Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësuesit e Fjalës së Perëndisë nxiten që të përmbushin detyrën e tyre

Mësuesit e Fjalës së Perëndisë nxiten që të përmbushin detyrën e tyre

Mësuesit e Fjalës së Perëndisë nxiten që të përmbushin detyrën e tyre

QINDRA mijë mësues u mblodhën për të marrë udhëzime në këta muajt e fundit. Duke filluar në maj të vitit të kaluar, u mblodhën në qindra Kongrese Krahinore «Mësues të Fjalës së Perëndisë» të Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës. Delegatët u nxitën që të mësonin veten e tyre, të bëheshin edhe më të kualifikuar dhe të përmbushnin detyrën si mësues.

A ndoqët ndonjërin nga këto kongrese? Nëse po, pa dyshim që e keni çmuar ushqimin e mrekullueshëm frymor që u shpërnda në këto mbledhje ku adhurohet Perëndia i vërtetë, Jehovai. Përse të mos bashkoheni me ne për të rishikuar programin ndërtues të kongresit?

Dita e parë: Shkrimet e frymëzuara janë të dobishme për mësim

Drejtuesi i kongresit i uroi një mirëseardhje të përzemërt delegatëve me fjalimin «Jini të mësuar, ju mësues të Fjalës së Perëndisë». Duke mësuar nga Jehovai, i cili është «Mësuesi i Madh», Jezu Krishti u bë një Mësues i Madh. (Isaia 30:20, BR; Mateu 19:16) Nëse duam të bëjmë përparim si mësues të Fjalës së Perëndisë, edhe ne duhet të mësohemi nga Jehovai.

Më pas vijoi pjesa «Mësimi rreth Mbretërisë sjell fryte të shkëlqyera». Me anë të intervistave që iu bënë mësuesve me përvojë të Fjalës së Perëndisë, u theksuan gëzimet dhe bekimet që vijnë nga bërja e dishepujve.

Pas tij u mbajt një fjalim nxitës me titull «Të nxitur nga ‘gjërat madhështore të Perëndisë’». Në shekullin e parë, «gjërat madhështore» që kishin të bënin me Mbretërinë e Perëndisë i nxitën njerëzit të vepronin. (Veprat 2:11) Edhe ne mund t’i nxitim njerëzit të veprojnë duke shpallur ‘gjëra madhështore’ të tilla, si mësimet biblike për shpërblesën, ringjalljen dhe besëlidhjen e re.

Fjalimi tjetër na inkurajoi të gjithëve që «Të gjejmë kënaqësi në drejtësinë e Jehovait». (Psalmi 35:27) Marrim ndihmë që të ndjekim drejtësinë duke mësuar të duam të drejtën dhe të urrejmë të keqen, duke studiuar Biblën, duke iu kundërvënë në mënyrë vepruese ndikimeve të dëmshme frymësisht dhe duke kultivuar përulësinë. Këto hapa do të ndihmojnë që të mbrohemi nga shoqëritë jo të shëndetshme, nga vlerat materialiste të botës dhe nga zbavitja imorale dhe e dhunshme.

Fjalimi kyç, me titull «Plotësisht të pajisur si mësues të Fjalës së Perëndisë», na solli ndër mend se Jehovai na bën shërbëtorë të kualifikuar me anë të Fjalës së tij, të frymës së tij të shenjtë dhe të organizatës së tij tokësore. Për përdorimin e Fjalës së Perëndisë, oratori na këshilloi: «Synimi ynë është që ta nxjerrim mesazhin e Biblës nga faqet e shtypura dhe ta ngulitim në zemrën e dëgjuesve tanë.»

Simpoziumi i parë i kongresit kishte titullin «Të mësojmë veten ndërsa mësojmë të tjerët». Pjesa e parë theksoi se duhet të mbajmë të njëjtën normë të lartë të moralit të krishterë që u mësojmë të tjerëve. Pjesa tjetër na këshilloi që ‘ta përdorim drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Timoteut 2:15) Për të mësuar veten, është thelbësor studimi i zellshëm personal i Biblës, pavarësisht se sa kohë kemi që i shërbejmë Perëndisë. Pjesa e fundit e simpoziumit tregoi se Djalli po na ruan, duke kërkuar që të gjejë te ne qëndrime të tilla, si: krenaria, fryma e pavarësisë, mendjemadhësia, xhelozia, smira, inati, mëria dhe gjetja e të metave. Megjithatë, nëse e kundërshtojmë me forcë, Djalli do të ikë nga ne. Për t’iu kundërvënë atij, duhet t’i afrohemi Perëndisë.​—Jakovit 4:7, 8.

