Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e keni marrë «frymën e së vërtetës»?

A e keni marrë «frymën e së vërtetës»?

A e keni marrë «frymën e së vërtetës»?

«[Ati] . . . do t’ju japë një ndihmës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë, frymën e së vërtetës.»​—GJONI 14:16, 17.

1. Cilin informacion të rëndësishëm u dha Jezui dishepujve gjatë orëve të fundit që kaloi me ta në dhomën e sipërme?

«ZOTËRI, ku po shkon?» Kjo ishte një nga pyetjet që i bënë apostujt Jezuit, gjatë orëve të fundit që kaloi me ta në një dhomë të sipërme në Jerusalem. (Gjoni 13:36) Gjatë mbledhjes, Jezui i njoftoi se po afrohej koha që ai t’i linte dhe të kthehej tek Ati i tij. (Gjoni 14:28; 16:28) Nuk do të ishte më me ta fizikisht, që t’i udhëzonte e t’u përgjigjej pyetjeve që kishin. Megjithatë, i qetësoi duke u thënë: «Unë do t’i lutem Atit e ai do t’ju japë një ndihmës [ose ngushëllues] tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.»​—Gjoni 14:16, shënimi.

2. Çfarë u premtoi Jezui dishepujve të tij se do t’u dërgonte pasi të ikte?

2 Jezui e identifikoi këtë ndihmës dhe shpjegoi se si do t’i ndihmonte ai dishepujt. U tha: «Megjithatë, nuk jua thashë këto gjëra në fillim, sepse unë isha me ju. Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi . . . Është në dobinë tuaj që unë po iki. Sepse nëse nuk iki, ndihmësi nuk do të vijë kurrsesi te ju, por po të shkoj, do t’jua dërgoj. . . . Kur të mbërrijë ai, fryma e së vërtetës, do t’ju drejtojë në gjithë të vërtetën.»​—Gjoni 16:4, 5, 7, 13.

3. (a) Kur u dërgua «fryma e së vërtetës» te të krishterët e hershëm? (b) Cila ishte një mënyrë e rëndësishme se si fryma ishte «ndihmës» për ta?

3 Ky premtim u përmbush në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., siç dëshmoi apostulli Pjetër: «Këtë Jezu, Perëndia e ringjalli, fakt për të cilin të gjithë ne jemi dëshmitarë. Prandaj, duke qenë se ai u lartësua në të djathtën e Perëndisë dhe mori frymën e shenjtë të premtuar nga Ati, ka derdhur këtë që shikoni e dëgjoni.» (Veprat 2:32, 33) Siç do ta shohim më vonë, fryma e shenjtë që u derdh në Festën e Ditës së Pesëdhjetë bëri shumë gjëra për të krishterët e hershëm. Por, Jezui premtoi se «fryma e së vërtetës» do t’u ‘sillte ndër mend atyre të gjitha gjërat që ai u kishte thënë’. (Gjoni 14:26) Do t’u jepte mundësi të kujtonin shërbimin dhe mësimet e Jezuit, madje edhe vetë fjalët e tij, e t’i hidhnin me shkrim. Kjo do të ishte veçanërisht e dobishme për apostullin e moshuar Gjon, në fund të shekullit të parë të erës sonë, kur nisi të shkruante Ungjillin e tij. Ky tregim përfshin këshillat e çmuara që dha Jezui kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij.​—Gjoni, kapitujt 13-17.

4. Si i ndihmoi «fryma e së vërtetës» të krishterët e mirosur të hershëm?

4 Veç kësaj, Jezui u premtoi atyre dishepujve të hershëm se fryma do t’u ‘mësonte gjithçka’ dhe do t’i ‘drejtonte në gjithë të vërtetën’. Fryma do t’i ndihmonte të kuptonin gjërat më të thella të Shkrimeve dhe të ruanin unitetin e mendimit, të kuptueshmërisë dhe të qëllimit. (1 Korintasve 2:10; Efesianëve 4:3) Kështu, fryma e shenjtë u dha fuqi atyre të krishterëve të hershëm që si grup të vepronin si një ‘skllav i besueshëm dhe i matur’, për t’i siguruar çdo të krishteri të mirosur «ushqim [frymor] në kohën e duhur».​—Mateu 24:45.

