Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni ndër ata që Perëndia i do?

A jeni ndër ata që Perëndia i do?

A jeni ndër ata që Perëndia i do?

«Ai që i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, ky është ai që më do. Nga ana tjetër, atë që më do mua, Ati im do ta dojë.»​—GJONI 14:21.

1, 2. (a) Si e tregoi Jehovai dashurinë për njerëzimin? (b) Çfarë themeloi Jezui natën e 14 nisanit të vitit 33 të e.s.?

JEHOVAI i do krijesat njerëzore. Në të vërtetë, e do botën e njerëzimit «aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Tani që po afrohet koha për të kremtuar Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, të krishterët e vërtetë duhet të jenë më të vetëdijshëm se kurrë që Jehovai «na deshi dhe dërgoi Birin e tij si një flijim pajtues për mëkatet tona».​—1 Gjonit 4:10.

2 Natën e 14 nisanit të vitit 33 të erës sonë, Jezui dhe 12 apostujt e tij u mblodhën në një dhomë të sipërme në Jerusalem për të kremtuar Pashkën, duke përkujtuar çlirimin e izraelitëve nga Egjipti. (Mateu 26:17-20) Pasi kremtoi këtë festë të judenjve, Jezui largoi Judë Iskariotin dhe themeloi një darkë përkujtimore që do të bëhej Përkujtimi i krishterë i vdekjes së Krishtit. * Duke përdorur bukë pa maja dhe verë të kuqe si emblema ose simbole të trupit të tij fizik dhe të gjakut të tij, Jezui bëri që 11 apostujt të cilët mbetën të merrnin pjesë së bashku në këtë darkë të përbashkët. Hollësi për mënyrën se si veproi ai jepen nga Mateu, Marku e Luka, shkrimtarët e Ungjijve të ngjashëm me njëri-tjetrin, si edhe nga apostulli Pavël, i cili e quajti këtë ngjarje ‘darka e Zotërisë’.​—1 Korintasve 11:20; Mateu 26:26-28; Marku 14:22-25; Luka 22:19, 20.

3. Në cilat mënyra të rëndësishme është i ndryshëm nga tregimet e tjera tregimi i apostullit Gjon për orët e fundit që kaloi Jezui me dishepujt e tij në dhomën e sipërme?

3 Është interesant fakti se apostulli Gjon nuk e përmendi kalimin e bukës dhe të verës, ndoshta sepse në kohën kur e shkroi ai Ungjillin (rreth vitit 98 të e.s.) kjo procedurë ishte më se e vendosur mes të krishterëve të hershëm. (1 Korintasve 11:23-26) Megjithatë, nën frymëzim, vetëm Gjoni na ka siguruar disa të dhëna jetësore rreth asaj që tha e bëri Jezui pak më përpara dhe pak pasi themeloi Përkujtimin e vdekjes së Tij. Këto hollësi drithëruese mbushin jo pak, por plot pesë kapituj të Ungjillit të Gjonit. Këta kapituj nuk na lënë asnjë dyshim për llojin e individëve që Perëndia do. Le t’i shqyrtojmë kapitujt nga 13 deri në 17 të Gjonit.

Mësoni nga dashuria shembullore e Jezuit

4. (a) Si e theksoi Gjoni temën kryesore të mbledhjes së Jezuit me dishepujt e vet kur themeloi Përkujtimin? (b) Cila është një arsye e rëndësishme për të cilën Jehovai e do Jezuin?

4 Në gjithë këta kapituj, të cilët përmbajnë këshillat që u dha Jezui ithtarëve të tij para se të largohej, dashuria është një temë kryesore. Madje, forma të ndryshme të fjalës «dashuri» dalin 31 herë në ta. Dashuria e thellë që kishte Jezui për Atin e tij, Jehovain, si edhe për dishepujt e tij, në këta kapituj bëhet më e dukshme se në çdo vend tjetër. Dashuria që kishte Jezui për Jehovain mund të kuptohet nga gjithë tregimet e Ungjijve për jetën e tij, por vetëm Gjoni shkruan se Jezui ka thënë hapur: «Unë e dua Atin.» (Gjoni 14:31) Gjithashtu, Jezui tha se Jehovai ka dashuri për të dhe shpjegoi përse. Ai tha: «Ashtu si Ati më ka dashur mua dhe unë ju kam dashur ju, qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.» (Gjoni 15:9, 10) Po, Jehovai e do Birin e tij sepse ai i bindet në mënyrë të plotë. Sa mësim i shkëlqyer për të gjithë ithtarët e Jezu Krishtit!

