Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kush thonë njerëzit se jam unë?»

«Kush thonë njerëzit se jam unë?»

«Kush thonë njerëzit se jam unë?»

ËSHTË përsëri periudha e Krishtlindjeve. Njerëzit përreth globit vendosin të festojnë një ditëlindje. Ditëlindjen e kujt? Të Birit të Perëndisë apo thjesht të një judeu të devotshëm, i cili kishte për qëllim të reformonte fenë kryesore në zonën e tij në shekullin e parë? Ditëlindjen e një mbrojtësi të të varfërve, të një rebeli që përbënte një kërcënim të tillë për Perandorinë Romake, saqë e ekzekutuan? Apo ndoshta të një filozofi që e vinte theksin në njohjen e vetvetes dhe në një mbretëri të brendshme ku sundon mençuria? Është e arsyeshme të pyesim: Kush ishte në të vërtetë Jezu Krishti?

Vetë Jezui interesohej për përgjigjen që i jepnin njerëzit kësaj pyetjeje. «Kush thonë njerëzit se jam unë?»​—i pyeti një herë dishepujt e tij. (Marku 8:27) Përse e bëri këtë pyetje? Tashmë shumë veta kishin pushuar së ndjekuri atë. Të tjerë, me sa duket, ishin të pështjelluar dhe të zhgënjyer, pasi ai i kishte hedhur poshtë përpjekjet e tyre për ta bërë mbret. Për më tepër, kur armiqtë e tij e sfiduan, Jezui nuk dha asnjë shenjë nga qielli për të provuar se cili ishte. Pra, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, çfarë thanë apostujt për identitetin e tij? Ata përmendën disa nga pikëpamjet që ishin më të përhapura te njerëzit: «Disa thonë Gjon Pagëzori, të tjerë Elija, të tjerë akoma Jeremia ose një nga profetët.» (Mateu 16:13, 14) Nuk përmendën epitetet e shumta fyese që qarkullonin atëherë në Palestinë për Jezuin: blasfemues, sharlatan, profet i rremë e madje edhe i çmendur.

Fytyrat e shumta të Jezuit

Nëse Jezui do të bënte të njëjtën pyetje sot, ndoshta mund edhe ta riformulonte kështu: «Kush thonë studiuesit se jam unë?» Edhe një herë, përgjigjet ka shumë të ngjarë të përmblidhen me këtë thënie: ka shumë mendime të ndryshme. «Jezui mund të krahasohet me një kalë që njerëz të ndryshëm e kanë kalëruar në shumë drejtime të ndryshme»,​—tha Dejvid Trejsi nga Universiteti i Çikagos. Në shekullin e kaluar, studiuesit kanë përdorur një sërë metodash marramendëse sociologjike, antropologjike dhe letrare, në përpjekje për të formuluar përgjigje ndaj pyetjes se cili ishte në të vërtetë Jezui. Si përfundim, cilin shohin ata pas personit të Jezuit?

Disa studiues vazhdojnë të besojnë se Jezui historik ishte një profet eskatologjik jude që bënte thirrje për pendim. Megjithatë, ngurrojnë ta quajnë Biri i Perëndisë, Mesia dhe Shpenguesi. Shumë prej tyre vënë në dyshim tregimin biblik për origjinën e tij qiellore dhe ringjalljen e tij. Për të tjerë, Jezui ishte vetëm një njeri që me jetën shembullore dhe me mësimet e tij frymëzoi lindjen e disa besimeve që më së fundi u përmblodhën në krishterimin. Gjithashtu, siç komentohet në Theology Today, të tjerë akoma e shohin Jezuin si «një cinik, një filozof endacak ose një fshatar mistik; një organizues bashkësish, një poet hipì që akuzon rendin e vendosur shoqëror ose një agjent i regjur që i shpreh hapur mendimet e tij ndërsa lëviz nëpër fshatrat e mbipopulluara, të varfëruara e që ziejnë nga revoltat në Palestinën e prapambetur».

Ka pikëpamje edhe më të pazakonta. Imazhi i një Jezui zezak po hyn me të shpejtë në muzikën rap, në veprat e artit të bëra në mjedise të jashtme, madje edhe në vallëzimet. * Të tjerë po thonë se në të vërtetë Jezui ishte grua. Në verën e vitit 1993, ata që vizitonin Panairin Orange County në Kaliforni shihnin edhe një statujë të «Kristit»​—një «Krisht» femër lakuriq, në kryq. Rreth kësaj kohe, në Nju-Jork gjendej në ekspozitë «Krista», një «Jezu» femër e vënë në kryq. Që të dyja statujat krijuan shumë polemika. Veç kësaj, në fillim të vitit 1999, në librari mund të gjendej edhe një libër që fliste «për dashurinë [që] djali Jezu dhe qeni i tij, Engjëlli, kishin për njëri-tjetrin». Marrëdhënia e tyre përshkruhet si një lidhje «nxitëse frymësisht dhe tregon se si djali dhe qeni janë gati të sakrifikojnë edhe jetën për njëri-tjetrin».

A ka vërtet rëndësi?

Përse duhet të na interesojë se kush ishte dhe kush është Jezui? Pikësëpari, sepse, për ta shprehur me fjalët e Napoleonit, «Jezu Krishti ka ndikuar dhe ka ushtruar autoritet mbi nënshtetasit e tij pa praninë e tij të dukshme fizike». Me mësimet dinamike dhe me mënyrën se si jetoi, Jezui ka ndikuar fuqishëm në jetën e miliarda njerëzve për pothuajse dy mijë vjet. Një shkrimtar me të drejtë u shpreh: «Të gjitha ushtritë që kanë marshuar ndonjëherë, të gjitha flotat detare që janë krijuar ndonjëherë, të gjitha parlamentet që janë mbledhur ndonjëherë, të gjithë mbretërit që kanë mbretëruar ndonjëherë, të marra së bashku, nuk kanë ndikuar në jetën e njeriut në tokë në mënyrë aq të fuqishme.»

Për më tepër, është e nevojshme ta dimë kush ishte dhe kush është Jezui, sepse ai do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen tonë. Kemi mundësinë të bëhemi nënshtetas të një qeverie qiellore të vendosur tashmë, të Mbretërisë së Perëndisë të drejtuar nga Jezui. Nën drejtimin e Jezuit, në planetin tonë të trazuar do të rivendoset shumëllojshmëria e mrekullueshme biologjike dhe ekuilibri ekologjik. Profecitë e Biblës na sigurojnë se Mbretëria e Jezuit do të ushqejë të uriturit, do të kujdeset për të varfrit, do të shërojë të sëmurët dhe do t’i sjellë në jetë të vdekurit.

Patjetër që doni të dini çfarë lloj personi e drejton këtë qeveri, e cila na nevojitet kaq shumë. Artikulli vijues do t’ju ndihmojë të fitoni kuptueshmëri për sa i përket Jezuit të vërtetë.

[Shënimi]

^ par. 7 Lidhur me pamjen fizike të Jezuit, shih artikullin «Çfarë pamjeje kishte Jezui?» në Zgjohuni! të 8 dhjetorit 1998, anglisht.