Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ju duhet një ndërgjegje e stërvitur

Ju duhet një ndërgjegje e stërvitur

Ju duhet një ndërgjegje e stërvitur

Kishte shenja se do të ishte një ditë e paharrueshme për pasagjerët dhe ekuipazhin që ndodhej në fluturimin 901 me avionin e linjës Air New Zealand për në Antarktidë. Kamerat ishin gati dhe mbizotëronte një atmosferë festive, ndërsa avioni DC-10 i afrohej kontinentit të bardhë duke fluturuar në nivel të ulët për të siguruar një pamje madhështore.

KAPITENI, i cili kishte qenë pilot për 15 vjet, kishte grumbulluar më shumë se 11.000 orë fluturim. Para nisjes, ai me kujdes kishte futur në kompjuterin e avionit planin e fluturimit, pa qenë në dijeni se koordinatat që i ishin dhënë nuk ishin të sakta. Duke fluturuar përmes një reje, nën vetëm 600 metra lartësi, avioni DC-10 u përplas me shpatet e ulëta të malit Erebus, duke i lënë të vrarë të 257 personat që ishin në bord.

Ashtu sikurse sot avionët mbështeten te kompjuterët që t’i drejtojnë nëpër hapësirën ajrore, njerëzve u është dhënë një ndërgjegje që t’i drejtojë në shtegun e jetës. Tragjedia e tmerrshme e fluturimit 901 mund të na japë disa mësime të fuqishme për sa i përket ndërgjegjes sonë. Për shembull, ashtu si siguria e fluturimit varet nga një sistem drejtues që funksionon siç duhet dhe nga pika të sakta referimi, po kështu mirëqenia jonë frymore, morale e, madje, edhe fizike, varet nga një ndërgjegje e ndjeshme, e udhëhequr nga pika të sakta morale referimi.

Mjerisht, në botën e sotme këto pika referimi po zhduken me të shpejtë ose po shpërfillen. «Sot dëgjojmë shumë se si një nxënës mesatar në Shtetet e Bashkuara nuk di të lexojë, nuk di të shkruajë dhe me vështirësi e gjen se ku është Franca në hartë,—tha një mësuese amerikane.—Po kështu, është e vërtetë se ky nxënës mesatar e ka të vështirë të dallojë të drejtën nga e gabuara. Bashkë me analfabetizmin dhe injorancën në matematikë, listës së problemeve të arsimimit duhet t’i shtojmë edhe pështjellimin e thellë moral.» Ajo vërejti, gjithashtu, se «të rinjtë e sotëm jetojnë në një mjegull morale. Pyete njërin prej tyre nëse ekzistojnë gjëra të tilla, si ‘e drejta dhe e gabuara’ dhe papritur do të kesh përballë një individ të pështjelluar, të cilit i është lidhur gjuha, nervoz e të pasigurt. . . . Kur ata shkojnë në kolegj, ky pështjellim, në vend që të përmirësohet, keqësohet edhe më shumë».

Një shkak i këtij pështjellimi është relativizmi moral, një pikëpamje shumë e përhapur se normat ndryshojnë sipas shijeve personale ose kulturore. Përfytyroni çfarë do të ndodhte sikur pilotët të mos fluturonin sipas pikave të përcaktuara të referimit, por sipas dritave që zhvendoseshin në mënyrë të paparashikuar e që disa herë zhdukeshin fare! Pa dyshim, katastrofat si ajo e malit Erebus do të ishin të zakonshme. Në mënyrë të ngjashme, pasi ka braktisur normat e përcaktuara morale, bota po korr gjithnjë e më shumë mjerime dhe vdekje, ndërsa familjet përçahen nga jobesnikëria në martesë dhe miliona veta vuajnë për shkak të SIDA-s ose të ndonjë sëmundjeje tjetër të transmetuar me rrugë seksuale.

Relativizmi moral mund të duket si diçka e stërholluar, por, në të vërtetë, pasuesit e tij janë si ninevitët e lashtë që nuk dallonin dot «të djathtën e tyre nga e majta e tyre». Praktikuesit e relativizmit moral u ngjajnë izraelitëve apostatë, të cilët thoshin se ‘e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë’.—Jona 4:11; Isaia 5:20.

Atëherë, ku mund të drejtohemi për të marrë ligje dhe parime të qarta e jo të turbullta, me të cilat të stërvitim ndërgjegjen në mënyrë që të jetë një udhërrëfyese e sigurt? Miliona veta kanë zbuluar se Bibla e plotëson në mënyrë të përsosur këtë nevojë. Që nga ana morale e deri te qëndrimi ndaj punës dhe që nga stërvitja e fëmijëve e deri tek adhurimi i Perëndisë, Bibla nuk lë jashtë asnjë gjë të rëndësishme. (2 Timoteut 3:16) Ajo ka dalë plotësisht e besueshme gjatë shekujve. Duke qenë se normat morale të Biblës u vendosën nga autoriteti më i lartë, Krijuesi ynë, ato u përkasin të gjithë njerëzve. Prandaj, nuk kemi asnjë arsye për të bërë një jetë me pasiguri morale.

Megjithatë, në ditët e sotme ndërgjegjja juaj po has sulme më shumë se kurrë më parë. Si është e mundur kjo? Gjithashtu, si mund ta ruani ndërgjegjen? Një mënyrë e mirë për të filluar, është të njihni burimin e këtij sulmi dhe cilat janë taktikat e tij. Këto do të trajtohen në artikullin vijues.