A besoni te një Perëndi që është real?
A besoni te një Perëndi që është real?
Një ekspeditë e organizuar nga Muzeu Amerikan i Historisë së Natyrës u nis për të studiuar një vend arktik. Rreth shtatë vjet më parë, në vitin 1906, eksploruesi Robert E. Piëri kishte raportuar se e kishte parë këtë vend.
QË NGA Kepi i Kolgejtit, në pjesën më veriperëndimore të Amerikës së Veriut, Piëri kishte vënë re ato që dukej sikur ishin skajet me borë të një vendi të largët. Duke i vënë emrin e njërit prej sponsorëve të tij financiarë, ai e quajti këtë vend Toka Kraker. Sa të drithëruar duhet të jenë ndier anëtarët e kësaj ekspedite, kur u zuri syri para tyre një zonë me kodra, lugina dhe maja malesh të mbuluara me borë! Por shumë shpejt e kuptuan se ajo që po shihnin s’ishte gjë tjetër veçse një mirazh arktik. Kjo dukuri optike atmosferike kishte mashtruar Piërin dhe tashmë ata kishin harxhuar kohë, energji dhe burime financiare për të eksploruar diçka që nuk ishte reale.
Sot, shumë njerëz ua kushtojnë devocionin dhe kohën e tyre perëndive që besojnë se janë realë. Në ditët e apostujve të Jezuit, adhuroheshin perëndi të tillë, si Hermesi dhe Zeusi. (Veprat 14:11, 12) Sot, perënditë që adhurojnë njerëzit në shintoizëm, hinduizëm dhe në fe të tjera të botës arrijnë në miliona. Në të vërtetë, siç thotë Bibla, «ka shumë ‘perëndi’ dhe shumë ‘zotërinj’». (1 Korintasve 8:5, 6) A mund të jenë realë të tërë këta perëndi?
Perëndi që ‘nuk mund të shpëtojnë’
Shqyrtoni, për shembull, përdorimin e shëmbëlltyrave ose të simboleve në adhurim. Personave që kanë besim tek idhujt ose që luten nëpërmjet tyre, ata u duken shpëtimtarë me fuqi mbinjerëzore, të cilët mund t’i shpërblejnë njerëzit ose t’i shpëtojnë nga rreziku. Por, a munden idhujt të shpëtojnë vërtet? Lidhur me objekte të tilla, psalmisti këndoi: «Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut; kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, kanë veshë por nuk dëgjojnë; Psalmi 135:15-17; Isaia 45:20.
nuk kanë frymë në gojën e tyre.» E vërteta është se ata janë perëndi që ‘nuk mund të shpëtojnë’.—Qartë, bërësit e idhujve mund ta quajnë veprën e duarve të tyre sikur ka jetë dhe fuqi. E adhuruesit e idhujve, e vënë besimin tek ata. «E ngarkojnë [idhullin] mbi kurriz,—tha profeti Isaia,—dhe e mbartin, e vënë në vendin e tij dhe mbetet atje.» Ai shtoi: «Nga vendi i tij nuk lëvizet më. Edhe sikur dikush t’i thërrasë atij, ai nuk i përgjigjet as e shpëton nga fatkeqësia e tij.» (Isaia 46:7) E vërteta është që idhulli mbetet i pajetë, pavarësisht se sa e zjarrtë është bindja e atyre që e kanë vënë besimin tek ai. Këta idhuj të gdhendur dhe statuja metali të shkrirë janë «perëndi pa vlerë».—Habakuku 2:18, BR.
Sot, është i zakonshëm edhe hyjnizimi, përnderimi ose adhurimi i personaliteteve të spektaklit, i yjeve të sportit, i disa udhëheqësve fetarë dhe i sistemeve politike. Për më tepër, paraja është një perëndi për shumë veta. Në të gjitha rastet, këta idhuj i nxjerrin si diçka që në të vërtetë nuk janë. Idhujt nuk sigurojnë dhe nuk mund t’i sigurojnë fare gjërat të cilat i shpresojnë njerëzit që e vënë besimin tek ata. Për shembull, pasuria mund të duket se ka në dorë zgjidhjen e shumë problemeve, por fuqia e pasurisë është mashtruese. (Marku 4:19) Një kërkues pyeti: «Si ta shpjegojmë faktin që një gjë të cilën kaq shumë njerëz e dëshirojnë dhe besojnë se kuron gjithçka, kur arrihet ka një sërë efektesh negative që shkojnë nga zhgënjimi deri në traumë?» Po, rendja pas pasurisë mund të kërkojë që një person të sakrifikojë atë që ka vlerë të vërtetë, si: shëndetin e mirë, një jetë familjare të kënaqshme, miqësi të ngushta ose një marrëdhënie të çmuar me Krijuesin. Perëndia i tij del se s’është gjë tjetër veçse një ‘idhull i kotë’.—Jonai 2:8, DSF.
«Asnjeri nuk u përgjigj»
Është marrëzi ta quash reale diçka që nuk është reale. Adhuruesit e perëndisë Baal në ditët e profetit Elija e mësuan këtë në mënyrën më të rëndë. Ata besonin në mënyrë të patundur se Baali kishte fuqi që të zbriste nga qielli një zjarr për ta përpirë kafshën e flijuar. Për këtë, «përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: ‘O Baal, na u përgjigj!’» A kishte veshë Baali që të dëgjonte dhe gojë që të fliste? Tregimi vazhdon: «Nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj.» Në të vërtetë, «askush nuk ua vuri veshin». (1 Mbretërve 18:26, 29) Baali nuk ishte real, i gjallë ose aktiv.
Sa thelbësore është të njohim dhe të adhurojmë një Perëndi që është real! Por, kush është ai? E si mund të na sjellë dobi besimi tek ai?
[Figurat në faqen 3]
Shoku i Piërit, Eginuahu, këqyr horizontin për të diktuar tokë
Robert E. Piëri
[Burimet]
Eginuahu: Nga libri The North Pole: Its Discovery in 1909 Under the Auspices of the Peary Arctic Club, 1910; Robert E. Piëri: NOAA
[Figurat në faqen 4]
Shumë veta mashtrohen nga ajo që hyjnizohet në këtë botë