5. Si e tregoi Jezui dashurinë që kishte për dishepujt e tij?

5 Dashuria e thellë e Jezuit për ithtarët e tij theksohet që në fillim të tregimit të Gjonit për mbledhjen e fundit të Jezuit me apostujt. Gjoni tha: «Tani, duke qenë se e dinte para festës së pashkës që kishte ardhur ora e tij të largohej nga kjo botë për tek Ati, Jezui, duke qenë se i kishte dashur të vetët që ishin në botë, i deshi ata deri në fund.» (Gjoni 13:1) Në atë mbrëmje historike, ai u dha një mësim të paharrueshëm që t’u shërbenin të tjerëve me dashuri. U lau këmbët. Kjo ishte diçka që secili prej tyre duhej të ishte gati ta bënte për Jezuin e për vëllezërit, por ata ngurruan. Jezui e kreu këtë detyrë të përulur dhe pastaj u tha dishepujve: «Nëse unë, ndonëse Zotëri dhe Mësues, ju lava këmbët, edhe ju duhet t’ia lani këmbët njëri-tjetrit. Sepse unë ju dhashë modelin, që ashtu si bëra unë me ju, të bëni edhe ju.» (Gjoni 13:14, 15) Të krishterët e vërtetë duhet të jenë të lumtur e të gatshëm t’u shërbejnë vëllezërve të tyre.​—Mateu 20:26, 27, shënimi; Gjoni 13:17.

Ndiqni urdhërimin e ri

6, 7. (a) Cilën hollësi të rëndësishme jep Gjoni lidhur me themelimin e Përkujtimit? (b) Cilin urdhërim të ri u dha Jezui dishepujve të tij dhe çfarë kishte të re ky urdhërim?

6 Tregimi i Gjonit për atë që ndodhi në dhomën e sipërme natën e 14 nisanit është i vetmi që përmend në mënyrë të veçantë largimin e Judë Iskariotit. (Gjoni 13:21-30) Një krahasim i tregimeve të Ungjijve e bën të qartë se Jezui e themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij vetëm pasi kishte ikur ky tradhtar. Më pas, Jezui foli gjerë e gjatë me apostujt e tij besnikë, duke u dhënë këshillat dhe udhëzimet e fundit. Duke u përgatitur për të ndjekur Përkujtimin, ne duhet të jemi shumë të interesuar se çfarë tha Jezui në atë rast, e aq më tepër se patjetër duam të jemi ndër ata që Perëndia i do.

7 Udhëzimi i parë fare që Jezui u dha dishepujve pasi themeloi Përkujtimin e vdekjes së tij ishte diçka e re. Ai shpalli: «Po ju jap një urdhërim të ri, që ta doni njëri-tjetrin; ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni njëri-tjetrin edhe ju. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:34, 35) Çfarë kishte të re ky urdhërim? Pak më vonë atë mbrëmje, Jezui i qartësoi gjërat, duke thënë: «Ky është urdhërimi im: Ta doni njëri-tjetrin ashtu si ju kam dashur unë. Askush nuk ka dashuri më të madhe sesa kjo, që dikush të japë shpirtin e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:12, 13) Ligji i Moisiut i urdhëronte izraelitët ta ‘donin të afërmin si veten e tyre’. (Levitiku 19:18) Por urdhërimi i Jezuit shkonte edhe më tej. Të krishterët duhej ta donin njëri-tjetrin siç i deshi Krishti, duke qenë gati të sakrifikonin edhe jetën për vëllezërit.

8. (a) Çfarë përfshin dashuria vetësakrifikuese? (b) Si tregojnë Dëshmitarët e Jehovait sot dashuri vetësakrifikuese?

