Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«I keni rënë numrit gabim»

«I keni rënë numrit gabim»

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

«I keni rënë numrit gabim»

NË Johanesburg të Afrikës së Jugut, Lesli dhe Karolina po e bënin me radhë për t’u dhënë dëshmi me telefon banorëve në një komunitet për pensionistë, të siguruar me portë në hyrje. Gjetën pak veta në shtëpi dhe pak interes për mesazhin e krishterë, kështu që Karolina mori zemër kur në telefon u përgjigj një zonjë.

«Zonja B— jeni?»—pyeti Karolina.

«Ah, jo,—tha një zë miqësor,—jam zonja G—. I keni rënë numrit gabim.»

Duke vënë re ngrohtësinë në zërin e kësaj zonje, Karolina tha: «Epo mirë, më lejoni t’ju shpjegoj çfarë dëshiroja t’i thosha zonjës B—.» Pastaj, vazhdoi të fliste për bekimet e Mbretërisë së ardhshme të Perëndisë. Pasi u bënë rregullime për t’i çuar broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh?, zonja G—pyeti: «Meqë ra fjala, cilës fe i përkitni?»

«Jemi Dëshmitarët e Jehovait»,—u përgjigj Karolina.

«Oh, jo, jo ajo fe! S’besoj se dua t’ju takoj.»

Karolina iu përgjigj: «Por, zonja G—, për 20 minuta unë ju kam folur për shpresën më të mrekullueshme, duke ju treguar nga Bibla se çfarë do të bëjë së shpejti Mbretëria e Perëndisë për njerëzimin. Ishit kaq e lumtur që po i dëgjonit këto gjëra, madje e entuziazmuar dhe donit të dinit më shumë. Çfarë dini në të vërtetë për Dëshmitarët e Jehovait? Po të ishit e sëmurë, a do të shkonit vallë te një mekanik? Përse nuk më lejoni që unë t’ju tregoj çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?»

Pas një çasti qetësie, erdhi përgjigjja: «Ma do mendja se keni të drejtë. Më mirë të vini. Por, ju paralajmëroj se nuk do të më ktheni kurrë në besim!»

«Zonja G—, nuk do të arrija kurrë t’ju ktheja në besim edhe sikur të doja,—u përgjigj Karolina.—Vetëm Jehovai mund ta bëjë këtë.»

Vizita për të lënë broshurën shkoi mirë dhe zonja G— (Beti) pranoi një vizitë tjetër. Kur Karolina u rikthye, Beti i tregoi që u kishte thënë zonjave në tryezën ku hante bukë se po bënte biseda me Dëshmitarët e Jehovait. «Si arrite ta bësh këtë?—e kishin pyetur ato, të zhgënjyera.—Ata njerëz nuk besojnë as te Jezui!»

Menjëherë Karolina i kujtoi Betit një pikë kryesore nga biseda që kishin bërë herën e kaluar për Mbretërinë e Perëndisë.

«Kush do të jetë Mbreti?»—pyeti Karolina.

«Jezui, kush tjetër?»—u përgjigj Beti.

«Patjetër»,—tha Karolina. Më pas, vazhdoi të shpjegonte se Dëshmitarët e Jehovait besojnë që Jezui është Biri i Perëndisë, por nuk është i barabartë me Perëndisë si pjesë e një Triniteti.—Marku 13:32; Luka 22:42; Gjoni 14:28.

Pas disa vizitave të tjera, u bë e qartë se, ndonëse kishte një frymë pozitive e të lumtur, Beti kishte shumë probleme shëndetësore. Në të vërtetë, ajo ishte me kancer dhe kishte frikë se mos vdiste. «Do të doja t’i kisha dëgjuar këto gjëra vite më parë dhe të kisha besimin që ke ti»,—pranoi ajo. Karolina e ngushëlloi duke i treguar shkrime që e përshkruajnë vdekjen si një gjumë i thellë, nga i cili një person mund të ngrihet në ringjallje. (Gjoni 11:11, 25) Kjo ishte shumë ngushëlluese për Betin, e cila tani e studion rregullisht Biblën. Vetëm shëndeti i keq e ka penguar që të ndjekë mbledhjet në Sallën e Mbretërisë.

Karolina thotë: «E kam të qartë se këtë vepër e drejtojnë engjëjt. I ramë gabimisht numrit të telefonit të Betit dhe, vetëm mendoni, ajo është 89 vjeçe!»—Zbulesa 14:6.