Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui shpëton: Por, si?

Jezui shpëton: Por, si?

Jezui shpëton: Por, si?

«Jezui shpëton!» «Jezui është Shpëtimtari ynë!» Në shumë vende përreth botës, këto mesazhe i sheh nëpër mure ndërtesash dhe në vende të tjera publike. Miliona njerëz besojnë me të vërtetë se Jezui është Shpëtimtari i tyre. Nëse do t’i pyetnit «Si na shpëton Jezui?», ka shumë të ngjarë t’ju përgjigjeshin «Jezui vdiq për ne» ose «Jezui vdiq për mëkatet tona». Po, vdekja e Jezuit bën të mundur që ne të shpëtojmë. Por, si ka mundësi që vdekja e një njeriu të paguajë për mëkatet e shumë njerëzve? Çfarë do të thoshit ju po t’ju pyetnin: «Si mund të na shpëtojë vdekja e Jezuit?»

PËRGJIGJJA që i jep Bibla kësaj pyetjeje është shumë e thjeshtë, por e qartë e plot domethënie. Gjithsesi, për të kuptuar rëndësinë e saj, së pari është e nevojshme ta pranojmë jetën dhe vdekjen e Jezuit si zgjidhje për një problem shumë të vështirë. Vetëm atëherë mund ta kuptojmë siç duhet vlerën e jashtëzakonshme të vdekjes së Jezuit.

Duke bërë që Jezui të jepte jetën e tij, Perëndia po ndreqte një gjendje që u krijua kur mëkatoi Adami. Çfarë tragjedie që ishte ai mëkat! Njeriu i parë dhe gruaja e tij, Eva, ishin të përsosur. Si shtëpi kishin kopshtin e bukur të Edenit. Perëndia u dha punën domethënëse që të kujdeseshin për kopshtin në të cilin jetonin. Do të kishin nën mbikëqyrjen e tyre të dashur krijesat e tjera të gjalla në tokë. E ndërsa njerëzit do të shumoheshin dhe do ta mbushnin tokën me miliona të tjerë të llojit të tyre, do ta zgjeronin parajsën në të gjithë tokën. (Zanafilla 1:28) Sa punë e këndshme dhe entuziazmuese që iu dha! Për më tepër, kishin shoqërinë e dashur të njëri-tjetrit. (Zanafilla 2:18) Nuk u mungonte asgjë. Para tyre shtrihej jeta e lumtur në përjetësi.

E kemi të vështirë ta mendojmë se si do të arrinin të mëkatonin Adami dhe Eva. Por, çifti i parë njerëzor u rebelua kundër atij që i krijoi, kundër Perëndisë Jehova. Duke përdorur një gjarpër, krijesa frymore Satana Djalli e mashtroi Evën që të mos i bindej Jehovait, kurse Adami ndoqi gruan e tij.—Zanafilla 3:1-6.

Nuk kishte asnjë dyshim se çfarë do të bënte Krijuesi me Adamin dhe Evën. Ai tashmë e kishte bërë të qartë pasojën e mosbindjes, duke pohuar: «Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.» (Zanafilla 2:16, 17) Një çështje me rëndësi shumë më të madhe tani kërkonte përgjigje.

Njerëzimi has një problem të vështirë

Mëkati fillestar krijoi një problem shumë të vështirë për njerëzimin. Adami e filloi jetën si njeri i përsosur. Prandaj, fëmijët e tij mund të kishin gëzuar jetën e përsosur të përhershme. Por, Adami mëkatoi para se të lindte fëmijë. E gjithë raca njerëzore ishte ende në ijët e tij kur mori dënimin: «Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe sepse nga ai ke dalë; sepse ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh.» (Zanafilla 3:19) Prandaj, kur Adami mëkatoi dhe filloi të vdiste, siç kishte thënë Perëndia që do të ndodhte, i gjithë njerëzimi u dënua me vdekje bashkë me të.

Në mënyrë të përshtatshme, më vonë apostulli Pavël shkroi: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit] mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Po, për shkak të mëkatit fillestar, fëmijët që do të kishin lindur të përsosur duke pasur para tyre jetën e pafundme, erdhën në jetë duke pasur si perspektivë sëmundjet, plakjen dhe vdekjen.

«Kjo nuk është e drejtë,—mund të thotë dikush.—Nuk zgjodhëm ne që të mos i bindeshim Perëndisë, Adami e bëri këtë. Përse duhet ta humbasim perspektivën për jetën dhe lumturinë e përhershme?» E dimë që nëse një gjykatë do të vinte në burg një djalë, sepse babai i tij kishte vjedhur një makinë, djali me të drejtë mund të ankohej: «Kjo s’është e drejtë! Unë s’kam bërë asgjë të gabuar.»—Ligji i përtërirë 24:16.

Duke i shtyrë burrin dhe gruan e parë që të mëkatonin, Satanai mund të ketë nxjerrë përfundimin se do ta vinte Perëndinë në gjendje të pashpresë. Djalli sulmoi shumë herët në historinë e racës njerëzore, para se të kishte ardhur në jetë ndonjë fëmijë. Në çastin kur Adami mëkatoi, një pyetje e rëndësishme ishte: Çfarë do të bëjë Jehovai me fëmijët që do të kenë Adami dhe Eva?