8 Periudha e Përkujtimit është kohë e përshtatshme për një vetëshqyrtim, individualisht dhe si kongregacion, për të parë nëse vërtet e kemi këtë shenjë dalluese të krishterimit të vërtetë, domethënë dashurinë si ajo që tregoi Krishti. Një dashuri e tillë vetësakrifikuese mund të nënkuptonte, siç ka nënkuptuar disa herë, që një i krishterë do të zgjidhte më mirë të vinte jetën e tij në rrezik, sesa të tradhtonte vëllezërit. Megjithatë, më shpesh ajo përfshin që të jemi gati të sakrifikojmë interesat tona personale për të ndihmuar dhe për t’u shërbyer vëllezërve e të tjerëve. Apostulli Pavël ishte një shembull i shkëlqyer në këtë fushë. (2 Korintasve 12:15; Filipianëve 2:17) Dëshmitarët e Jehovait njihen në mbarë botën për frymën vetësakrifikuese, duke ndihmuar vëllezërit dhe njerëzit e tjerë e duke shpenzuar vetveten për t’u dhënë atyre të vërtetën biblike. *​—Galatasve 6:10.

Marrëdhënie që duhen ruajtur si thesar

9. Çfarë jemi të lumtur të bëjmë për të ruajtur marrëdhënien e çmuar që kemi me Perëndinë dhe me Birin e tij?

9 Për ne nuk mund të ketë gjë më të çmuar sesa fakti që Jehovai dhe Biri i tij, Krishti Jezu, na duan. Por, për ta pasur e për ta ndier këtë dashuri, duhet të bëjmë diçka. Atë natë të fundit që kaloi me dishepujt, Jezui tha: «Ai që i ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, ky është ai që më do. Nga ana tjetër, atë që më do mua, Ati im do ta dojë dhe unë do ta dua e do t’i shfaqem atij hapur.» (Gjoni 14:21) Duke qenë se e ruajmë si thesar marrëdhënien që kemi me Perëndinë dhe me Birin e tij, u bindemi me gëzim urdhërimeve të tyre. Kjo përfshin edhe urdhërimin e ri për të treguar dashuri vetësakrifikuese, si edhe urdhrin që dha Krishti pas ringjalljes së tij, ‘për t’i predikuar popullit dhe për t’i dhënë dëshmi të plotë’, duke u përpjekur për t’i ‘bërë dishepuj’ ata që e pranojnë lajmin e mirë.​—Veprat 10:42; Mateu 28:19, 20.

10. Cilat marrëdhënie të çmuara janë në dispozicion për të mirosurit dhe për ‘delet e tjera’?

10 Më vonë atë natë, duke iu përgjigjur një pyetjeje që i bëri apostulli besnik Juda (Tadeu), Jezui tha: «Nëse dikush më do, ai do ta zbatojë fjalën time dhe Ati im do ta dojë e ne do të vijmë tek ai e do të bëjmë banesën tonë pranë tij.» (Gjoni 14:22, 23) Edhe kur janë ende në tokë, të krishterët e mirosur​—të thirrur për të mbretëruar me Krishtin në qiell​—kanë një marrëdhënie veçanërisht të ngushtë me Jehovain dhe me Birin e tij. (Gjoni 15:15; 16:27; 17:22; Hebrenjve 3:1; 1 Gjonit 3:2, 24) Megjithatë, edhe shokët e tyre nga ‘delet e tjera’​—shpresa e të cilëve është të jetojnë përgjithmonë në tokë​—kanë një marrëdhënie të çmuar me ‘bariun e tyre të vetëm’, Jezu Krishtin, si edhe me Perëndinë e tyre, Jehovain, me kusht që të tregojnë se janë të bindur.​—Gjoni 10:16; Psalmi 15:1-5; 25:14.

«Nuk jeni pjesë e botës»

11. Cilin paralajmërim që të vë në mendime u dha Jezui dishepujve të tij?

11 Gjatë kësaj mbledhjeje të fundit me dishepujt besnikë, para se të vdiste, Jezui dha një paralajmërim që të vë në mendime: nëse Perëndia e do një person, bota do ta urrejë. Ai tha: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua. Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e vetja. E tani, ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, për këtë bota ju urren. Mbani mend fjalën që ju thashë: Skllavi nuk është më i madh se Zotëria i tij. Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.»​—Gjoni 15:18-20.

