshillë kaq elementare një shërbëtori me përvojë? A nuk janë shumica e misionarëve persona të guximshëm, të cilët çdo ditë luftojnë me insektet, gjarpërinjtë, vapën, sëmundjet dhe me vështirësi të ndryshme?

Në të vërtetë, misionarët Dëshmitarë të Jehovait, burra e gra, janë njerëz të zakonshëm, të krishterë që dashuria e thellë për Jehovain dhe për njerëzit i ka shtyrë të shërbejnë në vende të huaja. Ata po përpiqen t’i shërbejnë Jehovait duke bërë më të mirën e duke iu drejtuar atij për forcë.—Efesianëve 6:10.

Për të mësuar më shumë rreth veprës misionare, le të përfytyrojmë sikur po kalojmë një ditë duke vizituar një shtëpi misionare tipike në Afrikën Perëndimore.

Një ditë në veprën misionare

Po shkon ora 7.00 e mëngjesit. Kemi arritur në shtëpinë misionare tamam në kohë për të marrë pjesë në shqyrtimin e shkrimit të ditës. Dhjetë misionarët na japin një mirëseardhje të përzemërt dhe na bëjnë vend në tryezë. Dora-dorës që njihemi, njëra nga misionaret, e cila ka qenë në caktimin e saj për shumë vjet, fillon të tregojë një përvojë humoristike që kishte pasur në shërbim. Por biseda ndërpritet kur drejtuesi i shqyrtimit të shkrimit për atë ditë i kujton grupit të lumtur se ka ardhur koha për të shqyrtuar shkrimin e ditës. Trajtimi do të bëhet në frëngjisht. Ndonëse nuk e flasim atë gjuhë, nga mënyra se si shprehen misionarët që nuk janë me origjinë prej aty është e qartë se po ia dalin mbanë shumë mirë në zotërimin e gjuhës.

Pas shqyrtimit të shkrimit të ditës, bëhet një lutje e përzemërt dhe pastaj hamë mëngjesin. Ndërkohë që marrim nga një racion të bollshëm me prodhime drithi, misionari që është ulur afër nesh na thotë që të vëmë feta bananesh përsipër. I shpjegojmë se nuk na pëlqejnë edhe aq bananet, por ai na premton se do të ndryshojmë mendje pasi të kemi shijuar bananet e rritura në vend. Kështu që shtojmë edhe ca feta bananesh. Kishte vërtet të drejtë! Këto banane janë të mrekullueshme, mjaltë të ëmbla! Gjithashtu, na sigurojnë se buka me stil francez që po na shërbehet ishte pjekur këtë mëngjes herët në një dyqan tamam përballë shtëpisë misionare.

Pas mëngjesit, do ta kalojmë ditën me një çift misionarësh, të cilët po i quajmë Ben dhe Karen. Kemi dëgjuar për territorin e frytshëm në këtë vend të Afrikës Perëndimore dhe mezi presim t’i vërtetojmë ato që na kanë thënë.

Kur arrijmë në stacionin e autobusit, gjejmë rreth një duzinë njerëzish që presin. S’kalon shumë kohë dhe shokët tanë misionarë fillojnë një bisedë të gjallë për një argument biblik me një grua dhe djalin e saj. Duke qenë se nuk dimë frëngjisht, e vetmja gjë që mund të bëjmë është të rrimë aty e të buzëqeshim. Në kohën kur gruaja po pranon revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! vjen autobusi dhe gjithësecili përpiqet të hipë—të gjithë në të njëjtën kohë! Ndërsa luftojmë për të hipur, turma që dyndet na shtyn nga pas. Është një sfidë të arrijmë të mbajmë drejtpeshimin ndërsa çajmë për të shkuar në fund të autobusit. Sapo shoferi nis autobusin, kapemi fort pas diçkaje që të mos biem. Herë pas here, autobusi ndalon në një stacion dhe më shumë njerëz ngjishen brenda. U buzëqeshim pasagjerëve të tjerë dhe ata bëjnë po të njëjtën gjë. Sa do të donim të komunikonim më shumë me ta!

