Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të gjithë të krishterët e vërtetë janë ungjillëzues

Të gjithë të krishterët e vërtetë janë ungjillëzues

Të gjithë të krishterët e vërtetë janë ungjillëzues

«Këndojini Jehovait, bekoni emrin e tij. Shpallni ditë për ditë lajmin e mirë të shpëtimit që vjen prej tij.»​—PSALMI 96:2, BR.

1. Cilin lajm të mirë kanë nevojë të dëgjojnë njerëzit dhe si kanë qenë shembullorë Dëshmitarët e Jehovait në përhapjen e këtij lajmi?

NË NJË botë ku çdo ditë ndodhin katastrofa, është vërtet ngushëlluese të dimë se, siç thotë Bibla, lufta, krimet, uria dhe shtypja do të mbarojnë së shpejti. (Psalmi 46:9; 72:3, 7, 8, 12, 16) Në të vërtetë, a nuk është ky një lajm i mirë që kanë nevojë ta dëgjojnë të gjithë? Dëshmitarët e Jehovait mendojnë se po. Ata njihen kudo si njerëzit që predikojnë «lajme të mira për diçka më të mirë». (Isaia 52:7, BR) Vërtet, shumë Dëshmitarë kanë pësuar përndjekje për shkak të vendosmërisë për ta shpallur lajmin e mirë. Por, kanë për zemër më të mirën për njerëzit. Çfarë dëshmie të një zelli e qëndrueshmërie të jashtëzakonshme që kanë dhënë Dëshmitarët!

2. Cila është një arsye e zellit të Dëshmitarëve të Jehovait?

2 Zelli i Dëshmitarëve të Jehovait sot përkon me zellin që treguan të krishterët në shekullin e parë. Për këta të fundit, gazeta katolike L’Osservatore Romano në mënyrë të saktë tha: «Të krishterët e parë, sapo pagëzoheshin, e ndienin për detyrë ta përhapnin Ungjillin. Skllevërit e përcillnin atë gojarisht.» Përse Dëshmitarët e Jehovait, ngjashëm atyre të krishterëve të hershëm, janë kaq të zellshëm? Së pari, sepse lajmi i mirë që shpallin vjen nga vetë Perëndia Jehova. A mund të ketë ndonjë arsye më të mirë për të qenë të zellshëm? Predikimi i tyre është një përgjigje ndaj fjalëve të psalmistit: «Këndojini Jehovait, bekoni emrin e tij. Shpallni ditë për ditë lajmin e mirë të shpëtimit që vjen prej tij.»​—Psalmi 96:2, BR.

3. (a) Cila është një arsye e dytë për zellin e Dëshmitarëve të Jehovait? (b) Çfarë përfshin ‘shpëtimi që vjen prej [Perëndisë]’?

3 Fjalët e psalmistit na sjellin ndër mend një arsye të dytë për zellin që kanë Dëshmitarët e Jehovait. Mesazhi i tyre është një mesazh shpëtimi. Disa njerëz punojnë në fushën mjekësore, shoqërore, ekonomike ose në fusha të tjera që të përmirësojnë cilësinë e jetës së njerëzve të tjerë dhe këto përpjekje janë për t’u lavdëruar. Por, çfarëdo gjëje që mund të bëjë një njeri për një tjetër, është shumë e kufizuar në krahasim me ‘shpëtimin që vjen prej [Perëndisë]’. Nëpërmjet Jezu Krishtit, Jehovai do t’i shpëtojë njerëzit zemërbutë nga mëkati, nga sëmundjet dhe nga vdekja. Ata që do të nxjerrin dobi nga kjo do të jetojnë përgjithmonë! (Gjoni 3:16, 36; Zbulesa 21:3, 4) Sot, shpëtimi është ndër «veprat e mrekullueshme» që shpallin të krishterët, në përgjigje të fjalëve: «Shpallni ndër kombe lavdinë [e Perëndisë], ndër gjithë popujt veprat e mrekullueshme të tij. Pasi Jehovai është i madh dhe për t’u lëvduar shumë. Ai ngjall frikë përmbi tërë perënditë e tjera.»​—Psalmi 96:3, 4, BR.

Shembulli i Zotërisë

4-6. (a) Cila është arsyeja e tretë që Dëshmitarët e Jehovait janë të zellshëm? (b) Si tregoi Jezui zell për veprën e predikimit të lajmit të mirë?

