Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është vërtet e mundur një shoqëri pa klasa?

A është vërtet e mundur një shoqëri pa klasa?

A është vërtet e mundur një shoqëri pa klasa?

XHON ADAMSI, i cili u bë presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, ishte një nga ata që nënshkruan Deklaratën historike të Pavarësisë, e cila përfshinte këto fjalë fisnike: «Besojmë se këto të vërteta janë të vetëkuptueshme: të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.» Megjithatë, me sa duket, Xhon Adamsi dyshonte që njerëzit janë vërtet të barabartë, sepse shkroi: «Pabarazia e mendjes dhe ajo e trupit janë vendosur në mënyrë të tillë nga Perëndia i Plotfuqishëm në ndërtimin e natyrës njerëzore, saqë asnjë art ose politikë nuk mund t’i sheshojë ndonjëherë ato në të njëjtin nivel.» Në dallim me të, historiani britanik H. Xh. Uells arrinte ta përfytyronte një shoqëri të barabartë, të bazuar në tri gjëra: në një fe botërore të përbashkët, por të kulluar dhe të pandotur; në një arsimim universal dhe në mosekzistencën e forcave të armatosura.

Deri më sot, historia nuk e ka krijuar shoqërinë e barabartë që përfytyroi Uellsi. Njerëzit s’janë aspak të barabartë dhe dallimet klasore janë ende një tipar mbizotërues i shoqërisë. A i kanë sjellë këto klasa ndonjë dobi shoqërisë në tërësi? Jo. Strukturat klasore në shoqëri i ndajnë njerëzit, duke sjellë si pasojë mëri, urrejtje, dëshpërim dhe shumë gjakderdhje. Mentaliteti që ekzistonte një herë e një kohë për epërsinë e racës së bardhë në Afrikë, Australi dhe në Amerikën e Veriut u solli mjerime atyre që nuk i përkitnin racës së bardhë, duke përfshirë edhe shfarosjen e plotë të indigjenëve në Van Diemen’s Land (tani Tasmania). Në Evropë, klasifikimi i hebrenjve si një racë më e ulët ishte ajo që i dha shkas Holokaustit. Pasuria e madhe e aristokracisë dhe pakënaqësia e klasave të ulëta e të mesme ishin ndër faktorët që çuan në Revolucionin Francez të shekullit të 18-të dhe në Revolucionin Bolshevik në Rusi në shekullin e 20-të.

Një njeri i mençur në të kaluarën shkroi: «Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» (Predikuesi 8:9) Fjalët e tij janë të vërteta, pavarësisht nëse ata që sundojnë janë individë ose klasa. Kur një grup njerëzish e lartëson veten mbi një tjetër, në mënyrë të pashmangshme vijnë si pasojë mjerime dhe vuajtje.

Para Perëndisë të gjithë janë të barabartë

A ka ndonjë grup njerëzish, i cili nga trashëgimia është më i lartë se grupet e tjera? Jo në sytë e Perëndisë. Bibla thotë: «Nga një njeri i vetëm [Perëndia] bëri çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.» (Veprat 17:26) Për më tepër, Krijuesi «nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij». (Jobi 34:19) Të gjithë njerëzit kanë një prejardhje të përbashkët dhe para Perëndisë të gjithë lindin të barabartë.

Mos harroni edhe se, kur një person vdes, të gjitha pretendimet e tij se është më i lartë se të tjerët zhduken. Egjiptianët e lashtë nuk besonin kështu. Kur vdiste një faraon, ata i vendosnin në varr objekte me vlerë të madhe, në mënyrë që t’i përdorte ndërsa vazhdonte të kishte pozitën e tij të lartë në një botë të përtejme. A e bënte vërtet këtë? Jo. Një pjesë e madhe e asaj pasurie përfundoi në duart e grabitësve të varreve dhe shumë objekte që u shpëtuan duarve të grabitësve mund t’i shohim sot nëpër muze.

Duke qenë se ishte i vdekur, Faraoni nuk i përdori fare ato objekte të kushtueshme. Në vdekje nuk ka as klasa të larta e as të ulëta, as pasuri e as varfëri. Bibla thotë: «Të mençurit duhet të vdesin; budallenjtë, të ligjtë, të gjithë mbarojnë. Sepse njerëzit janë si gjedhë jeta e të cilëve nuk mund të zgjatë, janë si bagëti koha e të cilëve është e shkurtër.» (Psalmi 49:10, 12, The New English Bible) Qofshim mbretër a skllevër, këto fjalë të frymëzuara janë të vërteta për të gjithë ne: «Të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim . . . Në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»​—Predikuesi 9:5, 10.

