Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë?

Kush do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë?

Kush do të na ndajë nga dashuria e Perëndisë?

«Nga ana jonë, ne kemi dashuri, sepse ai na deshi i pari.»—1 GJONIT 4:19.

1, 2. (a) Përse është e rëndësishme të dimë se na duan? (b) Për dashurinë e kujt kemi më shumë nevojë?

SA E rëndësishme është për ju të dini se ju duan? Që kur janë foshnja e derisa bëhen të rritur, njerëzit ia dalin mbanë mirë kur kanë dashurinë e të tjerëve. A e keni vënë re një foshnjë, të cilën nëna me dashuri e mban në krahët e saj? Shpesh, pavarësisht nga ajo që ndodh përreth, kur foshnja e ngul vështrimin te sytë e qeshur të nënës, ndihet rehat, e qetë në krahët e një nëne që e do. Ose, a ju kujtohet si jeni ndier gjatë viteve disa herë të turbullta të adoleshencës? (1 Selanikasve 2:7) Në disa raste, mund të mos keni ditur se çfarë dëshironit ose edhe se si ndiheshit, por sa e rëndësishme ishte të dinit se babai dhe mamaja ju donin! A nuk ishte e dobishme të dinit se mund të shkonit tek ata për çdo problem ose pyetje? Vërtet, gjatë gjithë jetës, një nga nevojat tona më të mëdha është që të na duan. Kjo dashuri na vërteton se kemi vlerë.

2 Dashuria e vazhdueshme e prindërve është patjetër një ndihmesë për zhvillimin dhe ekuilibrin e duhur. Gjithsesi, siguria se Ati ynë qiellor, Jehovai, na do është shumë më e rëndësishme për mirëqenien tonë frymore dhe emocionale. Disa lexues të kësaj reviste mund të mos kenë pasur prindër që interesoheshin vërtet për ta. Nëse është kështu në rastin tuaj, merrni zemër. Edhe sikur dashuria prindërore të ketë munguar ose të mos ketë qenë në masën e duhur, dashuria besnike e Perëndisë e kompenson atë.

3. Si e ka siguruar Jehovai popullin e tij për dashurinë që ka për ta?

3 Nëpërmjet profetit të tij Isaisë, Jehovai tregoi se një nënë ndoshta mund ta ‘harronte’ foshnjën e vet që mëndte, por ai nuk do ta harronte popullin e tij. (Isaia 49:15) Në mënyrë të ngjashme, Davidi tha i sigurt: «Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.» (Psalmi 27:10) Sa siguruese janë këto fjalë! Cilatdo qofshin rrethanat tuaja, nëse keni hyrë në një marrëdhënie të dedikuar me Perëndinë Jehova, duhet ta kujtoni gjithnjë se dashuria që ka ai për ju e tejkalon shumë dashurinë e çdo njeriu!

Ruani veten në dashurinë e Perëndisë

4. Në ç’mënyrë të krishterët e shekullit të parë morën siguri për dashurinë e Perëndisë?

4 Kur keni mësuar për herë të parë për dashurinë e Jehovait? Ndoshta përvoja juaj ishte disi e ngjashme me atë të të krishterëve të shekullit të parë. Kapitulli i pestë i letrës së Pavlit drejtuar romakëve e përshkruan bukur se si mëkatarët, një herë e një kohë të ndarë nga Perëndia, u njohën me dashurinë e Jehovait. Në vargun 5 lexojmë: «Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona nëpërmjet frymës së shenjtë që na u dha.» Në vargun 8, Pavli shton: «Perëndia na e rekomandon dashurinë e vet në atë që, ndërsa akoma ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.»

5. Si keni arritur ta çmoni shtrirjen e dashurisë së Perëndisë?

5 Në mënyrë të ngjashme, kur ju është paraqitur e vërteta nga Fjala e Perëndisë dhe filluat të ushtronit besim, fryma e shenjtë e Jehovait filloi të vepronte në zemrën tuaj. Në këtë mënyrë, nisët të vlerësonit se sa e madhe ishte ajo që bëri Jehovai, duke dërguar Birin e tij të dashur që të vdiste për ju. Kështu, Jehovai ju ndihmoi të bëheshit të vetëdijshëm se sa shumë e do ai njerëzimin. A nuk u prekët në zemër kur e kuptuat se, ndonëse kishit lindur si mëkatarë të ndarë nga ai, Jehovai kishte hapur rrugën që njerëzit të shpalleshin të drejtë me perspektivën e jetës së pafundme? A nuk ndiet dashuri për Jehovain?—Romakëve 5:10.