Ndërkohë që autobusi rrit shpejtësinë, shohim nga dritarja aktivitetin e zhurmshëm nëpër rrugë. Dy gra ecin përkrah njëra-tjetrës me pesha të rënda në kokë. Njëra prej tyre po mban në drejtpeshim një legen të madh me ujë. Një burrë i zellshëm ka hapur një mbulesë në trotuar dhe ka rregulluar në të disa xhingla që shpreson t’i shesë. Kudo ka njerëz që blejnë ose shesin pothuajse gjithçka që mund të blihet ose të shitet.

Papritur Beni, që është afër meje, kupton se diçka po e çukit në këmbë. Çfarë mund të jetë? Autobusi është plot e përplot, po ja ku fillon përsëri çukitja. Ai bën si bën dhe arrin të shohë poshtë. Në një çantë të vendosur te këmbët e tij, një rosë herë pas here nxjerr kokën dhe i jep një të çukitur. Beni shpjegon se pronari i rosës ndoshta po e çon në treg për ta shitur.

Kur arrijmë në territor, kënaqemi që marrim vesh se do të vizitojmë një lagje tipike afrikane. Duke iu afruar shtëpisë së parë, Beni përplas duart me fuqi për të njoftuar të zotin e shtëpisë. Në këtë pjesë të botës, kjo është mënyra me të cilën njerëzit «trokasin në derë». Del një i ri i cili shpjegon se është i zënë, por na kërkon të kthehemi më vonë atë mëngjes.

Në derën tjetër takojmë një grua, e cila flet një dialekt që Beni nuk e kupton. Ajo thërret të birin dhe i kërkon t’i përkthejë atë që po thotë Beni. Kur Beni mbaron, gruaja pranon një broshurë me tema biblike dhe i biri premton se do t’ia shpjegojë nënës së vet. Në shtëpinë e tretë, ka disa të rinj që janë ulur në oborr. Dy prej tyre menjëherë lirojnë karriget, që të mund të ulen vizitorët. Pason një bisedë e gjallë lidhur me përdorimin e kryqit në adhurim. Bëhen rregullime për të pasur një bisedë tjetër javën që vjen. Tani është koha të rivizitojmë të riun e zënë me punë që takuam në shtëpinë e parë. Në njëfarë mënyre, ai tashmë ka dëgjuar për bisedën që kemi bërë me të rinjtë në shtëpinë e fundit. Ka shumë pyetje biblike dhe kërkon që të ketë një studim biblik. Pasi shikon programin e vet, Beni pranon të kthehet në të njëjtën kohë javën tjetër. Rrugës duke u kthyer në shtëpinë misionare për drekë, Beni dhe Kareni na shpjegojnë se u duhet ta planifikojnë me shumë kujdes veprën e studimeve biblike, sepse fare lehtë mund të fillojnë më shumë studime biblike, sesa janë në gjendje të drejtojnë.

I lavdërojmë sepse e flasin rrjedhshëm gjuhën frënge. Beni shpjegon se ai dhe Kareni kanë gjashtë vjet që shërbejnë si misionarë dhe po fillojnë të ndihen rehat me gjuhën frënge. Na sigurojnë se nuk ishte e lehtë të mësonin një gjuhë të re, por ngulmimi është shpërblyer.

Në orën 12.30 të drekës, të gjithë misionarët ulen në tryezë për të ngrënë. Mësojmë se çdo ditë, një nga misionarët është caktuar për të përgatitur mëngjesin dhe drekën, si edhe për të larë enët më pas. Sot, një nga misionaret ka përgatitur një pjatë të mrekullueshme me pulë të pjekur dhe patate të fërguara, si edhe një sallatë domatesh që është specialiteti i saj.