4 Ka një arsye të tretë që Dëshmitarët e Jehovait janë të zellshëm. Ata ndjekin shembullin e Jezu Krishtit. (1 Pjetrit 2:21) Ky njeri i përsosur e pranoi me gjithë zemër caktimin «për t’u thënë lajme të mira zemërbutëve». (Isaia 61:1, BR; Luka 4:17-21) Në këtë mënyrë, u bë një ungjillëzues, shpallës lajmesh të mira. I ra kryq e tërthor Galilesë dhe Judesë «duke predikuar lajmin e mirë të mbretërisë». (Mateu 4:23) E, duke qenë se e dinte që shumë veta do t’i përgjigjeshin pozitivisht këtij lajmi të mirë, u tha dishepujve të tij: «E korra është e madhe, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë të së korrës të dërgojë punëtorë në të korrën e tij.»​—Mateu 9:37, 38.

5 Në harmoni me lutjen që bëri vetë, Jezui i stërviti të tjerët që të ishin ungjillëzues. Pas njëfarë kohe, i nisi vetë apostujt dhe u tha: «Ndërsa shkoni, predikoni, duke thënë: ‘Mbretëria e qiejve është afruar.’» A nuk do të kishte qenë më praktike që të zhvillonin programe për të lehtësuar problemet shoqërore të atyre kohëve? Apo duhej të ishin përfshirë në politikë, për të luftuar korrupsionin e përhapur të kohës? Jo. Në vend të kësaj, Jezui vendosi normën për të gjithë ungjillëzuesit e krishterë, kur u tha ithtarëve të tij: «Ndërsa shkoni, predikoni.»​—Mateu 10:5-7.

6 Më vonë, Jezui dërgoi një grup tjetër dishepujsh që të njoftonin: «Mbretëria e Perëndisë është afruar.» Kur ata u kthyen për t’i raportuar suksesin e udhëtimit të tyre ungjillëzues, Jezui u ngazëllua. Ai u lut: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës, sepse ti i ke fshehur me kujdes këto gjëra nga të mençurit e intelektualët dhe ua ke zbuluar fëmijëve.» (Luka 10:1, 8, 9, 21) Dishepujt e Jezuit, që më parë kishin qenë peshkatarë, bujq të palodhur e kështu me radhë, ishin si fëmijë në krahasim me udhëheqësit fetarë shumë të arsimuar të kombit. Por dishepujt ishin të stërvitur që të shpallnin lajmin më të mirë nga të gjitha lajmet.

7. Pasi Jezui u ngjit në qiell, kujt ia predikuan në fillim lajmin e mirë ithtarët e tij?

7 Pasi Jezui u ngjit në qiell, ithtarët e tij vazhduan ta përhapnin lajmin e mirë të shpëtimit. (Veprat 2:21, 38-40) Kujt i predikuan në fillim? A shkuan te kombet që nuk e njihnin Perëndinë? Jo, në fillim fusha e tyre ishte Izraeli, një popull që e njihte Jehovain nga më shumë se 1.500 vjet. A e kishin të drejtën që të predikonin në një vend ku tashmë adhurohej Jehovai? Po. Jezui u kishte thënë: «Do të jeni dëshmitarët e mi si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës.» (Veprat 1:8) Izraeli kishte nevojë ta dëgjonte lajmin e mirë po aq sa çdo komb tjetër.

8. Në ç’mënyrë Dëshmitarët e Jehovait sot imitojnë ithtarët e Jezuit në shekullin e parë?

8 Në mënyrë të ngjashme, Dëshmitarët e Jehovait sot predikojnë në të gjithë tokën. Ata bashkëpunojnë me engjëllin që pa Gjoni, i cili «kishte një lajm të mirë të përhershëm për t’ua shpallur si sihariq atyre që banojnë në tokë dhe çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbulesa 14:6) Në vitin 2001, ishin aktivë në 235 vende dhe territore, duke përfshirë edhe disa të tilla që në përgjithësi shihen si të krishtere. A e kanë gabim Dëshmitarët e Jehovait që predikojnë në vende ku i ashtuquajturi krishterim tashmë ka ngritur kishat e tij? Disa thonë se po, e madje mund ta quajnë këtë ungjillëzim si një «vjedhje të deleve». Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait kujtojnë ndjenjat që provonte Jezui për judenjtë e përulur të ditëve të tij. Ndonëse e kishin tashmë një priftëri, Jezui nuk ngurroi t’u shpallte lajmin e mirë. Ai ‘ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari’. (Mateu 9:36) Kur Dëshmitarët e Jehovait gjejnë njerëz të përulur që nuk dinë gjë për Jehovain dhe për Mbretërinë e tij, a duhet t’ua mbajnë atyre lajmin e mirë, meqenëse ndonjë fe pohon se ka autoritet mbi ta? Duke ndjekur shembullin e apostujve të Jezuit, përgjigjemi jo. Lajmi i mirë duhet predikuar «në të gjitha kombet», pa asnjë përjashtim.​—Marku 13:10.

