Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruajeni zemrën

Ruajeni zemrën

Ruajeni zemrën

«Më shumë se çdo gjë tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën tënde, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.»—PROVERBAT 4:23, BR.

1, 2. Përse e kemi të nevojshme ta ruajmë zemrën?

NË NJË ishull të Karaibeve, një burrë i moshuar doli nga strehimi i tij pas një uragani. Ndërsa po shihte dëmet përreth, pa që një pemë e stërmadhe e cila kishte qenë afër derës së jashtme të shtëpisë së tij për dhjetëvjeçarë të tërë, nuk ishte më aty. ‘Si ka mundësi kjo,—pyeti ai,—kur pemë të tjera më të vogla rreth e qark kishin mbijetuar?’ Përgjigjen e mori kur i hodhi një sy trungut të pemës së rrëzuar. Pjesa e brendshme e pemës që dukej e palëkundshme ishte kalbur dhe stuhia vetëm sa kishte nxjerrë në pah këtë kalbje të fshehtë.

2 Çfarë tragjedie është kur një adhurues i vërtetë, i cili duket se është i rrënjosur në mënyrë të patundur në udhën e krishterë të jetës dorëzohet kur has një sprovë besimi! Me të drejtë, Bibla thotë se «synimet e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij». (Zanafilla 8:21) Kjo do të thotë se, pa vigjilencë të vazhdueshme, edhe zemra më e mirë mund të joshet për të bërë atë që është e keqe. Meqë asnjë zemër e papërsosur njerëzore nuk është e mbrojtur nga korruptimi, duhet ta marrim seriozisht këshillën: «Më tepër se çdo gjë tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën tënde.» (Proverbat [Fjalët e urta] 4:23, BR) Atëherë, si mund ta ruajmë zemrën figurative?

Kontrollet e rregullta janë një domosdoshmëri

3, 4. (a) Çfarë pyetjesh mund të bëhen lidhur me një zemër fizike? (b) Çfarë do të na ndihmojë të shqyrtojmë zemrën tonë figurative?

3 Nëse shkoni te një mjek për një kontroll mjekësor, ka të ngjarë që ai t’ju bëjë një kontroll të zemrës. A tregon shëndeti juaj në përgjithësi, duke përfshirë edhe zemrën, se po merrni lëndë ushqyese të mjaftueshme? Si e keni presionin e gjakut? Rrahjet e zemrës janë të vazhdueshme e të forta? A bëni ushtrime mjaftueshëm? A e rëndoni zemrën me ndonjë stres të tepërt?

4 Nëse zemra fizike ka nevojë për kontrolle të rregullta, ç’të themi për zemrën figurative? Atë e shqyrton Jehovai. (1 Kronikave 29:17) Por, edhe ne duhet ta shqyrtojmë. Si ta bëjmë këtë? Duke bërë pyetje të tilla, si: A merr zemra ime ushqim të mjaftueshëm frymor nëpërmjet studimit të rregullt personal dhe pranisë në mbledhje? (Psalmi 1:1, 2; Hebrenjve 10:24, 25) A e kam mesazhin e Jehovait në zemër si ‘një zjarr flakërues, të mbyllur në kockat e mia’, i cili më nxit të marr pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve? (Jeremia 20:9; Mateu 28:19, 20; Romakëve 1:15, 16) A ndihem i nxitur që të përpiqem fuqimisht, duke marrë pjesë në ndonjë veçori të shërbimit të plotkohor kur është e mundur? (Luka 13:24) Ndaj cilit lloj mjedisi po e ekspozoj zemrën time figurative? A kërkoj shoqërinë e të tjerëve zemrat e të cilëve janë të bashkuara në adhurimin e vërtetë? (Fjalët e urta 13:20; 1 Korintasve 15:33) Duhet të jemi të shpejtë për të vërejtur ndonjë mangësi dhe për të marrë menjëherë masat paraprake për t’a ndrequr.

