Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai na mësoi qëndrueshmërinë dhe ngulmimin

Jehovai na mësoi qëndrueshmërinë dhe ngulmimin

Jetëshkrim

Jehovai na mësoi qëndrueshmërinë dhe ngulmimin

TREGUAR NGA ARISTOTELIS APOSTOLIDIS

Në veri, në kodrat rrëzë maleve Kaukaz gjendet Pjatigorski, një qytet rus i famshëm për burimet minerale dhe për klimën e butë. Këtu linda unë, në një familje refugjatësh grekë, në vitin 1929. Dhjetë vjet më vonë, pas tmerrit të dëbimeve, terrorit dhe spastrimit etnik stalinist, u bëmë përsëri refugjatë, sepse na detyruan të ktheheshim në Greqi.

PASI u vendosëm në Pire, Greqi, fjala «refugjatë» mori një domethënie krejt të re për ne. Ndiheshim tërësisht të huaj. Ndonëse unë dhe im vëlla kishim emrat e dy filozofëve të famshëm grekë, Sokratit dhe Aristotelit, rrallëherë i dëgjonim të na thërritnin me këta emra. Të gjithë na thërritnin rusët e vegjël.

Pak pas shpërthimit të Luftës II Botërore, mamaja ime e dashur vdiq. Ajo kishte qenë boshti i familjes sonë dhe humbja qe shkretuese. Meqë kishte qenë sëmurë për ca kohë, më kishte mësuar të bëja shumë punë shtëpie. Më vonë, kjo stërvitje më doli shumë e dobishme në jetë.

Lufta dhe çlirimi

Lufta, pushtimi nazist dhe bombardimi i vazhdueshëm nga forcat aleate e bënin çdo ditë të dukej sikur ishte dita e fundit e jetës. Kishte jashtëzakonisht shumë varfëri, uri dhe vdekje. Që në moshën 11-vjeçare, së bashku me babanë, m’u desh të punoja shumë për të mbajtur familjen. Nuk munda ta vazhdoja më shkollën ngaqë kuptoja pak greqisht, si dhe për shkak të luftës e të pasojave të saj.

Pushtimi i Greqisë nga gjermanët mori fund në tetor të vitit 1944. Pak kohë më pas, takova Dëshmitarët e Jehovait. Mes dëshpërimit dhe mjerimit të asaj periudhe, shpresa e Biblës për një të ardhme të ndritshme nën Mbretërinë e Perëndisë më preku zemrën. (Psalmi 37:29) Premtimi i Perëndisë për jetën e pafundme në kushte paqësore këtu në tokë, ishte një balsam i vërtetë për plagët e mia. (Isaia 9:6 [Isaia 9:7, BR]) Në vitin 1946, unë dhe im atë u pagëzuam në simbol të dedikimit ndaj Jehovait.

Vitin që pasoi, pata gëzimin të merrja caktimin tim të parë si shërbëtor reklamues (më vonë i quajtur shërbëtor i revistave) në kongregacionin e dytë që u formua në Pire. Territori ynë shtrihej nga Pireu deri në Eleusis, një largësi rreth 50 kilometra. Në atë kohë, në kongregacion shërbenin shumë të krishterë të mirosur nga fryma. Pata privilegjin të punoja dhe të mësoja prej tyre. Më pëlqente shoqëria me ta, sepse kishin shumë e shumë përvoja për të më treguar, lidhur me përpjekjet e fuqishme që kërkoheshin për të kryer veprën e predikimit. Nga mënyra e tyre e jetesës, ishte e qartë se për t’i shërbyer Jehovait me besnikëri kërkohej shumë durim dhe ngulmim. (Veprat 14:22) Sa i lumtur jam që sot në këtë zonë ka më shumë se 50 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait!

Një sfidë e papritur

Ca kohë më vonë, u njoha me Elenin, një e krishterë e zellshme nga qyteti i Patrës. U fejuam në fund të vitit 1952. Por, pas disa muajsh, Eleni u sëmur rëndë. Mjekët zbuluan se kishte tumor në tru dhe gjendja e saj ishte kritike. Duhej të operohej menjëherë. Pas shumë përpjekjesh, arritëm të gjenim një mjek në Athinë, i cili, pavarësisht nga mjetet e pamjaftueshme që ishin në dispozicion në atë kohë, ishte i gatshëm të merrte parasysh bindjet tona fetare dhe të bënte një ndërhyrje kirurgjike pa gjak. (Levitiku 17:10-14; Veprat 15:28, 29) Pas operimit, mjekët ishin disi optimistë për gjendjen e së fejuarës sime, por nuk e përjashtuan mundësinë e rishfaqjes së tumorit.

