Pranimi i ftesave të Jehovait sjell shpërblime
Jetëshkrim
Pranimi i ftesave të Jehovait sjell shpërblime
TREGUAR NGA MARIA DU SEU ZANARDI
«Jehovai e di se çfarë po bën. Nëse të ka dërguar ftesën, duhet ta pranosh me përulësi.» Këto fjalë që babai m’i tha 45 vjet më parë më ndihmuan të pranoja ftesën e parë që mora nga organizata e Jehovait, për të shërbyer në kohë të plotë. Sot jam ende mirënjohëse për këshillën e babait, sepse pranimi i këtyre ftesave më ka sjellë shumë shpërblime.
NË VITIN 1928, babai u pajtua në revistën Kulla e Rojës dhe filloi të tregonte interes për Biblën. Meqë jetonte në Portugalinë Qendrore, e vetmja lidhje me kongregacionin e Perëndisë ishin botimet që merrte me postë dhe një Bibël që kishte qenë e gjyshërve të mi. Në vitin 1949, kur unë isha 13 vjeçe, familja emigroi në Brazil, në vendlindjen e mamasë dhe u vendos në periferi të Rio-de-Zhanejros.
Fqinjët tanë të rinj na ftuan të shkonim në kishën e tyre, kështu që shkuam disa herë atje. Babait i pëlqente t’u bënte pyetje të njëpasnjëshme për zjarrin e ferrit, për shpirtin dhe për të ardhmen e tokës, por ata nuk kishin përgjigje. «Do të na duhet të presim derisa të gjejmë studentët e vërtetë të Biblës»,—e kishte zakon të thoshte babai.
Një ditë, një burrë i verbër na erdhi në shtëpi dhe na ofroi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Babai e pyeti për të njëjtat gjëra dhe ai i dha përgjigje logjike të bazuara në Bibël. Javën tjetër, na bëri vizitë një tjetër Dëshmitare e Jehovait. Pasi iu përgjigj pyetjeve të mëtejshme të babait, ajo kërkoi falje dhe tha se duhej të shkonte në shërbimin në fushë, duke na lexuar Mateun 13:38 për të treguar se kjo vepër duhet bërë në të gjithë botën. Babai pyeti: «A mund të dal edhe unë?» «Patjetër»,—ishte përgjigjja. Ishim tejet të gëzuar që kishim gjetur përsëri të vërtetën biblike. Babai u pagëzua në kongresin vijues dhe unë pak më vonë, në nëntor të vitit 1955.
Pranoj ftesën e parë
Një vit e gjysmë më vonë, mora nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Rio-de-Zhanejro një zarf të madh ngjyrë kafe, me një ftesë për të filluar veprën e predikimit në kohë të plotë. Në atë periudhë shëndeti i mamasë ishte shumë i dobët, kështu që i kërkova një këshillë babait. «Jehovai e di se çfarë po bën,—ishte përgjigjja e tij e vendosur.—Nëse të ka dërguar ftesën, duhet ta pranosh me përulësi.» Me këto fjalë që më dhanë zemër, plotësova kërkesën dhe fillova shërbimin e plotkohor më 1 korrik 1957. Caktimi i parë ishte Tres-Riosi, një qytet në shtetin e Rio-de-Zhanejros.
Në fillim, banorët e Tres-Riosit ngurronin ta dëgjonin mesazhin tonë, sepse nuk përdornim versionin katolik të Biblës. Ndihma erdhi kur filluam studimin biblik me Zheraldo Ramalhon, një katolik të devotshëm. Me ndihmën e tij, arrita të kem një Bibël me firmën e priftit vendës. Që nga ai çast, sa herë që ndonjëri bënte një kundërshtim, i tregoja firmën e priftit dhe nuk bëheshin më pyetje. Zheraldoja më vonë u pagëzua.
U gëzova tej mase kur, në vitin 1959, u mbajt një asamble qarkore tamam në qendër të Tres-Riosit. Madje, shefi i policisë, i cili në atë kohë po studionte Biblën, mori masa që të viheshin pankarta për të njoftuar programin në gjithë qytetin. Pasi predikova tre vjet në Tres-Rios, mora ftesën për një caktim të ri në Itu, rreth 110 kilometra në perëndim të San-Paulos.
