Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Si mund ta drejtpeshojë një grua e krishterë besnikërinë ndaj Perëndisë me nënshtrimin ndaj bashkëshortit jobesimtar, nëse ky i fundit merr pjesë në festa fetare?

Nga ana e saj do të duhet mençuri dhe takt për ta bërë këtë. Gjithsesi, nëse përpiqet t’i drejtpeshojë këto dy detyrime, ajo po bën atë që është e drejtë. Jezui këshilloi lidhur me një rrethanë të ngjashme: «Paguajini, pra, Cezarit gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë.» (Mateu 22:21) Kuptohet që ai po fliste për detyrimet ndaj qeverive, për të cilat më vonë të krishterëve iu tha se duhet të ishin të nënshtruar. (Romakëve 13:1) Megjithatë, këshilla e tij gjen një zbatim në drejtpeshimin që i bën një grua detyrimeve të saj ndaj Perëndisë me nënshtrimin biblik ndaj bashkëshortit, edhe nëse ky është jobesimtar.

Askush që e njeh Biblën nuk do ta mohonte se ajo thekson që detyrimi i parë i një të krishteri është ndaj Perëndisë së Plotfuqishëm, për t’i qëndruar besnik atij në çdo kohë. (Veprat 5:29) Megjithatë, në shumë rrethana një adhurues i vërtetë mund të plotësojë kërkesat që i bën një jobesimtar që ka autoritet, por, ndërkohë, pa bërë ndonjë shkelje të ligjeve të larta të Perëndisë.

Një shembull pozitiv e gjejmë te tre hebrenjtë, siç tregohet në kapitullin 3 të Danielit. Kreu i tyre qeverisës, Nabukodonosori, dekretoi që ata dhe të tjerë të paraqiteshin në rrafshinën e Duras. Duke e kuptuar se ishte planifikuar adhurimi i rremë, tre hebrenjve ndoshta do t’u kishte pëlqyer që të mos ishin fare atje. Mbase Danieli kishte arritur të gjente një justifikim, por ata të tre nuk kishin mundur. * Kështu, ata u bindën dhe u paraqitën, por ishin të vendosur të mos merrnin pjesë në asnjë veprim të gabuar​—dhe vërtet nuk morën pjesë.​—Danieli 3:1-18.

Në mënyrë të ngjashme, kur afrohet periudha e festave, një bashkëshort jobesimtar mund të kërkojë që e shoqja e krishterë të bëjë diçka të cilën ajo do të pëlqente të mos e bënte. Ja disa shembuj: ditën kur burri do të bëjë një festë me të tjerë i thotë asaj që të gatuajë një lloj të veçantë ushqimi. Ose kërkon që, në atë ditë, së bashku me familjen (ku përfshihet edhe e shoqja) të vizitojë të afërmit për të ngrënë së bashku ose edhe thjesht për një vizitë shoqërore. Ose edhe para festës, mund t’i thotë së shoqes që kur të dalë për të bërë pazarin, të blejë disa gjëra për të: ushqime që përdoren vetëm për festën, sende për t’i përdorur si dhurata ose letra mbështjellëse dhe kartolina për t’i përdorur me dhuratat e tij.

Edhe këtu, gruaja e krishterë duhet të jetë e vendosur të mos marrë pjesë në veprimtari të fesë së rreme, por, ç’të themi për këto kërkesa? Ai është kreu i familjes dhe Fjala e Perëndisë thotë: «Gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotërinë.» (Kolosianëve 3:18) Në raste të tilla, a mund ta tregojë ajo nënshtrimin që u ka hije grave ndërkohë që është besnike ndaj Perëndisë? Ajo duhet të vendosë se si ta drejtpeshojë bindjen ndaj të shoqit me bindjen në radhë të parë ndaj Jehovait.

Kur nuk ka raste festash, i shoqi mund t’i kërkojë asaj të gatuajë njëfarë ushqimi ose ngaqë është ushqimi i tij i pëlqyer, ose ngaqë e ka zakon ta hajë atë ushqim në atë stinë të veçantë. Ajo do të dëshirojë t’i tregojë dashuri dhe pranim të kryesisë. A mund ta bëjë këtë edhe sikur ai ta bënte kërkesën në rastin e një feste? Disa gra të krishtere mund ta bëjnë këtë duke e pasur ndërgjegjen të qetë, duke e quajtur thjesht si një punë normale të përgatitjes së ushqimit të përditshëm. Sigurisht, asnjë e krishterë besnike nuk do t’i jepte domethënie feste këtij ushqimi, edhe sikur i shoqi ta bënte këtë. Në mënyrë të ngjashme, ai mund t’i kërkojë së shoqes që ta shoqërojë në vizitat te të afërmit e tij në periudha të ndryshme të muajit ose të vitit. A mund ta bëjë këtë edhe sikur të jetë një ditë feste? Ose a do të ishte e gatshme normalisht t’i blinte gjërat që i kërkonte ai, pa gjykuar se çfarë ka ndër mend ai të bëjë me sendet që blen ndërsa bën pazarin?

Patjetër, një grua e krishterë duhet të mendojë për të tjerët, për ndikimin që do të ketë tek ata. (Filipianëve 2:4) Asaj do t’i pëlqente të mos jepte asnjë përshtypje se është e lidhur me festën, ashtu si tre hebrenjtë mund të kenë pëlqyer që të tjerët të mos i shihnin duke udhëtuar për në rrafshinën e Duras. Prandaj, me takt gruaja mund të përpiqet të arsyetojë me të shoqin, për të parë nëse, duke menduar për ndjenjat e saj, ai mund t’i bënte vetë disa gjëra që lidhen me festat, për t’i bërë qejfin së shoqes që e do dhe e respekton. Ndoshta ai do ta kuptojë se është e mençur që të mos vihen që të dy në një rrethanë e cila mund të bëhej e sikletshme, sikur ajo të mos pranonte të merrte pjesë në veprime të fesë së rreme. Po, biseda e qetë që më përpara mund të çonte në një zgjidhje paqësore.​—Fjalët e urta 22:3.

Në fund, individi i krishterë besnik duhet të peshojë faktet dhe pastaj të vendosë çfarë të bëjë. Bindja ndaj Perëndisë duhet të jetë e para, siç ishte për tre hebrenjtë. (1 Korintasve 10:31) Por, me këtë në mendje, çdo individ i krishterë duhet të vendosë vetë se cilat gjëra jokompromentuese mund të bëjë sipas kërkesës së atij që ka autoritet në familje ose në komunitet.

[Shënimi]

^ par. 5 Shih «Pyetje nga lexuesit» në Kullën e Rojës të 1 gushtit 2001.