Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si reagoni ndaj hipokrizisë?

Si reagoni ndaj hipokrizisë?

Si reagoni ndaj hipokrizisë?

NË KOPSHTIN e Getsemanisë, Judë Iskarioti shkoi te Jezui dhe «e puthi me shumë butësi». Kjo ishte një shprehje e zakonshme përzemërsie. Por gjesti i Judës ishte vetëm një pretekst për t’ua identifikuar Jezuin atyre që kishin ardhur natën për ta arrestuar. (Mateu 26:48, 49) Juda ishte një hipokrit—një person që hiqet si të jetë diçka që nuk është, dikush që i fsheh motivet e këqija pas një maske çiltërsie. Fjala greke që përkthehet «hipokrit» ka kuptimin «një që përgjigjet» dhe tregon, gjithashtu, një aktor teatri. Me kalimin e kohës fjala filloi të përdorej për këdo që thjesht shtirej me qëllim që të mashtronte të tjerët.

Si reagoni ndaj hipokrizisë? A zemëroheni, për shembull, kur shikoni prodhuesit e cigareve që i bëjnë reklamë duhanit, me gjithë provat mjekësore se produkti i tyre është i dëmshëm? A indinjoheni nga hipokrizia e kujdestarëve të cilët keqtrajtojnë ata që u lihen nën kujdes? A ndiheni të lënduar kur një mik që ju mendonit se ishte i çiltër del se është jobesnik? Si ndikon te ju hipokrizia fetare?

«Mjerë ju . . . hipokritë!»

Shqyrtoni cila ishte atmosfera fetare kur jetoi Jezui në tokë. Skribët dhe farisenjtë pretendonin se ishin mësues besnikë të Ligjit të Perëndisë, por, në të vërtetë, i mbushnin mendjet e njerëzve me mësime njerëzore që e largonin vëmendjen nga Perëndia. Në mënyrë të rreptë, skribët dhe farisenjtë ngulnin këmbë për çdo shkronjë të ligjit, por shpërfillnin parimet themelore që pasqyronin dashurinë e dhembshurinë. Para të tjerëve, hiqeshin si të ishin të përkushtuar ndaj Perëndisë, por, në mjedisin privat, ishin plot ligësi. Veprat e tyre nuk ishin kurrë në përputhje me fjalët që thoshin. I bënin gjërat me synimin «për t’u parë nga njerëzit». Ata u përngjanin «varreve të zbardhura me gëlqere, të cilat nga jashtë vërtet duken të bukura, por përbrenda janë plot me eshtra të vdekurish dhe me çdo lloj ndyrësie». Duke e demaskuar me guxim hipokrizinë e tyre, Jezui vazhdimisht u tha: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë!»—Mateu 23:5, 13-31.

Po të kishit jetuar në ato ditë, ashtu si njerëz të tjerë me zemër të ndershme, mund të kishit qenë vërtet të neveritur nga kjo hipokrizi fetare. (Romakëve 2:21-24; 2 Pjetrit 2:1-3) Por, a do të kishit lejuar që hipokrizia e skribëve dhe e farisenjve t’ju ashpërsonte deri në atë pikë sa të hidhnit poshtë çdo fe, duke përfshirë edhe atë që mësonte e praktikonte Jezu Krishti dhe dishepujt e tij? A nuk do të kishte qenë kjo në dëmin tuaj?

Sjellja hipokrite e njerëzve fetarë mund të na bëjë që të largohemi të neveritur nga feja. Megjithatë, ky reagim do të na bënte edhe që të mos dallonim çiltërsinë e adhuruesve të vërtetë. Po ato pengesa që ndërtojmë si mbrojtje kundër hipokrizisë, në të vërtetë mund të na largojnë nga miqtë e vërtetë. Pra, reagimi që kemi ndaj hipokrizisë duhet të jetë logjik dhe i drejtpeshuar.

«Rrini syhapur»

Së pari, duhet të mësojmë t’i identifikojmë hipokritët. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Një familje e mësoi këtë duke e pësuar rëndë. Nëna e familjes kishte rënë në gjendje kome. Për të ngritur një padi për shpërdorim detyre kundër spitalit ku kishte ndodhur kjo gjë, familja pajtoi një avokat, i cili ishte edhe predikues në një kishë të vendit. Ndonëse spitali pagoi 3,4 milionë dollarë si dëmshpërblim, tragjedia e familjes u rëndua edhe më shumë. Nëna vdiq e varfër dhe familja nuk kishte para as për të paguar funeralin e saj. Përse? Sepse avokati kishte futur në xhep pjesën më të madhe të parave. Lidhur me këtë avokat, një gazetë juridike thoshte: «Nëse do të predikonte atë lloj sjelljeje që praktikonte . . . , mesazhi i tij do të duhej të ishte ky: le të grabitim.» Si mund ta mbrojmë veten nga njerëz të tillë?

«Rrini syhapur»,—ishte këshilla që u dha Jezui në ditët e tij personave që ballafaqoheshin me hipokrizinë fetare. (Mateu 16:6; Luka 12:1) Po, duhet të jemi të kujdesshëm. Njerëzit mund të pohojnë se kanë qëllimet më fisnike dhe të duken si të çiltër, por duhet të jemi të matur në mënyrë të arsyeshme dhe të mos e pranojmë menjëherë këdo vetëm nga pamja e jashtme. A nuk do t’i kontrollonim me kujdes paratë tona po ta dinim se në qarkullim ka para të falsifikuara?

