Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bekimet e lajmit të mirë

Bekimet e lajmit të mirë

Bekimet e lajmit të mirë

«Jehovai më ka mirosur që t’u them lajme të mira zemërbutëve. Ai më ka dërguar t’u lidh fashat zemërthyerve, . . . të ngushëlloj të gjithë ata që vajtojnë.»​—ISAIA 61:1, 2, BR.

1, 2. (a) Çfarë zbuloi Jezui se ishte dhe si e bëri këtë? (b) Cilat bekime solli lajmi i mirë që shpalli Jezui?

NJË ditë sabati, në fillim të shërbimit të tij, Jezui ndodhej në sinagogën e Nazaretit. Sipas tregimit, «i zgjatën rrotullën e profetit Isaia e ai e hapi rrotullën dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: ‘Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi për [të] shpallur lajmin e mirë.’» Jezui vazhdoi të lexonte edhe një pjesë nga ai fragment profetik. Pastaj u ul dhe tha: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat është përmbushur.»​—Luka 4:16-21.

2 Në këtë mënyrë, Jezui e identifikoi veten si ungjillëzuesi për të cilin ishte profetizuar, si ai që thoshte lajme të mira e që sillte ngushëllim. (Mateu 4:23) Jezui kishte vërtet një lajm të mirë për të thënë. Ai i njoftoi dëgjuesit e tij: «Unë jam drita e botës. Ai që më ndjek mua, nuk do të ecë kurrsesi në errësirë, por do të zotërojë dritën e jetës.» (Gjoni 8:12) Gjithashtu, tha: «Nëse mbeteni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi, do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Po, Jezui kishte «fjalë jete të përhershme». (Gjoni 6:68, 69) Dritë, jetë, liri! Patjetër, këto janë bekime që duhen vlerësuar shumë!

3. Cilin lajm të mirë predikonin dishepujt e Jezuit?

3 Pas Festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., veprën e ungjillëzimit që nisi Jezui e vazhduan dishepujt. Ata ua predikuan ‘lajmin e mirë të mbretërisë’ edhe izraelitëve, edhe njerëzve të kombeve. (Mateu 24:14; Veprat 15:7; Romakëve 1:16) Ata që u përgjigjën pozitivisht njohën Perëndinë Jehova. U liruan nga skllavëria fetare dhe u bënë pjesë e kombit të ri frymor, të ‘Izraelit të Perëndisë’, pjesëtarët e të cilit kanë perspektivën që të sundojnë përgjithmonë në qiell me Zotërinë e tyre, Jezu Krishtin. (Galatasve 5:1; 6:16; Efesianëve 3:5-7; Kolosianëve 1:4, 5; Zbulesa 22:5) Këto ishin vërtet bekime të pasura!

Ungjillëzimi sot

4. Në cilën mënyrë po përmbushet sot detyra për të predikuar lajmin e mirë?

4 Sot, të krishterët e mirosur​—të mbështetur nga një «shumicë e madhe» e ‘deleve të tjera’, gjithnjë në rritje​—vazhdojnë të përmbushin detyrën profetike që iu dha në fillim Jezuit. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Si rrjedhim, lajmi i mirë po predikohet në një shkallë të paparë ndonjëherë më parë. Dëshmitarët e Jehovait në 235 vende dhe territore janë angazhuar ‘që t’u thonë lajme të mira zemërbutëve . . . , t’u lidhin fashat zemërthyerve, t’u shpallin lirinë atyre që janë marrë robër dhe hapjen e plotë të syve të burgosurve; të shpallin vitin e miratimit nga ana e Jehovait dhe ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë; të ngushëllojnë të gjithë ata që vajtojnë’. (Isaia 61:1, 2, BR) Kështu, vepra ungjillëzuese e krishterë vazhdon t’u sjellë bekime shumë vetave dhe ngushëllim të vërtetë ‘atyre që janë në ndonjë lloj shtrëngimi’.​—2 Korintasve 1:3, 4.