Fryma jep dëshmi

5. (a) Cilën mundësi të re u vuri përpara Jezui dishepujve të tij natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s.? (b) Ç’rol do të luante fryma e shenjtë në përmbushjen e premtimit të Jezuit?

5 Natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui u dha të kuptonin dishepujve të tij se më vonë do t’i merrte dhe do të banonin me të dhe me Atin e tij në qiell. Ai u tha: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Përndryshe do t’jua kisha thënë, sepse po shkoj t’ju përgatit një vend. E nëse shkoj e ju përgatit një vend, do të vij prapë e do t’ju marr në shtëpi tek unë, që ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjoni 13:36; 14:2, 3) Do të mbretëronin me të në Mbretërinë e tij. (Luka 22:28-30) Që të kishin këtë shpresë qiellore, duhej të ‘lindnin nga fryma’ si bij frymorë të Perëndisë dhe të miroseshin për të shërbyer si mbretër e priftërinj me Krishtin në qiell.​—Gjoni 3:5-8; 2 Korintasve 1:21, 22; Titit 3:5-7; 1 Pjetrit 1:3, 4; Zbulesa 20:6.

6. (a) Kur filloi thirrja qiellore dhe sa veta e marrin këtë thirrje? (b) Ata që u thirrën, në cilën gjë u pagëzuan?

6 Kjo ‘thirrje qiellore’ filloi në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. dhe, në përgjithësi, duket se ka mbaruar në mes të viteve 30 të shekullit të 20-të. (Hebrenjve 3:1) Numri i atyre që vulosen nga fryma e shenjtë për të qenë pjesë e Izraelit frymor është 144.000, ‘të blerë nga mesi i njerëzimit’. (Zbulesa 7:4; 14:1-4) Këta u pagëzuan në trupin frymor të Krishtit, në kongregacionin e tij dhe në vdekjen e tij. (Romakëve 6:3; 1 Korintasve 12:12, 13, 27; Efesianëve 1:22, 23) Pasi u pagëzuan në ujë dhe u mirosën me frymën e shenjtë, ata filluan një rrugë sakrifikuese, domethënë, një jetë me integritet deri në vdekje.​—Romakëve 6:4, 5.

7. Përse vetëm të krishterët e mirosur marrin me të drejtë emblemat në Përkujtim?

7 Si izraelitë frymorë, këta të krishterë të mirosur ishin në besëlidhjen e re që u bë ndërmjet Jehovait dhe ‘Izraelit të Perëndisë’. (Galatasve 6:16; Jeremia 31:31-34) Besëlidhja e re u shpall e vlefshme me gjakun e derdhur të Krishtit. Jezui e përmendi këtë kur themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij. Luka dokumenton: «Mori një bukë, dha falënderime, e theu dhe ua dha atyre, duke thënë: ‘Kjo përfaqëson trupin tim, që ka për t’u dhënë për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.’ Gjithashtu, në të njëjtën mënyrë kupën, pasi hëngrën darkën, duke thënë: ‘Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim, që ka për t’u derdhur për ju.’» (Luka 22:19, 20) Mbetja ose pjesëtarët e 144.000-ve që janë ende në tokë, janë ata që në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit marrin me të drejtë emblemat, domethënë bukën dhe verën që kanë kuptim simbolik.

8. Si e dinë të mirosurit se kanë marrë thirrjen qiellore?

8 Si e dinë të mirosurit se kanë marrë thirrjen qiellore? Në mënyrë të pagabueshme ata marrin dëshminë e frymës së shenjtë. Apostulli Pavël u shkroi këtyre: «Të gjithë ata që drejtohen nga fryma e Perëndisë, këta janë bij të Perëndisë. . . . Vetë fryma jep dëshmi me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë. Nëse, pra, jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë: vërtet trashëgimtarë të Perëndisë, por bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, me kusht që të vuajmë bashkë me të, që edhe të na jepet lavdi bashkë me të.» (Romakëve 8:14-17) Kjo dëshmi e frymës është kaq e fuqishme, saqë ata që kanë qoftë edhe dyshimin më të vogël nëse e kanë marrë apo jo thirrjen qiellore mund të nxjerrin në mënyrë të arsyeshme përfundimin se nuk e kanë marrë, prandaj edhe nuk i marrin emblemat në Përkujtim.