Të gjithë të krishterët e hershëm ungjillëzonin

9. Në shekullin e parë, cilët në kongregacionin e krishterë merrnin pjesë në veprën e predikimit?

9 Cilët në shekullin e parë merrnin pjesë në veprën e predikimit? Faktet tregojnë se të gjithë të krishterët ishin ungjillëzues. Autori U. S. Uilliams komenton: «Dëshmia e përgjithshme është se të gjithë të krishterët në kishën e hershme . . . e predikonin ungjillin.» Lidhur me ngjarjet e Festës së Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., Bibla thotë: «Të gjithë ata [burra e gra] u mbushën me frymë të shenjtë dhe nisën të flitnin në gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma ua lejonte të shpreheshin.» Ndër ungjillëzuesit u përfshinë burra e gra, të rinj e të moshuar, skllevër e të lirë. (Veprat 1:14; 2:1, 4, 17, 18; Joeli 2:28, 29; Galatasve 3:28) Kur përndjekja i detyroi shumë të krishterë të iknin nga Jerusalemi, «ata që ishin shpërndarë, kaluan nëpër vend, duke shpallur lajmin e mirë të fjalës». (Veprat 8:4) Ungjillëzonin të gjithë «ata që ishin shpërndarë» e jo vetëm disa të caktuar.

10. Cila ishte detyra e dyfishtë që u përmbush para shkatërrimit të sistemit judaik?

10 Kjo gjë ndodhi gjatë gjithë atyre viteve të hershme. Jezui profetizoi: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Në përmbushjen e këtyre fjalëve në shekullin e parë, lajmi i mirë u predikua gjerësisht para se ushtritë romake të shkatërronin sistemin fetar e politik judaik. (Kolosianëve 1:23) Gjithashtu, të gjithë ithtarët e Jezuit iu bindën urdhrit të tij: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Të krishterët e hershëm nuk është se vetëm sa i nxitnin njerëzit zemërbutë që të besonin te Jezui e pastaj i linin ta gjenin vetë rrugën, siç bëjnë disa predikues të ditëve tona. Përkundrazi, u mësonin të bëheshin dishepuj të Jezuit, i organizonin në kongregacione dhe i stërvitnin që vetë ata, nga ana e tyre, të predikonin lajmin e mirë dhe të bënin dishepuj. (Veprat 14:21-23) Dëshmitarët e Jehovait sot ndjekin këtë model.

11. Cilët sot u shpallin njerëzve lajmin më të mirë nga të gjitha lajmet?

11 Disa Dëshmitarë të Jehovait, duke ndjekur shembullin e Pavlit, të Barnabës dhe të të tjerëve në shekullin e parë, kanë shkuar si misionarë në vende të huaja. Vepra e tyre ka qenë vërtet dobiprurëse, pasi nuk janë përfshirë në politikë dhe nuk janë shmangur në ndonjë mënyrë tjetër nga detyra e tyre për të predikuar lajmin e mirë. Thjesht i janë bindur urdhrit të Jezuit: «Ndërsa shkoni, predikoni.» Megjithatë, pjesa më e madhe e Dëshmitarëve të Jehovait nuk janë misionarë në vende të huaja. Shumë prej tyre e sigurojnë jetesën duke punuar, të tjerë janë ende në shkollë dhe disa po rritin fëmijët. Por të gjithë Dëshmitarët ndajnë me të tjerët lajmin e mirë që kanë mësuar. Të rinj e të moshuar, meshkuj e femra, ata i përgjigjen me gëzim thirrjes së Biblës: «Prediko fjalën, bëje këtë me urgjencë në kohë të favorshme dhe në kohë të vështirë.» (2 Timoteut 4:2) Ashtu si pararendësit e tyre të shekullit të parë, vazhdojnë ‘pareshtur të mësojnë dhe të shpallin lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin’. (Veprat 5:42) Po njoftojnë lajmin më të mirë nga të gjitha lajmet për njerëzimin.

Bëjnë prozelitë apo ungjillëzojnë?

12. Çfarë është prozelitizmi dhe cila pikëpamje është krijuar për të?

