Ujërat jetëdhënëse vërshojnë në Ande
Ujërat jetëdhënëse vërshojnë në Ande
Malet Ande shtrihen mes për mes Perusë, duke e ndarë vendin në një rajon të thatë bregdetar në perëndim dhe në një xhungël të harlisur e plot mjegull në lindje. Në këtë varg malor jeton më shumë se një e treta e popullsisë së Perusë prej 27 milionë banorësh. Ata gjenden ose në rrafshnaltat e larta dhe në shpatet e rrëpirëta të Andeve, ose në grykat shumë të thella dhe në luginat pjellore të këtij vargmali.
VARGMALI i thyer i Andeve pengon hyrjen me lehtësi brenda tij. Për pasojë, miliona persona që jetojnë atje janë pak a shumë të veçuar dhe, në pjesën më të madhe, nuk ndikohen nga ngjarjet dhe zhvillimet jashtë territorit të tyre.
Fshatra të vogla janë krijuar përgjatë rrjedhave, për të marrë ujin që nevojitet për drithërat, si edhe për kopetë e kafshëve të tilla, si: lama, alpaca, vicuña dhe dele. Megjithatë, ka edhe një lloj tjetër uji jetësor që vërshon në Ande: ujërat freskuese frymore që vijnë nga Jehovai, ‘burimi i ujit të gjallë’. (Jeremia 2:13, DSF) Perëndia përdor Dëshmitarët e tij për t’i ndihmuar njerëzit që jetojnë në vendbanimet e vendosura lart në Ande të fitojnë njohuri të saktë për të dhe për qëllimet e tij.—Isaia 12:3; Gjoni 17:3.
Meqenëse është vullneti i Perëndisë që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të arrijnë në njohurinë e saktë të së vërtetës», këta shërbëtorë nuk i kursejnë përpjekjet për të vizituar zonat e vështira për t’u arritur, për t’u dhënë mesazhin jetëdhënës nga Bibla. (1 Timoteut 2:4) Ky mesazh i bazuar në Bibël është ndriçues dhe fisnik. Njerëzit me zemër të ndershme të këtij vendi i ka çliruar nga besëtytnitë, zakonet dhe idetë që i bënin të kishin frikë nga të vdekurit, nga frymërat e liga dhe nga forcat e natyrës. Ç’është më e rëndësishmja, ky mesazh u jep atyre shpresën e lavdishme të jetës së pafundme në një tokë parajsore.
Përpjekjet që bëhen
Predikuesve të Mbretërisë që vizitojnë këto zona të largëta u është dashur të bëjnë shumë rregullime. Për të arritur në zemrat e njerëzve, mësuesit e Biblës duhet të kenë njëfarë njohurie për gjuhën ketçua dhe aimara, dy gjuhët vendase.
Të arrish deri në fshatrat e Andeve nuk është e lehtë. Në ato zona nuk ka shumë hekurudha. Transporti është i pasigurt dhe në të ndikon shumë moti i keq dhe topografia e pazakontë. Si arrijnë, atëherë, Dëshmitarët që të shkojnë te njerëzit për t’u çuar mesazhin e Mbretërisë?
Predikuesit e guximshëm të lajmit të mirë kanë marrë përsipër sfidën dhe janë përgjigjur me frymën e profetit Isaia: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isaia 6:8) Këta predikues kanë përdorur tri shtëpi të lëvizshme për të udhëtuar në zonat veriore, qendrore dhe jugore. Të pajisur me shumë kuti me Bibla dhe literaturë biblike, pionierët e zellshëm ose siç quhen ndryshe shërbëtorë në kohë të plotë, kanë mbjellë farërat e së vërtetës biblike te njerëzit miqësorë, mikpritës dhe me zemër të çiltër që jetojnë atje.
Kthesat e rrugëve malore janë veçanërisht të rrezikshme. Për të kaluar disa prej tyre, automjetet duhet të ecin me zigzage. Gjatë një manovre të tillë, një misionar që ishte ulur në ndenjësen e pasme të një autobusi pa nga dritarja dhe vuri re se një nga rrotat e prapme ishte tamam buzë një gremine të thellë më shumë se 190 metra! Ai mbylli sytë derisa autobusi kaloi.
Disa rrugë janë në gjendje të keqe dhe shumë të ngushta. Duke manovruar nëpër këtë terren të thyer, një nga shtëpitë e lëvizshme po udhëtonte nëpër një rrugë të ngushtë, kur hasi një kamion që vinte nga ana e kundërt. U desh që shtëpia e lëvizshme të kthehej lart në kodër, deri në një vend ku dy makinat mezi arritën të kalonin përbri njëra-tjetrës.
Gjithsesi, pasojat e këtyre përpjekjeve të vazhdueshme kanë qenë të jashtëzakonshme. A do t’ju pëlqente të dinit më shumë rreth këtyre përpjekjeve?