Libra të kuq, blu dhe të verdhë
Pasi kërkuam ca, unë dhe shoqja e shërbimit gjetëm një vend të rehatshëm banimi në qendër të qytetit, te Maria, një vejushë zemërmirë. Maria na trajtoi si të ishim vajzat e saj. Por, s’kaloi shumë dhe peshkopi i kishës katolike të Itusë i bëri vizitë Marisë dhe i tha të na dëbonte, kurse ajo qëndroi në të sajën: «Kur më vdiq im shoq, nuk bëtë asgjë për të më ngushëlluar. Këto Dëshmitare të Jehovait më kanë ndihmuar, ndonëse nuk jam anëtare e fesë së tyre.»
Rreth asaj kohe, një grua na informoi se priftërinjtë katolikë të Itusë ua kishin ndaluar anëtarëve të famullive të tyre të pranonin kopje të «librit të kuq për Djallin». E kishin fjalën për librin «Le të jetë Perëndia i vërtetë», botimi biblik që kishim filluar t’u jepnim njerëzve gjatë javës. Meqë libri i kuq ishte «ndaluar» nga priftërinjtë, përgatitëm një prezantim për librin blu («Qiej të rinj dhe një tokë të re»). Më vonë, kur klerit i ra në vesh ky ndryshim, kaluam në librin e verdhë (Çfarë ka bërë feja
për njerëzimin?) e kështu me radhë. Ishte gjë e mirë që kishim një shumëllojshmëri librash me kapakë të ngjyrave të ndryshme.Pasi kisha kaluar rreth një vit në Itu, mora një telegram ku më bëhej ftesa për të punuar përkohësisht në Bethel, në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Rio-de-Zhanejro, në përgatitje për asamblenë kombëtare. Pranova me kënaqësi.
Privilegje dhe sfida të mëtejshme
Në Bethel puna nuk mungonte dhe isha e lumtur të ndihmoja në çdo mënyrë që ishte e mundur. Sa pasuruese ishte të ndiqja shqyrtimin e shkrimit të ditës çdo mëngjes dhe Studimin familjar të Kullës së Rojës çdo të hënë në mbrëmje! Lutjet e përzemërta të Oto Estelmanit dhe të anëtarëve të tjerë me përvojë të familjes Bethel më prekën thellë.
Pas asamblesë kombëtare, bëra gati valixhet për t’u kthyer në Itu, por, për habinë time, shërbëtori i degës, Grant Mileri, më dha një letër ku më bëhej ftesa për t’u bërë anëtare e përhershme e familjes Bethel. Shoqe dhome kisha motrën Hoza Jazexhijan, e cila shërben ende në Bethelin e Brazilit. Në atë kohë, familja Bethel ishte e vogël (ishim vetëm 28) dhe që të gjithë ishim miq të ngushtë.
Në vitin 1964, Zhoao Zanardi, një shërbëtor në kohë të plotë me moshë të re, erdhi në Bethel për t’u stërvitur. Më pas, e caktuan shërbëtor qarku ose mbikëqyrës qarkor, në një vend afër. Nganjëherë, takoheshim kur vinte në Bethel për të dorëzuar raportet. Shërbëtori i degës i dha leje Zhoaos të ndiqte studimin familjar të hënave të mbrëmje, kështu që kishim mundësi të kalonim më shumë kohë së bashku. U martova me Zhoaon në gusht të vitit 1965. Me lumturi e pranova ftesën për t’u bashkuar me tim shoq në veprën e qarkut.
Në ato ditë, vepra udhëtuese në brendësi të Brazilit ishte pak a shumë një aventurë. Nuk do t’i harroj kurrë vizitat në grupin e lajmëtarëve në Aranha, në shtetin Minas-Gerais. Duhej të merrnim një tren dhe pastaj pjesën tjetër të rrugës ta bënim në këmbë, të ngarkuar me valixhet, makinën e shkrimit, projektorin e diapozitivave, çantat e shërbimit dhe me literaturë. Sa të lumtur ishim që Lurival Shantali, një vëlla i moshuar, na priste gjithnjë në stacion për të na ndihmuar me çantat!
