Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui i vërtetë

Jezui i vërtetë

Jezui i vërtetë

PASI mori vesh nga apostujt se çfarë mendonin njerëzit për të, Jezui i pyeti: «Po ju, kush thoni se jam?» Në Ungjillin e Mateut është dokumentuar përgjigjja e apostullit Pjetër: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.» (Mateu 16:15, 16) Të tjerët ishin të të njëjtit mendim. Natanaeli, i cili më vonë u bë një nga apostujt, i tha Jezuit: «Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je Mbret i Izraelit.» (Gjoni 1:49) Edhe vetë Jezui foli për rëndësinë që kishte roli i tij: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Në raste të ndryshme, ai foli për veten e tij si ‘Biri i Perëndisë’. (Gjoni 5:24, 25; 11:4) E këtë pohim e mbështeti me mrekullitë që bëri, duke ringjallur edhe të vdekurit madje.

Dyshime të bazuara?

Por, a mund të kemi vërtet besim në versionin që japin Ungjijtë për Jezuin? A paraqesin ato Jezuin e vërtetë? I ndjeri Frederik F. Brusi, profesor i kritikës dhe i shpjegimit të Biblës në Universitetin e Mançesterit, Angli, thoshte: «Normalisht, nuk është e mundur të tregohet me argumentime historike vërtetësia e çdo hollësie të ndonjë shkrimi të lashtë, qoftë ky pjesë ose jo e Biblës. Mjafton të kemi një bindje të arsyeshme për besueshmërinë në përgjithësi të shkrimtarit; nëse përcaktohet kjo, atëherë ka mundësi a priori që hollësitë e tij të jenë të vërteta. . . . Besëlidhja e Re nuk është më pak e besueshme historikisht vetëm sepse të krishterët e quajnë literaturë ‘të shenjtë’.»

Pasi mori në shqyrtim dyshimet që ekzistonin për Jezuin e paraqitur në Ungjij, Xhejms R. Eduardsi, profesor i fesë në Kolegjin Xhejmstaun, në Dakotën e Veriut, SHBA, shkroi: «Mund të pohojmë të sigurt se Ungjijtë kanë një sërë dëshmish të ndryshme e domethënëse të së vërtetës faktike për Jezuin. . . . Përgjigjja më e arsyeshme për pyetjen se përse Ungjijtë e paraqesin në këtë mënyrë Jezuin është sepse kjo është në thelb e vërteta se kush ishte Jezui. Ungjijtë ruajnë me besnikëri kujtimin që la ai tek ithtarët e tij, pra, që ishte vërtet i dërguar nga Perëndia e i ishte dhënë fuqi për të qenë Biri dhe Shërbëtori i Perëndisë.» *

Në kërkim të Jezuit

Ç’të themi për referimet jobiblike rreth Jezu Krishtit? Në ç’mënyrë vlerësohen ato? Në veprat e Tacitit, Suetonit, Jozefit, Plinit të Ri dhe disa shkrimtarëve të tjerë klasikë përfshihen referime të shumta për Jezuin. Për to, The New Encyclopædia Britannica (1995) thotë: «Këto tregime të pavarura provojnë se në të kaluarën, madje as kundërshtarët e krishterimit nuk e kanë vënë kurrë në dyshim ekzistencën historike të Jezuit, për të cilën u debatua për herë të parë dhe mbi baza të pamjaftueshme në fund të shekullit të 18-të, gjatë shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.»

Mjerisht, në kërkimin për të gjetur Jezuin «e vërtetë» ose «historik», studiuesit e sotëm duket se e kanë fshehur identitetin e tij të vërtetë pas një mali me spekulime të pabazuara, me dyshime të kota dhe me teori të pathemelta. Në njëfarë kuptimi, ata janë fajtorë për trillimet për të cilat akuzohen në mënyrë të rreme shkrimtarët e Ungjijve. Disa janë kaq të paduruar për të rritur famën e tyre dhe për ta lidhur emrin e tyre me një teori të re mahnitëse, saqë nuk ia dalin mbanë të shqyrtojnë me ndershmëri dëshmitë rreth Jezuit. Në këtë proces, krijojnë një «Jezu» që është pjellë e imagjinatës së studiuesve.

