Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një jetë e pasur në shërbim të Jehovait

Një jetë e pasur në shërbim të Jehovait

Jetëshkrim

Një jetë e pasur në shërbim të Jehovait

TREGUAR NGA RASËLL KURZENI

Kam lindur më 22 shtator 1907, shtatë vjet para epokës së pazakontë që filloi me shpërthimin e Luftës I Botërore. Familja jonë ishte e pasur në kuptimin më të rëndësishëm. Pasi të mësoni disa hollësi të historisë sonë, mendoj se edhe ju do të jeni të këtij mendimi.

QË KUR ishte e vogël, gjyshja Kurzen tashmë po e kërkonte të vërtetën për Perëndinë. Para se të arrinte moshën e adoleshencës, ajo kishte shkuar në disa kisha të ndryshme në qytetin e saj piktoresk të Spicit, në Zvicër. Në vitin 1887, disa vjet pasi gjyshja ishte martuar, familja Kurzen u bashkua me radhët e emigrantëve që zbarkonin në brigjet e Shteteve të Bashkuara.

Familja u vendos në Ohajo ku, rreth vitit 1900, gjyshja gjeti thesarin që kishte kërkuar. Këtë thesar e gjeti në faqet e librit në gjuhën gjermane me titull Koha është afër të Çarlz Tejz Rasëllit. Menjëherë e dalloi se ajo që po lexonte atje përmbante dritën e së vërtetës biblike. Ndonëse mezi lexonte anglisht, gjyshja u pajtua në revistën Kulla e Rojës në anglisht. Kështu, mësoi të vërteta të tjera biblike dhe, në të njëjtën kohë, gjuhën angleze. Gjyshi nuk pati kurrë të njëjtin interes si e shoqja për gjërat frymore.

Nga 11 fëmijët e gjyshes Kurzen, vetëm 2 djem, Xhoni dhe Adolfi, e vlerësuan thesarin frymor që kishte gjetur ajo. Xhoni ishte babai im dhe u pagëzua në vitin 1904 në kongresin që mbajtën në Sent-Luis, Misuri, Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Meqë shumë Studentë të Biblës kishin të ardhura modeste, kongresi u programua në të njëjtën kohë me Panairin Botëror në Sent-Luis, në mënyrë që ata të përfitonin nga çmimi i reduktuar i biletës së trenave. Më vonë, në vitin 1907, xhaxhai im, Adolfi, u pagëzua në një kongres në Niagara Folls, Nju-Jork. Babai dhe xhaxhai im e predikonin me zell atë që kishin mësuar nga Bibla dhe që të dy u bënë shërbëtorë të plotkohorë (që tani quhen pionierë).

Kështu, në kohën kur linda unë, në vitin 1907, familja ishte tashmë e pasur, duke folur në kuptimin frymor. (Fjalët e urta 10:22) Në vitin 1908 isha vetëm një foshnjë kur prindërit, Xhoni dhe Ida, më çuan në kongresin «Përpara drejt fitores» në Put-in-Bej, Ohajo. Atje, drejtues i kongresit ishte Xhozef F. Radhërfordi, që atëherë ishte shërbëtor udhëtues. Disa javë më parë, ai kishte qenë në Dalton, Ohajo, ku na kishte bërë vizitë në shtëpi dhe kishte mbajtur fjalime për Studentët e Biblës që ishin atje.

Sigurisht, unë nuk i mbaj mend personalisht këto ngjarje, por më kujtohet kongresi në Mauntin Lejk Park, Merilend, në vitin 1911. Atje, unë dhe motra më e vogël, Esteri, takuam Çarlz Tejz Rasëllin, i cili kishte mbikëqyrjen e veprimtarisë mbarëbotërore të predikimit të Studentëve të Biblës.

Më 28 qershor 1914, ditën kur bota u përfshi në luftë pas vrasjes në Sarajevë të arkidukës Ferdinand dhe gruas së tij, unë ndoqa bashkë me familjen një kongres paqësor në Kolumbus, Ohajo. Që nga ato vite të hershme, kam pasur privilegjin të jem në shumë kongrese të popullit të Jehovait. Disa prej tyre ishin grumbullime vetëm me afro njëqind veta. Të tjerat ishin grumbullime masive, në disa nga stadiumet më të mëdha të botës.

