Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nxirrni mësim nga Nikodemi

Nxirrni mësim nga Nikodemi

Nxirrni mësim nga Nikodemi

«NËSE ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e tij të torturës ditë për ditë dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Luka 9:23) Disa peshkatarë të përulur dhe një taksambledhës i përbuzur e pranuan me gatishmëri këtë ftesë. Lanë pas çdo gjë për të ndjekur Jezuin.​—Mateu 4:18-22; Luka 5:27, 28.

Thirrja e Jezuit dëgjohet ende sot dhe shumë janë përgjigjur pozitivisht. Megjithatë, disa që e studiojnë me kënaqësi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait ngurrojnë ta ‘mohojnë veten dhe të marrin shtyllën e tyre të torturës’. Nuk janë shumë të gatshëm të pranojnë përgjegjësinë dhe privilegjin për të qenë dishepuj të Jezuit.

Përse disa ngurrojnë ta pranojnë ftesën e Jezuit dhe t’i dedikohen Perëndisë Jehova? Kuptohet, ata që nuk janë rritur me konceptin judaiko-të krishterë të monoteizmit mund të kenë nevojë për mjaft kohë përpara se të kuptojnë plotësisht ekzistencën e një Krijuesi personal e të plotfuqishëm. Mirëpo, edhe pasi janë bindur se Perëndia është real, disa tërhiqen dhe nuk ndjekin gjurmët e Jezuit. Mund të kenë frikë për atë që do të mendojnë të afërmit dhe miqtë për ta, nëse bëhen Dëshmitarë të Jehovait. Të tjerë, që harrojnë urgjencën e kohëve në të cilat jetojmë, i kthehen rendjes pas famës dhe pasurisë. (Mateu 24:36-42; 1 Timoteut 6:9, 10) Sido që të jetë, ata që vazhdojnë ta shtyjnë vendimin për t’u bërë ithtarë të Jezuit mund të nxjerrin mësim nga tregimi për Nikodemin, një nga krerët e pasur judaikë në ditët e Jezuit.

I bekuar me mundësi të mrekullueshme

Vetëm rreth gjashtë muaj pasi Jezui ka filluar shërbimin e tij në tokë, Nikodemi e kupton se Jezui ‘si mësues ka ardhur nga Perëndia’. I mahnitur nga mrekullitë që kreu Jezui së fundi në Jerusalem në Pashkën e vitit 30 të e.s., Nikodemi vjen natën, nëpër errësirë, për të rrëfyer besimin e tij te Jezui dhe për të mësuar më shumë rreth këtij mësuesi. Atëherë Jezui i thotë Nikodemit një të vërtetë të thellë rreth nevojës për të ‘lindur përsëri’ me qëllim që të hyhet në Mbretërinë e Perëndisë. Jezui në këtë rast thotë edhe fjalët: «Perëndia e deshi botën aq shumë, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që ushtron besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»​—Gjoni 3:1-16.

Ç’mundësi e mrekullueshme gjendet para Nikodemit! Ai mund të bëhet një shok i ngushtë i Jezuit, duke pasur mundësi të shohë me sytë e tij veçori të ndryshme të jetës së Jezuit në tokë. Si një nga krerët e judenjve dhe mësues në Izrael, Nikodemi ka mjaft njohuri për Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, ka gjykim të thellë dhe kjo kuptohet sepse e identifikon Jezuin si një mësues që e ka dërguar Perëndia. Nikodemi interesohet për gjërat frymore dhe është veçanërisht i përulur. Sa e vështirë duhet të jetë për një anëtar të gjykatës më të lartë të judenjve që ta pranojë birin e thjeshtë të një zdrukthëtari si një njeri të dërguar nga Perëndia! Të gjitha këto cilësi janë shumë të vlefshme për t’u bërë dishepull i Jezuit.

Interesi i Nikodemit për këtë njeri nga Nazareti nuk duket se pakësohet me kalimin e kohës. Dy vjet e gjysmë më vonë, në Festën e Kasolleve, Nikodemi ndjek një mbledhje të Sinedrit. Në këtë kohë, Nikodemi është ende «një prej tyre». Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë dërgojnë roja për të arrestuar Jezuin. Rojat kthehen dhe raportojnë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» Farisenjtë fillojnë t’i nënçmojnë këta të fundit: «Mos jeni mashtruar edhe ju? Mos ka treguar besim tek ai qoftë edhe një nga krerët a farisenjtë? Por kjo turmë që nuk e njeh Ligjin, janë njerëz të mallkuar.» Nikodemi nuk mund të rrijë dot më pa folur. Ai thotë: «A e gjykon vallë ligji ynë një njeri, po të mos ketë dëgjuar prej tij e të mos ketë marrë vesh më parë se çfarë po bën?» Tani bëhet ai shënjestra e kritikave nga farisenjtë e tjerë: «Mos je edhe ti nga Galilea? Shqyrto e shiko se nga Galilea nuk ka për t’u ngritur asnjë profet.»​—Gjoni 7:1, 10, 32, 45-52.