5. Lidhur me predikimin e lajmit të mirë, si ndryshojnë Dëshmitarët e Jehovait nga kishat e të ashtuquajturit krishterim?

5 Është e vërtetë se kishat e të ashtuquajturit krishterim financojnë forma të ndryshme ungjillëzimi. Shumë dërgojnë misionarë për të bërë prozelitë në vende të tjera. Për shembull, një revistë (The Orthodox Christian Mission Center Magazine) raporton veprimtarinë e misionarëve ortodoksë në Madagaskar, në jug të Afrikës, në Tanzani dhe në Zimbabve. Megjithatë, në Kishën Ortodokse, si edhe në kisha të tjera të të ashtuquajturit krishterim, shumica dërrmuese e anëtarëve nuk marrin pjesë në këtë vepër. Ndryshe nga ata, të gjithë Dëshmitarët e dedikuar të Jehovait përpiqen të marrin pjesë në veprën e ungjillëzimit. E kuptojnë se shpallja e lajmit të mirë është një tregues i çiltërsisë së besimit të tyre. Pavli tha: «Me zemër dikush ushtron besim për drejtësi, por me gojë deklaron publikisht për shpëtim.» Besimi që nuk e shtyn një person të veprojë, në të vërtetë është i vdekur.​—Romakëve 10:10; Jakovit 2:17.

Lajm i mirë që sjell bekime të përjetshme

6. Cili lajm i mirë po predikohet sot?

6 Dëshmitarët e Jehovait predikojnë lajmin më të mirë që ekziston. Ata hapin Biblën dhe u tregojnë njerëzve të ndjeshëm se Jezui e flijoi jetën që t’i siguronte njerëzimit një mënyrë për t’iu afruar Perëndisë, t’i siguronte faljen e mëkateve dhe shpresën e jetës së përhershme. (Gjoni 3:16; 2 Korintasve 5:18, 19) Shpallin se Mbretëria e Perëndisë tashmë është vendosur në qiell nën drejtimin e Mbretit të mirosur, Jezu Krishtit dhe se, së shpejti, do të heqë ligësinë nga toka dhe do të mbikëqyrë punën për rivendosjen e Parajsës. (Zbulesa 11:15; 21:3, 4) Në përmbushje të profecisë së Isaisë, i njoftojnë njerëzit se tani është ‘viti i miratimit nga ana e Jehovait’, kohë kur njerëzimi ka ende mundësi t’i përgjigjet lajmit të mirë. Gjithashtu, paralajmërojnë se së shpejti do të vijë ‘dita e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë’, kur Jehovai do të sjellë fundin e keqbërësve të papenduar.​—Psalmi 37:9-11.

7. Cila përvojë tregon unitetin e Dëshmitarëve të Jehovait dhe përse kanë një unitet të tillë?

7 Në një botë të rënduar nga tragjeditë e katastrofat, ky është lajmi i vetëm i mirë që ka dobi të përjetshme. Ata që e pranojnë këtë lajm bëhen pjesë e një vëllazërie të bashkuar mbarëbotërore të krishterësh, të cilët nuk i lejojnë ndryshimet kombëtare, fisnore ose ekonomike që t’i përçajnë. Ata janë ‘veshur me dashurinë, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi’. (Kolosianëve 3:14; Gjoni 15:12) Kjo u bë e dukshme vitin e kaluar në një vend afrikan. Një mëngjes, kryeqyteti u zgjua nga krismat e armëve. Po bëhej një përpjekje për grusht shteti. Kur ngjarjet morën ngjyrim etnik, një familje Dëshmitarësh e akuzuan se strehonte Dëshmitarë të një grupi tjetër etnik. Familja u përgjigj: «Në shtëpinë tonë kemi vetëm Dëshmitarë të Jehovait.» Për ta nuk kishin rëndësi ndryshimet etnike, por dashuria e krishterë, pra, t’u jepnin ngushëllim atyre që ishin në nevojë. Një e afërme e tyre, e cila nuk ishte Dëshmitare, komentoi: «Në të gjitha fetë, njerëzit tradhtuan bashkadhuruesit e tyre. Vetëm Dëshmitarët e Jehovait nuk e bënë këtë.» Shumë incidente të ngjashme që raportohen nga vende të copëtuara prej konflikteve civile, tregojnë se Dëshmitarët e Jehovait vërtet ‘kanë dashuri për gjithë vëllazërinë’.​—1 Pjetrit 2:17.