Mbledhjet në Aranha mbaheshin në një shtëpi që e kishin marrë me qira. Ne flinim në një dhomë të vogël në anën e pasme. Në njërën anë të dhomës kishte një oxhak që e përdornim për gatim dhe për të ngrohur ujin që vëllezërit na e sillnin me kova. Një vrimë në tokë, në mes të një plantacioni me bambu aty afër, shërbente si banjë. Natën linim ndezur një llambë me gas për të mbajtur larg insektet që mund të transmetojnë sëmundjen Chagas. Në mëngjes, flegrat e hundës i kishim gjithnjë të zeza nga tymi. Vërtet një përvojë interesante!
Kur po shërbenim në një qark në shtetin Parana, morëm edhe një herë një nga ato zarfat e mëdhenj ngjyrë kafe, nga zyra e degës. Përsëri një ftesë nga organizata e Jehovait—kësaj Luka 14:28 dhe të llogaritnim koston para se ta pranonim këtë caktim, sepse vepra jonë e krishterë ishte e ndaluar në atë vend dhe qeveria portugeze tashmë kishte arrestuar shumë vëllezër.
radhe për të shërbyer në Portugali! Në letër na këshillohej të shqyrtonim parimin teA do të shkonim në një vend ku do të hasnim përndjekje të tillë? «Nëse vëllezërit tanë portugezë ia dalin të jetojnë atje e t’i shërbejnë me besnikëri Jehovait, përse ne nuk mund ta bëjmë?»—tha Zhoaoja. Duke sjellë ndër mend fjalët inkurajuese të babait tim, e miratova atë që tha: «Nëse Jehovai na ka dërguar ftesën, duhet ta pranojmë dhe të kemi besim tek ai.» S’kaloi shumë dhe gjendeshim në Bethel në San-Paulo, duke marrë udhëzime të mëtejshme e duke përgatitur dokumentet për udhëtimin.
Zhoao-Maria dhe Maria-Zhoao
Anija jonë, Eugênio C, u nis nga porti i Santosit, në shtetin e San-Paulos, më 6 shtator 1969. Pas një udhëtimi prej 9 ditësh në det, mbërritëm në Portugali. Në fillim, kaluam disa muaj duke punuar me vëllezër me përvojë në rrugët e ngushta të Alfamës dhe të Murarias, në zonën e vjetër të Lisbonës. Ata na stërvitën të ishim vëzhgues, për të mos u kapur me lehtësi nga policia.
Mbledhjet e kongregacionit mbaheshin në shtëpitë e Dëshmitarëve. Kur e vinim re se fqinjët po fillonin të dyshonin, i zhvendosnim menjëherë mbledhjet në një vend tjetër, në mënyrë që shtëpia të mos bastisej ose të mos arrestoheshin vëllezërit. Piknikët, siç i quanim asambletë, mbaheshin në parkun Monsanto, në rrethinat e Lisbonës dhe në Kosta-da-Kaparika, një zonë pyjore përgjatë bregdetit. Visheshim në mënyrë joformale për atë rast dhe një grup përcjellësish vigjilentë rrinin rojë në pika strategjike. Po të afrohej ndonjë i dyshimtë, kishim kohë për të sajuar ndonjë lojë, për të filluar një piknik ose për të kënduar një këngë popullore.
Për t’ia bërë më të vështirë policisë së sigurimit që të na identifikonte, nuk përdornim emrat tanë të vërtetë. Vëllezërit na njihnin si Zhoao-Maria dhe Maria-Zhoao. Emrat tanë nuk përdoreshin në asnjë letërkëmbim ose regjistrim. Në vend të kësaj, na kishin caktuar numra. Bëja përpjekje të forta për të mos
i mbajtur mend adresat e vëllezërve. Në këtë mënyrë, po të më arrestonin, nuk do të kisha mundësi t’i tradhtoja.Pavarësisht nga kufizimet, unë dhe Zhoaoja ishim të vendosur të përfitonim nga çdo rast për të dhënë dëshmi, pasi e dinim se mund ta humbnim lirinë në çdo çast. Mësuam të mbështeteshim tek Ati ynë qiellor, Jehovai. Si Mbrojtësi ynë, ai i përdorte engjëjt e tij në mënyrë të tillë, saqë ndiheshim sikur e ‘shihnim Atë që është i padukshëm’.—Hebrenjve 11:27.