Fryma dhe delet e tjera

9. Cilat janë dy grupet e veçanta që përmenden në Ungjij dhe në librin e Zbulesës?

9 Duke pasur në mend numrin e kufizuar të të krishterëve që janë thirrur për të formuar Izraelin frymor, Jezui foli për ta si për ‘kopenë e vogël’. Këta pranohen në ‘vathën’ e besëlidhjes së re, ndryshe nga ‘delet e tjera’ të pakufizuara në numër, për të cilat Jezui tha se duhet gjithashtu t’i mbledhë. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Ata të deleve të tjera, të mbledhur në kohën e fundit, do të përbëjnë ‘shumicën e madhe’ që ka për të mbijetuar ‘shtrëngimin e madh’, me perspektivën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. Interesant është fakti se vegimi që pati Gjoni në fund të shekullit të parë të erës sonë, bën dallim ndërmjet kësaj shumice të madhe dhe 144.000 anëtarëve të Izraelit frymor. (Zbulesa 7:4, 9, 14) A e marrin edhe delet e tjera frymën e shenjtë dhe, nëse po, si ndikon ajo në jetën e tyre?

10. Në ç’kuptim pagëzohen delet e tjera «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë»?

10 Fryma e shenjtë luan vërtet një rol të rëndësishëm në jetën e deleve të tjera. Ata e simbolizojnë dedikimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mateu 28:19) E pranojnë sovranitetin e Jehovait, i nënshtrohen Krishtit si Mbreti dhe Shpenguesi i tyre, si edhe i nënshtrohen veprimit të frymës ose forcës vepruese të Perëndisë në jetën e tyre. Ditë për ditë, bëjnë vend në jetën e tyre për ‘frytin e frymës’, domethënë për ‘dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin’.​—Galatasve 5:22, 23.

11, 12. (a) Si janë shenjtëruar të mirosurit në një mënyrë shumë të veçantë? (b) Në ç’mënyrë shenjtërohen e bëhen të shenjta delet e tjera?

11 Veç kësaj, delet e tjera duhet ta lejojnë Fjalën e Perëndisë dhe frymën e tij të shenjtë që t’i pastrojë ose t’i shenjtërojë. Të mirosurit janë shenjtëruar tashmë në një mënyrë shumë të veçantë, duke u shpallur të drejtë dhe të shenjtë si nusja e Krishtit. (Gjoni 17:17; 1 Korintasve 6:11; Efesianëve 5:23-27) Profeti Daniel flet për ta si «të shenjtët e Më të Lartit», të cilët marrin Mbretërinë nën ‘birin e njeriut’, Krishtin Jezu. (Danieli 7:13, 14, 18, 27, BR) Më parë, nëpërmjet Moisiut dhe Aaronit, Jehovai i shpalli kombit të Izraelit: «Unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.»​—Levitiku 11:44.

12 Fjala «shenjtërim» në thelb do të thotë «akti ose procesi për t’u bërë i shenjtë, për t’u ndarë ose për t’u veçuar për shërbim ose përdorim nga Perëndia Jehova; gjendja e të qenët i shenjtë, i shenjtëruar ose i pastruar». Që në vitin 1938, Kulla e Rojës pohonte se Jonadabët ose delet e tjera «duhet të mësojnë se kushtimi [dedikimi] dhe shenjtërimi kërkohen nga të gjithë ata që do të bëhen pjesë e turmës së madhe e do të jetojnë në tokë». Në vegimin për shumicën e madhe, të dokumentuar në librin e Zbulesës, për ta flitet se i kanë «larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit» dhe se i bëjnë Jehovait «shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij». (Zbulesa 7:9, 14, 15) Me ndihmën e frymës së shenjtë, delet e tjera bëjnë çmos që të jetojnë në lartësinë e kërkesave që ka Jehovai për shenjtërinë.​—2 Korintasve 7:1.

