Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund ta parandaloni infarktin frymor

Mund ta parandaloni infarktin frymor

Mund ta parandaloni infarktin frymor

Një atlet me famë botërore, i cili e zotëronte në mënyrë të përsosur mjeshtërinë e tij dhe, në pamje të parë, ishte në formë të shkëlqyer fizike, papritur u shemb përdhe gjatë një stërvitjeje dhe vdiq. Atleti ishte Sergej Grinkovi, një patinator në akull, dy herë fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike, karriera e të cilit u ndërpre në mes sapo kishte filluar të lulëzonte—kur ai ishte vetëm 28 vjeç. Çfarë tragjedie! Cili ishte shkaku? Infarkt në zemër. U tha se vdekja e tij ishte krejt e papritur, sepse nuk kishte pasur asnjë shenjë të asnjë lloji që të tregonte se ai vuante nga një sëmundje zemre. Gjithsesi, mjekët zbuluan se zemrën e kishte të zmadhuar dhe arteriet koronare i kishte të bllokuara keq.

NDONËSE mund të duket se shumë infarkte ndodhin pa paralajmërim, autoritetet në mjekësi thonë se kjo ndodh rrallë. E vërteta është se shenjat paralajmëruese dhe faktorët kontribues të tillë, si mbajtje fryme, mbipeshë dhe dhembje në kraharor shpesh shpërfillen. Për pasojë, edhe nëse nuk vdesin në çastin kur u ndodh infarkti, shumë veta mbeten të gjymtuar rëndë për pjesën tjetër të jetës.

Mendimi i përgjithshëm i mjekëve sot është se parandalimi i infarktit kërkon vigjilencë të vazhdueshme në regjimin ushqimor dhe në stilin e jetesës së një personi, si edhe kontrolle të rregullta mjekësore. * Këto masa, bashkë me vullnetin e vërtetë për të bërë ndryshime aty ku është e nevojshme, do të ndihmojnë shumë për t’ia kursyer një personi pasojat tragjike të infarktit.

Gjithsesi, ka një gjendje tjetër të zemrës sonë që meriton edhe më shumë vëmendje. «Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes,—na paralajmëron Bibla,—sepse nga ajo dalin burimet e jetës.» (Fjalët e urta 4:23) Sigurisht, ky shkrim e ka fjalën kryesisht për zemrën figurative. Na nevojitet vigjilencë për të ruajtur zemrën fizike, por është shumë më e rëndësishme të jemi syçelë, nëse duam ta mbrojmë zemrën figurative nga sëmundjet që mund të çojnë në vdekje frymore.

Zbërthim i një infarkti figurativ

Siç ndodh me sëmundjet e zemrës fizike, një nga mënyrat më të sigurta për të parandaluar një infarkt nga ana frymore është të mësohen shkaqet e tij dhe të merren hapa për të bërë diçka për to. Prandaj, le të shqyrtojmë disa nga faktorët themelorë që shkaktojnë probleme të zemrës—asaj fizike dhe asaj figurative.

Regjimi ushqimor. Në përgjithësi, pranohet se ushqimet e gatshme pa vlera ushqimore, ndonëse janë të shijshme, i sjellin pak ose aspak dobi shëndetit. Në mënyrë të ngjashme, ushqimet pa vlera nga ana mendore janë në dispozicion me lehtësi dhe joshëse për shqisat, por i bëjnë dëm shëndetit tonë frymor. Në mjetet e informacionit ka një shumëllojshmëri materialesh të paraqitura me mençuri, të cilat paraqesin marrëdhënie seksuale të paligjshme, drogë, dhunë dhe okultizëm. Ta ushqejmë mendjen me ushqime të tilla është vdekjeprurëse për zemrën figurative. Fjala e Perëndisë paralajmëron: «Gjithçka që është në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe kapardisja për t’u dukur me mjetet e jetesës nuk vjen nga Ati, por nga bota. Për më tepër, bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1 Gjonit 2:16, 17.