Rreth gjashtë muaj më vonë, në ditën e Pashkës së vitit 33 të e.s., Nikodemi sheh tek e heqin trupin e Jezuit nga shtylla e torturës. Ai bashkohet me Jozefin nga Arimatea, një anëtar tjetër i Sinedrit, për ta përgatitur trupin e Jezuit për varrim. Për këtë qëllim, Nikodemi sjell «një rrotullame mirre e aloe», që peshon rreth 100 libra romake, e barabartë me 72 paunde angleze. Kjo përbën një shumë të konsiderueshme parash. Gjithashtu, kërkon guxim nga ana e tij që të vihet në një kategori me ‘atë mashtrues’, siç e quajnë farisenjtë e tjerë Jezuin. Duke ia përgatitur shpejt e shpejt trupin për varrim, dy burrat e vendosin Jezuin në një varr të ri përkujtimor aty afër. Megjithatë, edhe në këtë çast, Nikodemi nuk identifikohet ende si dishepull i Jezuit!​—Gjoni 19:38-42; Mateu 27:63; Marku 15:43.

Përse nuk veproi?

Gjoni nuk e zbuloi në tregimin e tij arsyen për të cilën Nikodemi u tërhoq duke mos e «marrë shtyllën e tij të torturës» e duke mos e ndjekur Jezuin. Megjithatë, dha disa shpjegime që mund të na ndihmojnë të kuptojmë pavendosmërinë e këtij fariseu.

Para së gjithash, Gjoni tregoi se ky, një nga krerët e judenjve, «erdhi te [Jezui] natën». (Gjoni 3:2) Një studiues biblik sugjeron: «Nikodemi erdhi natën, jo nga frika, por që të shmangte turmat të cilat do ta kishin ndërprerë bisedën që do të bënte me Jezuin.» Mirëpo, Gjoni foli për Nikodemin si për atë që «herën e parë shkoi tek [Jezui] natën» në të njëjtin kontekst në të cilin foli për Jozefin nga Arimatea si «dishepull i Jezuit, por i fshehtë nga frika e judenjve». (Gjoni 19:38, 39) Prandaj, ka të ngjarë që Nikodemi të ketë shkuar natën te Jezui nga «frika e judenjve», ashtu si edhe të tjerë në atë kohë, të cilët kishin frikë të kishin ndonjë lidhje me Jezuin.​—Gjoni 7:13.

A e keni shtyrë vendimin për t’u bërë dishepuj të Jezuit për shkak të asaj që mund të thoshin të afërmit, miqtë ose kolegët tuaj? «Frika e njeriut përbën një lak»,​—thotë një fjalë e urtë. Si ta mposhtni këtë frikë? Fjala e urtë vazhdon: «Por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.» (Fjalët e urta 29:25) Që ta ndërtoni këtë besim te Jehovai, duhet të arrini ta provoni vetë se Perëndia do t’ju përkrahë kur jeni në vështirësi. Lutjuni Jehovait dhe kërkojini t’ju japë guximin për të marrë qoftë edhe vendime të vogla lidhur me adhurimin tuaj. Dalëngadalë, do t’ju shtohet besimi dhe siguria te Jehovai deri në pikën që do të jeni në gjendje të merrni vendime më të mëdha në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

Edhe pozita e rëndësia e Nikodemit si anëtar i klasës sunduese mund ta ketë penguar të marrë hapin e rëndësishëm të mohimit të vetvetes. Në atë kohë, ai duhet të ketë pasur ende lidhje të forta me pozitën e tij si anëtar i Sinedrit. A ngurroni të ndërmerrni hapa për t’u bërë ithtarë të Krishtit, sepse mund të humbni një pozitë me rëndësi në shoqëri ose sepse mund t’ju duhet të sakrifikoni disa mundësi për të bërë karrierë? Asnjëra nga këto nuk mund të krahasohet me nderin që të keni mundësi t’i shërbeni Më të Lartit të universit, i cili është gati t’ju plotësojë kërkesat që i bëni në harmoni me vullnetin e tij.​—Psalmi 10:17; 83:18; 145:18.

Një arsye tjetër e mundshme se përse Nikodemi e shtynte këtë vendim mund të ketë qenë e lidhur me pasurinë e tij. Si farise, ai mund të ketë qenë i ndikuar nga të tjerët «që ishin të dashuruar pas parave». (Luka 16:14) Fakti që ishte në gjendje të blinte një rrotullame të kushtueshme mirre dhe aloe tregon se ishte i pasur. Sot disa veta vazhdojnë ta shtyjnë për më vonë vendimin për t’i marrë përsipër përgjegjësitë e një të krishteri, sepse janë në ankth për zotërimet e tyre materiale. Megjithatë, Jezui i këshilloi ithtarët e tij: «Mos jini më në ankth për shpirtrat tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, apo për trupat tuaj, se ç’do të vishni. . . . Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—Mateu 6:25-33.

