Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ruajeni ndërgjegjen

Ruajeni ndërgjegjen

Ruajeni ndërgjegjen

MENDIMI që të udhëtosh në një avion me kompjuter të programuar gabim është i frikshëm. Por, në vend të kësaj, përfytyroni sikur dikush të kishte ndërhyrë në sistemin drejtues të avionit ose t’i kishte falsifikuar qëllimisht të dhënat e tij! E, pra, në kuptim të figurshëm, kjo është pikërisht ajo që po përpiqet të bëjë dikush me ndërgjegjen tuaj. Ai është i vendosur të sabotojë sistemin tuaj të udhëheqjes morale. Synimi i tij është t’ju vërë në një drejtim që ju çon në përplasjen me Perëndinë!—Jobi 2:2-5; Gjoni 8:44.

Cili është ky sabotues i lig? Në Bibël është quajtur «gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana, i cili mashtron gjithë tokën e banuar». (Zbulesa 12:9) Ai u pa në veprim në kopshtin e Edenit kur, duke përdorur një arsyetim mashtrues, e bindi Evën që të shpërfillte atë që e dinte se ishte e drejtë dhe të rebelohej kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:1-6, 16-19) Që nga ajo kohë, Satanai ka konceptuar dhe drejtuar zhvillimin e institucioneve të tëra të mashtrimit për t’i udhëhequr masat e njerëzve në armiqësi me Perëndinë. Më fajtori nga këto institucione është feja e rreme.—2 Korintasve 11:14, 15.

Feja e rreme e korrupton ndërgjegjen

Në librin biblik të Zbulesës, feja e rreme shihet si një prostitutë simbolike, e quajtur Babilonia e Madhe. Mësimet e saj e kanë shtrembëruar ndjeshmërinë morale të shumë njerëzve dhe i kanë bërë këta të fundit të urrejnë e madje të veprojnë në mënyrë të dhunshme kundër atyre që kanë bindje të ndryshme nga ata. Në të vërtetë, sipas Zbulesës, Perëndia e quan kryesisht përgjegjëse fenë e rreme për gjakun e «tërë atyre që janë therur mbi tokë», duke përfshirë edhe gjakun e adhuruesve të Perëndisë.—Zbulesa 17:1-6; 18:3, 24.

Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij për masën në të cilën feja e rreme do t’i shtrembëronte normat morale të disave, kur tha: «Po vjen ora kur kushdo që ju vret, do të kujtojë se i ka bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.» Sa të verbër moralisht janë individë të tillë të dhunshëm! Jezui tha: «Nuk kanë arritur të njohin as Atin, as mua.» (Gjoni 16:2, 3) Jo shumë kohë pasi Jezui tha këto fjalë, atë vetë e vranë me urdhër të disa udhëheqësve fetarë, të cilët arritën të gjenin një mënyrë për ta pajtuar krimin me ndërgjegjen e tyre. (Gjoni 11:47-50) Në dallim me ta, Jezui tha se ithtarët e tij të vërtetë identifikohen nga dashuria që kanë midis tyre. Por, dashuria që kanë ata është edhe më e gjerë, sepse shtrihet deri edhe te armiqtë e tyre.—Mateu 5:44-48; Gjoni 13:35.

Një mënyrë tjetër në të cilën feja e rreme e ka sabotuar ndërgjegjen e shumë vetave është duke u përshtatur me çfarëdo morali ose mungese morali që rastis të jetë në modë. Duke parathënë këtë, apostulli Pavël tha: «Do të vijë një periudhë kohe, kur ata njerëz nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por në përputhje me dëshirat e veta, do të grumbullojnë për vete mësues që t’u gudulisin veshët.»—2 Timoteut 4:3.

Në ditët e sotme, udhëheqësit fetarë i gudulisin veshët e njerëzve duke thënë se marrëdhëniet seksuale jashtë martese mund të jenë të pranueshme për Perëndinë. Të tjerë tolerojnë aktet homoseksuale. Madje, disa klerikë e praktikojnë për vete homoseksualizmin. Në një artikull të gazetës britanike The Times thuhej se «trembëdhjetë klerikë që njihen se janë homoseksualë» janë zgjedhur në Sinodën e Përgjithshme të Kishës Anglikane. Kur vetë udhëheqësit fetarë braktisin moralin e Biblës dhe kishat e tyre nuk bëjnë asgjë për këtë, çfarë normash duhet të ndjekin ata që shkojnë në kishë? S’është për t’u habitur që miliona veta janë tërësisht të pështjelluar.