6. Përse disa herë mund të ndihemi disi larg Jehovait?

6 Pasi ju kishte bërë për vete dashuria e Atit tuaj qiellor dhe pasi e kishit rregulluar jetën për të qenë të pranueshëm prej tij, ia dedikuat jetën Perëndisë. Tani gëzoni paqen me të. Megjithatë, a ndiheni ndonjëherë disi larg Jehovait? Kjo mund t’i ndodhë kujtdo prej nesh. Por kujtoni gjithnjë se Perëndia nuk ndryshon. Dashuria e tij është po aq e vazhdueshme dhe e pandryshueshme sa edhe dielli, i cili nuk pushon kurrë së dërguari rrezet e tij të ngrohta të dritës në tokë. (Malakia 3:6; Jakovit 1:17) Nga ana tjetër, mund të ndodhë që ne të ndryshojmë, qoftë edhe përkohësisht. Me rrotullimin e tokës, gjysma e planetit mbështillet nga errësira. Në mënyrë të ngjashme, nëse largohemi nga Perëndia, sikur edhe në një masë të kufizuar, mund të ndiejmë njëfarë ftohjeje në marrëdhënien tonë me të. Çfarë mund të bëjmë për ta ndrequr këtë gjendje?

7. Si mund të na ndihmojë vetëshqyrtimi që të mbetemi në dashurinë e Perëndisë?

7 Nëse ndiejmë njëfarë ndarjeje nga dashuria e Perëndisë, duhet të pyesim veten: A e kam marrë si një gjë të zakonshme dashurinë e Perëndisë? Mos ndoshta dalëngadalë jam larguar disi nga Perëndia i gjallë e i dashur, duke treguar në mënyra të ndryshme se më është dobësuar besimi? A e kam mendjen te «gjërat e mishit», në vend që ta kem te «gjërat e frymës»? (Romakëve 8:5-8; Hebrenjve 3:12) Nëse e kemi ndarë veten nga Jehovai, mund të bëjmë hapa për t’i ndrequr gjërat, për të krijuar përsëri një marrëdhënie të ngushtë e të përzemërt me të. Jakovi na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:8) Merrini për zemër fjalët e Judës: «Të dashur, duke u ndërtuar mbi besimin tuaj shumë të shenjtë dhe duke u lutur me frymë të shenjtë, ruani veten në dashurinë e Perëndisë.»—Judës 20, 21.

Ndryshimi i rrethanave nuk ndikon në dashurinë e Perëndisë

8. Cilat ndryshime mund të na ndodhin papritur në jetë?

8 Jeta jonë në këtë sistem u nënshtrohet shumë ndryshimeve. Mbreti Solomon vërejti se «koha dhe ngjarja e paparashikuar [na] ndodhin të gjithëve». (Predikuesi 9:11, BR) Brenda një nate, jeta jonë mund të ndryshojë plotësisht. Një ditë jemi mirë me shëndet, të nesërmen mund të jemi sëmurë rëndë. Një ditë, puna që kemi duket e qëndrueshme, të nesërmen mbetemi pa punë. Në mënyrë të papritur, vdekja mund të na marrë një person të dashur. Të krishterët në ndonjë vend mund të kenë kushte paqësore për njëfarë kohe dhe pastaj papritur shpërthen përndjekja e ashpër. Ndoshta na akuzojnë në mënyrë të rremë dhe, për shkak të kësaj, na bëhet ndonjë padrejtësi. Po, jeta nuk është e qëndrueshme ose plotësisht e sigurt.—Jakovit 4:13-15.

9. Përse do të ishte mirë të shqyrtonim një pjesë nga kapitulli 8 i Romakëve?

9 Kur na ndodhin gjëra trishtuese, ndoshta mund të fillojmë të ndihemi të braktisur, duke menduar madje se dashuria që ka Perëndia për ne është zbehur. Meqë të gjithë jemi të ekspozuar ndaj këtyre ngjarjeve, bëjmë mirë të shqyrtojmë me kujdes fjalët shumë ngushëlluese të apostullit Pavël, të dokumentuara në kapitullin 8 të Romakëve. Ato fjalë u drejtoheshin të krishterëve të mirosur nga fryma. Gjithsesi, në parim zbatohen edhe për ata të deleve të tjera, të cilët janë shpallur të drejtë si miq të Perëndisë, siç ishte Abrahami në kohët para krishterimit.—Romakëve 4:20-22; Jakovit 2:21-23.