Çfarë duhej të bëja në këtë situatë? Duke parë ndryshimin e rrethanave, a duhej ta prishja fejesën dhe të lirohesha nga çdo detyrim? Jo! Me fejesën, kisha bërë një premtim dhe doja që po-ja ime të ishte po. (Mateu 5:37) Për as edhe një çast nuk e lejova veten të mendoja ndryshe. Me kujdesin e motrës së saj të madhe, Eleni u shërua pjesërisht dhe u martuam në dhjetor të vitit 1954.

Tre vjet më vonë, Elenit iu rishfaq tumori dhe i njëjti mjek u detyrua të bënte një ndërhyrje tjetër kirurgjike. Kësaj radhe, punoi më thellë në tru për ta hequr plotësisht tumorin. Për pasojë, ime shoqe mbeti pjesërisht e paralizuar dhe zona e të folurit në tru iu dëmtua keq. Tani të dyve na u paraqitën sfida të reja të ndërlikuara. Për gruan time të dashur edhe puna më e thjeshtë u bë një pengesë e madhe. Gjendja e saj e keqësuar bëri të nevojshme ndryshime rrënjësore në jetën tonë të përditshme. Mbi të gjitha, kërkonte shumë qëndrueshmëri dhe ngulmim.

Pikërisht në këtë periudhë stërvitja që kisha marrë nga mamaja doli shumë e vlefshme. Çdo mëngjes herët, përgatitja të gjitha gjërat që duheshin për të gatuar dhe Eleni gatuante ushqimet. Shumë shpesh ftonim mysafirë, duke përfshirë: shërbëtorë në kohë të plotë, njerëz me të cilët studionim Biblën dhe të bashkëkrishterë nevojtarë nga kongregacioni. Të gjithë ishin të një mendimi se ushqimet e gatuara ishin shumë të shijshme. Unë dhe Eleni bashkëpunonim edhe për punë të tjera të shtëpisë, kështu që shtëpinë e kishim të pastër e të rregullt. Kjo gjendje jashtëzakonisht e vështirë do të vazhdonte për 30 vjet.

Zell pavarësisht nga sëmundja

Për mua dhe për të tjerët ishte shumë prekëse të vinim re se asgjë nuk mund t’ia pakësonte gruas sime dashurinë për Jehovain dhe zellin për shërbimin. Me kalimin e kohës dhe me përpjekje të vazhdueshme, Eleni ia arriti të shprehej me një fjalor shumë të kufizuar. I pëlqente shumë t’u afrohej njerëzve në rrugë, për t’u folur për lajmin e mirë nga Bibla. Kur bëja udhëtime pune, e merrja Elenin me vete dhe e parkoja makinën afër ndonjë trotuari ku kalonin shumë njerëz. Ajo e mbante hapur dritaren e makinës dhe i ftonte kalimtarët që të merrnin nga një revistë Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Në një rast, shpërndau 80 revista për dy orë. Shumë shpesh i mbaronte të gjitha revistat e vjetra që kishin mbetur në kongregacion. Eleni ishte e rregullt edhe në forma të tjera të predikimit.

Gjatë gjithë viteve që ishte invalide, ime shoqe ishte gjithnjë përkrah meje në mbledhje. Nuk humbi kurrë asnjë kongres ose asamble, edhe kur na u desh të udhëtonim jashtë shtetit për shkak të përndjekjes që na bëhej në Greqi si Dëshmitarë të Jehovait. Me gjithë kufizimet që kishte, ndoqi e lumtur kongreset në Austri, Gjermani, Qipro dhe në vende të tjera. Eleni nuk ankohej ose nuk bënte asnjëherë tepër kërkesa, edhe kur në disa raste përgjegjësitë e mia të mëtejshme në shërbim të Jehovait i bënin gjërat jo të volitshme për të.

Sa për mua, kjo gjendje doli se ishte një stërvitje afatgjatë për sa i përket qëndrueshmërisë dhe ngulmimit. E provova ndihmën e Jehovait shumë herë. Vëllezërit dhe motrat bënin shumë sakrifica për të na ndihmuar në çfarëdo mënyre që mundnin dhe mjekët na mbështetnin me dashamirësi. Në gjithë ato vite të vështira, nuk na munguan kurrë gjërat e nevojshme për të jetuar, ndonëse rrethanat e vështira në të cilat ishim nuk më lejonin të kisha një punë tetorëshe. Gjithnjë i jepnim përparësi interesave dhe shërbimit të Jehovait.​—Mateu 6:33.