Ushqimet e shëndetshme, si frutat dhe perimet e gjelbra, nuk e tërheqin shumë një person që është i dhënë pas ushqimeve të gatshme pa vlera ushqyese. Në mënyrë të ngjashme, ushqimi i shëndetshëm e i fortë frymor mund të mos e tërheqë një person që është mësuar ta ushqejë mendjen dhe zemrën me gjërat e botës. Për njëfarë kohe, ai mund t’ia dalë të mbijetojë me ‘qumështin’ e Fjalës së Perëndisë. (Hebrenjve 5:13) Por, me kalimin e kohës, nuk zhvillon pjekurinë frymore që nevojitet për të mbajtur përgjegjësitë e tij bazë frymore në kongregacionin dhe në shërbimin e krishterë. (Mateu 24:14; 28:19; Hebrenjve 10:24, 25) Disa që kanë qenë në këtë gjendje kanë lejuar që forca e tyre frymore të bjerë deri në atë pikë sa bëhen Dëshmitarë joaktivë.

Një rrezik tjetër është se pamja e jashtme mund të jetë mashtruese. Kryerja mekanikisht e detyrimeve të krishtere mund ta maskojë dobësimin gjithnjë e më të madh të zemrës figurative, e cila dobësohet duke u zhytur fshehurazi në filozofitë materialiste a në zbavitjet që paraqesin imoralitetin, dhunën ose okultizmin. Një regjim i tillë i gabuar ushqimor nga ana frymore mund të duket sikur nuk ka shumë efekt në gjendjen frymore të një personi, por mund ta paralizojë zemrën figurative ashtu si një regjim i keq ushqimor që mund të ngurtësojë arteriet dhe të dëmtojë zemrën fizike. Jezui paralajmëroi që të mos i lejojmë dëshirat e papërshtatshme të na hyjnë në zemër. Ai tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.» (Mateu 5:28) Po, një regjim i varfër ushqimor mund të çojë në infarkt frymor. Megjithatë, ka edhe faktorë të tjerë.

Ushtrimet. Është shumë e njohur se një stil jetese pa lëvizje mund t’ia shtojë një personi mundësinë që t’i ndodhë infarkt në zemër. Në mënyrë të ngjashme, një stil jetese pa lëvizje nga ana frymore mund të ketë pasoja serioze. Për shembull, një i krishterë mund të marrë pjesë disi në shërbimin e krishterë. Por, mund ta kufizojë këtë pjesëmarrje në atë që mund të quhet zonë rehatie, duke bërë pak ose aspak përpjekje për t’u bërë «një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës». (2 Timoteut 2:15) Ose një person mund të ndjekë disa mbledhje të krishtere, por mund të bëjë pak për t’u përgatitur e për të marrë pjesë në to. Ai mund të mos ketë synime frymore ose oreks a entuziazëm për gjërat frymore. Mungesa e ushtrimeve frymore me kalimin e kohës e dobëson dhe madje e bën të vdesë edhe atë pak besim që ai mund të ketë pasur një herë e një kohë. (Jakovit 2:26) Apostulli Pavël e vuri re këtë rrezik kur po u shkruante të krishterëve hebrenj, disa nga të cilët, me sa duket, kishin rënë në një stil të tillë jetese pa lëvizje nga ana frymore. Vini re si paralajmëroi ai për efektin e mundshëm ngurtësues që mund të kishte kjo në gjendjen e tyre frymore. «Hapni sytë, vëllezër, nga frika se mos, duke u larguar nga Perëndia i gjallë, zhvillohet te ndonjëri prej jush një zemër e ligë, së cilës i mungon besimi; por vazhdoni të nxitni njëri-tjetrin çdo ditë, për sa kohë që quhet ‘sot’, nga frika se mos ndonjëri prej jush ngurtësohet nga fuqia mashtruese e mëkatit.»—Hebrenjve 3:12, 13.