Hipokritë kanë dalë edhe brenda kongregacionit të vërtetë të krishterë. Dishepulli Juda paralajmëroi për ta duke thënë: «Këta janë shkëmbinj të fshehur nën ujë, ndërsa gostiten me ju në gostitë tuaja të dashurisë, barinj që e ushqejnë veten pa frikë; re pa ujë që sillen andej-këtej nga erërat; pemë të vjeshtës së vonë, por pa fryt.»—Judës 12.

Të ‘rrimë syhapur’ do të thotë të mos lejojmë të na mashtrojë dikush që shtiret sikur është i dashur, por që në të vërtetë është egoist dhe përhap ide që nuk bazohen në Fjalën e Perëndisë. Si një shkëmb i thepisur që gjendet tamam nën sipërfaqen e ujërave të qeta, ky person mund t’u shkaktojë fundosje frymore atyre që janë të shkujdesur. (1 Timoteut 1:19) Hipokriti mund të premtojë shumë freskim frymor, por del se është një «re pa ujë», pra, që nuk sjell asnjë freskim. Si një pemë pa fryte, një mashtrues nuk sjell fryte të vërteta të krishtere. (Mateu 7:15-20; Galatasve 5:19-21) Po, duhet të ruhemi nga këta mashtrues. Gjithsesi, këtë duhet ta bëjmë pa qenë dyshues për motivet e të gjithëve.

«Mos gjykoni më»

Sa e lehtë është për njerëzit e papërsosur të flasin për të metat e të tjerëve, duke shpërfillur të tyret! Gjithsesi, kjo prirje na bën të prekshëm ndaj hipokrizisë. «Hipokrit!—tha Jezui.—Hiq më parë traun prej syrit tënd e pastaj do të shohësh qartë se si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.» Bëjmë mirë t’i vëmë veshin këshillës së tij: «Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni; sepse me atë gjykim që po gjykoni, do të gjykoheni . . . Përse, pra, shikon lëmishten në syrin e vëllait tënd, por nuk mban parasysh traun në syrin tënd?»—Mateu 7:1-5.

Kur ndonjëherë të tjerët bëjnë gjëra që na duken hipokrizi, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i kategorizojmë nxitimthi si hipokritë. Për shembull, apostulli Pjetër «nisi të tërhiqej dhe të veçohej» nga bashkëbesimtarët johebrenj në Antioki, për t’u pëlqyer vizitorëve me prejardhje judeje nga Jerusalemi. Edhe Barnabën e ‘bënë për vete, bashkë me Pjetrin, me shtirjen e tyre’. Pjetri e bëri këtë pavarësisht se kishte pasur privilegjin të hapte rrugën që johebrenjtë të pranoheshin në kongregacionin e krishterë. (Galatasve 2:11-14; Veprat 10:24-28, 34, 35) Por ky gabim nga ana e Barnabës dhe e Pjetrit patjetër që nuk i vuri në të njëjtën kategori me skribët dhe farisenjtë ose me Judë Iskariotin.

«Dashuria juaj le të jetë pa hipokrizi»

«Kur u bën mirë njerëzve të tjerë,—këshilloi Jezui,—mos pajto një njeri që t’i bjerë trumbetës e të shkojë para teje, si ata aktorë në sinagoga e në rrugë që sigurohen që njerëzit t’i admirojnë.» (Mateu 6:2, Phillips) «Dashuria juaj le të jetë pa hipokrizi»,—shkroi apostulli Pavël. (Romakëve 12:9) Ai e inkurajoi të riun Timote që të kishte ‘dashuri nga një zemër e pastër . . . dhe nga besimi pa hipokrizi’. (1 Timoteut 1:5) Nëse dashuria dhe besimi ynë janë të çiltër, të paprekur nga egoizmi dhe mashtrimi, të tjerët do të na besojnë. Do të jemi burim force dhe inkurajimi të vërtetë për ata që na rrethojnë. (Filipianëve 2:4; 1 Gjonit 3:17, 18; 4:20, 21) E mbi të gjitha, do të kemi miratimin e Jehovait.

Nga ana tjetër, hipokrizia në fund do të jetë vdekjeprurëse për ata që e praktikojnë. Përfundimisht, hipokrizia do të demaskohet hapur. «Nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të zbulohet,—tha Jezu Krishti,—dhe të fshehtë që nuk do të bëhet e njohur.» (Mateu 10:26; Luka 12:2) Mbreti i mençur Solomon shpalli: «Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.»—Predikuesi 12:14.

Ndërkohë, përse ta lejojmë hipokrizinë e të tjerëve të ndikojë te ne deri në pikën që ta privojmë veten nga dashuria e çiltër e miqve të vërtetë? Mund të jemi të kujdesshëm pa qenë tepër dyshues. Dhe me çdo kusht le ta mbajmë dashurinë dhe besimin tonë të lirë nga hipokrizia!—Jakovit 3:17; 1 Pjetrit 1:22.

[Figurat në faqet 22, 23]

A do të kishit lejuar që hipokrizia e skribëve dhe e farisenjve t’ju largonte nga Jezu Krishti dhe nga dishepujt e tij?