12. (a) Përse Jezui i paralajmëroi dishepujt se bota do t’i urrente? (b) Çfarë do të ishte mirë të shqyrtonin të gjithë njerëzit me afrimin e Përkujtimit?

12 Këtë paralajmërim Jezui e dha me qëllim që këta 11 apostuj dhe të gjithë të krishterët e vërtetë që do të vinin pas tyre të mos shkurajoheshin e të mos dorëzoheshin për shkak të urrejtjes së botës. Ai shtoi: «Jua kam thënë këto gjëra që të mos pengoheni. Do t’ju përjashtojnë nga sinagoga. Në fakt, po vjen ora kur kushdo që ju vret, do të kujtojë se i ka bërë shërbim të shenjtë Perëndisë. Por këto gjëra do t’i bëjnë, sepse nuk kanë arritur të njohin as Atin, as mua.» (Gjoni 16:1-3) Një fjalor biblik shpjegon se një formë e foljes së përkthyer «pengoheni» ka kuptimin «ta bësh një person të fillojë të mos i besojë e ta braktisë dikë të cilit duhet t’i besojë e t’i bindet; ta bësh që të tërhiqet». Tani që po afrohet koha për kremtimin e Përkujtimit, të gjithë njerëzit do të bënin mirë të meditonin për jetën e personave besnikë, në të kaluarën dhe në të tashmen, e të imitonin shembullin e tyre të palëkundshmërisë nën sprova. Asnjeri nuk duhet të lejojë që kundërshtimi ose përndjekja ta bëjë të braktisë Jehovain dhe Jezuin, por duhet të jetë i vendosur t’u besojë e t’u bindet atyre.

13. Çfarë i kërkoi në lutje Atit të tij Jezui, për ithtarët e vet?

13 Në lutjen përmbyllëse, para se të iknin nga ajo dhomë e sipërme në Jerusalem, Jezui i tha Atit të tij: «U kam dhënë atyre fjalën tënde, por bota i ka urryer, sepse nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës. Të kërkoj, jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:14-16) Mund të jemi të sigurt se Jehovai i ruan ata që i do, për t’i forcuar ndërkohë që qëndrojnë të ndarë nga bota.​—Isaia 40:29-31.

Qëndroni në dashurinë e Atit dhe në dashurinë e Birit

14, 15. (a) Me çfarë e krahasoi veten Jezui e kjo në dallim me cilën ‘hardhi të zvetënuar’? (b) Cilët janë «degët» e ‘hardhisë së vërtetë’?

14 Gjatë bisedës private që pati me dishepujt e tij besnikë natën e 14 nisanit, Jezui e krahasoi veten me ‘hardhinë e vërtetë’, në dallim nga ‘hardhia e zvetënuar’ e Izraelit jobesnik. Ai tha: «Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është kultivuesi.» (Gjoni 15:1) Shekuj më parë, profeti Jeremia dokumentoi këto fjalë të Jehovait thënë popullit të tij renegat: «Të kisha mbjellë si një vresht . . . i tëri i cilësisë më të lartë. Si ke ndryshuar, pra, ndaj meje në degë të degjeneruara vreshti të huaj?» (Jeremia 2:21) Gjithashtu, profeti Hozea shkroi: «Izraeli është një hardhi që zvetënohet. Ai vazhdon të nxjerrë fryt për veten. . . . Zemra e tyre është bërë hipokrite.»​—Hozea 10:1, 2, BR.

15 Në vend që të prodhonte frytet e adhurimit të vërtetë, Izraeli ra në apostazi dhe prodhoi fryte për veten e vet. Tri ditë para mbledhjes së fundit me dishepujt e tij besnikë, Jezui u tha udhëheqësve judaikë hipokritë: «Po ju them: Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mateu 21:43) Ai komb i ri është ‘Izraeli i Perëndisë’, i përbërë nga 144.000 të krishterë të mirosur, të cilët krahasohen me «degët» e ‘hardhisë së vërtetë’, Krishtit Jezu.​—Galatasve 6:16; Gjoni 15:5; Zbulesa 14:1, 3.

16. Çfarë i nxiti Jezui 11 apostujt besnikë që të bënin dhe çfarë mund të thuhet për mbetjen besnike në këtë kohë të fundit?

