Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A tregon udhëzimi i Perëndisë, i dokumentuar te Jeremia 7:16, se të krishterët nuk duhet të luten për dikë që është përjashtuar nga kongregacioni i krishterë pasi është mëkatar i papenduar?

Pasi shpalli gjykimin e tij kundër Judës së pabesë, Jehovai i tha Jeremisë: «Mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq.»—Jeremia 7:16.

Përse Jehovai ia ndaloi Jeremisë që të lutej për izraelitët? Qartë, për shkak të shkeljeve flagrante që i kishin bërë Ligjit të tij. Në mënyrë të hapur dhe me paturpësi, ata ‘vidhnin, vritnin, shkelnin kurorën, betoheshin për të rremen, i digjnin temjan Baalit dhe u shkonin pas perëndive të tjerë’. Për pasojë, Jehovai u tha judenjve të pabesë: «Do t’ju dëboj nga prania ime, ashtu si dëbova tërë vëllezërit tuaj, tërë pasardhësit e Efraimit.» Sigurisht, do të ishte pa vend që Jeremia ose ndokush tjetër të lutej që Jehovai ta anulonte gjykimin e Tij.—Jeremia 7:9, 15.

Në harmoni me këtë, apostulli Gjon shkroi lidhur me lutjet e përshtatshme që i bëhen Perëndisë. Së pari, ai i siguroi të krishterët: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjonit 5:14) Pastaj, për sa u përket lutjeve për të tjerët, Gjoni vazhdoi: «Nëse dikush vë re vëllanë e tij duke bërë një mëkat që nuk çon në vdekje, do të kërkojë dhe ai do t’i japë atij jetë, po, atyre që nuk bëjnë mëkate që çojnë në vdekje. Ka një mëkat që çon në vdekje. Për atë mëkat unë nuk i them të lutet.» (1 Gjonit 5:16) Edhe Jezui foli për mëkatin që «nuk do të falet», domethënë, mëkati kundër frymës së shenjtë.—Mateu 12:31, 32.

A do të thotë kjo se të gjithë ata që përjashtohen nga kongregacioni i krishterë pasi kanë mëkatuar pa u penduar, kanë kryer mëkate që ‘çojnë në vdekje’ e prandaj nuk duhet të lutemi për ta? Nuk do të ishte medoemos kështu, sepse në disa raste këto shkelje nuk janë mëkate që çojnë në vdekje. Në të vërtetë, është e vështirë ta kuptojmë nëse janë të tilla. Një shembull tipik është ai i mbretit Manase të Judës. Ai u ndërtoi altarë perëndive të rremë, ofroi bijtë e tij si flijime, praktikoi spiritizmin dhe vuri shëmbëlltyra të gdhendura në tempullin e Jehovait. Në të vërtetë, Bibla thotë se Manaseu dhe populli vepruan «më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit». Për të gjitha këto, Jehovai e ndëshkoi Manaseun duke e dërguar në Babiloni si rob të lidhur me vargonj.—2 Mbretërve 21:1-9; 2 Kronikave 33:1-11.

A ishin mëkatet e Manaseut, sado të rënda, lloji i mëkatit që çon në vdekje? Me sa duket jo, sepse tregimi vazhdon duke thënë për të: «Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë të tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë të etërve të tij. Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jerusalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti është Perëndia.»—2 Kronikave 33:12, 13.

Prandaj, nuk duhet të nxjerrim përfundimin e nxituar se një person duhet të jetë fajtor për një mëkat që çon në vdekje, vetëm e vetëm sepse përjashtohet nga kongregacioni. Mund të duhet kohë që të zbulohet gjendja e vërtetë e zemrës së individit. Në të vërtetë, shpesh thuhet që një nga qëllimet e përjashtimit është ta bëjë mëkatarin të vijë në vete, me shpresë që të pendohet e të kthehet.

Meqë personi nuk është më në kongregacion, çdo ndryshim i zemrës dhe i qëndrimit mund të vihet re në fillim nga ata që janë afër, si bashkëshortja ose familjarët e tij. Ata që i vënë re këto ndryshime mund të nxjerrin përfundimin se mëkatari nuk ka kryer një mëkat që çon në vdekje. Mund të ndihen të nxitur të luten që ai të marrë forcë nga Fjala e frymëzuar e Perëndisë dhe që Jehovai të veprojë ndaj mëkatarit në harmoni me vullnetin e Tij.—Psalmi 44:21; Predikuesi 12:14.

Ndërkohë që disa mund të jenë në rrethana të tilla që i lejojnë të shohin prova të mjaftueshme për të besuar se mëkatari është penduar, ndoshta nuk është kështu për kongregacionin në përgjithësi. Ata do të mbeteshin ndërdyshas, do të turbulloheshin e ndoshta edhe do të pengoheshin po të dëgjonin dikë që të lutej publikisht për mëkatarin. Për këtë arsye, ata që ndihen të nxitur të luten për mëkatarin, duhet ta bëjnë këtë vetëm personalisht, duke i lënë zhvillimet e mëtejshme të çështjes në duart e pleqve përgjegjës në kongregacion.

[Figura në faqen 31]

Manaseut iu falën mëkatet e rënda kur u përul përpara Jehovait

[Burimi i figurës në faqen 30]

Riprodhim nga Illustrirte Pracht-Bibel/Heilige Schrift des Alten und Neuen Testaments, nach der deutschen Uebersetzung D. Martin Luther’s