Perëndia Jehova bëri atë që ishte e drejtë. «Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit!»—shpalli Eliu i drejtë. (Jobi 34:10) Gjithashtu, lidhur me Jehovain, profeti Moisi shkroi: «Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.» (Ligji i përtërirë 32:4) Zgjidhja që siguroi Perëndia i vërtetë për problemin e krijuar nga mëkati i Adamit nuk na e heq mundësinë për jetën e përhershme në një tokë parajsore.

Perëndia siguron një zgjidhje të përsosur

Shqyrtoni zgjidhjen që planifikoi Perëndia në dënimin që shqiptoi kundër Satana Djallit. Jehovai i tha Satanait: «Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas [organizatës qiellore të Perëndisë], midis farës sate [botës nën kontrollin e Satanait] dhe farës së saj [Jezu Krishtit]; fara e saj do të shtypë kokën tënde [të Satanait] dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj [vdekja e Jezuit].» (Zanafilla 3:15) Në këtë profeci të parë të Biblës, Jehovai përmendi në mënyrë të tërthortë qëllimin e tij që Biri i tij frymor qiellor të vinte në tokë, të jetonte si njeriu i përsosur Jezu dhe pastaj të vdiste—të plagosej në thembër—në këtë gjendje pa mëkat.

Përse Perëndia kërkoi vdekjen e një njeriu të përsosur? Mirë, cili ishte dënimi i Perëndisë Jehova për Adamin po të mëkatonte? A nuk ishte vdekja? (Zanafilla 2:16, 17) «Paga që paguan mëkati është vdekja»,—shkroi apostulli Pavël. (Romakëve 6:23) Mëkatin që bëri, Adami e pagoi me vdekjen e tij. Atij iu dha jeta, por zgjodhi të mëkatonte dhe vdiq si dënim për mëkatin e tij. (Zanafilla 3:19) Ç’të themi për dënimin nën të cilin ra gjithë raca njerëzore për shkak të atij mëkati? Nevojitej një vdekje që të shlyente mëkatet e tyre. Por, vdekja e kujt mund t’i mbulonte në mënyrë të drejtë shkeljet e gjithë njerëzimit?

Ligji që Perëndia i dha kombit të lashtë të Izraelit kërkonte «jetë për jetë». (Eksodi 21:23) Sipas këtij parimi ligjor, vdekja që do të mbulonte shkeljet e njerëzimit duhej të kishte vlerë të barabartë me atë që kishte humbur Adami. Vetëm vdekja e një njeriu tjetër të përsosur mund të paguante pagën e mëkatit. Jezui ishte njeri i tillë. Në të vërtetë, Jezui ishte një «shpërblesë përkatëse» për shpëtimin e gjithë njerëzimit që mund të shpengohej e që kishte rrjedhur nga Adami.—1 Timoteut 2:6; Romakëve 5:16, 17.

Vdekja e Jezuit ka vlerë të madhe

Vdekja e Adamit s’kishte asnjë vlerë, pasi ai e meritonte të vdiste për mëkatin që kreu. Kurse vdekja e Jezuit ka vlerë të madhe, sepse ai vdiq në një gjendje pa mëkat. Perëndia Jehova mund ta pranonte vlerën e jetës së përsosur të Jezuit si shpërblesë për pasardhësit e bindur të Adamit mëkatar. Gjithashtu, vlera e flijimit të Jezuit nuk mbaron me pagesën për mëkatet tona në të kaluarën. Nëse do të mbaronte me aq, nuk do të kishim asnjë të ardhme. Duke qenë se jemi ngjizur në mëkat, jemi të prirur të gabojmë përsëri. (Psalmi 51:5) Sa mirënjohës mund të jemi që vdekja e Jezuit na jep mundësinë të fitojmë përsosmërinë që kishte fillimisht si qëllim Jehovai për pasardhësit e Adamit dhe të Evës!

Adami mund të krahasohet me një baba që vdiq dhe na la në një borxh financiar kaq të madh (mëkati), saqë ne vetë nuk kemi asnjë mënyrë të mundshme ta shlyejmë. Nga ana tjetër, Jezui është si një baba i mirë që vdiq dhe na la një trashëgimi të bollshme që jo vetëm na çliron nga borxhi i stërmadh me të cilin na ngarkoi Adami, por edhe siguron mjaftueshëm që të vazhdojmë të jetojmë përjetësisht. Vdekja e Jezuit nuk është vetëm një fshirje e mëkateve të kaluara, por edhe një masë e mrekullueshme për të ardhmen tonë.

Jezui na shpëton sepse vdiq për ne. Ç’masë me vlerë është vdekja e tij! Kur e shohim këtë masë si pjesë të zgjidhjes që dha Perëndia ndaj problemit të ndërlikuar të mëkatit të Adamit, na forcohet besimi te Jehovai dhe te mënyra se si i bën ai gjërat. Po, vdekja e Jezuit është mjeti për të shpëtuar nga mëkati, sëmundjet, plakja dhe vdekja ‘këdo që ushtron besim’ tek ai. (Gjoni 3:16) A i jeni mirënjohës Perëndisë që ka marrë këtë masë të dashur për shpëtimin tonë?

[Figura në faqen 5]

Adami solli mbi njerëzimin mëkatin dhe vdekjen

[Figura në faqen 6]

Jehovai siguroi një zgjidhje të përsosur