Njerëzit lindin të gjithë të barabartë në sytë e Perëndisë dhe që të gjithë përfundojnë të barabartë kur vdesin. Pra, sa e kotë është të lartësojmë një grup njerëzish mbi një tjetër gjatë jetës sonë të shkurtër!

Një shoqëri pa klasa: Si do të arrihet?

Gjithsesi, a ka ndonjë shpresë që një ditë mes njerëzve të ketë një shoqëri ku klasat shoqërore të mos jenë të rëndësishme? Po, ka shpresë. Pothuajse 2.000 vjet më parë, kur Jezui ishte në tokë, u hodh themeli për një shoqëri të tillë. Jezui dha jetën e tij si flijim shpërblyes për të gjithë njerëzit besimtarë, në mënyrë që «kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme».​—Gjoni 3:16.

Për të treguar se asnjë nga ithtarët e tij nuk duhet ta ngrejë veten mbi bashkëbesimtarët, Jezui tha: «Ju mos u quani Rabi, sepse mësuesi juaj është një i vetëm, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Veç kësaj, mos quani askënd atin tuaj mbi tokë, sepse Ati juaj është një i vetëm, Qiellori. As mos u quani ‘udhëheqës’, sepse Udhëheqësi juaj është një i vetëm, Krishti. Por më i madhi mes jush duhet të jetë shërbëtori juaj. Kushdo që e lartëson veten, do të përulet.» (Mateu 23:8-12) Në sytë e Perëndisë, të gjithë dishepujt e vërtetë të Jezuit janë të barabartë në besim.

A e shihnin të krishterët e hershëm veten si të barabartë me njëri-tjetrin? Ata që e kapën kuptimin e mësimit të Jezuit, po. E shihnin njëri-tjetrin si të barabartë në besim dhe e tregonin këtë duke iu drejtuar njëri-tjetrit si «vëlla». (Filemonit 1, 7, 20) Askush nuk inkurajohej që ta shihte veten sikur ishte më i mirë se të tjerët. Shqyrtoni, për shembull, mënyrën modeste me të cilën e përshkroi veten Pjetri në letrën e tij të dytë: «Simon Pjetri, skllav dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë një besim, i cili është një privilegj i barabartë me tonin.» (2 Pjetrit 1:1) Pjetri ishte mësuar personalisht nga Jezui dhe, si apostull, kishte një pozitë të rëndësishme. Megjithatë, e quante veten një skllav dhe e pranonte se edhe të krishterët e tjerë kishin marrë një besim, i cili ishte një privilegj i barabartë me të tijin.

Disa mund të thonë se ideali i barazisë bie ndesh me faktin se, në kohët para krishterimit, Perëndia e bëri Izraelin kombin e tij të veçantë. (Eksodi 19:5, 6) Mund të pohojnë se ky është një shembull i epërsisë raciale, por nuk është kështu. Vërtet që izraelitët, si pasardhës të Abrahamit, kishin një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë dhe u përdorën si kanali për zbulimet hyjnore. (Romakëve 3:1, 2) Por, qëllimi i kësaj nuk ishte që ata të vendoseshin në ndonjë piedestal. Përkundrazi, qëllimi ishte që ‘të bekoheshin të gjitha kombet’.​—Zanafilla 22:18; Galatasve 3:8.

Siç doli më vonë, pjesa më e madhe e izraelitëve nuk e imituan besimin që kishte pasur paraardhësi i tyre, Abrahami. Ata u treguan jobesnikë dhe e hodhën poshtë Jezuin si Mesinë. Për shkak të kësaj, Perëndia i hodhi poshtë ata. (Mateu 21:43) Megjithatë, njerëzit zemërbutë nuk e humbën mundësinë për të marrë bekimet e premtuara. Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., lindi kongregacioni i krishterë. Kjo organizatë të krishterësh që ishin mirosur nga fryma e shenjtë u quajt ‘Izraeli i Perëndisë’ dhe doli se ishte kanali me anë të të cilit do të vinin këto bekime.​—Galatasve 6:16.