Çfarë planesh kanë Beni dhe Kareni për pasditen? Shpjegojnë se në gjithë vendin, nga ora 13.00 deri në orën 15.00, të gjithë shkojnë diku në hije për t’u mbrojtur nga dielli, kështu që misionarët në përgjithësi e përdorin një pjesë të asaj kohe për të studiuar ose për të pushuar. Nuk habitemi kur Kareni na thotë se misionarëve të rinj nuk u duhet shumë kohë për t’u mësuar me këtë zakon.

Pas pushimit të drekës, rikthehemi në shërbimin në fushë. Një burrë i interesuar të cilin Beni është përpjekur disa herë ta takojë, prapë nuk është në shtëpi, por, kur Beni përplas duart, në derë dalin dy djem të rinj. Ata na thonë se i zoti i shtëpisë i ka përmendur vizitat e Benit dhe i ka këshilluar shumë që të merrnin librin ndihmës për studimin e Biblës, Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Me lumturi u lëmë një kopje të librit. Pastaj, marrim një autobus që do të na çojë në një zonë ku Kareni do të drejtojë një studim biblik me një grua të interesuar.

Ndërsa ecim me autobus në rrugët e mbushura plot e përplot, Kareni na tregon se e takoi këtë grua një ditë kur që të dyja ishin në një taksi me disa pasagjerë të tjerë. Kareni i dha gruas një fletushkë që ta lexonte gjatë udhëtimit. Gruaja e lexoi fletushkën dhe kërkoi një tjetër, të ndryshme nga e para. E lexoi të dytën edhe me më shumë interes. Në fund të udhëtimit, Kareni bëri rregullime që ta vizitonte gruan në shtëpinë e saj dhe filloi një studim biblik frytdhënës me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Sot, Kareni do të trajtojë mësimin pesë të kësaj broshure.

Jemi kënaqur plotësisht këtë ditë në shërbimin në fushë, por na kanë mbetur disa pyetje për veprën misionare. Mikpritësit na sigurojnë se kur të kthehemi në shtëpi, do të përgatitin një vakt të lehtë për ne dhe do t’u përgjigjen pyetjeve që kemi.

Si e mbajnë ritmin?

Ndërkohë që gostitemi me vezë të skuqura, bukë franceze dhe djathë, mësojmë më shumë për jetën misionare. E hëna zakonisht është dita kur misionarët pushojnë ose merren me gjërat e tyre personale. Shumica e misionarëve kalojnë një pjesë të kohës atë ditë duke u shkruar letra familjes dhe miqve. Të rejat nga shtëpia janë të rëndësishme për ta dhe misionarët kanë shumë kënaqësi të dërgojnë e të marrin letra.

Meqenëse jetojnë dhe punojnë së bashku, është thelbësore që misionarët të mbajnë komunikim të mirë duke bërë shoqëri me misionarët e tjerë dhe duke folur për gjërat frymore. Për këtë qëllim, përveçse mbajnë një program të rregullt të studimit personal të Biblës, çdo të hënë në mbrëmje misionarët studiojnë Biblën së bashku me revistën Kulla e Rojës. Beni thekson se kur misionarë me prejardhje të ndryshme jetojnë së bashku, mosmarrëveshjet e vogla lidhur me idetë janë të pashmangshme, por sigurimi frymor i studimit familjar i ndihmon që të mbajnë një atmosferë paqësore e me unitet. Ai thekson se ky studim i ndihmon që të mos i japin tepër rëndësi vetes.