U bëjnë mirë vëllezërve të Krishtit

13, 14. (a) Sipas shëmbëlltyrës së Jezuit për delet dhe cjeptë, nga se varet shpëtimi i deleve? (b) Në këtë kohë të fundit, si u kanë bërë mirë delet e tjera vëllezërve të Krishtit?

13 Jezui e theksoi lidhjen e ngushtë që do të kishte ndërmjet deleve të tjera dhe kopesë së vogël në shëmbëlltyrën e tij për delet e për cjeptë, shëmbëlltyrë që u përfshi në profecinë e tij për ‘përfundimin e sistemit’. Në këtë shëmbëlltyrë, Krishti e tregoi qartë se shpëtimi i deleve të tjera lidhet ngushtë me sjelljen e tyre ndaj të mirosurve, të cilët i quajti ‘vëllezërit e mi’. Ai tha: «Mbreti do t’u thotë atyre në të djathtën e tij: ‘Ejani ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës. . . . Vërtet po ju them: Aq sa ia bëtë njërit prej më të vegjëlve të këtyre vëllezërve të mi, ma bëtë mua.’»​—Mateu 24:3; 25:31-34, 40.

14 Shprehja «aq sa ia bëtë» bën fjalë për veprat e mbështetjes së dashur, e cila u është dhënë vëllezërve të Krishtit që janë të lindur nga fryma. Bota e Satanait i ka trajtuar këta si të huaj, madje duke i hedhur disa prej tyre në burg. Kanë pasur nevojë për ushqim, për veshje të përshtatshme dhe për kujdes shëndetësor. (Mateu 25:35, 36, shënimi) Në këtë kohë të fundit, që nga viti 1914, shumë nga të mirosurit janë gjendur në rrethana të tilla. Historia e ditëve tona e Dëshmitarëve të Jehovait dëshmon se ata kanë pasur mbështetjen e shokëve të tyre besnikë, deleve të tjera, të cilët ishin të nxitur nga fryma.

15, 16. (a) Sidomos në cilën vepër delet e tjera i kanë ndihmuar vëllezërit e mirosur të Krishtit që janë në tokë? (b) Si e kanë shprehur të mirosurit çmueshmërinë e tyre për delet e tjera?

15 Vëllezërit e mirosur të Krishtit që janë në tokë në këtë kohë të fundit kanë pasur në mënyrë të veçantë mbështetjen me vepra të deleve të tjera në kryerjen e detyrës që u ka dhënë Perëndia. Kjo detyrë është ‘të predikohet ky lajm i mirë i mbretërisë në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet’. (Mateu 24:14; Gjoni 14:12) Ndërkohë që numri i të mirosurve në tokë ka ardhur duke u zvogëluar me kalimin e viteve, ai i deleve të tjera është rritur dhe ka arritur vërtet në miliona njerëz. Mijëra prej këtyre kanë shërbyer si ungjillëzues në kohë të plotë​—pionierë dhe misionarë​—duke e përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë «deri në skajin më të largët të tokës». (Veprat 1:8) Të tjerë marrin pjesë në veprën e dëshmisë sa më shumë që munden dhe me gëzim e mbështetin nga ana financiare këtë vepër të rëndësishme.

16 Sa e çmojnë vëllezërit e mirosur të Krishtit këtë mbështetje besnike të shokëve të tyre nga delet e tjera! Ndjenjat e tyre u shprehën bukur në librin Siguri mbarëbotërore nën «Princin e Paqes», siguruar nga klasa e skllavit, në vitin 1986 (anglisht). Aty thuhet: «Që nga Lufta II Botërore, përmbushja e profecisë së Jezuit për ‘përfundimin e sistemit’ i detyrohet në masë të madhe rolit që po luan ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera. . . . Prandaj, e falënderojmë nga zemra ‘shumicën e madhe’ ndërkombëtare e shumëgjuhëshe, për rolin shumë të madh që ka luajtur në përmbushjen e profecisë [së Jezuit] te Mateu 24:14

‘Nuk bëhen të përsosur pa ne’