Sa më mirë është të udhëhiqemi nga të vërtetat ndriçuese frymore e morale që mësohen në Bibël! (Psalmi 43:3; Gjoni 17:17) Për shembull, Bibla mëson se as kurvarët, as kurorëshkelësit «nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë». (1 Korintasve 6:9, 10) Ajo na thotë se meshkujt dhe femrat që e ndryshojnë «përdorimin e natyrshëm të vetes në një që është në kundërshtim me natyrën» janë «duke bërë atë që është e ndyrë» në sytë e Perëndisë. (Romakëve 1:26, 27, 32) Këto të vërteta morale nuk janë shpikje të njerëzve të papërsosur, por janë normat e frymëzuara të Perëndisë, të cilat nuk i ka ndryshuar kurrë. (Galatasve 1:8; 2 Timoteut 3:16) Por Satanai ka edhe mënyra të tjera në të cilat saboton ndërgjegjen.

Jini përzgjedhës në zbavitje

Një gjë është ta detyrosh dikë që të kryejë një veprim të keq, por është tjetër gjë ta bësh që të dojë ta kryejë këtë veprim. Ky i dyti është synimi i ‘sundimtarit të botës’, i Satanait. Për ta ngulitur mënyrën e tij të degjeneruar të të menduarit në mendjen dhe në zemrën e të pamendëve ose të atyre që nuk dyshojnë—sidomos të atyre që janë më të prekshëm, të rinjve—ai përdor fusha të tilla, si: literaturën, filmat, muzikën dhe lojërat kompjuterike të diskutueshme, si edhe sitet pornografike në Internet.—Gjoni 14:30; Efesianëve 2:2.

«Të rinjtë [në Shtetet e Bashkuara] shohin mesatarisht 10.000 akte dhune çdo vit,—thuhej në një raport në gazetën Pediatrics,—dhe programet për fëmijë janë ato më të dhunshmet.» Raporti zbulonte edhe se «çdo vit, adoleshentët shohin afërsisht 15.000 referime, aluzione dhe shaka seksuale». Madje, aty thuhej se edhe programet televizive në orët e para të mbrëmjes «përmbajnë më shumë se 8 incidente seksuale në orë, mbi katër herë më shumë se në vitin 1976». S’është për t’u habitur që studimi zbuloi, gjithashtu, se «një rritje të jashtëzakonshme po pëson edhe i foluri vulgar». E megjithatë, edhe Bibla, edhe studime të shumta shkencore, paralajmërojnë se duke e bërë zakon të shohin këtë material njerëzit ndryshojnë për keq. Prandaj, nëse vërtet dëshironi t’i pëlqeni Perëndisë dhe të nxirrni dobi për vete, vërjani veshin Fjalëve të urta 4:23, ku thuhet: «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës.»—Isaia 48:17.

Edhe një pjesë e mirë e muzikës shumë të përhapur e korrupton ndërgjegjen. Një këngëtar, këngët e të cilit kanë arritur majën e klasifikimeve në shumë vende perëndimore, bën «një përpjekje të veçantë për t’i tronditur njerëzit»,—paralajmëron një raport në gazetën australiane The Sunday Mail. Në artikull thuhet që «këngët e tij lartësojnë drogën, incestin dhe përdhunimin» dhe që ai «këndon se do të vrasë të shoqen dhe do ta hedhë trupin e saj në liqen». Tekste të tjera të këngëve të tij që përmenden në gazetë janë tepër të degjeneruara për t’u përsëritur këtu. E megjithatë, muzika e tij fitoi një çmim prestigjioz. A do të donit të mbillnit në mendje dhe në zemër mendime të tilla shkatërrimtare, si ato të përmendura më sipër, edhe sikur të jenë maskuar me muzikë? Shpresojmë që jo, sepse ata që veprojnë në mënyrë të tillë, e ndotin ndërgjegjen e tyre dhe, përfundimisht, krijojnë brenda vetes «një zemër të ligë», e cila i kthen në armiq të Perëndisë.—Hebrenjve 3:12; Mateu 12:33-35.

Prandaj, jini të mençur në zgjedhjen e zbavitjes. Bibla na nxit: «Së fundi, vëllezër, çdo gjë që është e vërtetë, çdo gjë që konsiderohet serioze, çdo gjë që është e drejtë, çdo gjë që është e dëlirë, çdo gjë që është e dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çdo virtyt që ekziston dhe çdo gjë e denjë për lëvdim që ekziston, këto gjëra vazhdoni të konsideroni.»—Filipianëve 4:8.

Shoqëritë ndikojnë në ndërgjegjen tuaj

Kur ishin fëmijë, Nejli dhe Franci kishin shoqëri të shëndetshme me të krishterë të vërtetë. * Por me kalimin e kohës «fillova të shoqërohesha me shokë të këqinj»—tregon Nejli. Pasoja, për të cilën atij i vjen shumë keq, ishte krimi dhe burgu. Historia e Francit është e ngjashme. «Mendoja se mund t’ia dilja mbanë të rrija me të rinjtë e botës, pa u ndikuar prej tyre,—tha me keqardhje ai.—Por, siç thuhet te Galatasve 6:7, 8, ‘Perëndia nuk vihet në lojë. Sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë’. E zbulova falë përvojës sime të hidhur se e kisha gabim dhe se Jehovai kishte të drejtë. Tani kam një dënim me burgim të përjetshëm, për krimin që kam bërë.»