Edhe përulësia është thelbësore. Misionarët dërgohen që t’u shërbejnë të tjerëve, jo që të tjerët t’u shërbejnë atyre. Miqtë tanë misionarë komentojnë se një nga gjërat më të vështira për t’u thënë në çfarëdo gjuhe është «Më fal», sidomos kur personi po kërkon falje për ndonjë gjë që e ka bërë ose e ka thënë pa qëllim. Beni na kujton shembullin biblik të Abigailës, e cila kërkoi falje për sjelljen e ashpër të të shoqit, duke zbutur, kështu, një gjendje që do të kishte çuar në katastrofë. (1 Samuelit 25:23-28) Aftësia për të ‘jetuar në paqe’ është një pjesë e rëndësishme për të qenë një misionar i mirë.—2 Korintasve 13:11.

Një herë në muaj, misionarët mbajnë një mbledhje për të folur për çështje që kanë të bëjnë me familjen, si edhe për ndryshimet në program. Pas kësaj, të gjithë shijojnë një ëmbëlsirë të bërë posaçërisht për atë rast. Ky na duket një rregullim shumë praktik e në të njëjtën kohë edhe i shijshëm.

Pasi mbaron darka, bëjmë një vizitë të shkurtër për të parë shtëpinë misionare. Vërejmë se, ndonëse shtëpia është modeste, misionarët bashkëpunojnë për ta mbajtur shumë pastër. Ka një frigorifer, një lavatriçe dhe një furrë. Kareni na thotë se në vende tropikale si ky në Afrikën Perëndimore, mund të ketë në dispozicion edhe ajër të kondicionuar. Një banesë e përshtatshme, ushqimi i shëndetshëm dhe masat e thjeshta paraprake për shëndetin i ndihmojnë misionarët që të mbeten të shëndetshëm e frytdhënës.

Përqendrohen në gjërat pozitive

Na ka lënë mbresa çdo gjë që kemi parë. A mund të jetë për ne vepra misionare? Si mund ta dimë? Mikpritësit na japin disa gjëra për të menduar.

Së pari, na thonë ata, misionarët e krishterë nuk kanë dalë të kërkojnë aventura. Kërkojnë njerëz me zemër të çiltër të cilët duan të mësojnë për premtimet e mrekullueshme të Perëndisë. Misionarët kushtojnë të paktën 140 orë në muaj në shërbimin në fushë, prandaj është e domosdoshme dashuria për shërbimin.

‘Por,—pyesim ne,—ç’të themi për gjarpërinjtë, hardhucat dhe insektet e ndryshme?’ Beni na thotë se, ndonëse këto mund të gjenden në shumë caktime misionare, misionarët mësohen me to. Ai shton se çdo caktim misionar ka bukurinë e vet të pashoqe dhe, me kalimin e kohës, misionarët përqendrohen në anët pozitive të caktimit të tyre. Kushtet që më përpara do të ishin parë si «të ndryshme», shpejt bëhen një gjë e zakonshme e, në disa raste, edhe të kënaqshme. Një misionare që shërbeu në Afrikën Perëndimore për shumë vjet, para se detyrimet personale ta bënin të kthehej në shtëpi, tha se për të ishte më e vështirë të largohej nga caktimi i saj, sesa kur u largua nga vendi i vet vite më parë. Caktimi misionar ishte bërë shtëpia e saj.

A jeni gati?

Beni dhe Kareni na kanë dhënë shumë gjëra për të menduar. Po ju? A keni menduar ndonjëherë të shërbeni si misionarë në një fushë të huaj? Nëse po, mund të jeni më afër atij synimi sesa e keni përfytyruar. Një nga gjërat kryesore që kërkohen është të kesh dashuri për shërbimin e plotkohor dhe të gjesh kënaqësi në veprën për t’i ndihmuar njerëzit. Mos harroni, misionarët nuk janë superheronj, por burra të zakonshëm e gra të zakonshme. Ata po bëjnë më të mirën e tyre për të kryer një vepër shumë të rëndësishme.

[Figurat në faqen 27]

Çdo ditë fillon me trajtimin e një shkrimi nga Bibla

[Figurat në faqet 28, 29]

Pamje nga Afrika

[Figura në faqen 29]

Jeta si misionar mund të jetë shumë e kënaqshme