Për ata që duan ta gjejnë, Jezui i vërtetë mund të gjendet në Bibël. Ljuk Xhonsoni, profesor i origjinave të krishtere dhe i Besëlidhjes së Re, në Shkollën Kandler të Teologjisë, në Universitetin Emori, pohon se shumica e kërkimeve që bëhen për Jezuin historik nuk marrin parasysh synimin e Biblës. Ai thotë se mund të jetë një gjë interesante të shqyrtohet konteksti shoqëror, politik, antropologjik dhe kulturor i jetës dhe i epokës së Jezuit. Gjithsesi, ai shton se zbulimi i asaj që studiuesit e quajnë Jezui historik, «nuk është ajo që kanë për synim Shkrimet», të cilat «interesohen më shumë të përshkruajnë karakterin e Jezuit», mesazhin dhe rolin e tij si Shpengues. Pra, cili ishte karakteri i vërtetë i Jezuit dhe mesazhi i tij?

Jezui i vërtetë

Ungjijtë, katër tregimet biblike të jetës së Jezuit, paraqesin një njeri që shfaqte shumë ndjenja të përbashkëta me të tjerët. Keqardhja dhe dhembshuria e shtynin Jezuin të ndihmonte njerëzit që vuanin nga sëmundjet, që ishin të verbër e që kishin mundime të tjera. (Mateu 9:36; 14:14; 20:34) Vdekja e mikut të tij Lazarit dhe pikëllimi që u shkaktoi kjo motrave të Lazarit, e shtynë Jezuin të ‘rënkonte e të mos i mbante lotët’. (Gjoni 11:32-36) Në të vërtetë, Ungjijtë zbulojnë shumëllojshmërinë e ndjenjave të Jezuit: ndjenja të përbashkëta për një person me lebër, ngazëllim për sukseset që arrinin dishepujt e tij, indinjatë për fanatikët zemërgur të ligjit dhe trishtim për faktin që Jerusalemi e hodhi poshtë Mesinë.

Kur kryente mrekulli, Jezui shpesh përqendrohej në rolin që luante personi të cilit i bëhej mrekullia: «Besimi yt të ka kthyer shëndetin.» (Mateu 9:22) Ai e lavdëroi Natanaelin si ‘një izraelit të vërtetë’, duke thënë: ‘Tek ai s’ka mashtrim!’ (Gjoni 1:47, Dio) Kur disa menduan se dhurata plot mirënjohje e një gruaje ishte e tepruar, Jezui e mori në mbrojtje dhe tha se bujaria që tregoi ajo do të kujtohej për shumë kohë. (Mateu 26:6-13) Ai e tregoi veten një mik të vërtetë dhe një shok të dashur për ithtarët e tij, ‘duke i dashur deri në fund’.—Gjoni 13:1; 15:11-15.

Ungjijtë tregojnë, gjithashtu, se Jezui i kuptonte menjëherë njerëzit që takonte. Kur foli me një grua pranë një pusi, me një mësues fetar në një kopsht ose me një peshkatar buzë liqenit, ai ua preku menjëherë zemrën. Pas fjalëve të para të Jezuit, shumë nga këta njerëz ia zbuluan të mendimet e tyre më të brendshme. Ai ua prekte zemrën. Ndonëse në atë kohë njerëzit u shmangeshin personave me autoritet, në rastin e Jezuit njerëzit mblidheshin në turma përqark tij. U pëlqente të rrinin me Jezuin, ndiheshin rehat në shoqërinë e tij. Fëmijët ndiheshin të lirshëm me të dhe, kur mori një fëmijë si shembull, nuk është që thjesht ua vuri fëmijën përpara dishepujve, por edhe «i hodhi duart në qafë». (Marku 9:36; 10:13-16) Në të vërtetë, Ungjijtë e paraqesin Jezuin si një njeri që kishte forcë të tillë tërheqëse, saqë njerëzit qëndruan tri ditë vetëm për të dëgjuar fjalët e tij mahnitëse.—Mateu 15:32.