Disa anëtarë të atij kongregacioni kishin nevojë për arsimim lidhur me çështjen e barazisë. Për shembull, dishepulli Jakov këshilloi ata që po i trajtonin të krishterët e pasur me më shumë nderim se ata të varfër. (Jakovit 2:1-4) Kjo që po bënin ishte e gabuar. Apostulli Pavël tregoi se të krishterët johebrenj nuk ishin në asnjë mënyrë më poshtë se të krishterët hebrenj dhe të krishteret femra nuk ishin në asnjë mënyrë më poshtë se të krishterët meshkuj. Ai shkroi: «Të gjithë ju jeni, në fakt, bij të Perëndisë nëpërmjet besimit tuaj në Krishtin Jezu. Sepse të gjithë ju që u pagëzuat në Krishtin, keni veshur Krishtin. Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav, as të lirë, nuk ka as mashkull, as femër; sepse ju jeni të gjithë një person në unitet me Krishtin Jezu.»​—Galatasve 3:26-28.

Një popull pa klasa sot

Sot, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jetojnë në përputhje me parimet biblike. Ata e dinë se klasat shoqërore nuk kanë asnjë rëndësi në sytë e Perëndisë. Prandaj, nuk kanë asnjë ndarje në kler e besimtarë të thjeshtë dhe nuk janë të ndarë sipas ngjyrës së lëkurës ose sipas pasurisë. Ndonëse disa prej tyre mund të jenë të pasur, nuk përqendrohen në ‘kapardisjen për t’u dukur me mjetet e jetesës’, sepse e kuptojnë që këto gjëra janë vetëm kalimtare. (1 Gjonit 2:15-17) Përkundrazi, të gjithë janë të bashkuar nga adhurimi që i bëjnë Sovranit Universal, Perëndisë Jehova.

Secili prej tyre e pranon përgjegjësinë që të marrë pjesë në veprën për t’u predikuar të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë. Ashtu si Jezui, ata u japin nderim personave të marrë nëpër këmbë e të lënë pas dore, duke i vizituar në shtëpitë e tyre dhe duke u propozuar t’u mësojnë Fjalën e Perëndisë. Ata që kanë një pozitë të thjeshtë shoqërore në jetë punojnë krah për krah me ata që disa mund t’i quajnë se i përkasin klasës së lartë. Ajo që ka rëndësi janë cilësitë frymore, jo klasa shoqërore. Ashtu si në shekullin e parë, që të gjithë janë vëllezër e motra në besim.

Barazia e lejon shumëllojshmërinë

Sigurisht, barazia nuk nënkupton njëtrajtshmëri të plotë. Burra e gra, të moshuar e të rinj, marrin pjesë të gjithë në këtë organizatë të krishterë që përfshin njerëz nga shumë e shumë prejardhje raciale, gjuhësore, kombëtare dhe ekonomike. Si individë, kanë aftësi të ndryshme mendore e fizike. Por, këto dallime nuk i bëjnë disa më të lartë ose të tjerët më të ulët. Përkundrazi, këto dallime sjellin si rrjedhim një shumëllojshmëri të këndshme. Këta të krishterë e kuptojnë se çfarëdo talenti që kanë, është dhuratë nga Perëndia dhe jo një arsye për t’u ndier më lart se të tjerët.

Ndarjet klasore janë një pasojë e faktit që njeriu po përpiqet të qeverisë veten në vend që të ndjekë udhëheqjen e Perëndisë. Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë do të marrë në dorë sundimin e përditshëm të kësaj toke dhe, si rrjedhim, do t’u vijë fundi ndarjeve klasore të shkaktuara nga njerëzit, bashkë me të gjitha gjërat e tjera që kanë shkaktuar vuajtje nëpër epoka. Atëherë, në kuptimin e mirëfilltë, «zemërbutët do të zotërojnë tokën». (Psalmi 37:11) Të gjitha arsyet për t’u mburrur me epërsinë që një njeri mund të mendojë se ka, do të jenë zhdukur. Nuk do të lejohet kurrë më që klasat shoqërore të ndajnë vëllazërinë mbarëbotërore.

[Diçitura në faqen 5]

Krijuesi «nuk bën asnjë anësi me të mëdhenjtë dhe as e konsideron të pasurin më tepër se të varfrin, sepse të gjithë janë vepra e duarve të tij».​—Jobi 34:19.

[Figura në faqen 6]

Dëshmitarët e Jehovait tregojnë nderim për fqinjët e tyre

[Figurat në faqen 7]

Për të krishterët e vërtetë, cilësitë frymore janë ato që kanë rëndësi