Fjalimi shumë i kohës «Të urrejmë thellësisht epideminë botërore të pornografisë» na tregoi se si t’i bëjmë ballë këtij kërcënimi degjenerues ndaj gjendjes sonë frymore. Profeti Habakuk tha për Jehovain: «Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë.» (Habakuku 1:13) Duhet ta ‘urrejmë thellësisht atë që është e ligë’. (Romakëve 12:9) Prindërit u këshilluan që të kontrollojnë se si e përdorin fëmijët e tyre Internetin dhe çfarë shohin në televizor. Oratori tha se ata që ndihen të tërhequr drejt pornografisë duhet të marrin ndihmë nga një mik i pjekur frymësisht. Do të ishte, gjithashtu, e dobishme të meditonin dhe të mësonin përmendësh shkrime të tilla, si: Psalmi 97:10; Mateu 5:28; 1 Korintasve 9:27; Efesianëve 5:3, 12; Kolosianëve 3:5 dhe 1 Selanikasve 4:4, 5.

Fjalimi tjetër «Paqja e Perëndisë le t’ju ruajë» na ngushëlloi me sigurinë se kur jemi të rënduar nga ankthi, mund ta hedhim barrën tonë mbi Jehovain. (Psalmi 55:22) Nëse ia hapim zemrën në lutje, Jehovai do të na japë ‘paqen e Perëndisë’, qetësinë e brendshme që vjen si pasojë e marrëdhënies sonë të çmuar me të.​—Filipianëve 4:6, 7.

Dita e parë mbaroi me një ton veçanërisht të lumtur me fjalimin «Jehovai e zbukuron popullin e tij me dritë», ku u shpjegua përmbushja e kapitullit 60 të Isaisë. Mes errësirës që mbështjell botën sot, «të huajt»​—shumica e madhe e njerëzve ngjashëm deleve që po mblidhen tani​—gëzojnë dritë nga Jehovai, së bashku me të krishterët e mirosur. Duke folur për vargjet 19 dhe 20, oratori shpjegoi: «Jehovai nuk do të ‘perëndojë’, siç bën dielli dhe nuk do të ‘zvogëlohet’, siç bën hëna. Ai do të vazhdojë ta zbukurojë popullin e tij duke ndriçuar mbi ta. Çfarë sigurie e mrekullueshme është kjo për ne që jetojmë në ditët e fundit të kësaj bote të errësuar!» Në përfundim të fjalimit, oratori njoftoi daljen e librit Profecitë e Isaisë​Dritë për gjithë njerëzimin, Vëllimi II. A e keni mbaruar së lexuari këtë botim të ri?

Dita e dytë: Të kualifikuar sa duhet për të mësuar të tjerët

Pas trajtimit të shkrimit të ditës, në ditën e dytë, dëgjuam me interes të madh simpoziumin e dytë të kongresit, «Shërbëtorë nëpërmjet të cilëve të tjerët bëhen besimtarë». Në këtë simpozium prej tri pjesësh, oratorët theksuan secilën nga tri fazat që përdoren për t’i ndihmuar njerëzit që të bëhen besimtarë: përhapjen e mesazhit të Mbretërisë, kultivimin e interesit të gjetur dhe mësimin e të interesuarve që të zbatojnë atë që urdhëroi Krishti. Me ndihmën e intervistave dhe demonstrimeve, patëm mundësi të shihnim në mënyrë specifike se si mund t’i mësojmë të tjerët që të bëhen dishepuj.

