Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdoni të shfaqni mirësi

Vazhdoni të shfaqni mirësi

Vazhdoni të shfaqni mirësi

«Frytet e dritës përbëhen nga çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete.»​—EFESIANËVE 5:9.

1. Si po e tregojnë miliona njerëz tani se i pranojnë fjalët e Psalmit 31:19?

E MIRA më e madhe që mund të bëjë një njeri është t’i sjellë lavdi Jehovait. Sot miliona njerëz po e bëjnë këtë duke e lëvduar Perëndinë për mirësinë e tij. Si Dëshmitarë besnikë të Jehovait, ne i pranojmë me gjithë zemër fjalët e psalmistit, i cili këndoi: «Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti!»​—Psalmi 31:19.

2, 3. Çfarë mund të ndodhte nëse veprën e bërjes së dishepujve nuk do ta mbështetnim me sjelljen tonë të mirë?

2 Frika plot nderim të thellë për Jehovain na motivon që ta lëvdojmë për mirësinë e tij. Na shtyn edhe ta ‘kremtojmë Perëndinë, ta bekojmë dhe ta bëjmë të njohur lavdinë e mbretërisë të tij’. (Psalmi 145:10-13) Ja përse marrim pjesë me zell në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Sigurisht, veprën e predikimit që bëjmë duhet ta mbështetim me sjelljen e mirë. Përndryshe mund t’i sjellim sharje emrit të shenjtë të Jehovait.

3 Shumë njerëz pohojnë se e adhurojnë Perëndinë, por sjellja e tyre nuk përputhet me normat që paraqiten në Fjalën e tij të frymëzuar. Për disa që nuk po jetonin sipas asaj që thoshin, pra se po bënin të mirën, apostulli Pavël shkroi: «Ti . . . që mëson një tjetër, nuk mëson veten tënde? Ti, që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete? Ti, që thua ‘mos kryej kurorëshkelje’, kryen kurorëshkelje për vete? . . . ‘Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë po blasfemohet mes kombeve’, sikurse është shkruar.»​—Romakëve 2:21, 22, 24.

4. Çfarë efekti ka sjellja jonë e mirë?

4 Në vend që t’i sjellim sharje emrit të Jehovait, ne përpiqemi t’i sjellim lavdi këtij emri me sjelljen tonë të mirë. Kjo ka një efekt pozitiv tek ata që nuk janë në kongregacionin e krishterë. Pikësëpari, na ndihmon që t’u mbyllim gojën kundërshtarëve tanë. (1 Pjetrit 2:15) Ç’është më e rëndësishmja, sjellja jonë e mirë i tërheq njerëzit drejt organizatës së Jehovait, duke u hapur atyre rrugën, me qëllim që t’i sjellin lavdi atij dhe të fitojnë jetën e përhershme.​—Veprat 13:48.

5. Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë tani?

5 Meqë jemi të papërsosur, si mund ta shmangim sjelljen që mund ta çnderojë Jehovain dhe të pengojë ata që kërkojnë të vërtetën? Në të vërtetë, si mund t’ia dalim mbanë të shfaqim mirësi?

Një fryt i dritës

6. Cilat janë disa nga «veprat e pafrytshme që i përkasin errësirës», por, cilat fryte duhet të jenë të dukshme te të krishterët?

6 Si të krishterë të dedikuar, ne kemi diçka që na ndihmon të shmangim «veprat e pafrytshme që i përkasin errësirës». Këtu përfshihen vepra të tilla që e çnderojnë Perëndinë, si: gënjeshtra, vjedhja, sharjet, e folura jo e shëndetshme lidhur me seksin, sjellja e turpshme, shakatë e ndyra dhe dehja. (Efesianëve 4:25, 28, 31; 5:3, 4, 11, 12, 18) Në vend që të përfshihemi në vepra të tilla, ne ‘vazhdojmë të ecim si bij të dritës’. Apostulli Pavël thotë se «frytet e dritës përbëhen nga çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete». (Efesianëve 5:8, 9) Prandaj, vetëm duke ecur në dritë kemi mundësi të vazhdojmë të shfaqim mirësi. Por, çfarë lloj drite është kjo?

7. Çfarë duhet të bëjmë që të vazhdojmë të shfaqim frytin e mirësisë?