«Ujitin» liqenin Titikakë
I ndodhur në një basen të Andeve, 3.800 metra mbi nivelin e detit, liqeni Titikakë është masa ujore e brendshme më e lartë e lundrueshme në botë. Maja malesh të mbuluara me borë, disa prej të cilave më shumë se 6.400 metra të larta, krijojnë pjesën më të madhe të 25 lumenjve që ushqejnë liqenin Titikakë. Për shkak të lartësisë,
klima është e ftohtë dhe ata që nuk janë nga ajo zonë duhet të përballojnë sëmundjen e lartësisë.Ca kohë më parë, një grup pionierësh që flitnin gjuhët ketçua dhe aimara bënë një udhëtim në ishujt Amantani dhe Takile, që ndodhen në liqenin Titikakë. Morën me vete një film me diapozitiva të titulluar «Një vështrim nga afër i kishave», një shqyrtim i hapur i mashtrimeve të të ashtuquajturit krishterim. Kjo u prit mirë. Një burrë i mirëpriti vëllezërit dhe u la një dhomë me hapësirë në shtëpinë e tij, ku mund të qëndronin dhe t’u mësonin Biblën të tjerëve.
Mbledhja e parë në Amantani u ndoq nga 100 veta, kurse mbledhja në Takile u ndoq nga 140. Prezantimi u bë në gjuhën ketçua. Një çift që më parë kishte jetuar në kontinent tha: «Ishte tamam koha që Dëshmitarët e Jehovait të kujtoheshin për ne. Jemi lutur që të na vinit.»
Përveç këtyre dy ishujve më të mëdhenj, edhe disa nga 40 ishujt «lundrues» të llogaritur në liqenin Titikakë janë predikuar me lajmin e mirë. Ishuj lundrues? Po, këta ishuj janë bërë prej sitke, lloj kallami që rritet në disa zona më të cekëta të liqenit. Sitkat dalin mbi ujë dhe shtrihen mbi sipërfaqen e tij. Për të bërë një ishull, vendësit i lidhin kallamat që janë ende me rrënjët në fund të liqenit dhe i thurin për të krijuar një taban. Pastaj, ky taban mbushet me baltë dhe përforcohet me kallama të tjerë të prerë. Njerëzit jetojnë në kasolle kallamash që ndërtohen në majë të këtyre ishujve.
Dëshmitarët e Jehovait blenë një varkë për t’u predikuar njerëzve në ishujt e liqenit Titikakë. Varka mban deri në 16 veta. Pasi ndalojnë nëpër ishujt lundrues, Dëshmitarët ecin nëpër tabanin prej kallami, duke shkuar në çdo banesë. Ata thonë se zakonisht ndiejnë një lëvizje të lehtë në sipërfaqen nën këmbët e tyre. Sigurisht, ky nuk është një vend për ata që vuajnë nga sëmundja e detit!
Sa për popullsinë që flet aimara, ata banojnë nëpër vendbanimet dhe fshatrat e shumta përgjatë brigjeve dhe në gadishujt që dalin në liqen. Këta gadishuj arrihen më lehtë me varkë, sesa me këmbë. Gjithsej, përllogaritet se afro 400.000 njerëz jetojnë në zonën që arrijnë këto varka me mesazhin e Mbretërisë. Varkat do të jenë plot me punë për ca kohë në të ardhmen.
Shuajnë etjen frymore
Flavioja jetonte në fshatin Santa-Lusia, afër Huljakës, në Ande. Në kishën e tij evangjeliste i ishte mësuar doktrina e ferrit të zjarrtë. Për vite të tëra, kishte jetuar me frikën e një ndëshkimi të tillë të përjetshëm me zjarr. Shpesh pyeste veten se si një Perëndi i dashurisë mund t’i torturonte pafundësisht njerëzit në zjarr. Kur Titoja, një Dëshmitar i Jehovait në shërbim të plotkohor, vizitoi këtë fshat, ai takoi Flavion.
Një nga pyetjet e para që bëri Flavioja ishte: «A mëson feja juaj se njerëzit torturohen në ferrin e zjarrtë?» Titoja u përgjigj se një ide e tillë është e neveritshme për Krijuesin dhe sjell sharje për emrin e Jehovait, i cili është Perëndia i dashurisë. Duke përdorur Biblën që kishte vetë Flavioja, Titoja i tregoi se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm për asgjë dhe se presin një ringjallje tokësore nën Mbretërinë e Perëndisë. (Predikuesi 9:5; Gjoni 5:28, 29) Kjo ia hapi sytë Flavios. Menjëherë pranoi një studim biblik dhe shpejt u bë një i krishterë i pagëzuar.
Një fshat mirënjohës
Përfytyroni sa rrëqethëse është t’u çosh Shkrimet banorëve të fshatrave që nuk kanë parë kurrë më parë një Bibël ose të predikosh në fshatra ku njerëzit nuk kanë dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait ose për lajmin e mirë që predikojnë ata! Kjo është përvoja e tri motrave pioniere—Rozës, Alisjas dhe Sesiljas—që predikuan në fshatrat Iskuçaka dhe Konajka, të cilat ndodhen në një lartësi më shumë se 3.600 metra në Perunë Qendrore.