5. Për cilin qëllim të dobishëm mund të shërbejnë sprovat e besimit?

5 Shpesh, hasim sprova të besimit tonë. Këto na japin mundësi të vërejmë gjendjen e zemrës sonë. Izraelitëve që ishin gati të hynin në Tokën e Premtuar, Moisiu u tha: ‘Zoti, Perëndia yt, të ka bërë të përshkosh në këta dyzet vjet shkretëtirën që ti të ulësh kokën dhe të vihesh në provë, për të ditur çfarë kishte në zemrën tënde dhe nëse do të respektoje apo jo urdhërimet e tij.’ (Ligji i përtërirë 8:2) A nuk habitemi, shpesh, nga ndjenjat, dëshirat ose reagimet që dalin në sipërfaqe kur hasim rrethana ose tundime të papritura? Sprovat që Jehovai i lejon të ndodhin, patjetër që mund të na bëjnë të vetëdijshëm për të metat që kemi, duke na dhënë mundësi të përmirësohemi. (Jakovit 1:2-4) Le të mos dështojmë kurrë të meditojmë e të lutemi lidhur me reagimin që kemi ndaj sprovave!

Çfarë zbulojnë fjalët tona?

6. Çfarë mund të zbulojnë për zemrën tonë temat për të cilat na pëlqen të flasim?

6 Si mund ta përcaktojmë se çfarë kemi ruajtur në zemër? Jezui tha: «Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij, por i ligu nxjerr atë që është e ligë nga thesari i tij i lig; sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Gjërat për të cilat flasim zakonisht janë një tregues i mirë se ku e kemi zemrën. A flasim shpesh për gjërat materiale dhe për arritjet në botë? Apo bisedat tona përqendrohen shpeshherë në gjërat frymore dhe në synimet teokratike? Në vend që t’i bëjmë të njohura gabimet e të tjerëve, a jemi të prirur që me dashuri t’i mbulojmë ato? (Fjalët e urta 10:11, 12) A kemi prirjen të flasim shumë për njerëzit dhe për atë që po ndodh në jetën e tyre, por të flasim pak për parimet dhe mendimet? Mos ndoshta ky është një sinjal se po interesohemi pa vend për çështjet personale të të tjerëve?—1 Pjetrit 4:15.

7. Çfarë mësimi për sa i përket ruajtjes së zemrës mund të marrim nga tregimi për dhjetë vëllezërit e Jozefit?

7 Shqyrtoni se çfarë ndodhi në një familje të madhe. Dhjetë djemtë e mëdhenj të Jakobit «nuk mund t’i flitnin në mënyrë miqësore» vëllait të tyre më të vogël, Jozefit. Përse? Ishin xhelozë, sepse ai ishte biri i preferuar i babait të tyre. Më vonë, kur Jozefi u bekua me ëndrra nga Perëndia, të cilat provonin se ai kishte miratimin e Jehovait, ata «e urryen edhe më tepër». (Zanafilla 37:4, 5, 11) Në mënyrë mizore, ata e shitën vëllanë e tyre si skllav. Pastaj, duke u përpjekur ta mbulonin keqbërjen, e mashtruan babanë e tyre duke e bërë që të mendonte se Jozefin e kishte vrarë një bishë e egër. Dhjetë vëllezërit e Jozefit nuk ia dolën mbanë ta ruanin zemrën e tyre në atë rast. Nëse jemi të prirur t’i kritikojmë të tjerët, a mund të jetë kjo një dëshmi e smirës ose e xhelozisë që kemi në zemër? Duhet të jemi vigjilentë për të shqyrtuar çfarë na del nga goja dhe të jemi të shpejtë për të çrrënjosur prirjet e papërshtatshme.

8. Çfarë do të na ndihmojë që ta shqyrtojmë zemrën, nëse dorëzohemi dhe themi një gënjeshtër?