Fakti që ishte i përsosur nuk e bënte Jezuin tepër kritik ose arrogant e sundues ndaj njerëzve të papërsosur e të rënduar nga mëkatet, mes të cilëve jetoi dhe predikoi. (Mateu 9:10-13; 21:31, 32; Luka 7:36-48; 15:1-32; 18:9-14) Jezui nuk ishte kurrë kërkues ndaj të tjerëve. Nuk ua shtonte barrat njerëzve. Përkundrazi, ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni . . . Unë do t’ju freskoj.» Dishepujt e panë se ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër» dhe zgjedha e tij ishte e këndshme, ngarkesa e tij ishte e lehtë.—Mateu 11:28-30.

Karakteri i Jezuit bëhet i qartë në tregimet e Ungjijve me një tingull të qartë të së vërtetës. Nuk do të ishte e lehtë që katër individë të shpiknin një karakter të jashtëzakonshëm e pastaj të paraqitnin një përshkrim konsekuent të tij në katër tregime të ndryshme. Do të ishte pothuajse e pamundur që katër shkrimtarë të përshkruanin të njëjtin person dhe në mënyrë konsekuente të jepnin të njëjtin përshkrim për të, nëse ky personazh nuk do të kishte ekzistuar kurrë me të vërtetë.

Historiani Majkëll Grant bën një pyetje që të vë në mendime: «Si ka mundësi që, në gjithë traditat e Ungjijve pa përjashtim, paraqitet portreti shumë i qartë i një të riu tërheqës që lëvizte lirshëm midis grave të çdo lloji, duke përfshirë edhe ato që me siguri kishin një nam të keq, pa asnjë gjurmë sentimentalizmi, panatyrshmërie ose sjelljeje prej shenjtori, e megjithatë, në çdo rrethanë, duke mbajtur një integritet të vendosur karakteri?» Përgjigjja e arsyeshme është se një njeri i tillë ka ekzistuar vërtet dhe ka vepruar në mënyrën që tregon Bibla.

Jezui i vërtetë dhe e ardhmja juaj

Përveçse jep një portret real të Jezuit kur ishte në tokë, Bibla tregon se ai kishte pasur një ekzistencë paranjerëzore si Biri i vetëmlindur i Perëndisë, «i parëlinduri i gjithë krijimit». (Kolosianëve 1:15) Njëzet shekuj më parë, Perëndia e transferoi jetën e Birit të tij qiellor në barkun e një virgjëreshe judeje, që të lindte si njeri. (Mateu 1:18) Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezu shpalli Mbretërinë e Perëndisë si shpresën e vetme për njerëzimin e munduar dhe i stërviti dishepujt e tij që ta vazhdonin këtë vepër predikimi.—Mateu 4:17; 10:5-7; 28:19, 20.

Më 14 nisan (afërsisht më 1 prill) të vitit 33 të e.s., Jezuin e arrestuan, e gjykuan, e dënuan dhe e vranë me akuzën e rremë për nxitje kryengritjeje. (Mateu 26:18-20, 48—27:50) Vdekja e Jezuit shërben si shpërblesë, duke e çliruar njerëzimin besnik nga gjendja mëkatare dhe duke ua hapur kështu rrugën për jetën e përhershme të gjithëve atyre që ushtrojnë besim te Jezui. (Romakëve 3:23, 24; 1 Gjonit 2:2) Më 16 nisan, Jezui u ringjall dhe pak kohë më pas u ngjit përsëri në qiell. (Marku 16:1-8; Luka 24:50-53; Veprat 1:6-9) Si Mbreti i emëruar nga Jehovai, Jezui i ringjallur ka autoritet të plotë për të përmbushur qëllimin fillestar të Perëndisë për njeriun. (Isaia 9:6, 7; Luka 1:32, 33) Po, Bibla e paraqet Jezuin si figurën qendrore në plotësimin e qëllimeve të Perëndisë.