10, 11. (a) Çfarë akuzash bëjnë disa herë armiqtë kundër popullit të Perëndisë? (b) Përse këto akuza nuk kanë në të vërtetë rëndësi për të krishterët?

10 Lexoni Romakëve 8:31-34. Pavli pyet: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?» Është e vërtetë se Satanai dhe bota e tij e ligë janë kundër nesh. Armiqtë mund të na akuzojnë në mënyrë të rreme, madje edhe nëpër gjykata. Disa prindër të krishterë janë akuzuar se urrejnë fëmijët e tyre, pasi nuk i lejojnë të pranojnë procedura mjekësore që shkelin ligjin e Perëndisë ose nuk i lënë të marrin pjesë në festime pagane. (Veprat 15:28, 29; 2 Korintasve 6:14-16) Të krishterë të tjerë besnikë i kanë akuzuar në mënyrë të rreme se nxitin kryengritje, meqenëse nuk pranojnë të vrasin njerëz të tjerë nëpër luftëra ose nuk përzihen në politikë. (Gjoni 17:16) Disa kundërshtarë kanë përhapur gënjeshtra shpifëse në mjetet e informacionit, madje duke i akuzuar në mënyrë të rreme Dëshmitarët e Jehovait se janë një kult i rrezikshëm.

11 Por, mos harroni se në ditët e apostujve thuhej: «Për këtë sekt na është bërë e ditur se flitet gjithandej kundër.» (Veprat 28:22) A kanë në të vërtetë rëndësi akuzat e rreme? Është Perëndia ai që i shpall të drejtë të krishterët e vërtetë, duke u bazuar në besimin që tregojnë ata në flijimin e Krishtit. Përse Jehovai do të pushonte së dashuri adhuruesit e tij pasi u ka dhënë dhuratën më të çmuar që mund t’u jepte, Birin e tij të dashur? (1 Gjonit 4:10) Tani që është ngritur nga të vdekurit dhe është vendosur në të djathtën e Perëndisë, Krishti ndërmjetëson në mënyrë vepruese për të krishterët. Cili, me të drejtë, mund ta hedhë poshtë mbrojtjen që u bën Krishti ithtarëve të tij ose t’ia dalë mbanë me sukses të sfidojë gjykimin e favorshëm të Perëndisë për besnikët e tij? Askush!—Isaia 50:8, 9; Hebrenjve 4:15, 16.

12, 13. (a) Cilat kushte ose rrethana nuk mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë? (b) Cili është synimi i Djallit kur na shkakton vështirësi? (c) Përse të krishterët dalin plotësisht fitimtarë?

12 Lexoni Romakëve 8:35-37. Përveçse vetë ne, a ka ndonjë njeri ose ndonjë gjë që mund të na ndajë nga dashuria e Jehovait dhe e Birit të tij, Krishtit Jezu? Satanai mund të përdorë agjentët e tij tokësorë për t’u shkaktuar shumë probleme të krishterëve. Gjatë shekullit të kaluar, në mjaft vende, shumë nga vëllezërit tanë të krishterë dhe motrat tona të krishtere kanë qenë objekt përndjekjeje të dhunshme. Në disa vende sot, vëllezërit tanë hasin çdo ditë vështirësi ekonomike. Disa vuajnë nga uria ose nuk kanë veshje të mjaftueshme. Cili është synimi i Djallit duke shkaktuar këto kushte të vështira? Të paktën pjesërisht, qëllimi i tij është t’i bëjë njerëzit të heqin dorë nga adhurimi i vërtetë i Jehovait. Satanai do që të na bëjë të besojmë se dashuria e Perëndisë për ne është ftohur. Por, a është kështu?

13 Ashtu si Pavli, i cili citoi Psalmin 44:22, ne kemi studiuar Fjalën e shkruar të Perëndisë. E kuptojmë se këto që na ndodhin neve—që jemi ‘delet’ e Perëndisë—ndodhin për hir të emrit të tij. Janë të përfshira shenjtërimi i emrit të Perëndisë dhe shfajësimi i sovranitetit të tij universal. Perëndia i ka lejuar sprovat për shkak të këtyre çështjeve të rëndësishme, jo sepse nuk na do më. Cilatdo qofshin rrethanat stresuese, kemi sigurinë se dashuria e Perëndisë për popullin e tij, duke përfshirë secilin prej nesh, nuk ka ndryshuar. Çfarëdo humbjeje në dukje që mund të pësojmë, do të dalë se është një fitore, nëse mbajmë integritetin. Siguria për dashurinë e pathyeshme të Perëndisë na forcon dhe na mbështet.