8 Ndërkohë që ‘për Perëndinë është e pamundur të gënjejë’, njerëzit e papërsosur janë të prirur të gënjejnë. (Hebrenjve 6:18) «Çdo njeri është gënjeshtar»,—u ankua psalmisti. (Psalmi 116:11) Madje, edhe apostulli Pjetër, duke gënjyer, e mohoi tri herë Jezuin. (Mateu 26:69-75) Qartë, duhet të jemi të kujdesshëm që t’i shmangim gënjeshtrat, sepse Jehovai e urren ‘gjuhën gënjeshtare’. (Fjalët e urta 6:16-19) Sikur të na ndodhë ndonjëherë të dorëzohemi e të themi një gënjeshtër, do të ishte mirë të analizonim shkakun e saj. E thamë për shkak të frikës së njeriut? Mos ndoshta arsyeja ishte frika nga ndëshkimi? Mbase në rrënjë të problemit ishte të shpëtonim emrin tonë ose edhe thjesht egoizmi? Sido që të jetë, sa e përshtatshme është që të meditojmë për këtë, ta pranojmë me përulësi mangësinë dhe t’i lutemi Jehovait për falje, duke i kërkuar ndihmë për ta kapërcyer dobësinë! «Pleqtë e kongregacionit» mund të jenë më të përshtatshmit për të siguruar këtë ndihmë.—Jakovit 5:14.

9. Çfarë mund të zbulojnë lutjet për zemrën tonë?

9 Duke iu përgjigjur kërkesës së mbretit të ri Solomon për mençuri dhe për njohuri, Jehovai tha: «Me qenë se kjo ishte gjëja që kishe në zemër dhe nuk më ke kërkuar as pasuri, as mall, as lavdi . . . dituria dhe zgjuarsia të janë dhënë. Përveç tyre do të të jap pasuri, mall dhe lavdi.» (2 Kronikave 1:11, 12) Prej asaj që kërkoi e që nuk kërkoi Solomoni, Jehovai kuptoi çfarë kishte për zemër Solomoni. Çfarë zbulojnë për zemrën tonë lutjet që i bëjmë Perëndisë? A zbulojnë ato etjen që kemi për njohuri, mençuri dhe për aftësi dalluese? (Fjalët e urta 2:1-6; Mateu 5:3) A i kemi në zemër interesat e Mbretërisë? (Mateu 6:9, 10) Nëse lutjet tona janë bërë mekanike dhe të përcipta, ky mund të jetë një tregues i nevojës që të lëmë kohë mënjanë për të medituar për veprat e Jehovait. (Psalmi 103:2) Të gjithë të krishterët duhet të jenë syçelë për të dalluar se çfarë zbulojnë lutjet e tyre.

Çfarë tregojnë veprimet tona?

10, 11. (a) Ku zënë fill kurorëshkelja dhe kurvëria? (b) Çfarë do të na ndihmojë që të mos ‘kryejmë kurorëshkelje në zemër’?

10 Është thënë se veprimet flasin më tepër sesa fjalët. Patjetër, veprimet tona thonë shumë për atë që jemi përbrenda. Për shembull, për sa i përket moralit, të ruajmë zemrën përfshin më shumë sesa thjesht të shmangim veprimin e kurvërisë ose të kurorëshkeljes. Në Predikimin e tij në Mal, Jezui tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.» (Mateu 5:28) Si t’ia bëjmë që të mos kryejmë kurorëshkelje as edhe në zemrën tonë?

11 Patriarku besnik Jobi la një shembull për të krishterët e martuar, burra e gra. Pa dyshim, Jobi kishte të bënte normalisht me gra më të reja në moshë e madje i ndihmonte me dashamirësi nëse kishin nevojë për ndihmë. Por mendimi që të tregonte interes romantik për to ishte i papranueshëm për këtë njeri me integritet. Përse? Sepse, ai kishte marrë një vendim të patundur që të mos ua ngulte sytë me epsh grave. «Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi,—tha ai,—si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?» (Jobi 31:1) Le të bëjmë edhe ne një besëlidhje të ngjashme me sytë tanë dhe ta ruajmë zemrën!