7 Pavarësisht nga papërsosmëritë tona, mund të shfaqim mirësi, nëse ecim në dritën frymore. «Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim»,​—këndoi psalmisti. (Psalmi 119:105) Nëse duam të vazhdojmë të shfaqim «frytet e dritës» me anë të «çdo lloj mirësie», duhet të përfitojmë vazhdimisht nga drita frymore që gjendet në Fjalën e Perëndisë, që shqyrtohet me kujdes në botimet e krishtere dhe që trajtohet rregullisht në mbledhjet tona për adhurim. (Luka 12:42; Romakëve 15:4; Hebrenjve 10:24, 25) Gjithashtu, duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë shembullit dhe mësimeve të Jezu Krishtit, i cili është «drita e botës» dhe «pasqyrimi i lavdisë së [Jehovait]».​—Gjoni 8:12; Hebrenjve 1:1-3.

Një fryt i frymës

8. Përse mund ta shfaqim mirësinë?

8 S’ka asnjë dyshim se drita frymore na ndihmon që të shfaqim mirësi. Përveç kësaj, jemi në gjendje ta shfaqim këtë cilësi, sepse udhëhiqemi nga fryma e shenjtë ose forca vepruese e Perëndisë. Mirësia është pjesë e ‘frytit të frymës’. (Galatasve 5;:22, 23) Nëse i nënshtrohemi udhëheqjes së frymës së shenjtë të Jehovait, ajo do të prodhojë te ne frytin e saj të mrekullueshëm të mirësisë.

9. Si mund të veprojmë në harmoni me fjalët e Jezuit të dokumentuara te Luka 11:9-13?

9 Dëshira jonë e madhe për t’i pëlqyer Jehovait duke shfaqur frytin e mirësisë që prodhon fryma, duhet të na nxitë që të veprojmë në harmoni me fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet; vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni; vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që kërkon merr, kushdo që kërkon gjen dhe kujt troket do t’i hapet. Vërtet, cili është ai baba ndër ju që, po t’i kërkojë i biri peshk, do t’i zgjatë në vend të peshkut ndoshta një gjarpër? Apo po t’i kërkojë edhe një vezë, do t’i zgjatë një akrep? E pra, nëse ju, edhe pse jeni [të papërsosur e, prandaj, relativisht] të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më shumë akoma Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!» (Luka 11:9-13) Le të ndjekim këshillën e Jezuit, duke u lutur për frymën e Jehovait, në mënyrë që të vazhdojmë të shfaqim frytin e mirësisë që ajo prodhon.

«Vazhdo të bësh të mirën»

10. Cilat veçori të mirësisë së Jehovait përmenden te Dalja 34:6, 7?

10 Duke pasur dritën frymore nga Fjala e Perëndisë dhe ndihmën e frymës së shenjtë të Perëndisë, mund të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’. (Romakëve 13:3) Nëpërmjet studimit të rregullt të Biblës, mësojmë gjithnjë e më shumë se si mund ta imitojmë mirësinë e Jehovait. Në artikullin e mëparshëm u morën në shqyrtim disa veçori të mirësisë së Perëndisë, të përmendura në deklaratën që iu bë Moisiut. Kjo deklaratë është dokumentuar te Dalja (Eksodi) 34:6, 7, ku lexojmë: «Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi e në të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra, që fal gabimin, shkeljen dhe mëkatin, por që në asnjë mënyrë nuk do të përjashtojë nga ndëshkimi.» (BR) Një vështrim më nga afër i këtyre shfaqjeve të mirësisë së Jehovait do të na ndihmojë që të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’.

11. Si duhet të ndikojë te ne fakti që dimë se Jehovai është i mëshirshëm dhe hirmadh?

11 Kjo deklaratë hyjnore na bën të vetëdijshëm për nevojën që ta imitojmë Jehovain duke qenë të mëshirshëm dhe plot hir. «Lum të mëshirshmit,​—tha Jezui,​—pasi atyre do t’u tregohet mëshirë!» (Mateu 5:7; Luka 6:36) Duke e ditur se Jehovai është hirmadh, nxitemi që të jemi plot hir e mirësjellje në marrëdhëniet tona me të tjerët, duke përfshirë edhe ata të cilëve u predikojmë. Kjo është në harmoni me këshillën e Pavlit: «Fjala juaj të jetë gjithnjë me hir, e ndrequr me kripë, në mënyrë që të dini se si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.»​—Kolosianëve 4:6.

