Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pastërtia: Çfarë nënkupton në të vërtetë?

Pastërtia: Çfarë nënkupton në të vërtetë?

Pastërtia: Çfarë nënkupton në të vërtetë?

PËR shkak të kushteve tronditëse johigjienike që ishin në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara gjatë shekullit të 18-të dhe të 19-të, misionarët e asaj periudhe predikonin atë që mund të quhet «doktrina e pastërtisë». Sipas kësaj doktrine, papastërtia barazohej me mëkatin, kurse për pastërtinë thoshte se e afronte një njeri më shumë me Perëndinë. Ndoshta kjo e bëri të njohur aksiomën «Pastërtia vjen menjëherë pas perëndishmërisë».

Këtë pikëpamje e përvetësoi Ushtria e Shpëtimit, e themeluar nga Uilliam dhe Katerina Buthi. Sipas librit Health and Medicine in the Evangelical Tradition, një nga parullat e tyre të para ishte: «Sapun, supë dhe shpëtim.» Më pas, kur Lui Pastëri dhe të tjerë e treguan me prova lidhjen ndërmjet sëmundjeve dhe baktereve, kjo gjë vetëm sa i dha një shtytje e i siguroi një bazë shkencore kërkimit për të gjetur metoda më të mira për shëndetin publik.

Një nga masat e menjëhershme që u morën ishte që të mos i kërkohej një dëshmitari në gjyq që të puthte Biblën. Gjithashtu, u ndalua që njerëzit të pinin me një gotë të përbashkët në shkolla dhe në stacionet hekurudhore. Madje, u bënë përpjekje edhe për ta zëvendësuar kupën e përbashkët në shërbimet fetare me kupa individuale. Po, ata pionierë të hershëm të pastërtisë duket se patën mjaft sukses në ndryshimin e qëndrimeve të njerëzve ndaj pastërtisë. U bënë kaq shumë ndryshime, saqë një shkrimtar atë që erdhi si rrjedhim e quajti «një histori dashurie me pastërtinë».

Megjithatë, me sa duket, kjo «histori dashurie me pastërtinë» ishte vetëm sipërfaqësore. S’kaloi shumë dhe tregtarët e shkathët e kthyen sapunin e thjeshtë në një produkt bukurie. Reklamat e bëra me zgjuarsi i bënë blerësit të besonin se përdorimi i disa produkteve të higjienës personale do t’i jepte përdoruesit një gjendje shoqërore që të tjerët vetëm sa mund ta kishin zili. Televizori e përjetëson këtë fantazi. Njerëzit e suksesshëm dhe të famshëm që shfaqen në filma ose në telenovela rrallëherë i sheh duke pastruar shtëpinë, duke fshirë oborrin, duke hequr plehrat ose duke pastruar jashtëqitjet e qenve e të maceve që mbajnë në shtëpi.

Ka edhe nga ata që arsyetojnë se puna jashtë shtëpisë u siguron para që të paguajnë faturat, kurse punët e shtëpisë ose pastrimet e tjera nuk të japin gjë nga ana financiare. E meqë nuk përfshihet asnjë shpërblim monetar, përse duhet të kujdesen për mjedisin që i rrethon? Një nga pasojat ka qenë se disa njerëz sot mendojnë se pastërtia përfshin vetëm higjienën personale.

Pikëpamja e Perëndisë për pastërtinë

Nuk ka asnjë dyshim se përpjekjet fillestare për t’u mësuar të tjerëve që të ishin të pastër ndihmuan vërtet për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve. E kjo me të drejtë, sepse pastërtia është një cilësi që i përket dhe që e ka fillimin te Perëndia i shenjtë e i pastër, Jehovai. Ai na mëson t’i sjellim dobi vetes, duke u bërë të shenjtë e të pastër në të gjitha udhët tona.​—Isaia 48:17; 1 Pjetrit 1:15.

Perëndia Jehova është shembulli më i madh në këtë fushë. Pastërtia, si edhe cilësitë e tjera të padukshme të tij, shihet qartë në krijimin e dukshëm të Perëndisë. (Romakëve 1:20) Vëmë re se krijimi në vetvete nuk shkakton ndotje të përhershme. Toka, me ciklet e saj të shumta ekologjike, është një mrekulli vetëpastruese dhe është projektuar për një jetesë të pastër e të shëndetshme. Një punë e tillë e pastër mund të vinte vetëm nga një Projektues me mendje të pastër. Prandaj, nga kjo mund të nxjerrim përfundimin se adhuruesit e Perëndisë duhet të jenë të pastër në çdo fushë të jetës.