Shtëpia jonë në vend strategjik

Nga viti 1908 deri në vitin 1918, shtëpia jonë në Dalton—që ndodhet në gjysmë të rrugës midis Pitsburgut, Pensilvani, dhe Klivlendit, Ohajo—u përdor për mbledhjet e një kongregacioni të vogël Studentësh të Biblës. Shtëpia jonë u bë një lloj qendre mikpritjeje për shumë oratorë udhëtues. Ata lidhnin kuajt dhe kaloshinat pas hangarit të shtëpisë sonë dhe u tregonin përvoja entuziazmuese e thesare të tjera frymore atyre që ishin mbledhur. Sa kohë inkurajuese që ishin!

Babai punonte si mësues, por zemrën e kishte në veprën më të madhe të mësimdhënies, në shërbimin e krishterë. Ai sigurohej që t’i mësonte familjes për Jehovain dhe çdo mbrëmje luteshim së bashku si familje. Në pranverën e vitit 1919, babai shiti kalin e kaloshinën dhe me 175 dollarë bleu një makinë Ford 1914, që të arrinte të takonte më shumë njerëz në veprën e predikimit. Në vitin 1919 dhe në vitin 1922, me atë makinë shkuam familjarisht në kongrese historike të Studentëve të Biblës në Sidër-Point, Ohajo.

E gjithë familja—mamaja, babai, Esteri, vëllai im i vogël Xhoni dhe unë—merrnim pjesë të tërë në veprën e predikimit publik. Më kujtohet mirë hera e parë kur një pronar shtëpie më bëri një pyetje nga Bibla. Isha rreth 7 vjeç. «Vogëlush, çfarë është Harmagedoni?»—pyeti burri. Me pak ndihmë nga babai, arrita t’i jepja përgjigjen nga Bibla.

Hyj në shërbimin e plotkohor

Në vitin 1931, familja ndoqi kongresin në Kolumbus, Ohajo, ku u drithëruam që morëm emrin e ri, Dëshmitarë të Jehovait. Xhoni ishte kaq entuziast saqë vendosi që unë dhe ai duhej të hynim në veprën e pionierit. * Kështu bëmë dhe me ne u bashkuan edhe mamaja, babai dhe Esteri. Çfarë thesari që kishim: një familje të bashkuar në veprën e gëzueshme të predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë! Nuk lodhem kurrë së falënderuari Jehovain për këtë bekim. Megjithatë, ndonëse ishim shumë të lumtur, edhe më shumë gëzime na pritnin.

Në shkurt të vitit 1934 fillova të shërbeja në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait (që quhet Bethel) në Bruklin, Nju-Jork. Xhoni erdhi disa javë më vonë. Ishim bashkë në dhomë, deri kur u martua me gruan e tij të dashur, Xhesin, në vitin 1953.

Pasi unë dhe Xhoni shkuam në Bethel, prindërit pranuan caktime për të shërbyer si pionierë në pjesë të ndryshme të vendit. Esteri dhe burri i saj, Xhorxh Ridi, i shoqëruan. Prindërit vazhduan të shërbenin si pionierë deri kur mbaruan rrugën tokësore, në vitin 1963. Esteri dhe burri i saj patën një familje të shkëlqyer dhe jam bekuar me nipër dhe mbesa që i dua shumë.

Puna dhe shoqëria në Bethel

Në Bethel, Xhoni vuri në punë aftësitë e tij teknike dhe bashkëpunoi me bethelitë të tjerë në projekte të tilla, si prodhimi i gramafonëve portativë. Mijëra Dëshmitarë të Jehovait i përdorën këta gramafonë në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Gjithashtu, Xhoni ndihmoi për projektimin dhe ndërtimin e makinerive për mbështjelljen dhe etiketimin e revistave, të cilat u dërgoheshin personave që ishin pajtuar në to.