12. (a) Meqë Perëndia është i ngadalshëm në zemërim, si duhet të veprojmë ne ndaj të tjerëve? (b) Çfarë na motivon dashamirësia e Jehovait që të bëjmë?

12 Meqë Perëndia është i ngadalshëm në zemërim, dëshira jonë që të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’ na shtyn të durojmë të metat e vogla të bashkëbesimtarëve dhe të përqendrohemi në cilësitë e mira të tyre. (Mateu 7:5; Jakovit 1:19) Dashamirësia e Jehovait na motivon që të shfaqim dashuri besnike, edhe nën rrethanat më sprovuese. Kjo patjetër që është shumë e dëshirueshme.​—Fjalët e urta (Proverbat) 19:22.

13. Si duhet të veprojmë për të pasqyruar faktin se Jehovai është ‘i bollshëm në të vërtetë’?

13 Meqë Ati ynë qiellor është ‘i bollshëm në të vërtetë’, ne përpiqemi ta ‘rekomandojmë veten si administrues të Fjalës së tij përmes fjalëve të vërteta’. (2 Korintasve 6:3-7) Ndër shtatë gjërat e neveritshme për Jehovain janë «gjuha gënjeshtare» dhe «dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra». (Fjalët e urta 6:16-19) Kështu, dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë na ka shtyrë që ‘ta flakim tej pavërtetësinë dhe të themi të vërtetën’. (Efesianëve 4:25) Mos dështofshim kurrë të shfaqim mirësi në këtë mënyrë jetësore!

14. Përse duhet të falim?

14 Deklarata që i bëri Perëndia Moisiut duhet të na motivojë edhe që të falim, sepse Jehovai është gati të falë. (Mateu 6:14, 15) Sigurisht, Jehovai e sjell vërtet ndëshkimin mbi mëkatarët e papenduar. Prandaj duhet të mbështetim normat e tij të mirësisë, kur bëhet fjalë për të mbajtur pastërtinë frymore të kongregacionit.​—Levitiku 5:1; 1 Korintasve 5:11, 12; 1 Timoteut 5:22.

«Vazhdoni të shikoni me kujdes»

15, 16. Si mund të na ndihmojë këshilla e Pavlit, e dokumentuar tek Efesianëve 5:15-19, që të vazhdojmë të praktikojmë mirësinë?

15 Që të vazhdojmë të shfaqim mirësi me gjithë ligësinë që na rrethon, duhet të jemi të mbushur me frymën e Perëndisë dhe të shohim mënyrën se si ecim. Prandaj, Pavli i nxiti të krishterët në Efes: «Vazhdoni të shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga. Prandaj, mjaft u bëtë të paarsyeshëm, por vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait. Veç kësaj, mos u dehni me verë, në të cilën ka shfrenim, por vazhdoni të mbusheni me frymë, duke folur me njëri-tjetrin me psalme, lavde drejtuar Perëndisë dhe këngë frymore, duke kënduar dhe duke i thurur melodi Jehovait në zemra tuaja.» (Efesianëve 5:15-19) Patjetër që kjo këshillë është e përshtatshme për ne në këto ditë të fundit kritike.​—2 Timoteut 3:1.

16 Nëse duam të vazhdojmë të praktikojmë mirësinë, duhet të vazhdojmë të shikojmë me kujdes që të ecim si ata që ushtrojnë mençuri hyjnore. (Jakovit 3:17) Duhet t’i shmangim mëkatet e rënda dhe duhet të jemi të mbushur me frymë të shenjtë, duke i lejuar vetes që të udhëhiqemi prej saj. (Galatasve 5:19-25) Duke zbatuar mësimin frymor që jepet në mbledhjet, në asambletë dhe në kongreset e krishtere, mund të vazhdojmë të bëjmë atë që është e mirë. Fjalët që u shkroi Pavli efesianëve mund të na sjellin ndër mend edhe se në shumicën e mbledhjeve tona për adhurim, nxjerrim dobi duke kënduar me gjithë zemër «këngë frymore», shumë prej të cilave flasin për cilësi frymore, si mirësia.

17. Për çfarë mund të jenë të sigurt të krishterët që janë të sëmurë rëndë, nëse rrethanat i pengojnë të ndjekin rregullisht mbledhjet?