12 Gjuha greke ka fjalën proselytos, e cila ka kuptimin «i kthyer në besim». Nga kjo ka ardhur fjala «prozelitizëm», e cila kryesisht nënkupton «veprimin e kthimit të të tjerëve në besim». Në ditët e sotme, disa thonë se prozelitizmi është i dëmshëm. Madje, një dokument i botuar nga Këshilli Botëror i Kishave përmend «mëkatin e prozelitizmit». Përse? Catholic World Report komenton: «Me vërshimin e vazhdueshëm të ankimeve nga Kisha Ortodokse, ‘prozelitizmi’ ka marrë ngjyrimin e kthimit të detyruar në besim.»

13. Cilët janë disa shembuj të prozelitizmit të dëmshëm?

13 A është i dëmshëm prozelitizmi? Mund të jetë. Jezui tha se prozelitizmi i skribëve dhe i farisenjve ishte i dëmshëm për prozelitët që bënin ata. (Mateu 23:15) Sigurisht, «kthimi i detyruar në besim» është i gabuar. Për shembull, sipas historianit Jozef, kur makabeu Gjon Irkani nënshtroi idumeasit, «i lejoi të qëndronin në vendin e tyre vetëm nëse do të rrethpriteshin dhe nëse do të ishin të gatshëm të zbatonin ligjet e judenjve». Nëse idumeasit donin të jetonin nën sundimin judaik, duhej të praktikonin fenë judaike. Historianët na thonë se në shekullin e tetë të erës sonë, Karli i Madh mundi saksonët paganë të Evropës Veriore dhe në mënyrë mizore i detyroi të ndërronin besimin. * Por, me sa çiltërsi ishin kthyer në besim saksonët ose idumeasit? Për shembull, sa me zemër i përmbahej Ligjit të Moisiut, të frymëzuar nga Perëndia, mbreti idumeas Herodi, i cili u përpoq të vriste foshnjën Jezu?​—Mateu 2:1-18.

14. Në cilat mënyra disa misionarë të të ashtuquajturit krishterim u bëjnë presion njerëzve që të ndërrojnë besimin?

14 A ka sot kthime të detyruara në besim? Në njëfarë kuptimi, disa janë të tilla. Thuhet se disa misionarë të të ashtuquajturit krishterim u ofrojnë njerëzve bursa studimi jashtë shtetit për t’i kthyer në besim. Ose mund t’i shtrëngojnë refugjatët e uritur që të dëgjojnë një fjalim para se t’u japin një racion ushqim. Sipas një deklarate të nxjerrë në vitin 1992 në një kongres të Krerëve Ortodoksë, «disa herë prozelitizmi bëhet nëpërmjet joshjes nga ana materiale e disa herë me forma të ndryshme dhune».

15. A bëjnë prozelitë Dëshmitarët e Jehovait, po të marrim kuptimin e sotëm të kësaj fjale? Shpjegoni.

15 T’i detyrosh njerëzit që të ndërrojnë fenë është e gabuar. Sigurisht, Dëshmitarët e Jehovait nuk veprojnë në këtë mënyrë. * Prandaj, ata nuk bëjnë prozelitë, nëse do të marrim kuptimin e sotëm të kësaj fjale. Në vend të kësaj, ashtu si të krishterët e shekullit të parë, ia predikojnë lajmin e mirë kujtdo. Atyre që me dëshirën e tyre reagojnë pozitivisht, u bëhet ftesa që të marrin më shumë njohuri me anë të një studimi të Biblës. Këta persona të interesuar mësojnë që ta vendosin besimin​—të bazuar fortësisht në njohuri të saktë biblike​—te Perëndia dhe te qëllimet e tij. Si rrjedhim, thërrasin emrin e Perëndisë, Jehova, për shpëtim. (Romakëve 10:13, 14, 17) Nëse do ta pranojnë lajmin e mirë apo jo është një çështje zgjedhjeje personale. Nuk ka asnjë detyrim. Nëse do të kishte, kthimi në besim do të ishte i pakuptimtë. Që të pranohet nga Perëndia, adhurimi duhet të vijë nga zemra.​—Ligji i përtërirë 6:4, 5; 10:12.

