«Dita e tolerancës fetare»
«Dita e tolerancës fetare»
E TËRHEQUR nga një bisedë që kishte bërë me Dëshmitarët e Jehovait, drejtoresha e një shkolle në Poloni vendosi të mbante një «Ditë të tolerancës fetare» në shkollën e saj. Ajo këshilloi që disa nxënës, të cilët do të dilnin vullnetarë—katolikë, budistë dhe Dëshmitarë të Jehovait—të përgatitnin prezantime të shkurtra për t’i njohur nxënësit e tjerë me bindjet dhe praktikat e tyre. Tre adoleshentë Dëshmitarë të Jehovait dolën menjëherë vullnetarë.
Kur erdhi dita, e para që foli ishte Malvina 15-vjeçare. Pjesërisht, ajo tha: «Shumë nga ju na njihnit më përpara se të vinim në këtë shkollë, sepse ju kishim ardhur në shtëpi. Ndoshta pyetni veten përse vazhdojmë ta bëjmë këtë. E bëjmë sepse ndjekim shembullin e Jezu Krishtit, Themeluesit të krishterimit. Ai e predikoi lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë kudo ku mund të gjente njerëz. Apostujt dhe të krishterët e tjerë të hershëm vepruan po kështu. Në shumë vende, Dëshmitarët e Jehovait përballojnë sprova të vështira të besimit, por jemi të lumtur që në shkollën tonë jetojmë në paqe, për të cilën të gjithë ju jepni një ndihmesë. Ju falënderojmë për këtë!»
Në përfundim të prezantimit të saj, Malvina tha: «Ka edhe një arsye tjetër përse vijmë në shtëpitë tuaja. Ne interesohemi për ju. Bibla thotë se së shpejti njerëzimi do të përjetojë ngjarje që do të tronditin botën. Prandaj, herën tjetër kur të trokasim në derën tuaj, ju lutemi, na kushtoni kohë për të na dëgjuar. Do të dëshironim t’ju tregonim se si mund të jetojmë së bashku përgjithmonë në një parajsë në tokë.»
Pas Malvinës foli Matjushi, edhe ai 15-vjeçar. Matjushi i tha auditorit se gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur metoda të ndryshme për ta përhapur lajmin e mirë. Për shembull, në vitin 1914—gjatë epokës së filmave pa zë—Dëshmitarët po shfaqnin «Foto-Dramën e Krijimit», e cila ishte një prezantim me diapozitiva dhe filmime që përfshinte zë të sinkronizuar.
Matjushi foli për rolin e radios në përhapjen e mesazhit të Mbretërisë dhe, më pas, përshkroi sistemin unik të kompjuterizuar shumëgjuhësh për fotoradhimin elektronik (MEPS), të cilin e kanë zhvilluar Dëshmitarët e Jehovait. Tregoi, gjithashtu, se si Dëshmitarët e Jehovait kanë dhënë ndihmesë për t’i informuar mjekët lidhur me teknikat e mjekimit pa gjak. «Tani, mjekë të shquar polakë komentojnë në mënyrë të favorshme për qëndrimin tonë dhe theksojnë se çdo vit, gjithnjë e më shumë pacientë që nuk janë Dëshmitarë, po operohen pa gjak»,—tha ai.
Matjushi përfundoi duke folur për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe tha: «A do të dëshironit të vizitonit sallën tonë? Hyrja është e lirë dhe nuk bëhet mbledhje parash.» Duke folur për qendrën e kongreseve në Sosnovjets, Matjushi tha: «Duhet ta shihni këtë strukturë të madhe e funksionale. Përse të mos shkojmë së bashku? Kemi një sugjerim dhe shoqja jonë, Katarzhina, do t’ju flasë për këtë.»
Pastaj, Katarzhina 15-vjeçare tha me entuziazëm: «Jeni të mirëpritur të vini në Sosnovjets për kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait. Do të trajtohen tema që u interesojnë të rinjve.» Katarzhina foli edhe për kremtimin kryesor për të krishterët, Përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit. Ajo i inkurajoi dëgjuesit: «Vitin e kaluar, më shumë se 14 milionë njerëz në tërë botën e ndoqën këtë kremtim. Përse të mos vini edhe ju herën tjetër?»
Pas prezantimeve të tyre, Malvina, Matjushi dhe Katarzhina u paraqitën mësuesve librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, bashkë me dy videokaseta që trajtojnë bindjet dhe veprimtarinë e Dëshmitarëve të Jehovait. * Mësuesit i pranuan me vlerësim këto botime dhe premtuan t’i përdorin në lëndën e historisë.
Në fund të sesionit, Martina 12-vjeçare luajti për të gjithë të pranishmit këngën me titull: «Të falënderojmë, o Jehova!» Këta Dëshmitarë me moshë të re ‘morën guxim me anë të Perëndisë së tyre’ dhe dhanë një dëshmi të shkëlqyer. (1 Selanikasve 2:2) Sa shembull i shkëlqyer për Dëshmitarët e rinj në moshë kudo qofshin!
[Shënimi]
^ par. 9 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 26]
Katarzhina duke zgjedhur shkrime për prezantimin
[Figura në faqen 26]
Malvina duke u përgatitur për prezantimin disa ditë përpara se ta paraqiste në shkollë