Katër fusha ku kërkohet pastërti

Bibla bën të qarta katër fusha ku kërkohet pastërti, fusha në të cilat adhuruesit e Perëndisë duhet të përpiqen të jenë të pastër. Le të shqyrtojmë secilën prej tyre.

Frymësisht. Kjo mund të quhet fusha më e rëndësishme ku kërkohet pastërti, sepse ka të bëjë me mundësitë e një personi për të pasur jetën e përhershme. Mirëpo, shpesh pastërtia frymore është fusha ku njerëzit harrojnë më shumë të mbajnë pastërti. E thënë thjesht, të jesh i pastër frymësisht do të thotë të mos e kapërcesh asnjëherë kufirin që ka vendosur Perëndia midis adhurimit të vërtetë dhe atij të rremë, sepse çdo lloj adhurimi të rremë Perëndia e sheh si të papastër. Apostulli Pavël shkroi: «‘Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni,​—thotë Jehovai,​—dhe mjaft prekët gjënë e ndyrë’; ‘dhe unë do t’ju pranoj’.» (2 Korintasve 6:17) Edhe dishepulli Jakov është shumë i qartë në këtë pikë: «Forma e adhurimit që është e pastër dhe e pandotur nga këndvështrimi i Perëndisë dhe Atit tonë është kjo: . . . ta ruash veten pa njollë nga bota.»​—Jakovit 1:27.

Perëndia e tregoi qartë se nuk e miratonte përzierjen e adhurimit të rremë me adhurimin e tij të vërtetë. Adhurimi i rremë përfshin shpesh praktika të papastra dhe idhuj e perëndi të neveritshëm. (Jeremia 32:35) Pra, të krishterët e vërtetë nxiten që të mos përfshihen në asnjë mënyrë me adhurimin e papastër.​—1 Korintasve 10:20, 21; Zbulesa 18:4.

Moralisht. Edhe këtu, Perëndia ka vendosur një kufi të qartë midis asaj që është e pastër dhe asaj që është e papastër. Bota në tërësi është bërë siç përshkruhet tek Efesianëve 4:17-19, ku thuhet: «Janë në errësirë mendërisht dhe të ndarë nga jeta që i përket Perëndisë . . . Duke mos pasur më asnjë ndjesi morale, ata u dhanë pas sjelljes së shthurur për të bërë me lakmi ndyrësi të çdo lloji.» Kjo mënyrë të menduari imorale shprehet në shumë mënyra, të hapura dhe tinëzare, prandaj të krishterët duhet të jenë vigjilentë.

Ata që e duan Perëndinë e dinë se prostitucioni, homoseksualizmi, marrëdhëniet seksuale para martese dhe pornografia janë shkelje të normës që ka Jehovai për pastërtinë morale. Megjithatë, disa shprehje të këtyre praktikave janë një gjë e zakonshme në botën e zbavitjes dhe të modës. Prandaj, të krishterët duhet të ruhen nga këto prirje. Të veshësh në mbledhjet e krishtere ose në grumbullime shoqërore rroba që janë të shkurtra dhe që zbulojnë pjesë të trupit, tërheq vëmendje të panevojshme ndaj trupit njerëzor dhe tregon mungesë dëlirësie. Përveçse sjell në shoqërinë e krishterë mënyrën e papastër të të menduarit të botës, një veshje e tillë krijon mundësinë që në mendjen e të tjerëve të lindin mendime të papastra. Kjo është një fushë në të cilën të krishterët duhet të punojnë shumë për të shfaqur ‘mençurinë nga lart’.​—Jakovit 3:17.

Mendërisht. Skutat më të thella të mendjes nuk duhet të jenë një depozitë për mendimet e papastra. Jezui paralajmëroi për këto mendime të papastra kur tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua, aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e tij.» (Mateu 5:28; Marku 7:20-23) Këto fjalë zbatohen njësoj edhe për shikimin e filmave dhe të pikturave pornografike, leximin e tregimeve për veprime të ndyra seksuale dhe dëgjimin e teksteve të pahijshme të këngëve. Pra, të krishterët nuk duhet të ndoten duke bluar në mendje mendime të papastra që mund t’i hapin rrugë të folurit dhe veprimeve të papastra e jo të shenjta.​—Mateu 12:34; 15:18.