Pjesa tjetër kishte temën «Shtojini qëndrueshmërisë suaj devocionin hyjnor». Oratori tregoi se ajo që ka më shumë rëndësi është që të ‘qëndrojmë deri në fund’. (Mateu 24:13) Duhet t’i përdorim të gjitha masat që ka vënë në dispozicion Perëndia​—lutjen, studimin personal, mbledhjet dhe shërbimin​—për të pasur devocion hyjnor. Duhet t’i pengojmë dëshirat dhe veprimtaritë e botës që të na e mbytin ose të na e shkatërrojnë devocionin hyjnor.

Si mund të gjejnë freskim sot njerëzit që janë të robtuar e të ngarkuar? Fjalimi «Të gjejmë freskim nën zgjedhën e Krishtit» iu përgjigj kësaj pyetjeje. Me dashamirësi, Jezui i ftoi ithtarët që të vinin nën zgjedhën e tij dhe të mësonin prej tij. (Mateu 11:28-30) Mund të vijmë nën zgjedhën e Jezuit duke ndjekur nga afër shembullin e tij të një jete të thjeshtë e të drejtpeshuar. Pikat kryesore të këtij prezantimi u theksuan nga intervistat me ata që e kanë thjeshtuar jetën e tyre.

Një nga pikat kryesore të mbledhjeve të mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait është pagëzimi i shërbëtorëve të sapodedikuar të Perëndisë. Vëllai që mbajti fjalimin «Pagëzimi çon në privilegje më të mëdha të mësimdhënies» u dha një mirëseardhje të përzemërt kandidatëve për pagëzim dhe i ftoi të merrnin pjesë në privilegje më të mëdha shërbimi. Mësuesit e sapopagëzuar të Fjalës së Perëndisë, të cilët plotësojnë kualifikimet biblike, mund të synojnë përgjegjësi të ndryshme në kongregacion.

«Imitoni Mësuesin e Madh» ishte titulli i fjalimit të parë të asaj pasditeje. Për shekuj të tërë në qiell, Jezui e vëzhgoi me kujdes dhe e imitoi Atin e tij, duke u bërë në këtë mënyrë Mësues i Madh. Kur ishte në tokë, përdori teknika të efektshme mësimdhënieje, si pyetje depërtuese dhe ilustrime të thjeshta, por të gjalla. Jezui e bazonte mësimin e tij në Fjalën e Perëndisë dhe fliste me entuziazëm, ngrohtësi dhe autoritet. A nuk u ndiem të nxitur që të imitonim Mësuesin e Madh?

Një fjalim tjetër entuziazmues me temën «A jeni të gatshëm t’u shërbeni të tjerëve?» na inkurajoi që të imitojmë shembullin e Jezuit për t’u shërbyer të tjerëve. (Gjoni 13:12-15) Oratori i nxiti drejtpërdrejt burrat e kualifikuar që të ishin si Timoteu duke përfituar nga mundësitë për të ndihmuar të tjerët. (Filipianëve 2:20, 21) Prindërit u inkurajuan që të imitonin Elkanahun dhe Hanën, duke i ndihmuar fëmijët që të synojnë shërbimin e plotkohor. Gjithashtu, të rinjtë u këshilluan që të imitonin shembullin e Jezu Krishtit dhe të Timoteut të ri, duke u shërbyer me gatishmëri të tjerëve. (1 Pjetrit 2:21) Na prekën edhe fjalët e atyre që kanë përfituar nga mundësitë për t’u shërbyer të tjerëve.

Tema e simpoziumit të tretë ishte «Të përfitojmë më plotësisht nga arsimimi teokratik». Oratori i parë theksoi rëndësinë që të rritim kohën e përqendrimit. Për të arritur këtë synim, mund të fillojmë me sesione të shkurtra studimi personal dhe të përpiqemi t’i zgjatim. Gjithashtu e inkurajoi auditorin që të kërkonte shkrimet dhe të merrte shënime në mbledhje. Oratori i dytë na këshilloi për nevojën që të mbahemi fort pas ‘modelit të fjalëve të shëndosha’. (2 Timoteut 1:13, 14) Që të mbrohemi nga gjërat imorale që paraqiten në mjetet e informacionit, nga filozofitë njerëzore, nga kritika letrare dhe nga mësimet apostate, duhet të blejmë kohë për studimin personal dhe për të ndjekur mbledhjet. (Efesianëve 5:15, 16) Oratori i fundit i simpoziumit theksoi nevojën për t’i vënë në praktikë gjërat që mësojmë, në mënyrë që të përfitojmë plotësisht nga arsimimi teokratik.​—Filipianëve 4:9.