Stresi. Një shkak tjetër kryesor i infarkteve fizike është stresi i tepërt. Në mënyrë të ngjashme, stresi ose «ankthet e jetës» mund të kthehen me lehtësi në shkaqe vdekjeprurëse për zemrën figurative, duke bërë madje që viktima të mos i shërbejë më fare Perëndisë. Shumë i kohës është paralajmërimi i Jezuit në këtë aspekt: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga e ngrëna e tepërt, nga e pira e tepërt e nga ankthet e jetës dhe befas ajo ditë të bjerë në çast mbi ju si një lak.» (Luka 21:34, 35) Stresi mund të ndikojë për keq edhe në zemrën figurative, nëse e torturojmë veten për ndonjë mëkat të fshehtë për një periudhë të gjatë kohe. Mbreti David e mësoi nga përvoja dhembjen që sjell ky stres i dëmshëm, kur tha: «Nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim. Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kokën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.»—Psalmi 38:3, 4.

Siguria e tepërt te vetja. Shumë viktima të infarkteve ishin tepër të sigurt për gjendjen e tyre shëndetësore, pikërisht para se t’u ndodhte infarkti. Shpesh, ata nuk i pranonin ose i shpërfillnin si me shaka kontrollet mjekësore, duke i quajtur krejt të panevojshme. Në mënyrë të ngjashme, disa mendojnë se meqë kanë ca kohë që janë të krishterë, nuk ka mundësi t’u ndodhë asgjë. Mund të lënë pas dore bërjen e kontrolleve frymore ose të vetëshqyrtimit, derisa t’u bjerë katastrofa. Është jetësore të mbajmë në mend këshillën e mirë që jep apostulli Pavël kundër sigurisë së tepërt: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, le të hapë sytë që të mos bjerë.» Gjëja më e mençur është ta pranojmë natyrën tonë të papërsosur dhe ta kontrollojmë veten nga ana frymore herë pas here.—1 Korintasve 10:12; Fjalët e urta 28:14.

Mos i shpërfillni shenjat paralajmëruese

Me arsye të vlefshme, Shkrimet i japin shumë përparësi gjendjes së zemrës figurative. Te Jeremia 17:9, 10 lexojmë: «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë? Unë, Zoti, hetoj zemrën, vë në provë mendjen për t’i dhënë secilit sipas rrugëve të tij, sipas frytit të veprimeve të tij.» Por, përveçse na shqyrton zemrën, Jehovai merr, gjithashtu, masa të dashura që të na ndihmojë të bëjmë vetëshqyrtimin e duhur.

Nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ na jepen përkujtues në kohën e duhur. (Mateu 24:45) Për shembull, një nga mënyrat kryesore në të cilat mund të na mashtrojë zemra figurative është duke na bërë që t’u lëmë rrugë të lirë fantazive të botës. Këto janë përfytyrime jorealiste, ëndrra me sy hapur, endje të kota të mendjes. Këto fantazi mund të jenë shumë të dëmshme, sidomos nëse bëjnë të na lindin mendime të papastra. Prandaj, duhet t’i hedhim poshtë krejtësisht ato. Nëse e urrejmë paligjshmërinë siç e urrente Jezui, do ta ruajmë zemrën që të mos u lërë rrugë të lirë fantazive të botës.—Hebrenjve 1:8, 9.

Veç kësaj, kemi ndihmën e pleqve të dashur në kongregacionin e krishterë. Ndonëse është patjetër për t’u çmuar interesimi i të tjerëve, përgjegjësia për t’u kujdesur për zemrën tonë figurative në fund na ngelet neve personalisht. Na përket neve individualisht të ‘sigurohemi për të gjitha gjërat’ dhe të ‘vazhdojmë të vëmë në provë veten nëse jemi në besim’.—1 Selanikasve 5:21; 2 Korintasve 13:5.

Ruajeni zemrën

Parimi biblik «çfarëdo të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë» zbatohet edhe për shëndetin e zemrës sonë figurative. (Galatasve 6:7) Shpesh, ajo që duket se ka qenë një katastrofë e papritur frymore, del se ka qenë rrjedhojë e një historie të gjatë e të fshehtë të ngulmimit për të rendur pas gjërave të tilla të dëmshme frymësisht, si: shikimi i pornografisë, interesimi i tepërt për gjërat materiale ose përpjekja për t’u shquar a për pushtet.