Kur arritën në fshatin e parë, ato nuk kishin vend ku të rrinin. Folën me shefin e policisë së fshatit, duke i shpjeguar arsyen e ardhjes së tyre. Cila qe pasoja? Ai i la të qëndronin atë natë në degën e policisë. Ditën tjetër, pionieret arritën të gjenin një vendbanim më të qëndrueshëm, i cili u bë qendra e veprimtarisë së tyre.
Shpejt, erdhi koha për Përkujtimin vjetor të vdekjes së Krishtit. Pionieret kishin shkuar në të gjitha shtëpitë në fshatin Iskuçaka, kishin lënë shumë Bibla dhe kishin filluar disa studime biblike. Para Përkujtimit, shpërndanë ftesa për këtë ngjarje, duke shpjeguar qëllimin e kremtimit dhe domethënien e emblemave të përdorura gjatë përkujtimit. Një grup vëllezërish ishin ftuar për të ndihmuar në këtë rast dhe njëri prej tyre mbajti fjalimin. Sa gëzim ishte të shihje nga ai fshat i vogël 50 veta të pranishëm në këtë ngjarje të veçantë! Për herë të parë, ata arritën të kuptonin çfarë do të thotë vërtet Darka e Zotërisë. Gjithashtu, sa gjë e çmuar ishte për ta të kishin Fjalën e Perëndisë në duart e tyre!
Çlirim nga barrët e rënda
T’u çosh ujin freskues të së vërtetës biblike robërve të fesë së rreme është gjithnjë një gëzim. Pisaku ishte një kështjellë e Perandorisë së lashtë Inkase. Shumicës së njerëzve që jetojnë aty sot u është mësuar mësimi jobiblik i ferrit të zjarrtë. Priftërinjtë u thonë se mund të shkojnë në qiell vetëm me anë të ndërhyrjeve të priftërinjve.
Kuptohet që këta njerëz janë të etur për ujërat freskuese të së vërtetës biblike. Kur po predikonte nga shtëpia në shtëpi, Santiagoja, një Dëshmitar i Jehovait në shërbim të plotkohor, pati rastin t’i shpjegonte një burri se të drejtët do të jetojnë në një tokë parajsore. (Psalmi 37:11) Santiagoja i tregoi nga Bibla se të vdekurit do të ringjallen dhe se njerëzimi do të mësohet në udhët e përsosura të Jehovait, duke pasur si perspektivë jetën e përhershme. (Isaia 11:9) Deri në atë kohë, ai burrë kishte qenë katolik i devotshëm, ishte përzier me spiritizmin dhe ishte i dhënë shumë pas alkoolit. Tani kishte një shpresë të bazuar në Bibël dhe një qëllim në jetë: të jetonte në Parajsë. I dogji të gjitha sendet spiritiste dhe hoqi dorë nga dehja. Mblodhi gjithë familjen e tij dhe pranoi t’u bëhej një studim biblik. Me kohë, të gjithë në atë familje iu dedikuan Perëndisë Jehova dhe u pagëzuan.
Mikpritja është e pëlqyeshme
Banorët e maleve janë shumë mikpritës. Ndonëse shtëpitë janë të thjeshta dhe njerëzit nuk kanë shumë nga ana materiale, ata u japin vizitorëve gjithçka që kanë. Para se të mësojë normat e larta të Biblës, ndonjë pronar shtëpie mund t’i servirë vizitorit gjethe koke për të përtypur, ndërsa bëjnë muhabet. Por, kur bëhet Dëshmitar, mund t’i servirë një lugë sheqer, i cili ka të njëjtën vlerë me gjethet e kokës në provincat e veçuara.
Një vëlla i kërkoi një misionari që ta shoqëronte për të bërë një rivizitë. Pasi u ngjitën me vështirësi në një shteg mali të ngushtë, përplasën duart për t’i bërë të ditur të zotit të shtëpisë se kishin ardhur. I ftuan brenda shtëpisë me çati kashte, ku iu desh të përkuleshin për të kaluar nëpër derën e ulët. Me kujdes kaluan përqark qendrës së dyshemesë prej dheu, ku nëna kishte bërë një vrimë, kishte shtruar një batanije dhe kishte vendosur foshnjën e saj. Në pamundësi për të dalë prej aty, kjo foshnjë kënaqej duke gugatur dhe duke belbëzuar e lumtur, ndërsa të rriturit flitnin. Pasi kishin bërë një bisedë të gjallë për bekimet e Mbretërisë, gruaja nxori një enë të gjatë me pijen vendëse. Shumë shpejt, vëllezërit ishin në rrugë duke zbritur nga mali, për të bërë rivizita të tjera.
Një korrje e bollshme
Tani, në këtë rajon ka rreth njëqind grupe të veçuara me më shumë se një mijë veta që po studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Të diplomuar të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Limë po dërgohen për t’i ndihmuar këto grupe që të bëhen kongregacione. Njerëzit me zemër të drejtë që kanë qenë robër të fesë së rreme dhe të besëtytnive për kaq shumë kohë, kanë gjetur lirinë nëpërmjet lajmit të mirë të Mbretërisë! (Gjoni 8:32) Dëshira e tyre për ujërat e së vërtetës po plotësohet.
[Figura në faqen 10]
Duke dhënë dëshmi në ishujt «lundrues» të liqenit Titikakë