Në një rast, duke predikuar shtëpi më shtëpi në Porto, takuam një burrë që nguli këmbë për të na ftuar brenda. Motra me të cilën po predikoja pranoi pa ngurrim dhe nuk kisha mundësi tjetër përveçse ta shoqëroja. Për tmerrin tim, vura re se në murin e korridorit ishte fotografia e një njeriu me uniformë ushtarake. Ç’të bëja tani? I zoti i shtëpisë na ftoi të uleshim dhe pastaj më pyeti: «A do ta linit djalin tuaj të shërbente në ushtri, nëse do ta thërritnin?» Ishte një çast delikat. Me qetësi, por pasi isha lutur në heshtje, iu përgjigja: «Nuk kam fëmijë dhe jam e sigurt se po t’ju bëja juve një pyetje të tillë të bazuar në hipoteza, do të më jepnit të njëjtën përgjigje.» Ai heshti, kështu që unë vazhdova: «Tani, po të më pyetnit se si ndihet një person kur humbet vëllanë ose babanë, kësaj mund t’i përgjigjem, sepse më kanë vdekur edhe babai, edhe një vëlla.» Sytë m’u mbushën me lot ndërsa flitja dhe vura re se edhe ai ishte gati të qante. Më shpjegoi se kohët e fundit i kishte vdekur e shoqja. Dëgjoi me vëmendje kur unë i shpjegova shpresën e ringjalljes. Pastaj, me mirësjellje e përshëndetëm dhe u larguam shëndoshë e mirë, duke e lënë çështjen në duart e Jehovait.
Me gjithë ndalimin, njerëzit e çiltër ndihmoheshin të fitonin njohuri për të vërtetën. Pikërisht në Porto im shoq filloi studim me Horacion, një tregtar i cili bëri përparim të shpejtë. Më vonë, djali i tij, Emilioja, një mjek i shkëlqyer, u vu në anën e Jehovait dhe u pagëzua. Vërtet, asgjë nuk mund ta ndalë frymën e shenjtë të Jehovait.
«Nuk i dihet kurrë se çfarë do të lejojë Jehovai»
Në vitin 1973, unë dhe Zhoaoja morëm ftesën për të ndjekur Asamblenë Ndërkombëtare «Fitorja hyjnore» në Bruksel, Belgjikë. Ishin të pranishëm mijëra vëllezër spanjollë dhe belgjianë, si edhe delegatë nga Mozambiku, Angola, Kepi i Gjelbër dhe Azoret. Në komentet përmbyllëse, vëlla Nori nga selia qendrore në Nju-Jork tha: «Vazhdoni t’i shërbeni Jehovait me besnikëri. Nuk i dihet kurrë se çfarë do të lejojë Jehovai. Kushedi, ndoshta kongresin tjetër ndërkombëtar mund ta bëni në Portugali!»
Vitin që pasoi, vepra e predikimit u njoh zyrtarisht në Portugali. Dhe, në vërtetim të fjalëve të vëlla Norit, më 25 prill 1978, mbajtëm kongresin tonë të parë ndërkombëtar në Lisbonë.
Çfarë privilegji ishte të marshonim rrugëve të Lisbonës, duke dhënë dëshmi me pllakate, revista dhe ftesa për fjalimin publik! Ishte një ëndërr që bëhej realitet!Kishim zhvilluar shumë dashuri për vëllezërit tanë portugezë, shumë prej të cilëve kishin vuajtur burgime dhe rrahje, sepse kishin mbajtur asnjanësinë e krishterë. Dëshira jonë ishte të vazhdonim të shërbenim në Portugali, por s’ishte gjë që bëhej. Në vitin 1982, Zhoaoja pati një problem të rëndë në zemër dhe zyra e degës na sugjeroi të ktheheshim në Brazil.