17 Ç’të themi për bashkëbesimtarët tanë që nuk arrijnë dot t’i ndjekin rregullisht mbledhjet e krishtere për shkak të ndonjë sëmundjeje të rëndë kronike? Ndoshta ndihen të dërrmuar, pasi nuk mund ta adhurojnë gjithnjë Jehovain në shoqëri të drejtpërdrejtë me vëllezërit frymorë dhe motrat frymore. Por mund të jenë të sigurt se Jehovai i kupton rrethanat e tyre, do t’i mbajë në dritë, do t’u japë frymën e tij të shenjtë dhe do t’i ndihmojë të vazhdojnë të bëjnë atë që është e mirë.​—Isaia 57:15.

18. Çfarë do të na ndihmojë që të ndjekim udhën e mirësisë?

18 Të ndjekim udhën e mirësisë kërkon që të tregojmë kujdes ndaj shoqërive që kemi dhe të largohemi nga ata që janë «pa dashuri për mirësinë». (2 Timoteut 3:2-5; 1 Korintasve 15:33) Zbatimi i këtyre këshillave na ndihmon që të ‘mos e hidhërojmë frymën e shenjtë të Perëndisë’ duke vepruar në kundërshtim me drejtimet që jep ajo. (Efesianëve 4:30) Për më tepër, marrim ndihmë për të bërë të mirën, nëse zhvillojmë lidhje të ngushta me ata që me jetën e tyre japin prova se janë dashurues të mirësisë dhe që udhëhiqen nga fryma e shenjtë e Jehovait.​—Amosi 5:15; Romakëve 8:14; Galatasve 5:18.

Mirësia sjell fryte të shkëlqyera

19-21. Tregoni përvoja që nxjerrin në pah efektin e shfaqjes së mirësisë.

19 Të ecim në dritën frymore, t’i nënshtrohemi drejtimit të frymës së Perëndisë dhe të shohim me kujdes se si ecim do të na ndihmojë të shmangim atë që është e keqe dhe të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’. Kjo, nga ana e saj, mund të sjellë fryte të shkëlqyera. Shqyrtoni përvojën e Zongeziles, një Dëshmitar i Jehovait në Afrikën e Jugut. Një mëngjes, rrugës për në shkollë ai kontrolloi sasinë e kursimeve të pakta që kishte në bankë. Fatura që doli nga sporteli automat i bankës tregonte gabimisht një tepricë prej 42.000 randesh (6.000 dollarë amerikanë). Një rojë e bankës dhe të tjerë i thanë që t’i tërhiqte paratë dhe t’i depozitonte po në emrin e tij në një bankë tjetër. Vetëm çifti i Dëshmitarëve me të cilët jetonte e lavdëroi për faktin që nuk i kishte tërhequr paratë.

20 Ditën tjetër, Zongezileja shkoi në bankë për të njoftuar për këtë gabim. U zbulua se ai kishte numër llogarie të ngjashëm me atë të një tregtari të pasur, i cili gabimisht kishte depozituar fonde në llogarinë e gabuar. I mahnitur që Zongezileja nuk kishte harxhuar asnjë nga këto para, tregtari e pyeti: «Cilës fe i përket?» Zongezileja i shpjegoi se ishte Dëshmitar i Jehovait. Nëpunësit e bankës e lavdëruan me përzemërsi dhe i thanë: «Do të donim që të gjithë njerëzit të ishin kaq të ndershëm sa Dëshmitarët e Jehovait.» Vërtet, veprimet e ndershme dhe me mirësi mund t’i bëjnë të tjerët që t’i japin lavdi Jehovait.​—Hebrenjve 13:18.

21 Nuk është e nevojshme që veprimet me mirësi të jenë të jashtëzakonshme për të pasur efekt të mirë. Ta ilustrojmë: një Dëshmitari në moshë të re, i cili shërben si ungjillëzues në kohë të plotë në një nga ishujt e Samoas, i duhej të shkonte në spitalin e zonës së tij. Njerëzit po pritnin të bënin vizitë te mjeku dhe Dëshmitari vuri re se një grua e moshuar ulur pas tij ishte shumë e sëmurë. Ai e rregulloi që kjo e moshuar të hynte në vend të tij, për ta bërë më shpejt vizitën. Në një rast më vonë, Dëshmitari e takoi gruan e moshuar në treg. Gruaja e mbante mend atë dhe veprimin e mirë që kishte bërë në spital. «Tani e di se Dëshmitarët e Jehovait e duan vërtet të afërmin»,​—tha. Ndërkohë që më parë ajo nuk e kishte mirëpritur mesazhin e Mbretërisë, mirësia që i tregoi Dëshmitari pati një efekt të shkëlqyer. E pranoi ftesën për një studim biblik në shtëpi dhe filloi të merrte njohuri për Fjalën e Perëndisë.