Unë shërbimin në Bethel e fillova në libralidhje. Në atë kohë, në fabrikë punonin edhe të rinj të tjerë që ende shërbejnë me besnikëri në Bethel. Këtu përfshihen Keri Barberi dhe Robert Hatsfelti. Ndër të tjerë që i kujtoj me përzemërsi, por që tani kanë vdekur, janë: Nejthën Nori, Karl Klejni, Lajman Suingëlli, Klaus Xhenseni, Grant Sjutëri, Xhorxh Gangasi, Orin Hibërdi, Xhon Siorasi, Robert Pejni, Çarlz Fekëli, Beno Burçiku dhe Xhon Perri. Ata vazhduan në atë punë vit pas viti, pa u ankuar asnjëherë ose pa pritur ndonjë «ngritje në përgjegjësi». Gjithsesi, për disa nga këta të krishterë besnikë të mirosur nga fryma, me rritjen e organizatës pati përgjegjësi më të mëdha. Disa shërbyen edhe në Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

Puna me këta vëllezër vetëmohues më dha një mësim të rëndësishëm. Në punët normale, punëtorëve u jepet një pagë në para për mundin e tyre. Ky është shpërblimi që marrin. Shërbimi në Bethel jep bekime të pasura frymore dhe vetëm burrat frymorë e gratë frymore i çmojnë këto shpërblime.—1 Korintasve 2:6-16.

Nejthën Nori, i cili ishte adoleshent kur erdhi në Bethel në vitin 1923, në vitet 30 ishte mbikëqyrësi i fabrikës. Ai kalonte në gjithë fabrikën çdo ditë për të përshëndetur çdo punëtor. Ne që ishim të rinj në Bethel e çmonim këtë interes personal. Në vitin 1936, morëm një makinë të re shtypshkronje nga Gjermania dhe disa nga vëllezërit e rinj e kishin të vështirë ta montonin. Kështu, vëllai Nor veshi një palë kominoshe dhe punoi bashkë me ta për më shumë se një muaj, deri sa arritën ta vinin në punë.

Vëllai Nor punonte kaq shumë, saqë shumica prej nesh nuk ia dilnim t’i shkonim pas. Por, dinte edhe si të çlodhej. Edhe pasi kishte marrë mbikëqyrjen e veprimtarisë mbarëbotërore të predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait në janar të vitit 1942, disa herë ai luante bejzboll me anëtarët e familjes Bethel dhe me studentët e shkollës së Galaadit për misionarë, në kompleksin afër Lansingut Jugor, në Nju-Jork.

Në prill të vitit 1950, familja Bethel u transferua në pjesën dhjetëkatëshe të sapondërtuar të ndërtesave të banimit në adresën 124 Columbia Heights, Bruklin, Nju-Jork. Salla e re e ngrënies na jepte mundësi të uleshim të gjithë së bashku për të ngrënë. Gjatë pothuajse tre viteve të ndërtimit të kësaj godine, nuk kishim mundësi të mbanim programin e adhurimit të mëngjesit. Sa u gëzuam kur u arrit të rifillohej prapë ky program! Vëllai Nor më caktoi të ulesha bashkë me të në tryezën e drejtuesit, që ta ndihmoja të kujtonte emrat e anëtarëve më të rinj të familjes sonë. Për 50 vjet u ula në po atë vend, për adhurimin e mëngjesit dhe për të ngrënë mëngjesin. Pastaj, më 4 gusht 2000, ajo sallë ngrënieje u mbyll dhe më caktuan në një nga sallat e rinovuara të ngrënies në atë që më parë ishte hoteli Tauers.

Për ca kohë në vitet 50, punova në fabrikë me një makineri linotipi, duke përgatitur radhë të derdhura shkronjash, të cilat radhiteshin në faqe, si pjesë e procesit të prodhimit të pllakave për të shtypur. Nuk ishte ndër punët që më pëlqenin më shumë, por Uilliam Pitersoni, i cili kishte mbikëqyrjen e makinerive, ishte kaq i përzemërt me mua, saqë, gjithsesi, e kalova me gëzim kohën atje. Pastaj, në vitin 1960, duheshin disa vullnetarë për të lyer godinën e sapondërtuar të banimit në adresën 107 Columbia Heights. Me kënaqësi vura në dispozicion shërbimet e mia për të ndihmuar me përgatitjen e këtyre ndërtesave të reja për familjen Bethel që po rritej në numër.