Sa të entuziazmuar ishim kur dëgjuam fjalimin «Sigurime të reja për përparimin tonë frymor»! U gëzuam kur morëm vesh se së shpejti do të botohet një libër i ri, me titull Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Mezi e pritnim librin pasi oratori theksoi përmbajtjen e tij. Lidhur me pjesën e librit që përmban një numër pikash për këshilla mbi fjalimet, ai tha: «Ky libër i ri nuk i trajton këto 53 aspekte të të lexuarit, të të folurit dhe të mësimdhënies së mirë si një libër i zakonshëm. Trajtimi bazohet në parimet biblike.» Libri do të tregojë se si profetët, Jezui dhe dishepujt e tij shfaqën aftësi të mira mësimdhënieje. Po, ky libër i ri dhe veçoritë e reja të Shkollës së Shërbimit Teokratik me siguri do të na ndihmojnë që të jemi mësues më të mirë të Fjalës së Perëndisë.

Dita e tretë: Të jemi mësues duke pasur parasysh kohën

Ditën e fundit, pasi u trajtua shkrimi i ditës, të gjithë i kushtuan vëmendje të madhe simpoziumit të fundit të kongresit, «Profecia e Malakisë na përgatit për ditën e Jehovait». Malakia profetizoi afro njëqind vjet pasi judenjtë u kthyen nga Babilonia. Ata kishin rënë përsëri në apostazi dhe në ligësi, duke e çnderuar emrin e Jehovait me shpërfilljen e ligjeve të tij të drejta dhe duke sjellë kafshë të verbra, të çala e të sëmura si flijime. Për më tepër, po divorconin gratë e rinisë së tyre, ndoshta për t’u martuar me gra të huaja.

Kapitulli i parë i profecisë së Malakisë na siguron për dashurinë që ka Jehovai për popullin e tij. Ai thekson nevojën që të kemi frikë përnderuese për Perëndinë, si edhe çmueshmëri për gjërat e shenjta. Jehovai pret nga ne që t’i japim atij më të mirën tonë, duke e adhuruar nga dashuria altruiste që kemi për të. Shërbimi ynë i shenjtë nuk duhet të jetë thjesht një formalitet dhe duhet t’i japim llogari Perëndisë.

Duke e zbatuar kapitullin e dytë të Malakisë për ditët tona, oratori i dytë i simpoziumit pyeti: «A jemi syçelë personalisht që ‘mbi buzët tona të mos gjendet asnjë çoroditje’?» (Malakia 2:6) Ata që marrin drejtimin në mësimdhënie, duhet të jenë të sigurt se ajo që thonë është e bazuar fortësisht në Fjalën e Perëndisë. Duhet t’i urrejmë veprime të tilla tradhtare si bërjen e divorceve të padrejta.​—Malakia 2:14-16.

Duke folur për temën «Kush do të mbijetojë në ditën e Jehovait?», oratori i fundit i simpoziumit na ndihmoi që të përgatitemi për ditën e Jehovait. «Sa ngushëlluese është për shërbëtorët e Jehovait të dinë që përmbushjen kryesore, Malakia, kapitulli 3, vargu 17 e gjen tek ata!​—tha oratori.​—Aty thuhet: ‘Ata do të bëhen me siguri të mitë,​—ka thënë Jehovai i ushtrive,​—ditën kur do të prodhoj një pronë të veçantë. Dhe unë do të tregoj dhembshuri për ta, ashtu si një njeri tregon dhembshuri për të birin që i shërben.’»​—BR.