22. Cila është një mënyrë veçanërisht domethënëse që të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’?

22 Ka shumë të ngjarë që edhe ju të tregoni përvoja të cilat tregojnë vlerën e shfaqjes së mirësisë. Një mënyrë veçanërisht domethënëse që të ‘vazhdojmë të bëjmë të mirën’ është të kemi pjesëmarrje të rregullt në shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 24:14) Le të vazhdojmë me zell të marrim pjesë në këtë vepër të privilegjuar, duke e kuptuar se kjo është një mënyrë për të bërë të mirën, veçanërisht ndaj atyre që i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë! Ç’është më e rëndësishme, shërbimi dhe sjellja jonë e mirë i japin lavdi Jehovait, vetë burimit të mirësisë.​—Mateu 19:16, 17.

Vazhdoni të ‘bëni atë që është e mirë’

23. Përse shërbimi i krishterë është një vepër e mirë?

23 Shërbimi ynë është pa dyshim një vepër e mirë. Ai mund të sjellë si rrjedhim shpëtimin për ne e për ata që e dëgjojnë mesazhin e Biblës dhe hyjnë kështu në rrugën që të çon në jetën e përhershme. (Mateu 7:13, 14; 1 Timoteut 4:16) Pra, kur na duhet të marrim vendime, dëshira për të bërë atë që është e mirë mund të na bëjë të pyesim veten: Si do të ndikojë ky vendim në veprën që bëj për të predikuar Mbretërinë? A është vërtet e mirë kjo rrugë që po mendoj? A do të më shërbejë që t’i ndihmoj të tjerët të pranojnë ‘lajmin e mirë të përhershëm’ dhe të hyjnë në një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova? (Zbulesa 14:6) Nëse marrim një vendim që çon përpara interesat e Mbretërisë, do të kemi si pasojë shumë lumturi.​—Mateu 6:33; Veprat 20:35.

24, 25. Cilat janë disa mënyra për të bërë të mirën në kongregacion dhe për çfarë mund të jemi të sigurt, nëse vazhdojmë të shfaqim mirësi?

24 Le të mos i nënvlerësojmë kurrë efektet e dobishme të mirësisë. Mund të vazhdojmë ta shfaqim këtë cilësi, duke mbështetur kongregacionin e krishterë dhe duke bërë atë që mundemi për t’u kujdesur për interesat dhe mirëqenien e tij. Sigurisht bëjmë të mirën kur ndjekim rregullisht mbledhjet e krishtere dhe marrim pjesë në to. Edhe vetëm prania jonë u jep zemër bashkadhuruesve dhe komentet tona të përgatitura mirë i ndërtojnë frymësisht. Bëjmë të mirën edhe kur i përdorim burimet tona financiare për të mbajtur Sallën e Mbretërisë dhe kur ndihmojmë për ta mirëmbajtur siç duhet atë. (2 Mbretërve 22:3-7; 2 Korintasve 9:6, 7) Vërtet, «derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por sidomos ndaj atyre që janë të lidhur me ne në besim».​—Galatasve 6:10.

25 Nuk mund të parashikojmë çdo rrethanë që do të kërkonte të shfaqnim mirësi. Prandaj, kur hasim sfida të reja, le të kërkojmë dritë nga Shkrimet, të lutemi për frymën e shenjtë të Jehovait dhe të bëjmë gjithë sa mundemi për të plotësuar vullnetin e tij të mirë e të përsosur! (Romakëve 2:9, 10; 12:2) Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na bekojë me bollëk ndërkohë që vazhdojmë të shfaqim mirësi.

Si do të përgjigjeshit?

• Si mund ta kryejmë të mirën më të madhe?

• Përse mirësia quhet një ‘fryt i dritës’?

• Përse mirësia quhet një ‘fryt i frymës’?

• Çfarë efekti ka sjellja jonë e mirë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Fjala e Perëndisë dhe fryma e tij e shenjtë na ndihmojnë të shfaqim mirësi

[Figurat në faqen 18]

Të shfaqim mirësi sjell fryte të shkëlqyera