12. Si do ta zbatonit Lukën 16:10 për ruajtjen e zemrës?

12 «Ai që është i besueshëm në pak, është i besueshëm edhe në shumë,—tha Biri i Perëndisë,—dhe ai që është i padrejtë në pak, është i padrejtë edhe në shumë.» (Luka 16:10) Po, duhet ta shqyrtojmë sjelljen tonë në gjërat në dukje të vogla të jetës së përditshme, edhe në ato gjëra që ndodhin në mjedisin e shtëpisë sonë. (Psalmi 101:2) Kur jemi ulur në shtëpinë tonë, para televizorit ose të lidhur me Internetin, a kujdesemi që të jemi në përputhje me këshillën biblike: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve; as sjellja e turpshme, as e folura pa mend, as shaka të ndyra, të cilat nuk kanë hije.» (Efesianëve 5:3, 4) Ç’të themi për dhunën që mund të shohim në televizion ose në lojërat në kompjuter? «Zoti vë në provë [shqyrton, BR] të drejtin,—tha psalmisti,—por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.»—Psalmi 11:5.

13. Cili paralajmërim është i përshtatshëm kur meditojmë për atë që na del nga zemra?

13 «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme»,—paralajmëroi Jeremia. (Jeremia 17:9) Fakti që zemra është gënjeshtare mund të shfaqet kur justifikojmë gabimet tona, kur minimizojmë mangësitë që kemi, kur përligjim të metat serioze të personalitetit ose kur i zmadhojmë shumë arritjet tona. Një zemër e sëmurë është e aftë, po ashtu, të shfaqë një qëndrim të dyfishtë: buzë të ëmbla që thonë një gjë, veprime që thonë një gjë tjetër. (Psalmi 12:2; Fjalët e urta 23:7) Sa jetësore është që të jemi të ndershëm kur shqyrtojmë atë që na del nga zemra!

A e kemi syrin të thjeshtë?

14, 15. (a) Çfarë është një sy «i thjeshtë»? (b) Nëse mbajmë një sy të thjeshtë, si na ndihmon kjo që ta ruajmë zemrën?

14 «Llamba e trupit është syri»,—tha Jezui. Ai shtoi: «Prandaj, nëse syri yt është i thjeshtë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar.» (Mateu 6:22) Një sy i thjeshtë është i përqendruar në një synim ose qëllim të vetëm, pa u shpërqendruar ose pa u shmangur prej tij. Në të vërtetë, syri ynë duhet të jetë i përqendruar për të ‘kërkuar më parë mbretërinë dhe drejtësinë e [Perëndisë]’. (Mateu 6:33) Çfarë mund t’i ndodhë zemrës sonë figurative, nëse nuk e mbajmë syrin të thjeshtë?

15 Shqyrtoni çështjen e sigurimit të jetesës. Të sigurojmë gjërat e nevojshme për familjen është një kërkesë e krishterë. (1 Timoteut 5:8) Por, ç’të themi nëse na tundon dëshira për të pasur gjërat më të reja, më të mira dhe më të kërkuara për sa i përket ushqimit, veshjes, shtëpisë dhe gjërave të tjera? A nuk ka mundësi që kjo të na e skllavërojë vërtet zemrën dhe mendjen, duke na bërë të jemi me gjysmë zemre në adhurimin tonë? (Psalmi 119:113; Romakëve 16:18) Përse duhet të zhytemi kaq shumë në sigurimin e nevojave fizike, saqë jeta jonë të përqendrohet vetëm rreth familjes, punës dhe gjërave materiale? Mos harroni këshillën e frymëzuar: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt, nga e pira e tepërt e nga ankthet e jetës dhe befas ajo ditë të bjerë në çast mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në faqen e mbarë tokës.»—Luka 21:34, 35.

16. Çfarë këshille dha Jezui lidhur me syrin dhe përse?

16 Syri është një kanal i rëndësishëm komunikimi me mendjen dhe zemrën. Gjëja tek e cila përqendrohet ai, mund të ndikojë shumë në mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona. Duke përdorur një gjuhë të figurshme, Jezui foli për fuqinë e tundimit me anë të shikimit dhe tha: «Tani, nëse syri yt i djathtë po të bën të pengohesh, hiqe dhe flake larg teje. Sepse për ty është më e dobishme të të humbasë një prej gjymtyrëve të tua, sesa të hidhet në Gehenë gjithë trupi yt.» (Mateu 5:29) Syri duhet kufizuar që të mos përqendrohet në gjëra të papërshtatshme për t’u parë. Për shembull, nuk duhet ta lejojmë të ndalet në materiale që janë projektuar për të nxitur pasione dhe dëshira të paligjshme.