Në shekullin e parë, shumë njerëz e pranuan Jezuin për atë që ishte, domethënë Mesia i premtuar ose Krishti, i dërguar në tokë për të shfajësuar sovranitetin e Jehovait dhe për të vdekur si shpërblesë për njerëzimin. (Mateu 20:28; Luka 2:25-32; Gjoni 17:25, 26; 18:37) Përballë përndjekjeve të ashpra, vështirë se njerëzit do të kishin qenë të motivuar të bëheshin dishepuj të Jezuit po të mos kishin qenë të sigurt për identitetin e tij. Me guxim e me zell, ata morën përsipër detyrën që u dha ai, të ‘bënin dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’.—Mateu 28:19.

Sot, miliona të krishterë të vërtetë e që kanë njohuri e dinë se Jezui nuk është një personazh i gojëdhënave. Ata e pranojnë si Mbretin e kurorëzuar të Mbretërisë së Perëndisë të vendosur në qiell, mbretëri që pas pak do të marrë në dorë kontrollin e plotë të tokës dhe të situatës së saj. Kjo qeveri hyjnore përbën një lajm të pëlqyeshëm, sepse premton çlirim nga problemet e botës. Të krishterët e vërtetë e shfaqin mbështetjen besnike ndaj Mbretit të zgjedhur nga Jehovai duke ua shpallur ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë» të tjerëve.—Mateu 24:14.

Ata që mbështetin rregullin e Mbretërisë nëpërmjet Krishtit, Birit të Perëndisë së gjallë, do të jetojnë për të pasur bekime të përjetshme. Këto bekime mund t’i keni edhe ju! Botuesit e kësaj reviste do të jenë të lumtur t’ju ndihmojnë të njihni Jezuin e vërtetë.

[Shënimi]

^ par. 5 Për një shqyrtim të hollësishëm të tregimeve të Ungjijve, shih kapitujt 5 deri në 7 të librit Bibla: Fjalë e Perëndisë apo e njerëzve?, botuar në anglisht nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Ja, çfarë kanë thënë të tjerët

«E kam vlerësuar Jezuin e Nazaretit si një nga mësuesit e mëdhenj që ka pasur bota. . . . Do t’u them hinduistëve se jeta e tyre nuk do të jetë e plotë po të mos i studiojnë me nderim mësimet e Jezuit.»—Mohandas K. Gandi, The Message of Jesus Christ.

«Një personazh kaq origjinal, kaq i plotë, kaq konsekuent në mënyrë të njëtrajtshme, kaq i përsosur, kaq njerëzor e megjithatë shumë, shumë më lart se çdo madhështi njerëzore, nuk mund të jetë as mashtrim, as trillim. . . . Do të duhej një më i madh se Jezui për të shpikur Jezuin.»—Filip Shafi, History of the Christian Church.

«Që disa njerëz të thjeshtë të kenë sajuar brenda një brezi një personalitet kaq të fuqishëm dhe tërheqës, parime kaq të larta dhe një vizion kaq frymëzues të vëllazërisë njerëzore, do të ishte një mrekulli shumë më tepër e pabesueshme se të gjitha ato të dokumentuara në Ungjij.»—Uill Duranti, Caesar and Christ.

«Mund të duket e pakuptueshme që një lëvizje fetare që përfshin gjithë globin të jetë filluar nga një person i paqenë, i trilluar si barasvlerësi i një strategjie të tregut, po të shohim sa të shumtë janë njerëzit që nuk kundërshtohet se janë realë, të cilët janë përpjekur të krijojnë fe dhe kanë dështuar.»—Greg Istërbruku, Beside Still Waters.

‘Si historian letrar, jam plotësisht i bindur se Ungjijtë mund të jenë çfarëdo gjëje, por legjenda nuk janë. Nuk janë mjaft artistikë, sa për të qenë legjenda. Ne nuk e njohim pjesën më të madhe të jetës së Jezuit dhe askush që shpik një legjendë nuk do ta linte të ishte kështu.’—K. S. Ljuisi, God in the Dock.

[Figurat në faqen 7]

Ungjijtë zbulojnë shumëllojshmërinë e ndjenjave të Jezuit