Fizikisht. Në Bibël, shenjtëria dhe pastërtia fizike lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Për shembull, Pavli shkroi: «Të dashur, meqë kemi këto premtime, le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, duke e përsosur shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Prandaj, për aq sa ua lejojnë rrethanat, të krishterët e vërtetë duhet të përpiqen ta mbajnë të pastër trupin, shtëpinë e tyre dhe vendin përreth shtëpisë. Edhe atje ku uji për të larë rrobat ose veten është me pakicë, të krishterët duhet të bëjnë çmos për të qenë të pastër e të paraqitshëm.

Pastërtia fizike përjashton edhe përdorimin e duhanit, në çfarëdo lloj forme, pirjen me tepri të alkoolit dhe çdo formë të abuzimit me drogën, pasi të gjitha këto fëlliqin dhe dëmtojnë trupin. Bariu që përshkruhet në Kantikun e Kantikëve kënaqej me aromën e këndshme të rrobave të shulamites. (Kantiku i Kantikëve 4:11) Kur kujdesemi për higjienën personale tregojmë dashuri, pasi nuk duam të shkaktojmë aroma të pakëndshme për ata që na rrethojnë. Parfumet dhe kolonjat mund të jenë të këndshme, por nuk e zëvendësojnë larjen rregullisht dhe rrobat e pastra.

Të mbajmë një pikëpamje të drejtpeshuar

Kur bëhet fjalë për pastërtinë fizike, njerëzit ndonjëherë shkojnë në kufijtë e arsyes. Nga njëra anë, të jemi maniakë për pastërtinë mund të na e heqë gëzimin e jetës. Gjithashtu, mund të na harxhojë shumë kohë të çmuar. Nga ana tjetër, shtëpitë e papastra dhe jo të mbajtura mirë mund të kushtojnë shumë për t’i meremetuar. Një mundësi praktike dhe e arsyeshme, duke mos shkuar në kufijtë e arsyes, është që ta mbajmë shtëpinë të pastër dhe të paraqitshme.

Thjeshtësi. Shtëpitë ose dhomat e mbingarkuara shpesh pastrohen me vështirësi dhe në mjedise të tilla të tejmbushura është e vështirë ta dallosh pluhurin. Shtëpitë modeste e jo të mbingarkuara duan më pak kohë për t’i pastruar. Një stil i thjeshtë jetese këshillohet shumë në Bibël: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»​—1 Timoteut 6:8.

Rregullsi. Të gjithë ata që jetojnë në një shtëpi kanë përgjegjësinë për ta mbajtur të rregullt. Shtëpitë e parregullta shpesh nisin nga dhoma të parregullta. Rregullsi do të thotë që çdo gjë të jetë në vendin e vet. Për shembull, rrobat e papastra nuk e kanë vendin në dyshemenë e dhomës së gjumit. Edhe më serioze është kur lodrat dhe veglat lihen përdhe rreth e qark, pasi mund të jenë të rrezikshme. Shumë aksidente në shtëpi kanë ndodhur për shkak të zakoneve të parregullsisë.

Qartë, pastërtia dhe udha e krishterë e jetesës janë të pandashme. Lidhur me mënyrën e perëndishme të jetesës, profeti Isaia flet për ‘rrugën e shenjtë’ dhe shton mendimin kthjellues se «asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të». (Isaia 35:8) Po, fakti që kultivojmë zakone të mira pastërtie tani jep dëshmi të fortë të besimit tonë në premtimin e Perëndisë se do të vendosë së shpejti një tokë të pastër parajsore. Atëherë, në çdo anë të këtij planeti të bukur, të gjithë njerëzit do t’i sjellin lavdi Perëndisë Jehova duke qenë plotësisht në harmoni me normat e tij të përsosura të pastërtisë.​—Zbulesa 7:9.

[Figura në faqen 6]

Të gjithë ata që jetojnë në një shtëpi kanë përgjegjësinë për ta mbajtur të pastër

[Figura në faqen 7]

Toka është një mrekulli vetëpastruese