17. Si na ndihmon zbatimi i Kolosianëve 3:5 që ta ruajmë zemrën?

17 Sigurisht, shikimi nuk është e vetmja shqisë komunikimi me botën e jashtme. Edhe shqisat e tjera, si prekja dhe dëgjimi, kanë pjesën e tyre dhe duhet të marrim masa paraprake edhe për gjymtyrët e trupit që përkojnë me këto shqisa. Apostulli Pavël këshilloi: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj që janë mbi tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë, që është idhujtari.»—Kolosianëve 3:5.

18. Çfarë masash duhet të marrim për sa u përket mendimeve të papërshtatshme?

18 Një dëshirë e papërshtatshme mund të zërë fill edhe në skutat e mendjes sonë. Të vazhdojmë të mendojmë për këto dëshira zakonisht e intensifikon dëshirën e gabuar, duke ndikuar në zemër. «Pastaj dëshira, kur është bërë pjellore, lind mëkatin.» (Jakovit 1:14, 15) Shumë veta e pranojnë se në këtë mënyrë ndodh shpesh masturbimi. Sa e rëndësishme është që të vazhdojmë ta mbushim mendjen me gjëra frymore! (Filipianëve 4:8) Dhe nëse ndodh që të na vijë ndër mend një mendim i papërshtatshëm, duhet të përpiqemi ta heqim nga mendja.

‘Shërbejini Jehovait me zemër të plotë’

19, 20. Si mund t’ia dalim mbanë me sukses t’i shërbejmë Jehovait me zemër të plotë?

19 Kur ishte në moshë të shkuar, mbreti David i tha të birit: «Biri im Solomon, njih Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji atij me një zemër të plotë dhe me shpirt të këndshëm; sepse Jehovai heton të gjitha zemrat dhe dallon çdo prirje të mendimeve.» (1 Kronikave 28:9, BR) Vetë Solomoni u lut për «një zemër të bindur». (1 Mbretërve 3:9, BR) Gjithsesi, ai hasi sfidën për ta mbajtur një zemër të tillë gjatë gjithë jetës së tij.

20 Nëse duam t’ia dalim mbanë në këtë fushë, nuk mjafton vetëm që të fitojmë një zemër që i pëlqen Jehovait, por edhe duhet ta ruajmë atë. Për të kryer këtë, duhet t’i mbajmë përkujtuesit e Fjalës së Perëndisë në zemrën tonë, ‘në qendër të saj’. (Fjalët e urta 4:20-22) Po ashtu, duhet ta bëjmë zakon të shqyrtojmë zemrën tonë, duke medituar në lutje për atë që zbulojnë fjalët dhe veprimet tona. Çfarë vlere ka ky meditim, nëse nuk e kërkojmë me ngulm ndihmën e Jehovait për të ndrequr ndonjë dobësi që dallojmë? Gjithashtu, sa jetësore është që të jemi vigjilentë për atë që marrim me anë të shqisave! Duke bërë këtë, kemi sigurinë se «paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrat [tona] dhe fuqitë [tona] mendore me anë të Krishtit Jezu». (Filipianëve 4:6, 7) Po, le të jemi të vendosur që ta ruajmë zemrën më shumë se çdo gjë tjetër që duhet ruajtur dhe t’i shërbejmë Jehovait me zemër të plotë!

A ju kujtohet?

• Përse është e rëndësishme ta ruajmë zemrën?

• Si na ndihmon ta ruajmë zemrën analizimi i asaj që themi?

• Përse duhet ta mbajmë syrin ‘të thjeshtë’?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 23]

Për çfarë flasim zakonisht në shërbimin në fushë, në mbledhje dhe në shtëpi?

[Figurat në faqen 25]

Syri që është i thjeshtë nuk shpërqendrohet