17. Në ç’mënyrë, besnikët e lashtësisë që do të ringjallen në tokë ‘nuk do të bëhen të përsosur pa’ të mirosurit?

17 Duke folur si një nga të mirosurit dhe duke e pasur fjalën për burrat besnikë e gratë besnike që jetuan para Krishtit, apostulli Pavël shkroi: «Të gjithë këta, edhe pse për ta ishte dhënë dëshmi nëpërmjet besimit të tyre, nuk e morën përmbushjen e premtimit, pasi Perëndia parapa diçka më të mirë për ne [të mirosurit], me qëllim që ata të mos bëheshin të përsosur pa ne.» (Hebrenjve 11:35, 39, 40) Gjatë Mijëvjeçarit, Krishti dhe 144.000 vëllezërit e tij të mirosur në qiell do të veprojnë si mbretër e priftërinj dhe do të administrojnë mbi tokën dobitë e flijimit shpërblyes të Krishtit. Si pasojë, delet e tjera do të ‘bëhen të përsosur’ në trup e në mendje.​—Zbulesa 22:1, 2.

18. (a) Të vërtetat biblike, çfarë duhet t’i ndihmojnë delet e tjera që të kuptojnë? (b) Me cilën shpresë e presin delet e tjera ‘zbulimin e bijve të Perëndisë’?

18 E gjithë kjo duhet të ngulitë në mendjen e deleve të tjera arsyen pse Shkrimet e Krishtere Greke e përqendrojnë kaq shumë vëmendjen te Krishti, te vëllezërit e tij të mirosur dhe te roli i tyre kryesor në përmbushjen e qëllimeve të Jehovait. Prandaj, delet e tjera e quajnë një privilegj të mbështetin në çdo mënyrë të mundshme klasën e skllavit të mirosur, ndërkohë që presin ‘zbulimin e bijve të Perëndisë’ në Harmagedon dhe gjatë Mijëvjeçarit. Mund të presin me shpresë që ‘të lirohen nga skllavëria e prishjes dhe të kenë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë’.​—Romakëve 8:19-21.

Të bashkuar në frymë gjatë Përkujtimit

19. Çfarë ka bërë «fryma e së vërtetës» për të mirosurit dhe për shokët e tyre dhe si do të bashkohen në veçanti ata në mbrëmjen e 28 marsit?

19 Në lutjen përmbyllëse që bëri natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s., Jezui tha: «Të lutem . . . që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne, me qëllim që bota të besojë se ti më dërgove.» (Gjoni 17:20, 21) Nga dashuria, Perëndia dërgoi Birin e tij që të jepte jetën për shpëtimin e të mirosurve dhe të botës së përbërë nga njerëzimi i bindur. (1 Gjonit 2:2) «Fryma e së vërtetës» i ka bashkuar vëllezërit e Krishtit dhe shokët e tyre. Mbrëmjen e 28 marsit, pas perëndimit të diellit, të dyja këto klasa do të mblidhen së bashku për të përkujtuar vdekjen e Krishtit dhe për të kujtuar gjithë atë që ka bërë Jehovai për ta me anë të flijimit të Birit të tij të dashur, Krishtit Jezu. Prania e tyre për këtë rast të rëndësishëm le t’ua forcojë unitetin dhe t’ua ripërtërijë vendosmërinë që të vazhdojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë! Në këtë mënyrë, do të japin dëshmi se gëzohen që janë ndër ata që Jehovai i do.

Pika për rishikim

• Kur iu dërgua «fryma e së vërtetës» të krishterëve të hershëm dhe si provoi ajo se ishte një «ndihmës»?

• Si e dinë të mirosurit se kanë marrë thirrjen qiellore?

• Në cilat mënyra vepron fryma e Perëndisë te delet e tjera?

• Si u kanë bërë mirë delet e tjera vëllezërve të Krishtit dhe përse ‘nuk do të bëhen të përsosur pa’ të mirosurit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 21]

«Fryma e së vërtetës» u derdh mbi dishepujt në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s.

[Figurat në faqen 23]

Delet e tjera u kanë bërë mirë vëllezërve të Krishtit duke i mbështetur për të përmbushur detyrën e predikimit që u ka caktuar Perëndia