14. Përse Pavli ishte i bindur për dashurinë e Perëndisë, me gjithë vështirësitë që mund të pësojnë të krishterët?

14 Lexoni Romakëve 8:38, 39. Çfarë e bindi Pavlin se asgjë nuk mund t’i ndante të krishterët nga dashuria e Perëndisë? Pa dyshim, përvojat personale kur ishte në shërbim ia përforcuan Pavlit bindjen se vështirësitë nuk mund të ndikojnë në dashurinë që ka Perëndia për ne. (2 Korintasve 11:23-27; Filipianëve 4:13) Gjithashtu, Pavli kishte njohuri për qëllimin e përjetshëm të Jehovait dhe se si kishte vepruar ai në të kaluarën me popullin e Tij. A mundet vdekja në vetvete të dalë fitimtare mbi dashurinë e Perëndisë për ata që i kanë shërbyer atij me besnikëri? Aspak! Këta persona besnikë që vdesin do të vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e përsosur të Perëndisë dhe ai do t’i ringjallë në kohën e duhur.—Luka 20:37, 38; 1 Korintasve 15:22-26.

15, 16. Përmendni disa nga gjërat që nuk mund ta bëjnë kurrë Perëndinë të pushojë së dashuri shërbëtorët e tij besnikë.

15 Çfarëdo të keqe që mund të na sjellë jeta sot—qoftë kjo një aksident që na lë të gjymtuar, një sëmundje e pashërueshme ose një katastrofë ekonomike—asgjë nuk mund ta shkatërrojë dashurinë që ka Perëndia për popullin e tij. Engjëj të fuqishëm, si engjëlli i pabindur që u bë Satana, nuk mund të ndikojnë te Jehovai që të pushojë së dashuri shërbëtorët e tij të devotshëm. (Jobi 2:3) Qeveritë mund t’i ndalojnë, t’i burgosin e t’i keqtrajtojnë shërbëtorët e Perëndisë dhe mund t’i etiketojnë si «persona të padëshirueshëm». (1 Korintasve 4:13) Një urrejtje e tillë e pajustifikuar nga ana e kombeve mund t’i detyrojë njerëzit që të na kundërvihen, por nuk ndikon te Sovrani i universit që të na braktisë.

16 Si të krishterë, s’kemi pse të kemi frikë se ndonjë prej atyre që Pavli i quajti «gjërat e tanishme»—ngjarjet, kushtet dhe rrethanat në këtë sistem të tanishëm—ose «gjërat që kanë për të ardhur», mund ta thyejnë përzemërsinë që ka Perëndia për popullin e tij. Ndonëse fuqitë tokësore dhe qiellore luftojnë kundër nesh, dashuria besnike e Perëndisë na mbështet gjithnjë. As «lartësia, as thellësia» nuk e pengon dashurinë e Perëndisë, siç theksoi Pavli. Po, asgjë që mund të ketë prirjen të na shkurajojë, si edhe asgjë që ka prirjen të ushtrojë një ndikim më të lartë mbi ne, nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë. Po ashtu, asnjë krijesë tjetër nuk mund ta prishë marrëdhënien e Krijuesit me shërbëtorët e tij besnikë. Dashuria e Perëndisë nuk dështon kurrë, ajo është e përhershme.—1 Korintasve 13:8.

Çmojeni përgjithmonë dashamirësinë e Perëndisë

17. (a) Përse të kemi dashurinë e Perëndisë vlen «më tepër se jeta»? (b) Si e tregojmë se e çmojmë dashamirësinë e Perëndisë?