Prandaj, për të mbrojtur zemrën është thelbësore të kemi kujdes për regjimin ushqimor nga ana frymore. Ushqejeni mendjen dhe zemrën me Fjalën e Perëndisë. Shmangni ushqimet pa vlera nga ana mendore, të cilat janë në dispozicion me kaq lehtësi dhe janë shumë tërheqëse për mishin, por që shkaktojnë si pasojë vetëm që zemra figurative të bëhet e pandjeshme. Psalmisti paralajmëron me një krahasim të përshtatshëm, si edhe të saktë nga ana mjekësore: «Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami.»—Psalmi 119:70.

Nëse keni gabime të fshehta që i mbani nga shumë kohë, përpiquni fuqimisht t’i çrrënjosni, në mos po do t’ju bllokohen arteriet figurative. Nëse bota fillon t’ju duket tërheqëse dhe duket se ju vë përpara shumë kënaqësi, meditoni rreth këshillës së mençur që dha apostulli Pavël. Ai shkroi: «Po ju them edhe këtë, vëllezër, se koha që mbetet është shkurtuar. Që sot e tutje, ata . . . që përdorin këtë botë, [të jenë] si ata që nuk e përdorin plotësisht; sepse skena e kësaj bote po ndryshon.» (1 Korintasve 7:29-31) Dhe, sikur pasuritë materiale të fillojnë t’ju joshin, merrni për zemër fjalët e Jobit: «Në qoftë se kam pasur besim tek ari dhe arit të kulluar i kam thënë: ‘Ti je shpresa ime’, edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.»—Jobi 31:24, 27 (Jobi 31:24, 28, BR); Psalmi 62:10; 1 Timoteut 6:9, 10.

Duke treguar se sa e rëndë është shpërfillja e vazhdueshme e këshillave të bazuara në Bibël, Bibla paralajmëron: «Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas patjetër.» (Fjalët e urta 29:1) Në të kundërt, duke u kujdesur siç duhet për zemrën tonë figurative, mund të provojmë kënaqësinë dhe paqen mendore që vjen kur bëjmë një jetë të thjeshtë e të rregullt. Kjo ka qenë gjithnjë rruga e rekomanduar e krishterimit të vërtetë. Apostulli Pavël u frymëzua të shkruante: «Sigurisht, devocioni hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi është një mjet për fitim të madh. Sepse asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»—1 Timoteut 6:6-8.

Po, ta stërvitim dhe ta ushtrojmë veten në udhën e devocionit hyjnor do të na sigurojë se kemi një zemër figurative të shëndetshme e të fortë. Duke pasur kujdes për regjimin ushqimor nga ana frymore, nuk do t’u lëmë vend udhëve dhe mendimeve shkatërruese të kësaj bote që t’i shkaktojnë ndonjë dëm gjendjes sonë frymore. Ç’është më e rëndësishme, duke pranuar masat që merr Jehovai nëpërmjet organizatës së tij, duhet të bëjmë rregullisht kontrolle të zemrës sonë figurative. Duke e bërë me ngulm këtë, do të ndihmohemi shumë për të shmangur pasojat e hidhura të një infarkti frymor.

[Shënimi]

^ par. 4 Për informacione të mëtejshme, të lutemi shih serinë e artikujve «Infarkti: Çfarë mund të bëhet?», në Zgjohuni! të 8 dhjetorit 1996, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

[Diçitura në faqen 10]

NJË REGJIM I KEQ USHQIMOR NGA ANA FRYMORE MUND TA PARALIZOJË ZEMRËN FIGURATIVE, ASHTU SI NJË REGJIM I KEQ USHQIMOR MUND TË NGURTËSOJË ARTERIET DHE TË DËMTOJË ZEMRËN FIZIKE

[Diçitura në faqen 10]

NJË STIL JETESE PA LËVIZJE NGA ANA FRYMORE MUND TË KETË PASOJA TË RËNDA

[Diçitura në faqen 11]

«ANKTHET E JETËS» MUND TË KTHEHEN ME LEHTËSI NË VDEKJEPRURËSE PËR ZEMRËN FIGURATIVE

[Figura në faqen 11]

Ta lëmë pas dore shëndetin frymor mund të çojë në dhembje të mëdha

[Figurat në faqen 13]

Kultivimi i zakoneve të mira frymore e ruan zemrën figurative

[Burimi i figurës në faqen 9]

Fotografi e AP/David Longstreath