16 Jezui u tha 11 apostujve që ishin të pranishëm me të në atë dhomë të sipërme: «Çdo degë në mua që nuk jep fryt, ai e heq dhe çdonjërën që jep fryt, ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Qëndroni në unitet me mua dhe unë në unitet me ju. Ashtu si dega s’mund të japë fryt nga vetja, po të mos qëndrojë te hardhia, po ashtu nuk mundeni as ju, po të mos qëndroni në unitet me mua.» (Gjoni 15:2, 4) Historia e popullit të Jehovait në kohët e sotme tregon se mbetja besnike e të krishterëve të mirosur ka qëndruar në unitet me Kreun e tyre, Krishtin Jezu. (Efesianëve 5:23) Ata kanë pranuar të pastrohen e të krasiten. (Malakia 3:2, 3) Që nga viti 1919, kanë prodhuar me bollëk fryte të Mbretërisë, në fillim të krishterë të tjerë të mirosur dhe, që nga viti 1935, një «shumicë të madhe» gjithnjë e në rritje shokësh të tyre.​—Zbulesa 7:9; Isaia 60:4, 8-11.

17, 18. (a) Cilat fjalë të Jezuit i ndihmojnë të mirosurit dhe delet e tjera që të qëndrojnë në dashurinë e Jehovait? (b) Si do të na ndihmojë ndjekja e Përkujtimit?

17 Fjalët e mëtejshme të Jezuit zbatohen për të gjithë të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre: «Në këtë merr lavdi Ati im: që ju të vazhdoni të jepni shumë fryt e të tregoni se jeni dishepujt e mi. Ashtu si Ati më ka dashur mua dhe unë ju kam dashur juve, qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, ashtu si unë kam zbatuar urdhërimet e Atit dhe qëndroj në dashurinë e tij.»​—Gjoni 15:8-10.

18 Të gjithë ne duam të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, dhe kjo na nxit që të jemi të krishterë të frytshëm. Këtë e bëjmë duke përfituar nga çdo mundësi për të predikuar ‘lajmin e mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Gjithashtu, bëjmë çmos që të shfaqim ‘frytin e frymës’ në jetën tonë. (Galatasve 5:22, 23) Të ndjekim Përkujtimin e vdekjes së Krishtit do të na e forcojë vendosmërinë për të vepruar kështu, pasi do të sjellim përsëri në mend dashurinë e madhe që kanë për ne Perëndia dhe Krishti.​—2 Korintasve 5:14, 15.

19. Cila ndihmë e mëtejshme do të trajtohet në artikullin vijues?

19 Pasi themeloi Përkujtimin, Jezui premtoi se Ati i tij do t’u dërgonte ithtarëve të tij besnikë një ‘ndihmës, frymën e shenjtë’. (Gjoni 14:26) Se si i ndihmon kjo frymë të mirosurit dhe delet e tjera që të qëndrojnë në dashurinë e Jehovait, do të shqyrtohet në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 2 Për vitin 2002, sipas llogaritjeve biblike, 14 nisani fillon me perëndimin e diellit, të enjten më 28 mars. Atë mbrëmje, Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës do të mblidhen për të përkujtuar vdekjen e Zotërisë, Jezu Krishtit.

^ par. 8 Shih librin Dëshmitarët e Jehovait​Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, kapitujt 19 dhe 32, anglisht.

Pyetje për rishikim

• Cilin mësim praktik u dha Jezui dishepujve, me qëllim që t’u shërbenin me dashuri të tjerëve?

• Periudha e Përkujtimit është kohë e përshtatshme për të bërë një vetëshqyrtim lidhur me cilën gjë?

• Përse nuk duhet të pengohemi nga paralajmërimi i Jezuit se bota do të na urrejë e do të na përndjekë?

• Cili është «hardhia e vërtetë»? Cilët janë «degët» dhe çfarë pritet prej tyre?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Jezui u dha apostujve një mësim të paharrueshëm që t’u shërbejnë me dashuri të tjerëve

[Figurat në faqet 16, 17]

Dishepujt e Krishtit i binden urdhrit të tij për të treguar dashuri vetësakrifikuese