17 Sa e rëndësishme është për ju dashuria e Perëndisë? A ndiheni si Davidi, i cili shkroi: «Me qenë se mirësia [dashamirësia, BR] jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë. Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.» (Psalmi 63:3, 4) Vërtet, a ka ndonjë gjë që jeta në këtë botë mund të na vërë përpara, e cila është më e mirë sesa të kemi dashurinë dhe miqësinë besnike të Perëndisë? Për shembull, a është më mirë të rendim pas një karriere fitimprurëse apo të kemi paqen mendore dhe lumturinë që vijnë nga një marrëdhënie e ngushtë me Perëndinë? (Luka 12:15) Disa të krishterë janë ballafaquar me një zgjedhje: ose të hiqnin dorë nga Jehovai ose të vdisnin. Kjo ndodhi me shumë Dëshmitarë të Jehovait në kampet naziste të përqendrimit, gjatë Luftës II Botërore. Me shumë pak përjashtime, vëllezërit tanë të krishterë zgjodhën të mbeteshin në dashurinë e Perëndisë, duke qenë gati të vdisnin, po të ishte e nevojshme. Ata që mbeten me besnikëri në dashurinë e Perëndisë mund të jenë të sigurt se do të marrin prej tij një të ardhme të përhershme, diçka që bota nuk mund të na e japë. (Marku 8:34-36) Por, përfshihet edhe më shumë sesa jeta e përhershme.

18. Përse jeta e përhershme është kaq shumë për t’u dëshiruar?

18 Ndonëse është e pamundur të jetojmë përgjithmonë pa Jehovain, përpiquni të përfytyroni se si do të ishte një jetë jashtëzakonisht e gjatë pa Krijuesin tonë. Do të ishte boshe, pa qëllim të vërtetë. Jehovai i ka dhënë popullit të tij punë të kënaqshme në këto ditë të fundit. Prandaj, mund të kemi besim se kur Jehovai, Ai që e përmbush qëllimin e tij, të na japë jetën e përhershme, ajo do të jetë e mbushur me gjëra mahnitëse, të denja për t’i mësuar e për t’i bërë. (Predikuesi 3:11) Sado që të eksplorojmë në mijëvjeçarët që do të kemi përpara, kurrë nuk do të arrijmë të depërtojmë plotësisht në ‘thellësinë e pasurisë, të mençurisë dhe të njohurisë së Perëndisë’.—Romakëve 11:33.

Ati ju ka për zemër

19. Çfarë sigurie u dha Jezu Krishti dishepujve para se të ndahej prej tyre?

19 Më 14 nisan të vitit 33 të e.s., gjatë mbrëmjes së fundit që kaloi me 11 apostujt e tij besnikë, Jezui tha shumë gjëra për t’i forcuar lidhur me atë që i priste. Që të gjithë ata kishin qëndruar me Jezuin në sprovat e tij dhe e kishin ndier personalisht dashurinë që kishte për ta. (Luka 22:28, 30; Gjoni 1:16; 13:1) Pastaj, Jezui i siguroi: «Vetë Ati ju ka për zemër.» (Gjoni 16:27) Sa duhet t’i kenë ndihmuar këto fjalë dishepujt që të kuptonin ndjenjat e buta që kishte Ati i tyre qiellor për ta!

20. Çfarë jeni të vendosur të bëni dhe te cila gjë mund të keni siguri?

20 Shumë veta që janë gjallë tani i kanë shërbyer me besnikëri Jehovait për dhjetëvjeçarë të tërë. Pa dyshim, para fundit të këtij sistemi të lig do të hasim shumë sprova të tjera. Mos i lejoni kurrë këto sprova ose vuajtje t’ju bëjnë të dyshoni për dashurinë besnike që ka Perëndia për ju! Nuk mund të përsëritet kurrë mjaftueshëm ky fakt: Jehovai ju ka për zemër. (Jakovit 5:11) Secili prej nesh le të vazhdojë të bëjë pjesën e tij, duke zbatuar me besnikëri urdhrat e Perëndisë! (Gjoni 15:8-10) Le ta përdorim çdo mundësi për të lëvduar emrin e tij! Duhet ta forcojmë vendosmërinë që të vazhdojmë t’i afrohemi Jehovait në lutje dhe të studiojmë Fjalën e tij. Çfarëdo që të sjellë e nesërmja, nëse po bëjmë çmos për t’i pëlqyer Jehovait, do të mbetemi në paqe, plotësisht të sigurt për dashurinë e padështueshme të tij.—2 Pjetrit 3:14.

Si do të përgjigjeni?

• Për dashurinë e kujt kemi nevojë në mënyrë të veçantë, që të mbajmë ekuilibrin frymor dhe emocional?

• Cilat gjëra nuk mund ta bëjnë kurrë Jehovain të pushojë së dashuri shërbëtorët e tij?

• Përse të provojmë dashurinë e Jehovait vlen «më tepër se jeta»?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 13]

Nëse ndihemi të ndarë nga dashuria e Perëndisë, mund të punojmë për t’i ndrequr gjërat

[Figura në faqen 15]

Pavli e kuptonte përse po përndiqej