Lajmi i mirë i ndryshon njerëzit

8, 9. (a) Çfarë ndryshimesh bëjnë ata që e pranojnë lajmin e mirë? (b) Cilat përvoja e tregojnë fuqinë që ka lajmi i mirë?

8 Lajmi i mirë ka të bëjë me atë që Pavli e quajti ‘jeta e tashme dhe ajo që do të vijë’. (1 Timoteut 4:8) Ky lajm jo vetëm që paraqet një shpresë të mrekullueshme e të sigurt për të ardhmen, por edhe sjell përmirësime në ‘jetën e tashme’. Individualisht, Dëshmitarët e Jehovait udhëhiqen nga Fjala e Perëndisë, Bibla, për ta vënë jetën në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Psalmi 119:101) Personaliteti i tyre rinohet, sa më shumë që kultivojnë cilësi të tilla, si drejtësia dhe besnikëria.​—Efesianëve 4:24.

9 Shqyrtoni shembullin e Frankos. Problemi i tij ishte zemërimi. Sa herë që gjërat nuk shkonin siç duhej, ai merrte zjarr, bëhej i dhunshëm dhe thyente ç’të gjente përpara. E shoqja studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe shembulli i tyre i krishterë dalëngadalë e ndihmoi Frankon të kuptonte se duhej të ndryshonte. Studioi Biblën me ta dhe, më në fund, arriti të shfaqte paqe dhe vetëkontroll, fryte të frymës së shenjtë. (Galatasve 5:22, 23) Ishte një nga 492 personat që u pagëzuan në Belgjikë gjatë vitit të shërbimit 2001. Shqyrtoni edhe rastin e Alejandros. Ky i ri u dha jashtë mase pas drogës. Ra aq poshtë sa jetonte në një vend ku grumbulloheshin plehrat. Atje merrte ç’të mundte për ta shitur, me qëllim që të gjente paratë për vesin e tij. Kur Alejandroja ishte 22 vjeç, Dëshmitarët e Jehovait e ftuan të studionte Biblën dhe ai pranoi. E lexonte Biblën çdo ditë dhe ndiqte mbledhjet e krishtere. E pastroi jetën e tij kaq shpejt, saqë në më pak se gjashtë muaj ishte në gjendje të merrte pjesë në veprën ungjillëzuese​—një nga 10.115 personat që morën pjesë në këtë vepër vitin e kaluar në Panama.

Lajmi i mirë​—një bekim për zemërbutët

10. Cilët i përgjigjen lajmit të mirë dhe si ndryshon pikëpamja e tyre?

10 Isaia profetizoi se lajmi i mirë do t’u predikohej zemërbutëve. Cilët janë këta zemërbutë? Janë ata që në librin e Veprave përshkruhen si «të prirur drejt jetës së përhershme». (Veprat 13:48) Janë njerëz të përulur që gjenden në çdo shtresë shoqërore, të cilët e presin me zemër të hapur mesazhin e së vërtetës. Këta persona mësojnë se kur bën vullnetin e Perëndisë merr bekime të cilat janë shumë më të mëdha se çdo gjë që të vë përpara bota. (1 Gjonit 2:15-17) Por, si arrijnë Dëshmitarët e Jehovait të prekin zemrën e personave në veprën e tyre ungjillëzuese?

11. Sipas Pavlit, si duhet predikuar lajmi i mirë?

11 Ja, për shembull, shqyrtoni rastin e apostullit Pavël, i cili u shkroi korintasve: «Unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me epërsi fjalësh ose mençurie, duke ju shpallur sekretin e shenjtë të Perëndisë. Sepse vendosa të mos di gjë tjetër ndër ju, përveç Jezu Krishtit, edhe atë të vënë në shtyllë.» (1 Korintasve 2:1, 2) Pavli nuk u përpoq t’u bënte përshtypje dëgjuesve të tij me njohurinë që kishte. Nuk u mësoi asgjë tjetër përveç fakteve të siguruara në mënyrë hyjnore, fakte që sot janë dokumentuar në Bibël. Vini re, gjithashtu, inkurajimin që i dha Pavli bashkungjillëzuesit të tij, Timoteut: «Predikoje fjalën, bëje këtë me urgjencë.» (2 Timoteut 4:2) Timoteu duhej të predikonte «fjalën», pra, mesazhin e Perëndisë. Po ashtu, Pavli i shkroi Timoteut: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.»​—2 Timoteut 2:15.

12. Si u kushtojnë vëmendje sot Dëshmitarët e Jehovait fjalëve dhe shembullit të Pavlit?

12 Dëshmitarët e Jehovait i kushtojnë vëmendje shembullit të Pavlit, si edhe fjalëve që i tha Timoteut. E pranojnë fuqinë e Fjalës së Perëndisë dhe e përdorin mirë atë, kur përpiqen t’u tregojnë njerëzve fjalë të përshtatshme shprese dhe ngushëllimi. (Psalmi 119:52; 2 Timoteut 3:16, 17; Hebrenjve 4:12) Vërtet që e përdorin mirë literaturën biblike, në mënyrë që të interesuarit të fitojnë më shumë njohuri biblike në kohën e tyre të lirë. Por, gjithnjë përpiqen t’u tregojnë njerëzve fjalë nga Shkrimet. E dinë se Fjala e frymëzuar e Perëndisë do të prekë zemrat e personave të përulur. Përveç kësaj, përdorimi i Biblës në këtë mënyrë ua forcon edhe atyre vetë besimin.

‘Ngushëllim të gjithëve atyre që vajtojnë’

13. Në vitin 2001, cilat ngjarje krijuan një nevojë shumë të madhe për t’u dhënë ngushëllim atyre që vajtonin?

13 Viti 2001 nuk u shpëtoi katastrofave dhe, për pasojë, shumë njerëz patën nevojë për ngushëllim. Shtatorin e kaluar u pa një rast i jashtëzakonshëm i kësaj në Shtetet e Bashkuara, për shkak të sulmeve terroriste ndaj Qendrës Tregtare Botërore në Nju-Jork dhe ndaj Pentagonit afër Uashingtonit, D.C. Çfarë tronditjeje shkaktuan anembanë atij vendi këto sulme! Përballë ngjarjeve të tilla, Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të përmbushin detyrën e tyre për t’u dhënë ‘ngushëllim të gjithëve atyre që vajtojnë’. Disa përvoja do të ilustrojnë se si e bëjnë ata këtë.

14, 15. Si patën mundësi në dy raste të ndryshme Dëshmitarët që të përdornin me efektshmëri shkrimet për të ngushëlluar ata që vajtonin?

14 Një Dëshmitare, e cila është ungjillëzuese në kohë të plotë, iu afrua një zonje në rrugë dhe e pyeti se çfarë mendonte për sulmet terroriste të kohëve të fundit. Zonja filloi të qante. Tha se i vinte shumë keq dhe donte të ndihmonte në ndonjë mënyrë. Dëshmitarja i tha se Perëndia interesohet shumë për të gjithë ne dhe i lexoi Isainë 61:1, 2. Këto fjalë të frymëzuara nga Perëndia iu dukën me kuptim kësaj zonje, e cila tha se të gjithë ishin duke vajtuar. Pranoi një fletushkë dhe i kërkoi Dëshmitares që t’i bënte vizitë në shtëpi.

15 Dy Dëshmitarë, të cilët po merrnin pjesë në veprën e ungjillëzimit, takuan një burrë që po punonte në punishten e tij. Thanë se donin t’i tregonin fjalë ngushëlluese nga Shkrimet, duke pasur parasysh tragjedinë që kishte ndodhur kohët e fundit në Qendrën Tregtare Botërore. Kur ai pranoi, i lexuan 2 Korintasve 1:3-7, ku përfshihen fjalët: «Ngushëllimi . . . është me bollëk nëpërmjet Krishtit.» Burri e vlerësoi faktin që fqinjët e tij Dëshmitarë po ndanin me të tjerët diçka ngushëlluese dhe u tha: «Perëndia e bekoftë veprën e mrekullueshme që po bëni!»

16, 17. Cilat janë dy përvoja që tregojnë fuqinë e Biblës për t’i ndihmuar njerëzit që janë të trishtuar ose të shqetësuar nga tragjeditë?

16 Një Dëshmitar që po rivizitonte njerëzit e interesuar takoi djalin e një gruaje, e cila më parë kishte treguar interes. I shpjegoi se ishte i shqetësuar dhe donte të dinte si po ia kalonin fqinjët e tij pas tragjedisë që sapo kishte ndodhur. Burri u mahnit që Dëshmitari po përdorte kohën e tij për të vizituar njerëzit dhe për t’u interesuar për ta. I tha se ai kishte qenë duke punuar shumë afër Qendrës Tregtare Botërore kur kishte ndodhur sulmi dhe e kishte parë të gjithë ngjarjen se si ishte zhvilluar. Kur ai pyeti përse Perëndia i lejon vuajtjet, Dëshmitari i lexoi vargje nga Bibla, duke përfshirë Psalmin 37:39, ku thuhet: «Shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.» Me mirësjellje burri e pyeti Dëshmitarin se si po ia kalonte ai dhe familja e tij, e ftoi të kthehej dhe shprehu çmueshmëri nga zemra për vizitën.

17 Një tjetër midis mijëra personave që vajtonin e që u ngushëlluan nga Dëshmitarët e Jehovait ditët që pasuan sulmet terroriste ishte një zonjë, të cilën Dëshmitarët e takuan kur po vizitonin fqinjët e tyre. Ishte tej mase e turbulluar nga ajo që kishte ndodhur dhe dëgjoi kur i lexuan Psalmin 72:12-14, ku thuhet: «Ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.» Sa domethënëse ishin këto fjalë! Zonja u kërkoi Dëshmitarëve t’ia lexonin edhe një herë vargjet dhe i ftoi në shtëpinë e saj për të vazhduar bisedën. Në fund të bisedës, me të ishte filluar një studim biblik.

18. Si i ndihmoi një Dëshmitar fqinjët e tij kur e ftuan të lutej për ta?

18 Një Dëshmitar punon në një restorant që ndodhet në një zonë mjaft të pasur, në të cilën njerëzit më parë nuk kanë treguar shumë interes për lajmin e mirë të Mbretërisë. Pas sulmeve terroriste, banorët e kësaj zone dukeshin të tronditur. Mbrëmjen e së premtes pas sulmeve, administratorja e restorantit i ftoi të gjithë që të dilnin jashtë e të ndiznin qirinj, duke mbajtur për disa çaste heshtje në kujtim të viktimave. Duke respektuar ndjenjat e tyre, Dëshmitari doli jashtë dhe qëndroi në heshtje në trotuar. Administratorja e dinte se ai ishte Dëshmitar i Jehovait, kështu që pasi mbaroi koha e heshtjes, i kërkoi që t’i përfaqësonte të gjithë në lutje. Dëshmitari pranoi. Në lutje, ai përmendi pikëllimin shumë të përhapur, por tha se të pikëlluarit nuk duhet të hidhërohen pa asnjë shpresë. Foli për kohën kur ngjarje të tilla të tmerrshme nuk do të ndodhin më dhe tha se të gjithë mund t’i afrohen Perëndisë së ngushëllimit nëpërmjet njohurisë së saktë nga Bibla. Pasi thanë «Amin», administratorja​—si edhe më shumë se 60 personat e tjerë që ishin jashtë restorantit​—shkuan te Dëshmitari, e falënderuan dhe e përqafuan, duke komentuar se ishte lutja më e mirë që kishin dëgjuar ndonjëherë.

Një bekim për ata që i rrethojnë

19. Cila përvojë tregon se disa e pranojnë që Dëshmitarët e Jehovait kanë norma të larta?

19 Sidomos në këto ditë, zonat ku Dëshmitarët e Jehovait janë aktivë nxjerrin dobi nga prania e tyre, siç kanë komentuar shumë veta. E si të mos jetë ndikim pozitiv një popull që nxit paqen, ndershmërinë dhe moralin e pastër? Në një vend të Azisë Qendrore, Dëshmitarët takuan një oficer në pension, i cili më parë kishte shërbyer si agjent i sigurimit të shtetit. Ai tha se një herë e kishin caktuar të hetonte disa organizata fetare. Kur kishte bërë hetime për Dëshmitarët e Jehovait, i kishte bërë përshtypje ndershmëria dhe sjellja e tyre e mirë. E kishte admiruar besimin e tyre të patundur dhe faktin se mësimet e tyre janë të bazuara në Shkrime. Ky burrë pranoi të studionte Biblën.

20. (a) Çfarë tregon veprimtaria e vitit të kaluar, e raportuar nga Dëshmitarët e Jehovait? (b) Cila gjë tregon se ka shumë më tepër punë për të bërë dhe si e shohim ne privilegjin e ungjillëzimit?

20 Nga këto pak përvoja që janë treguar në këtë artikull​—pasi mund të tregoheshin me mijëra​—është e qartë se Dëshmitarët e Jehovait ishin shumë të zënë gjatë vitit të shërbimit 2001. * Folën me miliona njerëz, ngushëlluan shumë që vajtonin dhe vepra e tyre e ungjillëzimit u bekua. Pati 263.431 veta që e simbolizuan dedikimin e tyre ndaj Perëndisë duke u pagëzuar. Në mbarë botën, numri i ungjillëzuesve u rrit me 1,7 për qind. Po ashtu, fakti që 15.374.986 veta ndoqën Përkujtimin vjetor të vdekjes së Jezuit tregon se ka shumë më tepër punë për të bërë. (1 Korintasve 11:23-26) Le të vazhdojmë të kërkojmë zemërbutët, të cilët i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë. E për sa kohë që vazhdon viti i miratimit nga ana e Jehovait, le të vazhdojmë të ngushëllojmë «zemërthyerit». Çfarë privilegji të bekuar që kemi! Sigurisht, të gjithë u bëjmë jehonë fjalëve të Isaisë: «Unë do të gëzohem shumë te Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim.» (Isaia 61:10) Vazhdoftë të na përdorë Perëndia, ndërsa përmbush këto fjalë profetike: «Zoti do të bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve.»​—Isaia 61:11.

[Shënimi]

^ par. 20 Tabela në faqet 19 deri 22, jep raportin e veprimtarisë së Dëshmitarëve të Jehovait gjatë vitit të shërbimit 2001.

A ju kujtohet?

• Si u bekuan zemërbutët nga lajmi i mirë që predikonte Jezui?

• Cilat bekime u erdhën atyre që iu përgjigjën veprës ungjillëzuese të dishepujve të Jezuit në shekullin e parë?

• Si janë bekuar sot nga lajmi i mirë njerëzit që e kanë pranuar atë?

• Si e shohim ne privilegjin për të qenë ungjillëzues?

[Pyetjet]

[Tabela në faqet 19-22]

RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 2001

(Shih botimin.)

[Figurat në faqen 15]

Dëshmitarët e Jehovait e kujtojnë gjithnjë përgjegjësinë e tyre për të ungjillëzuar

[Figurat në faqen 17]

Ata që i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë bëhen pjesë e një vëllazërie të bashkuar mbarëbotërore