Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përkthimi Bota e Re vlerësohet nga miliona njerëz në mbarë botën

Përkthimi Bota e Re vlerësohet nga miliona njerëz në mbarë botën

Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur

Përkthimi Bota e Re vlerësohet nga miliona njerëz në mbarë botën

U DESHËN 12 vjet, 3 muaj e 11 ditë punë me kujdes të madh. Megjithatë, më 13 mars 1960, u përfundua pjesa e fundit e një përkthimi të ri të Biblës. U quajt Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta.

Një vit më vonë, Dëshmitarët e Jehovait e botuan këtë përkthim në një vëllim të vetëm. Ky botim i vitit 1961 kishte një tirazh prej një milion kopjesh. Sot, numri i kopjeve të shtypura i ka kaluar të njëqind milionët, duke e bërë Përkthimin Bota e Re një nga Biblat më të shpërndara. Por, çfarë i shtyu Dëshmitarët që të përgatitnin këtë përkthim?

Përse një përkthim i ri i Biblës?

Me qëllim që ta kuptonin dhe ta shpallnin mesazhin e Shkrimeve të Shenjta, gjatë viteve, Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur shumë përkthime të Biblës në anglisht. Ndonëse këto versione kanë veçori të dobishme, shpesh ato kanë ngjyrime të traditave fetare dhe të bindjeve të të ashtuquajturit krishterim. (Mateu 15:6) Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait e kuptuan nevojën për një përkthim të Biblës që të paraqiste me besnikëri atë që është në shkrimet origjinale të frymëzuara.

Hapi i parë drejt plotësimit të kësaj nevoje u bë në tetor të vitit 1946, kur Nejthën H. Nori, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, propozoi botimin e një përkthimi të ri të Biblës. Më 2 dhjetor 1947, Komiteti i Përkthimit të Biblës Bota e Re filloi të përgatiste një përkthim që do t’i qëndronte besnik tekstit origjinal, që do të përfshinte zbulimet më të fundit të studiuesve, të mbledhura nga dorëshkrimet biblike të sapozbuluara dhe që do të përdorte një gjuhë që kuptohet me lehtësi nga lexuesit e sotëm.

Kur u botua pjesa e parë, Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke, në vitin 1950, u bë e dukshme se përkthyesit i kishin arritur objektivat e tyre. Shkrime biblike që më parë kuptoheshin vetëm në mënyrë të vagët, u bënë jashtëzakonisht të qarta. Për shembull, shqyrtoni shkrimin që të linte ndërdyshas, te Mateu 5:3: «Lum skamësit në frymë.» (Diodati) Ky shkrim u përkthye: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» Këshilla e apostullit Pavël, e përkthyer «mos kini kujdes për asgjë» (Kristoforidhi) u përkthye: «Mos jini në ankth për asgjë.» (Filipianëve 4:6) Gjithashtu, referimi që i bën apostulli Gjon ‘lakmisë së mishit’ (Diodati) është përkthyer «dëshira e mishit». (1 Gjonit 2:16) Është e qartë se Përkthimi Bota e Re hapi një botë të re kuptueshmërie.

Studiuesve të ndryshëm u bëri shumë përshtypje ky përkthim. Për shembull, studiuesi biblik britanik Aleksandër Tomson komentoi se Përkthimi Bota e Re është i jashtëzakonshëm për sa i përket përkthimit të saktë të kohës së tashme të gjuhës greke. Le ta ilustrojmë: tek Efesianëve 5:25 lexojmë «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja» në vend që thjesht të thotë «Burra, t’i doni gratë tuaja». (Diodati) «Asnjë version tjetër nuk duket se e ka shfaqur këtë veçori të shkëlqyer në mënyrë kaq të plotë dhe me kaq shumë shpeshtësi»,—tha Tomsoni lidhur me Përkthimin Bota e Re.

Një veçori tjetër e jashtëzakonshme e Përkthimit Bota e Re është përdorimi që i bën emrit personal të Perëndisë, Jehova, si në pjesën hebraike, ashtu edhe në atë greke të Shkrimeve. Meqë emri i Perëndisë në hebraisht shfaqet afro 7.000 herë vetëm në të ashtuquajturën Besëlidhje të Vjetër, është e qartë se Krijuesi ynë dëshiron që adhuruesit e tij ta përdorin emrin e tij dhe ta njohin atë si person. (Eksodi 34:6, 7) Përkthimi Bota e Re ka ndihmuar miliona njerëz për ta bërë këtë.

