Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rregulla e Artë është vërtet praktike

Rregulla e Artë është vërtet praktike

Rregulla e Artë është vërtet praktike

Ndonëse shumica e njerëzve e shohin Rregullën e Artë si një mësim moral të thënë nga Jezui, ai vetë tha: «Ajo që mësoj nuk është e imja, por i përket atij që më dërgoi.»—Gjoni 7:16.

PO, BURIMI i gjërave që mësoi Jezui, duke përfshirë edhe atë që u njoh si Rregulla e Artë, është ai që e dërgoi Jezuin, domethënë Krijuesi, Perëndia Jehova.

Në fillim, Perëndia vuri si qëllim që të gjithë njerëzit ta trajtonin njëri-tjetrin siç do të donin të trajtoheshin ata vetë. La shembullin më të mirë duke shprehur interes për mirëqenien e njerëzve në mënyrën se si i krijoi: «Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.» (Zanafilla 1:27) Kjo do të thotë se me dashuri Perëndia u dha njerëzve një masë të cilësive të tij të jashtëzakonshme, në mënyrë që të jetonin në paqe, lumturi dhe harmoni, mundësisht, përgjithmonë. Nëse do ta stërvitnin siç duhej ndërgjegjen që u kishte dhënë Perëndia, ajo do t’i drejtonte që t’i trajtonin të tjerët siç do të donin të trajtoheshin vetë.

Egoizmi mbizotëroi

Duke qenë se njerëzimi pati një fillim kaq të mrekullueshëm, çfarë ndodhi? E thënë thjesht, egoizmi nxori krye në mënyrë të shëmtuar. Shumica e njerëzve e njohin tregimin biblik se çfarë bëri çifti i parë njerëzor, tregim që është dokumentuar në kapitullin 3 të Zanafillës. Të nxitur nga Satanai—një kundërshtar i të gjitha normave të drejta të Perëndisë—Adami dhe Eva me egoizëm e hodhën poshtë sundimin e Perëndisë, duke parapëlqyer pavarësinë dhe vetëvendosjen. Veprimi i tyre rebel dhe egoist solli si rrjedhim jo vetëm humbje të mëdha për ata vetë, por edhe pasoja tragjike për gjithë pasardhësit e tyre të ardhshëm. Kjo ishte një shfaqje e qartë e pasojave shkatërrimtare që vijnë kur shpërfillet mësimi që u bë i njohur si Rregulla e Artë. Rrjedhimisht, «nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar».—Romakëve 5:12.

Ndonëse njerëzimi në tërësi u ktheu shpinën udhëve të dashura të Perëndisë Jehova, ai nuk i braktisi. Për shembull, Jehovai i dha kombit të Izraelit Ligjin e tij, me qëllim që t’i udhëhiqte. I mësoi t’i trajtonin të tjerët siç do të donin të trajtoheshin vetë. Ligji jepte udhëzime për trajtimin e skllevërve, të bijve pa baba dhe të vejushave. Përcaktonte si duheshin trajtuar sulmet, rrëmbimet dhe vjedhja. Ligjet për higjienën tregonin interesim për shëndetin e të tjerëve. Madje, kishte ligje edhe për çështjet seksuale. Jehovai e përmblodhi Ligjin e tij duke i thënë popullit: «Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde», një pohim të cilin e citoi edhe Jezui më vonë. (Levitiku 19:18; Mateu 22:39, 40) Ligji përmbante edhe rregulla për trajtimin e banorëve të huaj që gjendeshin mes izraelitëve. Aty urdhërohej: «Mos shtyp të huajin, sepse ju e njihni shpirtin e të huajit, sepse keni qenë të huaj në vendin e Egjiptit.» Me fjalë të tjera, izraelitët duhej të tregonin mirëdashje e mirëkuptim ndaj atyre që ishin në gjendje të pafavorshme.—Eksodi 23:9; Levitiku 19:34; Ligji i përtërirë 10:19.

Për sa kohë që Izraeli e ndoqi me besnikëri Ligjin, Jehovai e bekoi kombin. Gjatë mbretërimit të Davidit dhe të Solomonit, kombi u begatua dhe njerëzit ishin të lumtur e të kënaqur. Një tregim historik na thotë: «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë si rëra që është në bregun e detit. Ata hanin dhe pinin me gaz. Juda dhe Izraeli . . . jetuan të sigurtë, secili nën pjergullën dhe fikun e tij.»—1 Mbretërve 4:20, 25.

Mjerisht, paqja dhe siguria e kombit nuk zgjatën shumë. Ndonëse e kishin Ligjin e Perëndisë, izraelitët nuk e zbatuan, por lejuan që egoizmi t’ia zinte vendin interesimit për të tjerët. Kjo, së bashku me apostazinë, solli si pasojë vështirësi për ta si individë dhe si komb. Në fund, në vitin 607 p.e.s., Jehovai i lejoi babilonasit që ta shkatërronin mbretërinë e Judës, qytetin e Jerusalemit e madje edhe tempullin madhështor që ishte atje. Për ç’arsye? «‘Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia; ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut’,—thotë Zoti,—‘dhe Nabukodonosorin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.’» (Jeremia 25:8, 9) Çfarë çmimi që iu desh të paguanin sepse kishin braktisur adhurimin e pastër të Jehovait!