Shumë kanë pyetur çfarë na mbështeti gjatë atyre viteve sprovuese. Tani, ndërsa shoh prapa, e kuptoj se studimi personal i Biblës, lutjet me gjithë zemër ndaj Perëndisë, prania e rregullt në mbledhjet e krishtere dhe pjesëmarrja e zellshme në veprën e predikimit na e forcoi qëndrueshmërinë dhe na e shtoi ngulmimin. Na vinin gjithnjë në mend fjalët inkurajuese të Psalmit 37:3-5, ku thuhet: «Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; . . . Gjej kënaqësinë tënde në Zotin . . . Vendose fatin [udhën, BR] tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.» Një varg tjetër që kishte shumë vlerë për ne ishte Psalmi 55:22, ku thuhet: «Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë.» Ashtu si një fëmijë me besim të plotë tek i ati, ne jo vetëm i hodhëm barrët tona mbi Jehovain, por edhe e lamë që t’i mbante.​—Jakovit 1:6.

Më 12 prill 1987, ndërsa ime shoqe po predikonte përballë shtëpisë sonë, një derë e rëndë hekuri iu mbyll me forcë pas shpine dhe ajo u rrëzua në trotuar e u dëmtua rëndë. Për pasojë, mbeti në gjendje kome tre vjetët që pasuan. Vdiq në fillim të vitit 1990.

I shërbej Jehovait duke bërë më të mirën

Në vitin 1960, më caktuan të shërbeja si shërbëtor i kongregacionit në Nikaia, Pire. Që nga ajo kohë, kam pasur privilegjin të shërbej në disa kongregacione të tjera në Pire. Ndonëse nuk pata kurrë fëmijë, kam pasur gëzimin të ndihmoj shumë fëmijë frymorë që të bëhen të palëkundur në të vërtetën. Disa prej tyre tani shërbejnë si pleq kongregacioni, shërbëtorë ndihmës, pionierë dhe anëtarë të familjes Bethel.

Pasi në Greqi u vendos demokracia në vitin 1975, Dëshmitarët e Jehovait patën mundësi t’i mbanin lirisht kongreset, pa iu dashur më që të fshiheshin nëpër pyje. Përvoja që kishin marrë disa prej nesh ndërsa punonin për organizimin e kongreseve jashtë shtetit tani doli shumë e vlefshme. Kështu, pata gëzimin dhe privilegjin të shërbeja në disa komitete kongresesh për shumë vjet.

Pastaj, në vitin 1979, u bënë plane për të ndërtuar në rrethinat e Athinës Sallën e parë të Asambleve në Greqi. Më caktuan që të ndihmoja për të organizuar dhe për të përfunduar këtë projekt kolosal ndërtimi. Edhe kjo punë kërkonte shumë qëndrueshmëri e ngulmim. Puna për tre vjet me qindra vëllezër e motra që kishin frymën e vetëmohimit krijoi një lidhje të fortë dashurie dhe uniteti mes nesh. Kujtimet nga ky projekt më janë ngulitur në mënyrë të pashlyeshme në zemër.

Plotësimi i nevojave frymore të të burgosurve

Disa vjet më vonë, u hap një derë me mundësi të reja. Afër territorit të kongregacionit tim, në Koridalos, gjendet një nga burgjet më të mëdha të Greqisë. Që nga prilli i vitit 1991, më kanë caktuar që ta vizitoj këtë burg çdo javë si ministër fetar i Dëshmitarëve të Jehovait. Aty më lejojnë të drejtoj studime biblike dhe mbledhje të krishtere me të burgosurit që janë të interesuar. Shumë prej tyre kanë bërë ndryshime të mëdha, duke dhënë prova të fuqisë së jashtëzakonshme që ka Fjala e Perëndisë. (Hebrenjve 4:12) Kjo i ka bërë përshtypje edhe personelit të burgut, edhe të burgosurve të tjerë. Disa nga të burgosurit me të cilët kam studiuar Biblën janë liruar dhe tani janë lajmëtarë të lajmit të mirë.

Për ca kohë, studiova me tre shpërndarës droge që kishin nam shumë të keq. Ndërsa bënin përparim frymor, ata erdhën të rruar, me flokët të krehur dhe me këmishë e kravatë në studimin e Biblës, në mes të gushtit, që është një nga muajt më të nxehtë në Greqi. Drejtori i burgut, kryegardiani dhe disa nëpunës dolën me nxitim nga zyrat e tyre për të parë këtë ngjarje. Nuk u besonin dot syve!

