Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Problemet e dallimeve klasore

Problemet e dallimeve klasore

Problemet e dallimeve klasore

«BARAZIA MUND TË JETË NDOSHTA NJË E DREJTË E NJERIUT, POR S’KA FUQI NË TOKË QË TA KTHEJË NDONJËHERË ATË NË NJË FAKT.»

Kështu u shpreh Honoré dë Balzaku, novelist francez i shekullit të 19-të. A jeni të një mendimi me të? Shumë veta e ndiejnë në mënyrë instinktive se dallimet klasore janë të gabuara. Megjithatë, edhe në këtë shekull të 21-të, shoqëria njerëzore është ende e ndarë në klasa të shumta shoqërore.

KALVIN KULIXHI, president i Shteteve të Bashkuara nga viti 1923 deri në vitin 1929, u mor me problemin e dallimeve klasore dhe foli për «zhdukjen përfundimtare të të gjitha klasave të privilegjuara». Mirëpo, rreth 40 vjet pas presidentit Kulixh, komisioni Kerner, i krijuar për të studiuar marrëdhëniet ndërmjet racave, shprehu frikën se Shtetet e Bashkuara do të ndaheshin në mënyrë të pashmangshme në dy shoqëri: «Një shoqëri e njerëzve të zinj dhe një e njerëzve të bardhë​—të ndara e të pabarabarta.» Disa pohojnë se ky parashikim tashmë ka dalë i vërtetë dhe se «ndarja ekonomike e raciale po rritet» në atë vend.

Përse është kaq e vështirë që ideja e barazisë së njerëzve të bëhet realitet? Një faktor kryesor është natyra njerëzore. Një ish-kongresist i SHBA-së, Uilliam Randolf Hërsti, njëherë tha: «Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë të paktën në një fushë, domethënë në dëshirën për të mos qenë të barabartë me të tjerët.» Çfarë donte të thoshte? Ndoshta dramaturgu francez i shekullit të 19-të Anri Bek e tha më qartë: «Ajo që e bën barazinë një gjë kaq të vështirë për t’u arritur është se ne duam të jemi të barabartë vetëm me ata që janë më lart se ne.» Me fjalë të tjera, njerëzit dëshirojnë të jenë të barabartë me ata që janë më lart në shkallën e shoqërisë, por nuk janë të shumtë ata që do të ishin të gatshëm të kufizonin privilegjet dhe përparësitë e tyre, duke u dhënë barazi atyre që i shohin si një shkallë më poshtë.

Në të kaluarën, njerëzit lindnin si njerëz të thjeshtë, si pjesëtarë të aristokracisë ose edhe si pjesëtarë të rrethit mbretëror. Kjo ndodh ende në disa vende. Megjithatë, në shumicën e vendeve të sotme, është paraja​—ose mungesa e saj​—ajo që përcakton nëse dikush i përket klasës së ulët, të mesme ose të lartë. Pastaj, ka edhe tregues të tjerë që përcaktojnë klasat, si për shembull raca, edukimi dhe arsimimi. Po ashtu, në disa vende, gjinia është faktori kryesor i diskriminimit, duke i parë gratë si një klasë më e ulët.

Ndonjë rreze shprese?

Vendosja me ligj e të drejtave të njeriut ka ndihmuar për të zhdukur disa pengesa klasore. Në Shtetet e Bashkuara janë miratuar ligje kundër dallimeve raciale. Në Afrikën e Jugut, aparteidi u nxor jashtë ligjit. Skllavëria, ndonëse ekziston ende, është e paligjshme në shumë vende të botës. Vendimet gjyqësore kanë detyruar njohjen e të drejtave të tokës për disa njerëz indigjenë dhe ligjet kundër diskriminimit kanë siguruar lehtësim për disa klasa të privuara.

A tregon kjo fundin e dallimeve klasore në shoqëri? Në të vërtetë jo. Ndonëse disa dallime klasore tani mund të jenë zbehur, kanë filluar të shfaqen ndarje të reja. Libri Class Warfare in the Information Age thotë: «Sot duket e pavend të flasësh për klasa të përgjithshme kapitalistësh dhe punëtorësh, por kjo vetëm sepse këto klasa të mëdha janë copëtuar në grupe më të vogla njerëzish të zemëruar.»

A do të jenë njerëzit gjithnjë të ndarë në klasa shoqërore? E pra, siç do ta tregojë artikulli vijues, gjendja nuk është e pashpresë.