Humbi shumë

Është për t’u vërejtur se tregimi për Nikodemin, të cilin e gjejmë vetëm në Ungjillin sipas Gjonit, nuk e thotë nëse ai u bë apo jo ithtar i Jezuit. Sipas një gojëdhëne, Nikodemi mori qëndrim në anën e Jezuit, u pagëzua, u bë shënjestër e përndjekjes së judenjve, u hoq nga pozita e tij dhe së fundi u dëbua nga Jerusalemi. Sido që të ishte, një gjë është e sigurt: duke i zvarritur gjërat kur Jezui ishte në tokë, Nikodemi humbi shumë.

Në qoftë se Nikodemi do të kishte filluar ta ndiqte Jezuin që nga koha kur u takua për herë të parë me Zotërinë, mund të ishte bërë dishepull i ngushtë i Jezuit. Me njohurinë, gjykimin e thellë, përulësinë dhe vetëdijen që kishte për nevojat frymore, mund të ishte bërë një dishepull i shquar. Po, mund t’i kishte dëgjuar me veshët e tij fjalimet mahnitëse të Mësuesit të Madh, mund të kishte nxjerrë mësime jetësore nga ilustrimet e Jezuit, mund të kishte qenë dëshmitar i mrekullive që kreu Jezui, të cilat të hapnin sytë, si edhe mund të kishte marrë forcë nga këshillat e fundit që u dha Jezui apostujve. Por i humbi të gjitha këto mundësi.

Pavendosmëria e Nikodemit solli si pasojë humbje të mëdha për të. Në to përfshihej edhe ftesa e përzemërt e Jezuit: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.» (Mateu 11:28-30) Nikodemi e humbi rastin për ta provuar në mënyrë të mirëfilltë këtë freskim nga vetë Jezui.

Po ju?

Që nga viti 1914, Jezu Krishti ka qenë i pranishëm në qiell si Mbreti i Mbretërisë qiellore të Perëndisë. Duke parathënë atë që do të ndodhte gjatë pranisë së tij, ndër të tjera ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Kjo vepër mbarëbotërore e predikimit duhet të kryhet para se të vijë fundi. Jezu Krishti gjen kënaqësi duke u dhënë mundësi njerëzve të papërsosur të marrin pjesë në këtë vepër. Edhe ju mund të bëni pjesën tuaj.

Nikodemi e kuptoi se Jezui vinte nga Perëndia. (Gjoni 3:2) Nga studimi i Biblës, edhe ju mund të keni arritur një përfundim të ngjashëm. Mund të keni bërë ndryshime në mënyrën e jetesës që të ishit në përputhje me normat e Biblës. Mund të keni ndjekur edhe mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait për të marrë njohuri të mëtejshme për Biblën. Jeni për t’u lavdëruar për këto përpjekje. Megjithatë, Nikodemi duhej të bënte më tepër sesa thjesht të tregonte çmueshmëri për Jezuin si ai që e kishte dërguar Perëndia. Ai duhej të ‘mohonte veten, të merrte shtyllën e tij të torturës ditë për ditë dhe ta ndiqte [Jezuin] vazhdimisht’.​—Luka 9:23.

Merreni për zemër atë që na thotë apostulli Pavël. Ai shkroi: «Duke punuar bashkë me të, ju përgjërohemi edhe të mos e pranoni dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë e ta lini pa përmbushur qëllimin e saj. Sepse ai thotë: ‘Të dëgjova në një kohë të pranueshme dhe të ndihmova në një ditë shpëtimi.’ Ja, tani është koha veçanërisht e pranueshme. Ja, tani është dita e shpëtimit.»​—2 Korintasve 6:1, 2.

Tani është koha që të zhvilloni besimin i cili ju nxit të veproni. Për këtë qëllim, meditoni për gjërat që po studioni nga Bibla. Lutjuni Jehovait dhe kërkojini ndihmë që të shfaqni besim të tillë. Ndërsa provoni ndihmën e tij, çmueshmëria dhe dashuria do t’ju nxitin të ‘mohoni veten, të merrni shtyllën tuaj të torturës ditë për ditë dhe ta ndiqni Jezu Krishtin vazhdimisht’. A do të veproni tani?

[Figura në faqen 9]

Në fillim, Nikodemi me guxim mori anën e Jezuit

[Figura në faqen 9]

Me gjithë kundërshtimin, Nikodemi ndihmoi në përgatitjen e trupit të Jezuit për varrim

[Figura në faqen 10]

Studimi personal dhe lutja mund t’ju forcojnë të ndërmerrni veprime

[Figura në faqen 10]

A do ta pranoni privilegjin që të punoni nën udhëheqjen e Jezu Krishtit?