Një pikë tjetër kulmore e kongresit ishte drama me kostume, me titull «Të respektojmë autoritetin e Jehovait», ku personazhet kryesore ishin bijtë e Koreut. Me gjithë qëndrimin rebel të babait të tyre ndaj Moisiut dhe Aaronit, ata i qëndruan besnikë Jehovait dhe përfaqësuesve të tij. Koreu dhe ata që e pasonin vdiqën, kurse bijtë e Koreut mbijetuan. Fjalimi që pasoi, «T’i nënshtrohemi me besnikëri autoritetit hyjnor» tregoi se si mund të zbatohej për secilin prej nesh përmbajtja e dramës. Oratori paralajmëroi për gjashtë fusha ku Koreu dhe ata që e pasonin dështuan: nuk përkrahën me besnikëri autoritetin e Jehovait, lanë që krenaria, ambicia dhe xhelozia t’i mposhtte, u përqendruan në papërsosmëritë e atyre që kishte emëruar Jehovai, zhvilluan një qëndrim ankues, u bënë të pakënaqur me privilegjet e tyre të shërbimit dhe lanë që lidhjet miqësore ose familjare të kishin përparësi mbi besnikërinë ndaj Jehovait.

«Cilët po ua mësojnë të gjitha kombeve të vërtetën?»​—ishte tema e fjalimit publik. E vërteta për të cilën u fol nuk ishte e vërteta në përgjithësi, por e vërteta për qëllimin e Jehovait, për të cilën Jezu Krishti dha dëshmi. Oratori mori në shqyrtim të vërtetën lidhur me bindjet, të vërtetën që i përket mënyrës së adhurimit dhe të vërtetën për sa i përket sjelljes së secilit personalisht. Pasi u bë ky krahasim i të krishterëve të shekullit të parë me Dëshmitarët e Jehovait sot, bindja jonë se ‘Perëndia është me të vërtetë midis nesh’ na u forcua vërtet.​—1 Korintasve 14:25.

Pas përmbledhjes së artikullit të studimit të Kullës së Rojës për atë javë, të gjithë mësuesit e fjalës së Perëndisë që ishin të pranishëm u nxitën që të vepronin nga fjalimi përmbyllës «Të përmbushim me urgjencë detyrën tonë për të mësuar të tjerët». Një rishikim i shkurtër i programit theksoi sa e rëndësishme është të përdorim Shkrimet kur mësojmë, mënyrat se si mund të bëhemi mësues të kualifikuar dhe nevojën për të pasur besim në të vërtetën që u mësojmë të tjerëve. Oratori na këshilloi që ta bëjmë ‘përparimin tonë të duket qartë’ dhe ‘t’i kushtojmë vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sonë’.​—1 Timoteut 4:15, 16.

Çfarë gostie frymore që patëm në Kongresin Krahinor «Mësues të Fjalës së Perëndisë»! E imitofshim Mësuesin tonë të Madh, Jehovain dhe një Mësues tjetër të Madh, Jezu Krishtin, duke u mësuar të tjerëve Fjalën e Perëndisë!

[Kutia dhe figurat në faqen 28]

Botime të reja plotësojnë nevojat e veçanta

Delegatët në Kongresin Krahinor «Mësues të Fjalës së Perëndisë» morën të entuziazmuar dy botime që duhet të jenë një ndihmesë e madhe për t’u mësuar të vërtetën biblike njerëzve në disa pjesë të botës. Fletushka me titull A ke një frymë të pavdekshme? do të jetë një mjet i dobishëm për të filluar biseda me ata që jetojnë në vendet ku gjuha e folur nuk bën një dallim ndërmjet «shpirtit» dhe «frymës». Fletushka e re tregon në mënyrë të qartë se forca e frymës është e ndryshme nga një krijesë frymore dhe se njerëzit nuk bëhen krijesa frymore kur vdesin.

Broshura Një jetë e kënaqshme: Si ta arrijmë? u prezantua në fund të ditës së dytë të kongresit. Kjo broshurë u përgatit me qëllimin për të filluar studime biblike me ata që nuk kanë asnjë koncept të një Krijuesi që ka një personalitet dhe të një libri të frymëzuar nga Perëndia. A keni pasur mundësi t’i përdorni në shërbim këto botime të reja?

[Figurat në faqen 26]

Në Milano, Itali, si edhe në kongrese të tjera përreth botës, u pagëzuan me qindra veta

[Figura në faqen 29]

Të pranishmit u prekën nga drama «Të respektojmë autoritetin e Jehovait»