Ungjillëzimi në kohët tona

16. Si është rritur vepra ungjillëzuese e Dëshmitarëve të Jehovait në kohët tona?

16 Në kohët tona, Dëshmitarët e Jehovait e kanë predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë në një përmbushje më të madhe të Mateut 24:14. Një mjet i spikatshëm në veprën e tyre ungjillëzuese ka qenë revista Kulla e Rojës. * Në vitin 1879, kur u botuan numrat e parë të Kullës së Rojës, revista kishte një tirazh prej rreth 6.000 kopjesh vetëm në një gjuhë. Në vitin 2001, pra, më shumë se 122 vjet më vonë, tirazhi kishte arritur në 23.042.000 kopje në 141 gjuhë. Krahas kësaj rritjeje ka qenë edhe rritja në veprën ungjillëzuese të Dëshmitarëve të Jehovait. Krahasoni ato pak mijëra orë që harxhoheshin çdo vit në veprën ungjillëzuese në shekullin e 19-të me 1.169.082.225 orët që iu kushtuan veprës së predikimit në vitin 2001. Mendoni për 4.921.702 studimet biblike falas që u drejtuan mesatarisht çdo muaj. Çfarë sasie e jashtëzakonshme pune të shkëlqyer është kryer! Kjo vepër u krye nga 6.117.666 predikues aktivë të Mbretërisë.

17. (a) Cilët lloj perëndish të rremë adhurohen sot? (b) Cilado qoftë gjuha, kombësia ose pozita shoqërore, çfarë ka nevojë të dijë kushdo?

17 Psalmisti thotë: «Tërë perënditë e popujve janë perëndi pa vlerë; por sa për Jehovain, ai ka bërë vetë qiejt.» (Psalmi 96:5, BR) Në botën e sotme jofetare, nacionalizmi, emblemat kombëtare, individët e shquar, gjërat materiale e madje edhe vetë pasuria janë bërë objekte adhurimi. (Mateu 6:24; Efesianëve 5:5; Kolosianëve 3:5) Mohandas K. Gandi njëherë tha: «Mendimi im i patundur është se . . . Evropa sot është e krishterë vetëm sa për emër. Në të vërtetë, ajo adhuron Mamonin [pasurinë].» Fakti është se kudo ka nevojë të dëgjohet lajmi i mirë. Kushdo, pavarësisht nga gjuha, kombësia ose pozita shoqërore, ka nevojë të dijë për Jehovain dhe për qëllimet e tij. Do të dëshironim që të gjithë t’u përgjigjeshin fjalëve të psalmistit: «Jepini Zotit [Jehovait, BR] lavdi dhe forcë. Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij!» (Psalmi 96:7, 8) Dëshmitarët e Jehovait i ndihmojnë të tjerët që të mësojnë për Jehovain, me qëllim që t’i japin atij lavdi në mënyrë të përshtatshme. Personat që pranojnë kanë shumë dobi nga kjo gjë. Cilat dobi? Këto do të trajtohen në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 13 Sipas The Catholic Encyclopedia, gjatë Reformës, detyrimi me forcë i një feje te një popull shprehej me një moto latine (Cuius regio, illius et religio) e cila, në thelb, do të thotë: «Kushdo që sundon vendin, vendos edhe fenë e atij vendi.»

^ par. 15 Në një mbledhje të Komisionit Ndërkombëtar të Lirisë së Fesë në Shtetet e Bashkuara, më 16 nëntor 2000, një pjesëmarrës bëri dallimin ndërmjet atyre që përpiqen t’i detyrojnë njerëzit të kthehen në besim dhe veprës së Dëshmitarëve të Jehovait. U komentua se kur Dëshmitarët e Jehovait u predikojnë të tjerëve, e bëjnë këtë në mënyrë të tillë, që një person mund të thotë thjesht «nuk më intereson» dhe të mbyllë derën.

^ par. 16 Titulli i plotë i revistës është Kulla e Rojës lajmëron Mbretërinë e Jehovait.

A mund të shpjegoni?

• Përse Dëshmitarët e Jehovait janë ungjillëzues të zellshëm?

• Përse Dëshmitarët e Jehovait predikojnë edhe atje ku i ashtuquajturi krishterim ka ngritur kishat e tij?

• Përse Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë prozelitë në kuptimin e sotëm të kësaj fjale?

• Si është rritur vepra ungjillëzuese e Dëshmitarëve të Jehovait në kohët tona?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 9]

Jezui ishte ungjillëzues i zellshëm dhe i stërviti të tjerët që të bënin të njëjtën vepër

[Figura në faqen 10]

Të gjithë në kongregacionin e shekullit të parë merrnin pjesë në ungjillëzim

[Figura në faqen 11]

T’i detyrosh njerëzit që të ndërrojnë fenë është e gabuar