Përkthimi Bota e Re përkthehet në shumë gjuhë

Që nga koha kur Përkthimi Bota e Re doli në anglisht, Dëshmitarët e Jehovait përreth botës kanë dëshiruar me zjarr ta kenë atë në gjuhën e tyre dhe kjo për arsye të vlefshme. Në disa vende, ishte e vështirë të gjeje përkthimet në gjuhën e vendit, sepse përfaqësuesit e shoqërive biblike që i shpërndanin nuk ishin të kënaqur të shihnin Biblat e tyre të përfundonin në duart e Dëshmitarëve të Jehovait. Për më tepër, këto Bibla në gjuhën e vendit shpesh i fshihnin mësimet jetësore. Shembull tipik është një version në një vend të Evropës Jugore, i cili fsheh një referim të rëndësishëm për emrin e Perëndisë, duke i zëvendësuar fjalët e Jezuit «U shenjtëroftë emri yt» me «Qofsh i nderuar nga njerëzit».—Mateu 6:9.

Që nga viti 1961, përkthyesit filluan ta përkthenin tekstin anglisht të Përkthimit Bota e Re në gjuhë të tjera. Vetëm dy vjet më vonë, Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Krishtere Greke u përfundua në gjashtë gjuhë. Në atë kohë, 3 në çdo 4 Dëshmitarë anembanë botës mund ta lexonin këtë Bibël në gjuhën e tyre. Megjithatë, duhej bërë shumë më tepër punë që Dëshmitarët e Jehovait ta çonin këtë Bibël në duart e miliona dhe miliona njerëzve.

Në vitin 1989, ky synim u bë më i arritshëm me ngritjen e Shërbimit të Përkthimit në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Ky repart zhvilloi një metodë përkthimi që kombinonte studimin e fjalëve biblike me teknologjinë kompjuterike. Përdorimi i këtij sistemi ka bërë të mundur përkthimin e Shkrimeve të Krishtere Greke në disa gjuhë të tjera brenda një viti dhe të Shkrimeve Hebraike brenda dy vjetësh, vetëm një pjesë e vogël e kohës që normalisht kërkohej për një projekt të përkthimit të Biblës. Që kur u zhvillua kjo metodë, 29 botime të Përkthimit Bota e Re janë përkthyer nga gjuha angleze dhe janë shpërndarë në gjuhë që i flasin më shumë se dy miliardë njerëz. Tani puna është në vazhdim në 12 gjuhë të tjera. Deri më sot, Përkthimi Bota e Re në anglisht është përkthyer, i plotë ose pjesërisht, në 41 gjuhë të tjera.

Tashmë kanë kaluar më shumë se 50 vjet që kur pjesa e parë e Përkthimit Bota e Re u prezantua më 3 gusht 1950, në Asamblenë «Rritja e Teokracisë» që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait në qytetin e Nju-Jorkut. Në atë rast, Nejthën H. Nori i nxiti kongresistët: «Merreni këtë përkthim, lexojeni nga fillimi në fund, diçka që do ta bëni me kënaqësi. Studiojeni, sepse do t’ju ndihmojë të përmirësoni kuptueshmërinë e Fjalës së Perëndisë. Ua shpërndani të tjerëve.» Ju inkurajojmë ta lexoni Biblën çdo ditë, sepse mesazhi i saj mund t’ju ndihmojë «të qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë».—Kolosianëve 4:12.

[Grafiku dhe figurat në faqet 8, 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

«Botimet e Përkthimit Bota e Re»

Fillimisht i botuar në anglisht, Përkthimi Bota e Re tani është në dispozicion, i plotë ose pjesërisht, në 41 gjuhë të tjera

Shkrimet e Krishtere Greke Bibla e plotë

1950 1

1960-1969 6 5

1970-1979 4 2

1980-1989 2 2

1990-Aktualisht 29 19