Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Si ia përcolli gjarpri në kopshtin e Edenit Evës idenë për të shkelur ligjin e Perëndisë lidhur me pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes?

Te Zanafilla 3:1 thuhet: «Gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar dhe i tha gruas: ‘A ka thënë me të vërtetë Perëndia: “Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?” ’» Ka pasur disa mendime se si mund të ketë komunikuar gjarpri me Evën. Një mendim është se ai e ka bërë këtë me anë të gjuhës së gjesteve ose lëvizjeve të trupit. Për shembull, kleriku anglez Xhozef Benson komentoi: «Duket më e besueshme që ta ketë bërë me shenja të ndonjë lloji. Vërtet që disa kanë supozuar se arsyeja dhe të folurit ishin atëherë tipare të njohura të gjarpërinjve, . . . por nuk ka prova për këtë.»

Gjithsesi, duke përdorur vetëm gjestet, si mund t’i përcillte gjarpri Evës idenë se duke marrë nga fruti i ndaluar ajo do të bëhej si Perëndia, në gjendje për të vendosur çfarë ishte e mirë dhe çfarë ishte e keqe? Për më tepër, Eva mori pjesë në bisedë, duke iu përgjigjur pyetjes që bëri gjarpri. (Zanafilla 3:2-5) Pikëpamja se gjarpri komunikoi vetëm me shenja ose lëvizje të trupit do të çonte në përfundimin se Eva u përgjigj duke përdorur gjeste, kurse Bibla thotë se ajo foli.

Duke folur për këtë ngjarje, apostulli Pavël i paralajmëroi të bashkëkrishterët: «Kam frikë se mos, ashtu sikurse gjarpri joshi Evën me dinakërinë e tij, mendjet tuaja korruptohen.» Rreziku për të cilin foli Pavli vinte nga «apostuj të rremë, punëtorë mashtrues». Kërcënimi që përbënin këta ‘apostuj tejet të shquar’ nuk kufizohej vetëm në gjeste dhe lëvizje të trupit. Përfshinte të folurin e tyre, fjalët e tyre dinake që thuheshin për t’i mashtruar të tjerët.—2 Korintasve 11:3-5, 13.

Ndonëse për të mashtruar Evën në kopshtin e Edenit u përdor të folurit, nuk ka asgjë që të sugjerojë se gjarpri fizik kishte korda zëri. Në të vërtetë ai s’kishte nevojë për to. Kur engjëlli i Perëndisë i foli Balaamit nëpërmjet një gomarice, kafsha nuk kishte nevojë për një laring të ndërlikuar, të ngjashëm me atë të njeriut. (Numrat 22:26-31) Është e qartë se, kur kjo ‘kafshë barre e pagojë u shpreh me zë njeriu’, fuqia për veprimin erdhi nga sfera frymore.—2 Pjetrit 2:16.

Krijesa frymore që qëndronte pas gjarprit i cili foli me Evën, në Bibël identifikohet si «gjarpri i hershëm, ai që quhet Djall dhe Satana». (Zbulesa 12:9) Fjalët e dëgjueshme që i kapi veshi Evës dhe të cilave iu përgjigj u shkaktuan nga Satanai, i cili «vazhdon të transformohet në engjëll drite».—2 Korintasve 11:14.

[Figura në faqen 27]

«Do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen»