Jehovai ka siguruar «fuqi përtej asaj që është normale»
Jetëshkrim
Jehovai ka siguruar «fuqi përtej asaj që është normale»
TREGUAR NGA ELENI MARKU
Ishte një ditë vere përvëluese e vitit 1986. Isha e vetmja pasagjere që po pritja në zyrën e doganës së njërit prej aeroporteve më të shkretë të Evropës. Ndodhesha në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, që ishte vetëshpallur si «shteti i parë ateist në botë».
ME NDJENJA pasigurie dhe frike së bashku, shihja ndërsa një ushtar i armatosur kontrollonte valixhet e mia. Po të bëja ose po të thosha ndonjë gjë që do ta bënte të dyshonte, pasoja mund të ishte dëbimi nga vendi për mua dhe burgimi ose internimi për njerëzit që më pritnin jashtë. Lumturisht arrita ta bëj ushtarin të tregohej më miqësor, duke i dhënë ca çamçakëzë dhe ëmbëlsira. Por, si ndodhi që unë, një grua në të 60-tat, gjendesha në këto rrethana? Përse kisha lënë një jetë të rehatshme e po rrezikoja duke u përpjekur të çoja përpara interesat e Mbretërisë në një nga kështjellat e fundit të marksizëm-leninizmit?
Një vajzë shëndetligë plot pyetje
Dy vjet pas lindjes sime në vitin 1920 në Hierapetra, Kretë, babai vdiq nga pneumonia. Mamaja ishte e varfër dhe analfabete. Unë isha më e vogla nga katër fëmijët e, meqë kalova verdhëzën, isha e zbehtë dhe shëndetligë. Fqinjët i thanë mamasë që t’ua kushtonte vëmendjen e ato pak të ardhura që kishte tre fëmijëve më të shëndetshëm dhe të më linte të vdisja. Jam e lumtur që ajo nuk e ndoqi këtë këshillë.
Për t’u siguruar që shpirti i babait po prehej në qiell, mamaja shkonte shpesh në varreza, ku zakonisht i kërkonte një prifti ortodoks që
të kryente shërbimet e tij. Por shërbimet nuk kushtonin pak. E mbaj mend ende një ditë të ftohti të hidhur gjatë Krishtlindjeve, kur mamaja u kthye në shtëpi nga varrezat bashkë me mua që i hiqja këmbët zvarrë pranë saj. Sapo i kishim dhënë priftit paratë e fundit që kishim. Pasi gatoi ca barishte për ne fëmijët, ajo shkoi në dhomën tjetër, me stomak bosh dhe me fytyrë të mbuluar nga lotët e dëshpërimit. Ca kohë më vonë, mora guximin për të shkuar te prifti dhe e pyeta përse kishte vdekur babai im dhe përse mamaja ime e varfër duhej ta paguante priftin. Ai u përgjigj me një pëshpërimë si i zënë në faj: «E mori Perëndia. Kështu e ka jeta. Do t’ju kalojë.»E kisha të vështirë të shihja përputhjen mes përgjigjes së tij dhe lutjes së Zotërisë, të cilën e kisha mësuar në shkollë. I mbaj mend ende fjalët hyrëse të saj, të bukura e domethënëse: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 6:9, 10) Nëse Perëndia kishte ndër mend që vullneti i tij të bëhej në tokë, përse duhej të vuanim kaq shumë?
Për pak e mora përgjigjen e kësaj pyetjeje në vitin 1929, kur Emanuel Lionudakisi, një Dëshmitar i Jehovait që predikonte në kohë të plotë, na bëri një vizitë në shtëpi. * Kur mamaja e pyeti se çfarë donte, Emanueli nuk tha asnjë fjalë, por na zgjati një fletë dëshmie. Ajo ma dha mua fletën që ta lexoja. Meqë isha nëntëvjeçe, nuk kuptova shumë nga ato që ishin shkruar. Duke e marrë predikuesin për memec, mamaja u përgjigj: «I shkreti! Ti s’flet dot dhe unë nuk di të lexoj.» Pastaj me mirësjellje i tregoi derën.
Përgjigjen e gjeta disa vjet më vonë. Im vëlla, Emanuel Paterakisi, mori nga i njëjti shërbëtor i plotkohor broshurën Ku janë të vdekurit?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. * Pasi e lexova, u lehtësova që mora vesh se babanë tim nuk e kishte marrë Perëndia. E kuptova se vdekja është pasojë e papërsosmërisë njerëzore dhe se babai im po pret ringjalljen në një tokë parajsore.
«Ky libër të ka prishur!»
E vërteta biblike na i hapi sytë. Gjetëm një Bibël të vjetër që kishte qenë e babait dhe filluam ta studionim, shpesh nën dritën e qiririt rreth zjarrit. Meqë në atë zonë isha e vetmja vajzë që kisha treguar interes për Biblën, nuk më përfshinin në veprimtarinë e grupit të vogël vendas të Dëshmitarëve. Për njëfarë kohe mendova me të vërtetë—ndonëse jo në mënyrë të saktë—se kjo fe ishte vetëm për burrat.
Entuziazmi i tim vëllai për veprën e predikimit ishte burim frymëzimi për mua. S’kaloi shumë dhe policia filloi të interesohej për familjen tonë, duke na bërë rregullisht vizita në çdo orë të ditës e të natës, për të kërkuar Emanuelin dhe literaturën. E mbaj mend si sot kur një prift erdhi të na bindte që të ktheheshim në kishë. Kur Emanueli i tregoi nga Bibla se emri i Perëndisë është Jehova, prifti ia rrëmbeu Biblën, ia tundi me kërcënim para fytyrës dhe i bërtiti: «Ky libër të ka prishur!»
Në vitin 1940, kur Emanueli nuk pranoi të shkonte në ushtri, e arrestuan dhe e dërguan në front në Shqipëri. I humbëm lidhjet me të dhe menduam se kishte vdekur. Por, dy vjet më vonë, morëm papritur një letër që na e dërgonte nga burgu. Ishte gjallë dhe shëndoshë e mirë. Një nga shkrimet që citonte në atë letër më është fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në mendje: «Sa për Jehovain, sytë e tij enden në të gjithë tokën, për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që e kanë zemrën e plotë për të.» (2 Kronikave 16:9, BR) Sa shumë nevojë kishim për këtë inkurajim!
Që nga burgu, Emanueli arriti të lidhej me disa vëllezër e t’u kërkonte që të më vizitonin. Menjëherë, u morën masa që të mbaheshin mbledhje të krishtere fshehurazi në një fermë jashtë qytetit. As nuk na shkonte në
mend se po na vëzhgonin! Një të diel, na rrethuan policë të armatosur. Na hipën në një kamion të zbuluar dhe na shëtitën nëpër qytet. I kam ende të freskët në mendje zërat e njerëzve që na tallnin e na përqeshnin, por Jehovai me frymën e tij na dha paqe të brendshme.Na transferuan në një qytet tjetër, ku na hodhën në disa qeli shumë të errëta e të pista. Banja e qelisë sime ishte një kovë e zbuluar që zbrazej një herë në ditë. Më dënuan me tetë muaj burg, sepse më quajtën «mësuesja» e grupit. Megjithatë, një vëlla që ishte burgosur aty mori masa që avokati i tij të merrte përsipër çështjen tonë dhe ky arriti të na lironte.
Një jetë e re
Kur u lirua nga burgu, Emanueli filloi të vizitonte kongregacionet në Athinë si mbikëqyrës udhëtues. U transferova atje në vitin 1947. Më në fund, takova një grup të madh Dëshmitarësh, të përbërë jo vetëm nga burra, por edhe nga gra e fëmijë. Përfundimisht, në korrik të vitit 1947, arrita ta simbolizoja dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë. Shpesh ëndërroja të bëhesha misionare dhe fillova të ndiqja një shkollë nate për të mësuar anglisht. Në vitin 1950, u bëra pioniere. Mamaja erdhi të jetonte me ne dhe e përqafoi, po ashtu, të vërtetën biblike. Vazhdoi të ishte Dëshmitare e Jehovait derisa vdiq, 34 vjet më vonë.
Po atë vit takova Jani Markun (Markopulos), një burrë të respektueshëm e frymor nga Shtetet e Bashkuara. Jani kishte lindur në jug të Shqipërisë dhe, pasi kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara, ishte bërë Dëshmitar i Jehovait. Në vitin 1950, ishte në Greqi duke u përpjekur të merrte një vizë për në Shqipëri, vend që atëherë ishte i mbyllur nën formën më të rreptë të komunizmit. Ndonëse nuk e kishte parë familjen që nga viti 1936, Janin nuk e lejuan të hynte në Shqipëri. Më preku zelli i tij i zjarrtë për shërbimin e Jehovait dhe dashuria e thellë për vëllazërinë. U martuam më 3 prill 1953. Më pas, u transferova me të në shtëpinë tonë të re në Nju-Xhersi, SHBA.
Për të mbajtur veten ndërsa predikonim në kohë të plotë, unë dhe Jani kishim një dyqan të vogël në bregun e Nju-Xhersit, ku përgatitnim mëngjesin për peshkatarët. Punonim vetëm gjatë muajve të verës, nga agimi deri
në orën 9.00 paradite. Duke e mbajtur jetën të thjeshtë dhe duke i mbajtur përparësitë të përqendruara në veprimtaritë frymore, kishim mundësi ta kalonim pjesën më të madhe të kohës në veprën e predikimit. Gjatë viteve, na u kërkua të transferoheshim në disa qytete, ku nevoja për predikues ishte e madhe. Atje, me ndihmën e Jehovait, ndihmuam njerëzit e interesuar, themeluam kongregacione dhe ndihmuam në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.Ndihmojmë vëllezërit që janë në nevojë
Gjithsesi, shpejt para nesh u hap një perspektivë drithëruese. Vëllezërit përgjegjës donin të vendosnin lidhjet me të bashkëkrishterët që jetonin në vende ballkanike ku vepra jonë ishte e ndaluar. Për vite të tëra, Dëshmitarët e Jehovait në këto vende kishin qenë të shkëputur nga vëllazëria ndërkombëtare, duke marrë pak ose aspak ushqim frymor, dhe përballonin një kundërshtim mizor. Shumica prej tyre ishin vazhdimisht nën vëzhgim dhe shumë të tjerë ishin në burgje ose në kampe pune. Kishin nevojë të ngutshme për botime të bazuara në Bibël, për drejtim dhe inkurajim. Për shembull, një mesazh në kod që morëm nga Shqipëria thoshte: «Lutjuni Zotërisë për ne. Po e konfiskojnë literaturën nga shtëpia në shtëpi. Nuk na lejojnë të studiojmë. Tre veta i kanë internuar.»
Kështu, në nëntor të vitit 1960, filluam një udhëtim gjashtëmujor për të vizituar disa nga këto vende. Ishte e qartë se do të na duhej ‘fuqi përtej asaj që është normale’, guxim nga Perëndia dhe shkathtësi për të kryer misionin tonë. (2 Korintasve 4:7) Vendmbërritja e parë ishte Shqipëria. Blemë një makinë në Paris dhe u nisëm. Pasi arritëm në Romë, vetëm Jani arriti të merrte vizë për në Shqipëri. Mua më duhej të vazhdoja për në Athinë, Greqi, dhe ta pritja atje.
Jani hyri në Shqipëri në fund të shkurtit të vitit 1961 dhe qëndroi atje deri në fund të marsit. Në Tiranë u takua personalisht me 30 vëllezër. Sa të drithëruar ishin që morën literaturën dhe inkurajimin kaq të nevojshëm! Për 24 vjet nuk kishin pasur asnjë vizitë nga jashtë.
Janin e preku integriteti dhe qëndrueshmëria e atyre vëllezërve. Mori vesh se shumë kishin humbur punën dhe ishin internuar, sepse nuk merrnin pjesë në veprimtaritë e shtetit komunist. U prek veçanërisht kur dy vëllezër në të 80-tat i dhanë një kontribut prej rreth 100 dollarësh (amerikanë) për veprën e predikimit. I kishin kursyer për vite të tëra nga pensionet e tyre shumë të vogla.
Dita e fundit e qëndrimit të tij në Shqipëri ishte 30 marsi 1961, data e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit. Jani mbajti fjalimin e Përkujtimit me 37 veta të pranishëm. Në fund të fjalimit, vëllezërit me të shpejtë e nxorën Janin nga dera e pasme dhe e çuan në portin e Durrësit, ku hipi në një anije turke mallrash, e cila shkonte në Pire, Greqi.
Isha e lumtur që im shoq u kthye shëndoshë e mirë. Tani mund të vazhdonim pjesën tjetër të udhëtimit tonë të rrezikshëm. Në këtë udhëtim, shkuam në tri vende të tjera ballkanike ku vepra jonë ishte e ndaluar, një aventurë e rrezikshme kjo, pasi kishim me vete literaturë biblike, makina shkrimi dhe furnizime të tjera. Ishim të privilegjuar që takuam disa vëllezër e motra shumë besnikë, të gatshëm që të rrezikonin punën, lirinë dhe jetën e tyre për Jehovain. Zelli dhe dashuria e tyre e çiltër ishin një burim frymëzimi. Na la mbresa edhe fakti që Jehovai u siguronte ‘fuqi përtej asaj që është normale’.
Pas përfundimit me sukses të udhëtimit, u kthyem në Shtetet e Bashkuara. Në vitet që pasuan, vazhduam të përdornim mënyra të ndryshme në përpjekje për të dërguar literaturë në Shqipëri dhe për të marrë raportet e veprës së vëllezërve.
Shpesh në udhë, në rreziqe
Kaluan vitet dhe, me vdekjen e Janit në moshën 76-vjeçare, në vitin 1981, mbeta vetëm. Mbesa ime, Evangjelia, dhe i shoqi, Xhorxh Orfanidesi, me dashamirësi më morën që të jetoja me ta dhe që nga ajo kohë më kanë siguruar mbështetje shumë të vlefshme emocionale dhe praktike. Ata vetë kishin parë prova të mbështetjes që jep Jehovai, kur shërbenin nën ndalim, në Sudan. *
Së fundi, u bë një përpjekje tjetër për të komunikuar me vëllezërit në Shqipëri. Meqenëse familjarët e burrit tim jetonin atje, vëllezërit më pyetën nëse do të isha gati të bëja një udhëtim në atë vend. Patjetër që isha gati!
Pas disa muaj përpjekjesh të vazhdueshme, në maj të vitit 1986, arrita të merrja vizën nga ambasada shqiptare në Athinë. Anëtarët e personelit diplomatik më paralajmëruan ashpër se po të shkonte ndonjë gjë keq, nuk duhej të prisja asnjë ndihmë nga jashtë. Kur iu afrova përfaqësuesit të një agjencie udhëtimi për të blerë biletën e avionit për në Shqipëri, mbeti i shtangur. Pa lejuar që frika të më paralizonte, shumë shpejt isha në bordin e të vetmit avion që bënte një herë në javë udhëtimin Athinë-Tiranë. Në avion kishte vetëm tre shqiptarë shumë të moshuar, të cilët kishin qenë në Greqi për arsye mjekësore.
Sapo u ul avioni, më shoqëruan në një dhomë të zbrazët që shërbente si zyrë dogane. Vëllai dhe motra e burrit tim, ndonëse nuk ishin Dëshmitarë të Jehovait, ishin të gatshëm të më ndihmonin të vendosja lidhjet me ata pak vëllezër vendës. Sipas ligjit, ata duhej të njoftonin kryetarin e lagjes për mbërritjen time. Për pasojë, policia më vëzhgonte nga afër. Kështu, të afërmit e burrit më këshilluan që të qëndroja në shtëpinë e tyre, ndërsa kërkonin dy vëllezërit që jetonin në Tiranë dhe të m’i binin aty.
Në atë kohë, në gjithë Shqipërinë dihej se kishte nëntë vëllezër të dedikuar. Vitet që kishin kaluar në ndalim, përndjekje dhe vëzhgim nga afër i kishin bërë shumë të kujdesshëm. Në fytyrë u shiheshin rrudha të thella. Pasi fitova besimin e dy vëllezërve, pyetja e tyre e parë ishte: «Ku janë Kullat e Rojës?» Për vite të tëra kishin pasur vetëm dy kopje librash të vjetër, kurse Bibël nuk kishin pasur fare.
Më folën gjerë e gjatë për masat mizore që kishte marrë regjimi kundër tyre. Përmendën rastin e një vëllai të dashur që kishte qenë i vendosur të qëndronte asnjanës nga ana politike në një fushatë votimi që do të bëhej. Meqë shteti kontrollonte çdo gjë, kjo do të thoshte se familja e tij nuk do të merrte fare racione ushqimi. Fëmijët e tij të martuar dhe familjet e tyre do të dërgoheshin të gjithë në burg, ndonëse s’kishin të bënin fare me bindjet e tij fetare. U raportua se familjarët e këtij vëllai, nga frika, e vranë natën para votimeve, e hodhën trupin e tij në pus dhe më vonë thanë se ishte frikësuar dhe kishte vrarë veten.
Varfëria e atyre të bashkëkrishterëve të coptonte zemrën. Megjithatë, kur desha t’i jepja secilit nga një bankënotë 20-dollarëshe, nuk e pranuan, duke më thënë: «Duam vetëm ushqim frymor.» Këta vëllezër të dashur kishin jetuar për dhjetëvjeçarë të tërë nën një regjim totalitar që kishte indoktrinuar me sukses pjesën më të madhe të popullsisë që të bëheshin ateistë. Por besimi dhe vendosmëria e tyre ishin po aq të forta sa edhe të Dëshmitarëve gjetkë. Aftësia e Jehovait për të siguruar ‘fuqi përtej asaj që është normale’ edhe nën rrethanat më të vështira, më ishte ngulitur vërtet në mendje në kohën kur u largova nga Shqipëria dy javë më vonë.
Pata privilegjin ta vizitoja Shqipërinë edhe në vitin 1989 dhe në vitin 1991. Dora-dorës që në atë vend filloi të kishte liri të fjalës dhe të fesë, numri i adhuruesve të Jehovait u rrit me të shpejtë. Ai grusht i vogël të krishterësh të dedikuar që ishin atje në vitin 1986 tani është rritur në më shumë se 2.424 lajmëtarë aktivë. Mes tyre ishte edhe Melpoja, motra e tim shoqi. A mund të ketë ndonjë dyshim nëse bekimi i Jehovait ishte apo jo me atë grup besnik njerëzish?
Me fuqinë e Jehovait, një jetë të plotë
Kur shoh pas, jam e sigurt se vepra jonë, domethënë e Janit dhe e imja, nuk ka qenë e kotë. E përdorëm forcën tonë rinore në mënyrën më dobiprurëse. Karriera jonë në shërbimin e plotkohor ka qenë më domethënëse se çdo karrierë tjetër që mund të kishim ndjekur. Gëzohem për shumë vëllezër e motra të dashura që kemi ndihmuar të mësojnë të vërtetën biblike. Tani në moshë të shkuar, mund t’i inkurajoj me gjithë zemër të rinjtë që ‘ta kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh në ditët e rinisë së tyre’.—Predikuesi 12:1.
Ndonëse jam 81 vjeçe, jam ende në gjendje të shërbej në kohë të plotë si lajmëtare e lajmit të mirë. Çohem herët në mëngjes dhe u jap dëshmi njerëzve në stacione autobusësh, në vende parkimi, në rrugë, në dyqane ose nëpër parqe. Problemet e moshës së shkuar tani e bëjnë jetën të vështirë, por vëllezërit dhe motrat e mia të dashura frymore, familja ime e madhe frymore, si edhe familja e mbesës sime, kanë qenë një mbështetje e vërtetë. Mbi të gjitha, kam mësuar se «fuqia përtej asaj që është normale [është] e Perëndisë dhe jo ajo që vjen nga ne».—2 Korintasve 4:7.
[Shënimet]
^ par. 10 Për jetëshkrimin e Emanuel Lionudakisit, shih Kullën e Rojës të 1 shtatorit 1999, faqet 25-29.
^ par. 11 Për jetëshkrimin e Emanuel Paterakisit, shih Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1996, faqet 22-27.
^ par. 31 Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1992, faqet 91, 92, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 25]
Sipër: Jani (i pari majtas), unë (në mes), me vëllanë tim, Emanuelin, në të majtën time dhe mamanë në të majtë të tij, me një grup bethelitësh në Athinë, viti 1950
[Figura në faqen 25]
Majtas: Me Janin në dyqanin tonë në breg të detit, Nju-Xhersi, viti 1956
[Figura në faqen 26]
Kongres krahinor në Tiranë, Shqipëri, viti 1995
[Figura në faqen 26]
Kompleksi Bethel në Tiranë, Shqipëri. U përfundua në vitin 1996
[Figura në faqen 26]
Sipër: artikull nga një «Kullë e Rojës» e vitit 1940, e përkthyer fshehurazi në shqip
[Figura në faqen 26]
Me mbesën, Evangjeli Orfanidis (djathtas) dhe burrin e saj, Xhorxhin