Kohë sprove
Vëllezërit në zyrën e degës të Brazilit na mbështetën shumë dhe na caktuan të shërbenim në kongregacionin Kiririm në Tubate, shteti i San-Paulos. Shëndeti i Zhoaos u keqësua me shpejtësi dhe pas pak kohësh nuk mund të dilte më nga shtëpia. Në shtëpinë tonë vinin njerëz të interesuar për të studiuar Biblën, bëhej çdo ditë mbledhja e shërbimit, si edhe mbahej çdo javë grupi i studimit të librit. Këto masa na ndihmuan të ruanim një gjendje të mirë frymore.
Zhoaoja vazhdoi të bënte sa mundej në shërbimin e Jehovait derisa vdiq, më 1 tetor 1985. Isha e trishtuar dhe disi e dëshpëruar, por isha e vendosur të vazhdoja në caktimin tim. Një sprovë tjetër erdhi në prill të vitit 1986, kur hajdutët hynë me forcë në shtëpinë time dhe vodhën pothuajse çdo gjë. Për herë të parë në jetën time, u ndjeva e vetme dhe e frikësuar. Me dashuri, një çift më ftoi të qëndroja me ta për pak kohë dhe u isha shumë mirënjohëse për këtë.
Vdekja e Zhoaos dhe vjedhja e shtëpisë ndikuan edhe në shërbimin tim ndaj Jehovait. Nuk ndihesha më e sigurt në shërbim. Pasi i shkrova zyrës së degës për këtë vështirësi, mora ftesën për të kaluar ca kohë në Bethel, si ndihmë për të rifituar ekuilibrin emocional. Sa forcuese ishte ajo kohë!
Sapo u ndjeva pak më mirë, pranova një caktim për të shërbyer në Ipua, një qytet në shtetin e San-Paulos. Vepra e predikimit më mbante të zënë, por kishte raste kur ndihesha e shkurajuar. Në këto raste, u telefonoja vëllezërve në Kiririm dhe një familje vinte të më bënte vizitë për disa ditë. Këto vizita ishin vërtet inkurajuese! Gjatë vitit të parë që kalova në Ipua, 38 vëllezër e motra bënë atë udhëtim të gjatë për të më vizituar.
Në vitin 1992, gjashtë vjet pas vdekjes së Zhoaos, mora një ftesë tjetër nga organizata e Jehovait, kësaj radhe për të shërbyer në Franka, në shtetin e San-Paulos, ku shërbej ende si shërbëtore në kohë të plotë. Territori këtu është shumë i frytshëm. Në vitin 1994, fillova një studim biblik me kryetarin e bashkisë. Në atë kohë, ai po bënte fushatë për të fituar një vend në kongresin e Brazilit, por, me gjithë programin e ngjeshur, studionim çdo të hënë pasdite. Për t’i shmangur ndërprerjet, e hiqte telefonin nga priza. Sa të lumtur më bëri ta shihja që dalëngadalë të tërhiqej nga politika dhe, me ndihmën e së vërtetës, të rindërtonte martesën e tij! Ai dhe e shoqja u pagëzuan në vitin 1998.
Duke parë prapa, mund të them se jeta ime në shërbimin e plotkohor ka qenë me bekime dhe privilegje të jashtëzakonshme. Pranimi i ftesave që më ka bërë Jehovai nëpërmjet organizatës së tij më ka sjellë vërtet shumë shpërblime. Dhe çfarëdo ftesash të mund të vijnë në të ardhmen, gatishmëria ime për t’i pranuar është më e fortë se kurrë.
[Figurat në faqen 25]
Në vitin 1957, kur hyra në shërbimin e plotkohor dhe sot
[Figura në faqen 26]
Me familjen Bethel të Brazilit në vitin 1963
[Figura në faqen 27]
Dasma jonë në gusht të vitit 1965
[Figura në faqen 27]
Një asamble në Portugali, kur vepra ishte në ndalim
[Figura në faqen 28]
Japim dëshmi në rrugët e Lisbonës, gjatë Kongresit Ndërkombëtar «Besimi fitimtar», në vitin 1978