Një përvojë tjetër inkurajuese ndodhi në pjesën e burgut ku ishin gratë. U fillua një studim biblik me një grua që po shlyente dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje. Ishte e njohur për sjelljen e saj rebele. Megjithatë, shumë shpejt, e vërteta biblike që po mësonte solli tek ajo ndryshime kaq mahnitëse, saqë shumë komentuan se ajo ishte si një luan që ishte kthyer në qengj. (Isaia 11:6, 7) Menjëherë fitoi respektin dhe besimin e drejtorit të burgut. Ndjeva lumturi kur pashë që bëri përparim shumë të mirë frymor dhe ia dedikoi jetën Jehovait.

Ndihmohen të sëmurët dhe të moshuarit

Fakti që kam parë betejën e gjatë të gruas sime me sëmundjen, më ka bërë më të ndjeshëm ndaj nevojave të të sëmurëve dhe të të moshuarve që kemi mes nesh. Sa herë që në botimet tona kishte artikuj që na nxitnin të interesoheshim dhe t’u jepnim ndihmë me dashuri këtyre personave, interesi për këtë çështje më rigjallërohej. I pëlqeja shumë këta artikuj dhe i mblidhja. Pasi kaluan disa vjet, kisha mbledhur një dosje me më shumë se njëqind faqe, duke filluar me artikullin «Konsideratë për të moshuarit dhe të munduarit» në Kullën e Rojës të 15 korrikut 1962. Shumë nga këta artikuj tregonin se është e vlefshme që çdo kongregacion të organizohet për t’u dhënë ndihmë të sëmurëve dhe të moshuarve.​—1 Gjonit 3:17, 18.

Pleqtë formuan një grup me vëllezër e motra, të cilët u vunë në dispozicion për t’u kujdesur për nevojat e të sëmurëve dhe të të moshuarve në kongregacionin tonë. I organizuam vullnetarët në skuadra të ndryshme: një skuadër që do të ndihmonte gjatë ditës; një që mund të ndihmonte gjatë natës; një që mund të siguronte transportin dhe një skuadër që ishte në dispozicion 24 orë në ditë. Kjo e fundit përbënte një lloj skuadre të ndërhyrjes së shpejtë.

Frytet e këtyre përpjekjeve na kanë dhënë shumë zemër. Për shembull, një motër e sëmurë që jetonte vetëm u gjet pa ndjenja e rrëzuar në dysheme, ndërsa po i bëhej vizita e përditshme. Njoftuam një motër që jetonte aty afër dhe që kishte makinë. Ajo e çoi motrën në spitalin më të afërt në një kohë rekord: vetëm për dhjetë minuta. Mjekët thanë se kjo i shpëtoi jetën.

Mirënjohja që u tregojnë të sëmurët dhe të moshuarit pjesëtarëve të grupit të sjell shumë kënaqësi. Shpresa për të jetuar me këta vëllezër e këto motra në sistemin e ri të Perëndisë në kushte të tjera, na e ngroh zemrën. Gjithashtu, të dimë se u ndihmuan të qëndronin, për shkak të mbështetjes që morën gjatë vuajtjeve të tyre, është një tjetër shpërblim.

Ngulmimi ka sjellë shpërblime

Tani shërbej si plak në një nga kongregacionet e Pireut. Me gjithë moshën e shkuar dhe problemet shëndetësore, jam i lumtur që mund të kem ende një pjesëmarrje të gjallë në veprimtaritë e kongregacionit.

Gjatë viteve, rrethanat sprovuese, sfidat e rënda dhe ngjarjet e paparashikuara kanë kërkuar jashtëzakonisht shumë guxim dhe ngulmim. Megjithatë, Jehovai më ka dhënë gjithnjë forcën e nevojshme për t’i kapërcyer këto probleme. Në mënyrë të përsëritur kam provuar vërtetësinë e fjalëve të psalmistit: «Kur thashë: ‘Këmba ime ka për të ecur e pasigurt’, dashamirësia jote, o Jehova, më mbajti. Kur mendimet turbulluese u bënë shumë brenda meje, ngushëllimet e tua nisën të ma ledhatonin shpirtin.»​—Psalmi 94:18, 19, BR.

[Figura në faqen 25]

Me gruan, Elenin, pas operacionit të saj të dytë, në vitin 1957

[Figura në faqen 26]

Në një kongres në Nuremberg, Gjermani, në vitin 1969

[Figura në faqen 28]

Grupi i vëllezërve dhe i motrave që ndihmonin të sëmurët dhe të moshuarit