Jo shumë kohë pasi përfundoi lyerja e ndërtesës në 107 Columbia Heights, ishte një e papritur e këndshme kur më caktuan punën për të mirëpritur vizitorët në Bethel. Ato 40 vite të fundit që kam shërbyer si recepsionist, ishin më të mrekullueshmet që kam kaluar në Bethel. Cilëtdo që hynin në derë, vizitorë ose anëtarë të rinj të familjes Bethel, ishte emocionuese të meditoja rreth fryteve të përpjekjeve tona të përbashkëta për të punuar për rritjen e Mbretërisë.

Studiues të zellshëm të Biblës

Familja jonë Bethel është e begatë frymësisht, sepse anëtarët e saj e duan Biblën. Kur erdha në fillim në Bethel, pyeta Ema Hamiltonin, e cila punonte si redaktore, sa herë e kishte lexuar Biblën. «Tridhjetë e pesë herë,—u përgjigj ajo,—pastaj nuk i kam numëruar më.» Anton Kerbëri, një tjetër i krishterë i fortë që shërbeu në Bethel afërsisht në të njëjtën kohë me Emën, thoshte: «Asnjëherë mos e mbani një Bibël më larg sesa ju arrin krahu.»

Pas vdekjes së vëllait Rasëll në vitin 1916, përgjegjësitë organizative që kishte mbajtur Rasëlli i mori përsipër Xhozef F. Radhërfordi. Radhërfordi ishte një orator i përgatitur i cili, si avokat, mbrojti raste gjyqësore për Dëshmitarët e Jehovait para Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Pas vdekjes së vëllait Radhërford në vitin 1942, vendin e tij e zuri vëllai Nor, i cili punoi shumë për të zhvilluar aftësitë e tij në oratori. Meqë jetoja në një dhomë afër dhomës së tij, shpesh e dëgjoja të praktikonte fjalimet e tij disa herë me radhë. Me kohë, falë këtyre përpjekjeve të zellshme, u bë një orator i shkëlqyer.

Në shkurt të vitit 1942, vëllai Nor ndihmoi për hartimin e një programi, për të na ndihmuar të gjithëve ne vëllezërve në Bethel që të përmirësonim aftësinë tonë të mësimdhënies dhe të të folurit. Shkolla u përqendrua në kërkime biblike dhe të folurin në publik. Në fillim, secili prej nesh u caktua të mbante fjalime të shkurtra për personazhe biblike. Fjalimi im i parë ishte për Moisiun. Në vitin 1943, një shkollë e ngjashme u fillua në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe ka vazhduar deri sot e kësaj dite. Në Bethel, theksi është ende që të fitohet njohuri biblike dhe të zhvillohen metoda të efektshme mësimdhënieje.

Në shkurt të vitit 1943 filloi klasa e parë e shkollës misionare të Galaadit. Tani, sapo është diplomuar klasa e 111-të e Galaadit! Në më shumë se 58 vitet e funksionimit të saj, shkolla ka siguruar stërvitje për më shumë se 7.000 veta, me qëllim që të shërbejnë si misionarë në mbarë botën. Është domethënëse se në vitin 1943, kur filloi shkolla, në mbarë botën kishte vetëm pak më shumë se 100.000 Dëshmitarë të Jehovait. Tani, ka më shumë se 6.000.000 që marrin pjesë në predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.

Mirënjohës për trashëgiminë time frymore

Tamam para themelimit të Galaadit, tre nga ne bethelitët u caktuan të vizitonin kongregacionet në gjithë Shtetet e Bashkuara. Qëndronim për një ditë, disa ditë ose edhe një javë, duke u përpjekur të forconim frymësisht këto kongregacione. Quheshim shërbëtorë për vëllezërit, një emërtim që më vonë u ndryshua në shërbëtor qarkor ose mbikëqyrës qarkor. Megjithatë, jo shumë pasi u hap Shkolla e Galaadit, më kërkuan të kthehesha që të jepja mësim në disa klasa. Shërbeva si instruktor i rregullt për klasat nga e dyta në të pestën, si edhe zëvendësova një nga instruktorët e rregullt në klasën e 14-të. Fakti që rishikoja bashkë me studentët ngjarjet e hershme të spikatshme të historisë moderne të organizatës së Jehovait—shumë prej të cilave mund t’i tregoja nga përvoja personale—më bëri ta çmoja në mënyrë më të plotë trashëgiminë time të pasur frymore.