Një shembull për t’u imituar

Nga ana tjetër, Jezu Krishti jo vetëm ua mësoi Rregullën e Artë të tjerëve, por edhe la shembullin më të mirë duke e ndjekur atë. Ai kujdesej me të vërtetë për mirëqenien e të tjerëve. (Mateu 9:36; 14:14; Luka 5:12, 13) Një herë, afër qytetit të Nainit, Jezui pa një vejushë zemërthyer në kortezhin e funeralit të birit të saj të vetëm. Tregimi biblik thotë: «Kur e vuri re, Zotëria u shty nga keqardhja për të.» (Luka 7:11-15) Shprehja «u shty nga keqardhja», sipas Vine’s Expository Dictionary of Old and New Testament Words, do të thotë «të prekesh në të përbrendshmet e tua». Jezui e ndjeu dhembjen që kishte ajo në zemër dhe kjo gjë e shtyu të bënte hapa pozitivë për t’ia lehtësuar dhembjen. Çfarë gëzimi ndjeu ajo vejushë kur Jezui e ringjalli djalin dhe «ia dha së ëmës»!

Në fund, në harmoni me vullnetin e Perëndisë, vullnetarisht Jezui vuajti dhe dha jetën e tij si shpërblesë, në mënyrë që njerëzimi të çlirohej nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Ky ishte shembulli më i madh i jetesës sipas Rregullës së Artë.—Mateu 20:28; Gjoni 15:13; Hebrenjve 4:15.

Njerëz që zbatojnë Rregullën e Artë

A ka në kohën tonë njerëz që jetojnë vërtet sipas Rregullës së Artë? Po, dhe e bëjnë këtë jo vetëm atëherë kur është e volitshme. Për shembull, gjatë Luftës II Botërore, në Gjermaninë naziste, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën besimin e tyre te Perëndia dhe dashurinë për të afërmin e nuk pranuan të shkelnin Rregullën e Artë. Ndonëse shteti ndërmori një fushatë urrejtjeje dhe diskriminimi kundër gjithë hebrenjve, Dëshmitarët vazhduan të ndiqnin Rregullën e Artë. Edhe në kampet e përqendrimit vazhduan të kujdeseshin për njerëzit e tjerë, duke e ndarë ushqimin, ndonëse ishte i pakët, me njerëz që po vdisnin urie, hebrenj dhe johebrenj. Për më tepër, edhe pse shteti i urdhëroi të merrnin armët për të vrarë të tjerët, ata nuk pranuan ta bënin këtë, ashtu si nuk dëshironin që të tjerët t’i vritnin. Si mund të vritnin ata që duhej t’i donin si veten e tyre? Për shkak të këtij mospranimi, shumë prej tyre u dërguan jo vetëm në kampet e përqendrimit, por edhe drejt vdekjes.—Mateu 5:43-48.

Ndërkohë që po lexoni këtë artikull, po nxirrni dobi edhe nga një shembull tjetër i zbatimit të Rregullës së Artë. Dëshmitarët e Jehovait e kuptojnë se sot shumë njerëz vuajnë pa pasur ndonjë shpresë e pa pasur asnjë ndihmë. Për shkak të kësaj, vullnetarisht Dëshmitarët ndërmarrin veprime pozitive për t’i ndihmuar të tjerët që të mësojnë për shpresën dhe udhëzimet praktike që gjenden në Bibël. E gjithë kjo është pjesë e një vepre globale arsimimi që po bëhet tani në një shkallë të paparë ndonjëherë. Rrjedhimi? Siç ishte profetizuar tek Isaia 2:2-4, «shumë popuj»—në të vërtetë më tepër se gjashtë milionë veta përreth botës—janë ‘mësuar në rrugët e Jehovait dhe ecin në shtigjet e tij’. Në mënyrë të figurshme, ata kanë mësuar «t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj». Kanë gjetur paqe dhe siguri në këto kohë të turbullta.

Po ju?

Ndaluni e mendoni për një çast agoninë dhe vuajtjet që ka sjellë mbi njerëzimin shpërfillja e Rregullës së Artë që nga rebelimi në Eden, i nxitur nga Satana Djalli. Jehovai ka për qëllim ta ndryshojë gjendjen së shpejti. Si do ta bëjë? «Për këtë qëllim u shfaq Biri i Perëndisë, domethënë, për të zhbërë veprat e Djallit.» (1 Gjonit 3:8) Kjo do të ndodhë nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, nën drejtimin e mençur dhe të aftë të Jezu Krishtit, atij që u mësoi të tjerëve Rregullën e Artë dhe jetoi edhe vetë sipas saj.—Psalmi 37:9-11; Danieli 2:44.

Mbreti David i Izraelit të lashtë vërejti: «Kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë. Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.» (Psalmi 37:25, 26) A nuk do të ishit të një mendimi se shumica e njerëzve sot vetëm marrin e zhvatin, në vend që të ‘kenë mëshirë e të japin hua’? Qartë, ndjekja e Rregullës së Artë mund të çojë në paqe dhe siguri të vërtetë, sepse i jep mundësi një personi të ketë bekime tani dhe në të ardhmen, nën Mbretërinë e Perëndisë. Kjo Mbretëri do të zhdukë çdo gjurmë egoizmi dhe ligësie në tokë dhe do ta zëvendësojë sistemin e tanishëm të sundimit të korruptuar të njeriut me një sistem të ri që do ta bëjë ai vetë. Atëherë, të gjithë njerëzit do të kënaqen duke jetuar sipas Rregullës së Artë.—Psalmi 29:11; 2 Pjetrit 3:13.

[Figurat në faqet 4, 5]

Jezui jo vetëm që ua mësoi Rregullën e Artë të tjerëve, por edhe la shembullin më të mirë duke e zbatuar atë

[Figurat në faqen 7]

Ndjekja e Rregullës së Artë mund të çojë në paqe dhe siguri të vërtetë