Njerëzit si Nejli dhe Franci normalisht nuk i hyjnë krimit brenda një nate. Në fillim do ta quanin të neveritshëm këtë mendim. Rrëshqitja ka prirjen të ndodhë me faza dhe faza e parë, shpesh, fillon me shoqëritë e këqija. (1 Korintasve 15:33) Pas kësaj faze të parë mund të vijë abuzimi me drogën ose alkoolin. Tamam, ndërgjegjja është përshkruar në mënyrë të përshtatshme si ajo «pjesë e personalitetit që tretet në alkool». Nga kjo fazë, duhet vetëm një hap i vogël për të hyrë në krim ose imoralitet.

Atëherë, përse ta bëni atë hap të parë? Në vend të kësaj, shoqërohuni me njerëz të mençur që e duan vërtet Perëndinë. Ata do t’ju ndihmojnë ta forconi ndërgjegjen, në mënyrë që t’ju udhëheqë siç duhet, duke ju kursyer shumë dhembje. (Fjalët e urta 13:20) Ndonëse janë ende në burg, Nejli dhe Franci tani e shohin ndërgjegjen e tyre si një dhuratë hyjnore që duhet stërvitur siç duhet dhe, patjetër, duhet ruajtur me kujdes. Për më tepër, ata po punojnë fort për të ndërtuar një marrëdhënie të mirë me Perëndinë e tyre, Jehovain. Jini të mençur dhe mësoni nga gabimet e tyre!—Fjalët e urta 22:3.

Kujdesuni për ndërgjegjen tuaj

E tregojmë se duam të kujdesemi për ndërgjegjen tonë kur zhvillojmë dashuri dhe besim te Perëndia, bashkë me një frikë të shëndetshme ndaj tij. (Fjalët e urta 8:13; 1 Gjonit 5:3) Bibla zbulon se ndërgjegjja që nuk ndikohet nga këto cilësi, shpesh nuk ka qëndrueshmëri morale. Për shembull, Psalmi 14:1 flet për ata që thonë në zemrën e tyre: «Nuk ka Perëndi.» Si ndikon në sjelljen e tyre kjo mungesë besimi? Vargu vazhdon: «Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme.»

Njerëzit që nuk kanë besim të vërtetë te Perëndia nuk kanë as edhe shpresë të patundur për një të ardhme më të mirë. Prandaj, kanë prirjen të jetojnë sot për sot, duke u zhytur në plotësimin e dëshirave të mishit. Filozofia e tyre është: «Le të hamë e të pimë, se nesër kemi për të vdekur.» (1 Korintasve 15:32) Nga ana tjetër, ata që i kanë sytë te çmimi i jetës së përjetshme nuk lënë që t’i devijojnë dëshirat kalimtare të botës. Ashtu si një kompjuter i saktë për fluturimin, ndërgjegjja e tyre e stërvitur i mban tamam në shtegun e bindjes besnike ndaj Perëndisë.—Filipianëve 3:8.

Që ndërgjegjja ta ruajë fuqinë dhe saktësinë e saj, ka nevojë për udhëheqje të rregullt nga Fjala e Perëndisë. Bibla na tregon se kjo udhëheqje është në dispozicion, pasi, me një gjuhë të figurshme, thotë: «Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: ‘Kjo është rruga, ecni në të!’» (Isaia 30:21) Prandaj, lini mënjanë kohë për leximin e përditshëm të Biblës. Kjo do t’ju forcojë dhe do t’ju japë zemër kur luftoni për të bërë atë që është e drejtë ose kur ju mbulojnë retë e shqetësimit dhe të ankthit. Të jini të sigurt se Jehovai do t’ju udhëheqë nga ana morale dhe frymore, nëse e vendosni gjithë besimin tek ai. Po, imitoni psalmistin, i cili shkroi: «E kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.»—Psalmi 16:8; 55:22.

[Shënimi]

^ par. 16 Emrat janë ndryshuar.

[Figurat në faqen 5]

Feja e rreme, e përshkruar në Bibël si «Babilonia e Madhe» është përgjegjëse për mpirjen e ndërgjegjes së shumë vetave

[Burimi]

Prift duke bekuar trupat ushtarake: Foto e ushtrisë së SHBA-së

[Figurat në faqen 6]

Nëse shikoni dhunë dhe imoralitet, ndërgjegjja juaj do të dëmtohet

[Figura në faqen 7]

Udhëheqja e rregullt nga Fjala e Perëndisë do ta ruajë ndërgjegjen tuaj