Një privilegj tjetër që kam pasur gjatë viteve është se kam ndjekur kongrese ndërkombëtare të popullit të Jehovait. Në vitin 1963, udhëtova përreth botës, bashkë me më shumë se 500 delegatë të tjerë, në kongreset «Lajmi i Mirë i Përjetshëm». Kongrese të tjera historike që kam ndjekur ishin ato që u mbajtën në Varshavë të Polonisë, në vitin 1989; në Berlin të Gjermanisë, në vitin 1990 dhe në Moskë të Rusisë, në vitin 1993. Në çdo kongres kam pasur mundësi të takoja disa nga vëllezërit tanë të dashur dhe motrat tona të dashura që duruan dhjetëvjeçarë të tërë me përndjekje nën regjimin nazist, nën atë komunist ose nën të dyja regjimet. Sa përvoja forcuese për besimin që ishin ato!

Jeta ime në shërbim të Jehovait ka qenë vërtet e pasur! Bekimet frymore nuk shterojnë kurrë. Dhe, ndryshe nga pasuritë materiale, sa më shumë t’i ndajmë me të tjerët këto gjëra të çmuara, aq më shumë na shtohet pasuria që kemi. Nganjëherë, dëgjoj disa që thonë se do të donin të mos ishin rritur si Dëshmitarë të Jehovait. Thonë se mendojnë që do t’i kishin vlerësuar më shumë të vërtetat biblike, po të kishin provuar më parë jetën jashtë organizatës së Perëndisë.

Merakosem gjithnjë kur dëgjoj të rinj që thonë këto gjëra, sepse në të vërtetë ata po thonë se është më mirë të mos rritesh duke pasur njohuri për udhët e Jehovait. Por, mendoni për gjithë zakonet e këqija dhe mendimet e korruptuara që njerëzve u duhet t’i çrrënjosin, kur e gjejnë të vërtetën biblike më vonë në jetë. Për vete, kam qenë gjithnjë mirënjohës që prindërit i rritën të tre fëmijët e tyre në udhën e drejtësisë. Xhoni vazhdoi si shërbëtor besnik i Jehovait deri me vdekjen e tij në korrik të vitit 1980, ndërsa Esteri mbetet edhe sot një Dëshmitare besnike.

I kujtoj me shumë mall shoqëritë e shumta të shkëlqyera që kam pasur me vëllezër besnikë të krishterë dhe motra besnike të krishtere. Deri tani, kam kaluar më shumë se 67 vite të mrekullueshme në Bethel. Ndonëse nuk u martova, kam shumë bij frymorë e bija frymore, si edhe nipër frymorë. Veç kësaj, kënaqem kur mendoj për gjithë anëtarët e rinj të familjes sonë mbarëbotërore frymore që duhet ende të takoj, pasi secili prej tyre është i çmuar. Sa të vërteta janë fjalët: «Bekimi i Jehovait, ky të bën të pasur!»—Proverbat (Fjalët e urta) 10:22, BR.

[Shënimi]

^ par. 16 Jam pagëzuar më 8 mars 1932. Pra, praktikisht u pagëzova pasi u vendos që duhej të shërbeja si pionier.

[Figura në faqen 20]

Nga e majta në të djathtë: babai me vëllanë tim, Xhonin, në prehër, Esteri, unë dhe mamaja

[Figurat në faqen 23]

Duke dhënë mësim në një klasë të Galaadit në vitin 1945

Sipër djathtas: instruktorë të Shkollës së Galaadit, Eduardo Kelleri, Fred Franci, unë dhe Albert Shroderi

[Figura në faqen 24]

Duke medituar për jetën time të pasur në shërbim të Jehovait